E hene, 11.11.2024, 12:51 AM (GMT)

Faleminderit

Uran Butka: Pjetër Arbnori si simbol i qëndresës

E marte, 09.02.2010, 09:56 PM


Pjetër Arbnori si simbol i qëndresës

Nga URAN BUTKA

Idetë janë ato që i paraprijnë ndryshimit dhe përparimit në çdo kohë. Ato përftohen nga njerëz të zgjedhur jo prej nesh, por prej kohës dhe që imponohen e kthehen në lëvizje sidomos në çaste kthesash, që hapin shtegun, mobilizojnë dhe mbeten si udhërrëfyese edhe pasi nuk janë më ideatorët fizikisht.

Pjetër Arbnori ishte një ideator i tillë.

Një nga idetë, e ngjizur fillimisht prej nënës së tij, mandej pjesë e brendësisë së tij shpirtërore, ishte mbështetja në besimin tek Zoti. Ky besim hyjnor e mbajti gjallë kur ishte në prag të vdekjes, i ruajti shpresën e pashuar dhe vullnetin titanik për të mbijetuar e triumfuar.

Me besimin te Zoti dhe tek vetvetja, kuptohet përpjekja e vazhdueshme jetësore e Arbnorit për të qenë dhe për të mbetur njeri. "Tani, - thotë Arbnori, - sa herë më pyesin për jetën time, e filloj me frazën 'Faleminderit Zotit!'". Ai ishte besimtar në kuptimin intelektual të fjalës. E njeh rolin inspirues, qetësues, përmirësues e forcues të besimit. Por përpjekja për të mbetur njeri, lufta me vetveten, lufta në kushte tejet të rënda, ishte lufta më e vështirë. "Nuk ka qenë e lehtë të luftoja për të ndërtuar një strehë, pa e lënë tjetrin në shi; të siguroja një kafshatë bukë, pa ia hequr kafshatën tjetrit nga goja; të përpiqesha të shkollohesha, pa e lënë shokun në errësirë; të rropatesha në pranga për të ndriçuar robërinë time, pa ia rënduar jetën shokut që kisha pranë. Në kushte tepër të vështira, e quaj arritje që kam shpëtuar pa u turpëruar dhe kam mundësi t'i shikoj shokët, miqtë dhe armiqtë drejt në sy".

Në asnjë çast, edhe në ato më të vështira, ai nuk urreu, nuk mallkoi, nuk fyeu, nuk ra në dëshpërim e ankim, vetëm fali e ndihmoi, duke mbetur gjithmonë i drejtë.

Në këtë vështrim, ai i afrohet nënë Terezës, idhullit të tij shpirtëror, me të cilën fati e bashkoi në Tiranë dhe Neë York - duke u bërë edhe ai simbol i harmonisë, dashurisë dhe bashkëjetesës në paqe e njerëzillëk.

Ideja e lirisë dhe ndjenja e lirisë janë të mbrujtura dhe të flakta brenda Arbnorit. Ai është një besimtar në vlerat e lirisë, një luftëtar i pamposhtur i saj. Kjo e çoi në luftë me armiqtë e lirisë që e burgosën për 29 vjet me radhë. Për njeriun Pjetër Arbnori, jeta, veçanërisht jeta në burg, është një përpjekje e mundimshme, e paimagjinueshme, madje e arritshme në kufijtë e të pamundëshmes, e zgjerimit të lirisë brenda vetes së tij, brenda mendjes dhe shpirtit të tij. Këtë e ka arritur me një vullnet të pathyer e punë të brendshme sistematike e serioze, në radhë të parë për të mbetur njeri në kushtet e çnjerëzores, për të mbrojtur identitetin e tij moral e shpirtëror nga përpunimi në burg i "identitetit të dyfishtë" apo i "lavazhit të trurit"; në radhë të dytë, për të thyer çdo çast kufijtë e izolimit e për të zgjeruar kontaktet me të burgosurit, pjesa më e madhe e tyre intelektualë të kalibrit europian si Pjetër Mëshkalla, Mirash Ivanaj, Vinçens Prenushi, Padër Donat Kurti, Gjergj Kokoshi, Xhevat Korça, Mikel Koliqi etj, por edhe me njerëz të thjeshtë apo gardianët e burgut, në përqasjet me nënën e motrat jashtë burgut, në kontaktet e përthithjen e ethshme të literaturës së lejuar (libra, gazeta, revista) dhe, mbi të gjitha, me punën mendore, punën krijuese, të pashkruar (romane, tregime, ditare, meditime - të shkruara në mendje) dhe në punën krijuese të hedhur nëpër copa letre higjienike, cigaresh, makaronash, gazetash, shënuar me kode apo gërma mikroskopike, një punë intelektuale që të bën të ndjehesh njeri, por edhe të bëhesh njeri. Megjithatë, ai brenda vetes jetoi i lirë, ndryshe nuk do të kishte mbetur simboli i qëndresës në emër të lirisë, dhe pasi doli nga burgu, flamurtar i saj, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë hapësirën shqiptare. Edhe kur fitoi liria e demokracia në Shqipëri, në vitin 1992 Arbnori u bë gardian i tyre, edhe kur në vitin e mbrapshtë 1997 sërish u prangos fjala e lirë, madje edhe brenda Parlamentit shqiptar, Arbnori u bë martiri i saj. Ai shpalli grevën e urisë në 19.08.1997 për një kohë të pacaktuar, deri sa të sigurohej me ligj transmetimi televiziv i fjalës së lirë të deputetëve, sidomos i opozitës. Pjetër Arbnori vetëburgoset e vetëflijohet për të mbrojtur lirinë e fituar me aq sakrifica. Mandela i Shqipërisë sërish në grevë urie, të vërtetë, stoike dhe të pandërprerë. Arbnori përballë vdekjes! Engjëjt mbrojtës të tij, Suzi dhe dy fëmijët, engjëj mbrojtës të tij! Shkodra e gjitha në shesh për Arbnorin! 10000 qytetarë të Tiranës në protestë përkrah Arbnorit. Edhe forume dhe personalitete ndërkombëtare. Ideja e Arbnorit: "Më mirë të luftosh për lirinë, se sa të ëndërrosh për të - u shpalos sërish - i vendosur gjer në vdekje për të mbrojtur vlerat e saj - Arbnori martiri i gjallë i lirisë!."

Amendamenti "Arbnori" ishte fitorja e parë e PD-së në opozitë, fitore e parimeve demokratike, e realizuar edhe me mbështetjen ndërkombëtare.

Arbnori bëhet sërish simbol i qëndresës, ashtu si më parë në burgjet komuniste - "Strategjia jonë" - qëndresa! Ideon ai dhe bëhet vetë shembull i qëndresës opozitare demokratike, i tubimeve, protestave e mitingjeve edhe kur mbi krye i fërshëllenin plumbat dhe i rrezikohej jeta - Idetë i jepnin forcë, durim dhe trimëri. "Unë jam me teorinë e pikës së ujit", - thoshte ai. "Ajo është shembull i durimit, kjo pikë e shpon gurin dhe nuk mërzitet".

Arbnori nuk lektiset edhe pse punët e Shqipërisë po shkonin keq e më keq. Ishte për një punim opozitar të pareshtur, bindës, të argumentuar, të matur dhe kurrsesi jashtë kontrollit, kurrsesi aventurier dhe me ngjyrim personal.

Ai nuk e pranonte shkatërrimin për hir të ndërtimit, sjelljen jo qytetare, përdorimin e dhunës nga çdo anë që të vinte, qëndrimet antihumane dhe antikushtetuese. Arbnori ishte ithtar i ideve të djathta dhe realizimin e tyre me rrugë e mjete paqësore, ligjore e njerëzore. Ai ishte kundër ideve dhe qëndrimeve revolucionare, ishte një evolucionist, ideator i ndryshimit dhe përmirësimit të natyrshëm, me anë të votës së lirë dhe të reformave demokratike. Ai ishte për drejtim institucional në parti dhe në shtet, për balancën e institucioneve, për respektimin e ligjeve dhe të shtetit ligjor, për funksionimin dhe konsolidimin e tij. Arbnori vinte në themel kthimin e kompensimin e pronës, respektimin e ish-pronarëve, të cilët u shpronësuan e u masakruan padrejtësisht nga regjimi komunist. "Prona është e shenjtë", - thoshte Arbnori. Ajo është baza e zhvillimit, e pasurimit, e sigurisë. Ai luftonte që prona të kthehej jo vetëm ligjërisht por edhe realisht, gjë që nuk u bë si duhet ose u zvarrit pa masë dhe i bëri të pakënaqur ish-pronarët. Arbnori i ka kritikuar këto qëndrime dhe dukuri negative. Si kryetar i Parlamentit shqiptar për dy legjislatura, ai ndihmoi më tepër se kushdo tjetër për fomësimin e miratimin e legjislacionit demokratik shqiptar, që u bënë themeli i shtetit ligjor dhe i zhvillimit politik, ekonomik, social, kulturor si kurrë ndonjë kohë tjetër. Nga ana tjetër, Parlamenti në kohën e tij, por edhe ai vetë, u bënë faktorë të rëndësishëm të çështjes sonë kombëtare, të qëndrimeve të drejta kombëtare dhe në mënyrë të veçantë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Arbnori paralajmëroi rrezikun e spastrimin etnik dhe genocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. "Ne duhet të bëjmë ç'është e mundur për të penguar këtë spastrim etnik, për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar dhe politik ndërkombëtar për këtë proces kriminal antinjerëzor e antikombëtar. Ne kërkojmë vendosjen e helmetave të kaltërta si edhe të forcave të OKB-së si hap i parë për të shmangur tragjedinë në Kosovë dhe zgjerimin e konfliktit në jug".

Ai i bëri thirrje Presidentit Klinton dhe nëpërmjet tij SHBA-së, të ndalojë genocidin në Kosovë e më gjerë, ashtu siç i bënë apel edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Natos, Manfred Verner, të cilit Arbnori i dhuroi në Tiranë edhe një shpatë simbolike të drejtësisë, punuar nga dora e shqiptarit.

Madje, Arbnori si atdhetar më 24 qershor 1992 sapo ishte zgjedhur në postin e Kryetarit të Parlamentit, mbajti në Paris, në organizatën e KSBE-së një fjalë që sfidonte edhe mendësinë evropiane: "Shqiptarët duhet të bashkohen, siç u bashkuan gjermanët. Me bisedimet paqësore u bashkuan dy Gjermanitë, ç'paska problemi shqiptar që qenka më i vështirë?"

Ai u bë mbështetës i politikës paqësore të Rugovës. Arbnori e Rugova, dy njerëz të mëdhenj të kombit luftëtar të lirisë, dy gandistë të shquar të Ballkanit.

Qysh në vitin '93 , Arbnori shkruan "Çështja e Kosovës është çështje kyç për një zgjidhje të qëndrueshme e për stabilitet në Ballkan. Prandaj ajo është një çështje ndërkombëtare, e cila duhet trajtuar e zgjidhur në kuadër ndërkombëtar". Por ai mendon se procesi i mëhvetësimit të Kosovës do të jetë i gjatë e i vështirë. "Kush mendon se Kosova do të fitojë lirinë brenda një muaji apo gjashtë muajsh, gabon. Por ajo ka me vete të drejtën e vetvendosjes. Kosova meriton pavarësinë".

Arbnori i ndjente rrënjët evropiane të vetvetes dhe të shqiptarit. Ai ishte i vendosur si edhe gjithë Shkodra gjatë gjithë kohërave, për një orientim të qartë perëndimor, për një politikë integrimi të natyrshëm e të merituar në strukturat euro-atlantike. Ai bëri shumë në këtë drejtim. Përpjekja dhe nënshkrimi prej tij të aktit të madh të pranimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës më 29.07.1995 është një arritje e shkëlqyer e Arbnorit dhe e Shqipërisë. "Dita e 29 qershorit, - thoshte Arbnori, - ka qenë ndër më të bukurat e jetës sime. Erdhi ora e ndryshimit të madh. Ne e meritonim familjen evropiane… Atë ditë mësova diçka të madhe: ne duhet ta duam të gjithë Shqipërinë, që të na duan edhe të tjerët… dukej sikur të gjithë deputetët e Evropës ishin të një partie, të një kombi, shqiptar".

Edhe sikur të mos kishte bërë asgjë tjetër, Arbnori me këtë akt hyri në histori.

Arbnori ishte një parashikues i saktë i ngjarjeve dhe zhvillimeve në Shqipëri e më gjerë. Ai e ndjente përgjegjësinë e tij dhe të lidershipit të PD-së dhe asnjëherë nuk ra në eufori, apo në mosrealizëm. "Entuziazmi është pjesë e pandarë e kthesave të mëdha, - thoshte ai, - por tani ka ardhur koha të bëhemi më tokësorë, më të përgjegjshëm".

Ai e shikonte vazhdimisht rrezikun e rënies së demokracisë, si edhe të rikthimit të komunistëve në pushtet. "Të mos harrojmë, - porosiste ai, - se asnjëherë komunistët vetëm nga zori i kanë pranuar ndryshimet politike, liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë, pluralizmin, ndonëse kanë përfituar prej tyre më tepër nga të tjerët. Ata punojnë për të kthyer të kaluarën. Dhe kjo bëhet vërtetë nëse ne gabojmë…"

Ishte një demokrat i madh, por edhe një besnik i madh i PD-së dhe i parimeve demokratike. "Është e rëndësishme, - thoshte ai, - se kudo që të jem, do të jem besnik i PD-së, besnik i demokracisë, i votës së popullit të Shkodrës që na nderoi duke më zgjedhur për të katërtën herë deputet në Parlament".

Shkodrën e tij ai e donte dhe e respektonte për vlerat atdhetare, kulturore, perëndimore. PD e quan parti të dëshmorëve Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Cekës, të Azem Hajdarit e të martirëve të tjerë të lirisë e të demokracisë.

Arbnori ishte dhe mbeti deri në fund lider i të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, pjesë e tyre aktive. Anëtar i kryesisë së Shoqatës antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, ai mbrojti interesat e tyre, ndihmoi në integrimin e tyre në jetën politike, ekonomike, shoqërore e arsimore. Mbrojti në Parlament amendamentin për dëmshpërblimin e punës të të burgosurve politikë, kërkonte që dëmshpërblimi të bëhej sa pavdekur edhe të fundit të burgosur që kishin mbetur, madje edhe vetë i burgosuri i 29 viteve, shkoi pa i gëzuar ato.

Por mbi të gjitha, ai shkroi dhe e përjetësoi këtë shtresë për qëndresën e saj anti-komuniste në burgje e kampe internimi, në mënyrë të veçantë në librin e mrekullueshëm "10300 ditë e net në burgjet komuniste". Dua të sjell në kujtesën tuaj, se Arbnori, ndonëse kryetar Parlamenti dhe me detyra të tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka marrë pjesë thuajse në të gjitha tubimet dhe veprimtaritë që kam organizuar nga vitet 1992-1997, por edhe më pas, për vlerësimin e ngjarjeve dhe të figurave historike të denigruara e të masakruara nga regjimi i Enver Hoxhës. Unë e kam pasur mik e bashkëluftëtar, por edhe mbështetës në gjithë veprimtaritë e mia. Ku e gjente kohën, ku e gjente gjithë atë energji dhe atë vullnet, që të vinte në çdo aktivitet që nga Vermoshi e deri në Konispol dhe të nderonte figurat e mëdha të kombit e të demokracisë shqiptare.

Kështu ai nderoi veten.

Pjetër Arbnori vjen tek ne si një qëndrestar i pamposhtur, një atdhetar dhe demokrat i përmasave të mëdha, një politikan dhe lider i shquar, një shkrimtar dhe publicist i njohur dhe mbi të gjitha një njeri. Në luftën për të mbetur njeri, ai i mbeti gjithnjë besnik vetvetes: i thjeshtë, i dashur, i urtë, i komunikueshëm, i ndershëm, paqësor, i vendosur por edhe tolerant dhe mbi gjithçka, human.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora