Faleminderit
Bedri Tahiri: Lisi gjashtënjakë - Kushtrimtar lirie
E enjte, 25.02.2010, 10:00 PM
Datat që ndryshuan historinë
LISI GJASHTËNJAKË- KUSHTRIMTAR LIRIE
Nga Bedri TAHIRI
Të nderuar familjarë të dëshmorëve që sot po i përkujtojmë!
Të respektuar luftëtarë, veteranë e invalidë të UÇK-së!
Të nderuar të pranishëm!
Të flasësh për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësi. Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj, ata nuk kanë nevojë për lavdata, sepse janë lavdia vetë, ata nuk kanë nevojë për ne e ne kemi nevojë të krenohemi me ta. Dhe, kush nderon historinë, krijon ardhmërinë. Përndryshe, kush nuk e kupton historinë është i dënuar ta përsërisë atë. Kësaj here, mbase jemi vetëdijësuar dhe nuk do ta pësojmë këtë dënim që na përcolli nëpër shekuj. Lufta e lavdishme e UÇK-së dhe komandantit të saj legjendar, Adem Jashari, sublimoi dhe kurorëzoi gjithë përpjekjet tona liridashëse. Ajo qe një luftë mbarëkombëtare, andaj edhe patëm përkrahjen e botës së civilizuar dhe fituam.
Si çdo luftë, edhe kjo e fundit, pati betejat dhe dëshmorët e vet. Njëra nga këto beteja është edhe kjo që sot, në 11-vjetorin e saj po e përkujtojmë, beteja e Qirezit dhe Likoshanit, e cila bëri kthesë historike dhe i dha kuptim të ri luftës sonë çlirimtare. Ajo qe hyrje e Epopesë së madhe, që njihet me emrin Lavdia e UÇK-së e që zgjati deri më 12 qershor 1999.
Dëshmitari më besnik i asaj ngjarjeje të madhe historike, padyshim, është Lisi gjashtënjak i Likoshanit, të cilin unë e quajta Lisi kushtrimtar! Po të kishte gojë ai do të rrëfente:
E shtuna e 28 shkurtit 1998, gdhiu e zymtë fare. Edhe dielli përtueshëm lëshonte rreze mbi Qyqavicën mitike. Masakrimi i Abdulla Nikës nga Gllanasella, në vendin e tij të punës nga barbarët serbë, kishte shtuar ankthin e frikës në këto anë. Mirëpo trimat e lirisë dhe komandant Adem Jashari kishin ngjeshur armët dhe kishin dhënë betimin: O sot, o kurrë!
-Ju lumtë, o trima!- bekoi populli, dhe, që nga beteja e Klysyrës, sidomos pas varrimit të mësuesit Halit Geci, ku UÇK-ja doli hapur, ai hapi zemrën e madhe për ushtrinë e vet çlirimtare.
Dhe, atë ditë, në orën 11 e 30 minuta, para shitores së Likoshanit, policët serbë ndalojnë traktorin që shkonte për ngushëllime në Gllanasellë. Sakaq, nga Dobrashefci erdhi vetura Pasat dhe kaloi pranë tyre. Cerberët e nuhatën dhe iu turren pas. Trimat: Musë Jashari, Rasim Kiçina, Sabit Lladrofci dhe Jahir Hajdari, taktikisht e tërhiqnin zjarrin jashtë katundit. Te Lisi Gjashtënjakë, sikur shkreptiu moti për së kthjellti. Mortaja e Musë Jasharit volli zjarr dhe “NIVA” fluturoi në erë. Kukulelet e bishave u shuan shpejt nga armët e luftëtarëve të lirisë.
Toka mëmë u ujit edhe me gjakun e lirisë. Rasim Kiçina ndihmonte të plagosurin rëndë, Sabit Lladrofcin. Nga radiolidhja e 405- it u përhap lajmi kushtrimtar. Sakaq, një veturë nxitonte drejt flakës së luftës. Sabit Geci merr të plagosurit dhe niset drejt Gofileve të Prellocit. Helikopteri i ndjek pas, duke i mitraluar pa pra. Të plagosurit marrin plagë të reja. Plagoset edhe Musa, plagoset edhe vetë Sabiti. Vetura e tij humb drejtimin dhe përplaset në murin e një shtëpie bri rrugës. Mitralozi i komandant Adem Jasharit, i cili tashmë me bashkëluftëtarë kishte mbërritur aty, e detyron helikopterin të largohet nga fushëbeteja...
Dielli po u afrohej Bjeshkëve të Nemuna e flaka e luftës nuk po pushonte. Edhe “NIVA” tjetër, që erdhi përforcim, u asgjësua me gjithë policë, nga njësiti tjetër i UÇK-së, që atë natë ishte në Qirez, në shtëpinë e atdhetarit, Brahim Rexhepi, babai i të cilit, Ajeti, ishte komandant i Gardës Kombëtare në Brigadën e Shaban Palluzhës. Aty ishin ushtarët: Xhemë Kodra, Beqir Mehaj, Skënder Gjeli, Isë Beqiri e Beqir Beqiri. Ky i fundit ishte ndër themeltarët e celulës së parë, i 18-ti me radhë, në regjistrin e Adem Jasharit. Kur krisi pushka, atyre iu bashkëngjitën edhe Rexhepi 63 vjeçar me nipn Zeqirin si dhe Naser Gjeli, i cili, me armën që ua mori policëve të vrarë, bashkë me të atin, Muhametin, qëndruan derisa ranë heroikisht në oborrin e shtëpisë së vet.
Djajtë u tmerruan fare. Hakmarrje!...Hakmarrje!- ulërinin krerët nga Beogradi.
Dhe, toka zu të dridhej nga tanket e helikopteret. Ata sollën përforcime të shumta. Pos helikopterit të parë erdhi edhe një tjetër që mbante lidhje dhe barte të vrarët dhe të plagosurit serbë në spitalin ushtarak të Beogradit. Erdhën edhe 47 autoblinda e mjete të tjera ushtarake. Qielli nuk dukej nga tymi e nga flaka. Trimat e Adem Jasharit me gjokse e me dhëmbë sfidonin mordjen e zezë...
Gjakatarët e stepave karpatiane zunë të shfrenin me tërbim të paparë mbi popullsinë duarthatë. Gjurmëve të gjakut të Rexhepit të plagosur ata u futën edhe në shtëpinë e Ahmetajve të Likoshanit dhe masakruan të gjithë meshkujt që gjendeshin aty. Sefer Nebihut nga Qirezi ia ekzekutuan renë shtatëzënë, Rukien, dhe djalë Xhemshirin...Sheremet Sejdiut ia shuan katër drita rinore...Ata vranë edhe shumë të tjerë...
Fill pas stuhisë, më 3 mars 1998, Qyqavica ishte veshur me të zeza. Pranë këmbëve të saj, në kodrën midis Qirezit dhe Likoshanit, hapeshin plagë të reja. Njëzet e katër varre hapnin gojën, sikur donin të na përbinin të gjithëve të gjallë. Lumenjtë mortorë rridhnin nga çdo anë. Aty, në zemër të Drenicës, bashkohej Kosova, bashkohej Shqipëria. Përpara binës së improvizuar radhitën 24 flamuj lirie, të cilët, të gjithë tok do ta kenë një emër: DËSHMORËT E QYQAVICËS!
Pra, atë ditë, në Altarin e lirisë, me gjak të njomë u skalitën edhe këta të pavdekshëm:
Ilir Nebihu (30)- Qirez
Rukie Nebihu (27),
Xhemshir Nebihu (33),
Rexhep Rexhepi (63),
Beqir Rexhepi (30),
Beqir Sejdiu (26),
Nazmi Sejdiu (24),
Bedri Sejdiu (24),
Bekim Sejdiu (23),
Ismail Behrami (30), Baks,
Behram Fazliu (50), Gradicë,
Ahmet Ahmeti (50), Likoshan
Elhami Ahmeti (16),
Shemsi Ahmeti (21),
Lumni Ahmeti (20),
Naim Ahmeti (22),
Driton Ahmeti (23),
Hilmi Ahmeti (48),
Basri Ahmeti (20),
Hamzë Ahmeti (44),
Gani Ahmeti (46),
Ibish Rama (38),
Muhamet Gjeli (70) dhe
Naser Gjeli (38).
Sot, në këtë 12-vjetor të betejës së Qirez- Likoshanit kemi obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që na solli ditën e bardhë. Në të kundërtën, amaneti tyre mbetet peng dhe paskëtaj, vaj halli për ne, na mallkon historia, na mallkojnë brezat e ardhmërisë!
Pra, shpirti i bardhë i atyre që fituan pavdekësinë, sot sikur po frymon më lirshëm, sepse, pikërisht në muajin shkurt, u arrit PAVARËSIA dhe lindi shteti më i ri në gjithë globin, me emrin REPUBLIKA E KOSOVËS! Ështe ky edhe një hap i madh drejt realizimit të synimit të brezave, që nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari, drejt BASHKIMIT KOMBËTAR, gjegjësisht të krijimit të SHQIPËRISË REALE!
Lavdi të gjithë të rënëve për LIRI!
Komentoni
Artikuj te tjere
Daut Arifi: Jetoi për këngën , për të ngelur në këngë
Qazim Bej Vlora, Fundi tragjik i djalit të Ismail Qemalit në Strugë
Gani Qarri: Gjeneralin nuk ka kush ta kujtoj?!
Kalosh Çeliku: Personalitete q? rrin? krah p?r krahu me Bajram Currin dhe Shot? Galic?n
Tefik Geci & Kadri Mani: Në përkujtim të dr. Milan Sufflay-t me rastin e 79-vjetorit të vrasjes
Milazim Kadriu: Shaban Shala u flijua për Flamur, Gjuhë e Liri Kombëtare
Mark Marku: Komunikimi politik i Rugovës
Jorgo S. Telo: Nderim i përjetshëm për zbatuesit e ligjit
Agim Gashi: Me fat Pavarësia o Adem Jashari
Baki Ymeri: Pasardhës të denjë të rilindësve tanë
Sami Repishti: Mbi kontekstin historik të fenomenit Gjergj Kastrioti - Skendërbeu (1405-1468)
Vebi Xhemaili: Xhemë Hasa, ky kolos shqiptar e ka vëndin përmbi Urën e Gurit në Shkup...
Milazim Kadriu: Në tre vjetorin e rënjes u përkujtuan Mon Balaj dhe Arben Xheladini
Agim Gashi: Dëshmorëve të Feronikelit
Luan Topçiu: In memoriam - Ibrahim Kodra
Xhevat Rexhaj: Istogasi Ibish Rugova
Uran Butka: Pjetër Arbnori si simbol i qëndresës
Vladimir Shyte: Pishtarë që kurrë nuk shuhen
Poezi për Dëshmorët e Kombit nga Dibran Demaku
Origjina e Skënderbeut, Dokument i rrallë i 1368 përmend Kastriotët nga Kanina e Vlorës