E premte, 13.12.2024, 07:51 PM (GMT)

Faleminderit

Shevki Sh. Voca: Përkujtim me rastin e lindjes dhe vdekjes së Profesor Magjistër Ahmet Sh. Maloku (II)

E premte, 29.01.2010, 09:56 PM


PËRKUJTIM ME RASTIN E LINDJES DHE VDEKJES SË PROFESOR MAGJISTËR AHMET SH. MALOLU (1929-1999)

Nga SHEVKI SH. VOCA
    
SI U NJOHA ME PROF. MR. AHMET MALOKU-në

    Me 6. shtator të vitit 1988, në Mitrovicë në moshën 73 vjeçare ndërroi jetë Jashar Beqir Voca (1915-1988), axha i babait tim Shaban Voces. Jashar Voca, të cilin ne të familjes e quanim Bali Jashar  ka qenë një plak i cili gëzonte respekt dhe autoritet jo vetëm ne familjen e madhe të Vocave te Mitrovicës, por edhe më gjerë. Ne shkurtin e vitit 1945, ai bashkë me gjashtë  patriot e atdhetar, secili më trim dhe më i vendosur se tjetri në mesin e te cilëve ishin dy vëllezërit e tij (nga baba) më të mëdhenj Adem dhe Etem Voca, ky i dyti me gjithë djalin e vet te dytë nga pesë sa i kishte, Tahirin 16 vjeçar, pastaj nipi i tyre (djali motrës) nga fshati Zasell, Abdulla Lahi si dhe dy shokë shumë besnik dhe të pa ndarë te Adem Voces, Mon Ahmet Ferizi dhe Ferati i Cenit nga Stan Trgu (këta dy kushëri të parë mes veti pl. Sh. V.) ishin barrikaduar ne fshatin Pasomë tani Suma, ne kullën e tyre personale duke luftuar me  njësitet partizane-çetnike, serbo malazeze, me ç’rast kishin bërë një rezistencë derri atëherë të pa parë, duke i shkaktuar armikut me dhjetëra apo qindra të vrarë dhe të plagosur. Lufta kishte zgjat rreth 36 orë, me humbje te mëdha te njësiteve ushtarake partizane çetnike, ndërsa nga ana tjetër mbijetoi vetëm Jashari i cili kishte marrë katër plagë ne trup. Fati deshi qe ti shpëtoi dënimeve ma te ashpra, pushkatimit apo burgosjeve nga ma te rëndat siç vepronin komunistet e Titos aso kohe. Jashari deri në fund te jetës ishte në shënjestrën dhe përcjelljen e organeve policore jugosllave. Me aq forcë sa pati qëndroi dhe rriti shumë jetimë te cilët asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk i dalloi prej fëmijëve të vetë. Gjatë jetës deri pak para vdekjes kur u sëmur, ai vazhdoi rrugën e babait të vet Beqir Musli Voca (1841-1925) duke marr pjesë në pajtimet e gjaqeve dhe ngatërresave te ndryshme, jo vetëm në Shalën e Bajgores, Drenicës, Llapit, Ortakollit, Prekorupës, Anamoravës, por edhe kah Rrafshi i Dukagjinit duke përfshirë edhe viset e Hasit, Gorës dhe Opojës, në të cilat vazhdimisht arrinte sukses, andaj edhe kur vdiq atij iu bë një pamje madhështore e cila zgjati rrumbullak një muaj. Për luftën e Sumes dashtë Zoti do të shkruaj me një rast tjetër më tepër dhe më në detaje, sepse nga historianët dhe historiografia jon krejt pak ose aspak nuk janë përmendë  këta trima atdhetar e patriotë te cilët e flijuan veten, vetëm pse nuk u pajtuan me premtimet e Fadil Hoxhës, Ali Shukriut, Rasim Qerkezit, Milija Kovaçeviçit dhe vëllezërve tjerë të tyre serbo-malazez, qe ti dorëzojnë armët dhe të dorëzohen se nuk do të pësojnë dënime. Përkundër faktit se Adem Voca më 25 dhe 26 janar të vitit 1945, u printe rreth 2000 luftëtarëve shaljanë në rezistencën e luftës e cila u zhvillua në Stan Trg, me ç’rast forcat partizane çetnike u zmbrapsën duke u tërhequr deri në Mitrovicë tek varet e serbeve pranë fshatit Shupkofcë. Me këtë rast për hir të objektivitetit dhe realitetit historik më duhet të ceku se në ketë luftë mjaftë të ashpër Adem Voca nuk është plagosur siç mund të hasim aty këtu në ndonjë shkrim. Mirëpo, Ademi duke mos iu zënë besë këtyre të pa besëve sepse, sikur që kishte thënë edhe vetë  se nuk ekzistojnë kurrfarë kushte që të lidhemi për fjalët e tyre, e kishte parasysh  faktin se pushteti sllavo komunist i cili çdo ditë e më tepër vinte duke u forcuar, njerëzit e të cilëve për çdo natë me urdhër kinse nga lart  hynin natën nëpër shtëpi duke i mbledhur burrat e pafajshëm të cilëve më nuk ju gjendeshin askund gjurmët. Njerëzit vriteshin dhe pushkatoheshin brenda nate pa kurrfarë gjyqe, duke mos ditur  më asgjë për fatin e tyre. Andaj, Adem Voca duke mos dashtë me marr masën e gjerë të popullit në qafë vendos që vetë i shtati të tërhiqet dhe të qëndroi në kullën e tij dhe pa pranuar kurrfarë kompromisi vazhdoi luftën kundër njësiteve partizane çetnike duke udhëheq një luftë  shumë fish të pa barabartë, deri në plumbat e fundit kur edhe ra heroikisht si i ka hije burrave trima shqiptar. Derisa këta trima luftonin kundër armikut të përbetuar të shqiptarëve, gratë fëmijët dhe nipat e tyre, të vegjël që kishte aso edhe në djep ishin vendosur në podrumet e kullës, prej nga herë pas here gratë u dërgonin ndonjë copë bukë sa për ta mbajtur shpirtin, sepse diç tjetër as që kishte pas kohë për të ngrënë. Kësaj katrahure deshi Zoti i Madhërishëm që ti shpëtoi vetëm  Jashari të cilin e cekëm më lartë duke i marrë katër plagë në trup.
   Gjatë kohës sa zgjati e pamja në shtëpinë e të ndjerit Jashar Voca, e cila gjendej në qendrën e qytetit të Mitrovicës të cilën e kishte ble Sherif Beqir Voca në vitin 1934, nga vëllai i Xhafer Devës, Riza Deva, (në luftën e fundit 1999, ajo shtëpi me disa tjera për rreth u kallën deri në themel nga barbarët sebo-çetnik) ndër shërbëtorët kryesor që u bënte hyzmet siç thuhet në gjuhën popullore mysafirëve që pa ndërpre vinin në të pamë ishte autori i këtyre rreshtave me kushëririn e vet nga fshati Melenicë e Shalës, Fadil Jetulla Voca. Këtu pata rastin e veçantë të jetës time, të njoftohem me njerëz të urtë dhe pleqnar të vendeve të ndryshme. Me këtë rast do ti ceki ca pleqnar të njohur, si për shembull: Hysen Ramë Lutani nga Turiqevci i Drenicës, Mujë Loshi nga Padalishta i cili dallohej prej të tjerëve ndaj një respekti të veçantë që kishte për familjen Voca, Hysen Reci nga Llausha një plak tepër i mençur, Hamdi Kqiqi, Tahir Maqastena, Ilaz R. Kolla, Sadik Zeneli i familjes së pleqnarit me famë Xhemajl Obrija, Sherif Dedinja, Brahim Kurti, i cili sipas informatave që i kam deri sa po i shkruaj këto rreshta (mesi i korrikut, 2009) jeton ende por nuk ka mundësi të merr pjesë nëpër pajtime sepse është i sëmur, dhe është plakur mjaft, si dhe shumë e shumë pleqnar tjerë të njohur. Përveç njerëzve të rëndomtë dhe pleqnarëve të cilët i ceka që vinin në pamje ishte edhe një numër i madh i klerikëve fetar dhe intelektualëve të ndryshëm nga të gjitha anët e Kosovës të cilët kishin pas rast të rrinë dhe ti dëgjojnë  fjalët e urta të ndjerit Jashar BeqirVoca.
   Dera për mysafir hapej në ora 8 të mëngjesit dhe zgjaste deri vonë në mbrëmje. Një ditë më ndodhi që të shkoi pak më vonë si zakonisht që shkoja. Ishte diku rreth orës 11. Me të hyrë brenda, për mua nuk kishte nevojë që të përshëndetem me njerëz që kishin ardhur me pa, por si zakonisht e mërsha rolin e shërbyesit në shpërndarjen e çajit, kafes, apo ndonjë gote me ujë varësisht kush çka pinte, si dhe në pastrimin e shpuzoreve të duhanit, ndërsa cigaret i shpërndanin burrat tanë që i pritnin mysafirët brenda në odë. At ditë kishte ardhur me pa një person që për nga pamja fizike për mua ishte i pa njohur, të cilin e shoqëronin disa vetë. Tani më e vërejta se dita e sodit dallohej nga ato ditë të tjera. Në odën e pritjes dominonte një qetësi e madhe që përcillej me fjalët të cilat i fliste ai. Të gjithë të pranishmit qofshin të huaj, qofshim ne të familjes e dëgjonim me vëmendje. Veshja e tij dallohej nga veshja e atyre pleqve që i kam cekë më lartë. Në trup kishte të veshur tesha kat me një kravatë dhe këmishë të bukur plot elegancë dhe pedanteri, ndërsa në kokë nuk kishte asnjë lloj kapele. Qëndrimi dhe të ulurit e tij ndryshonin prej të tjerëve, duhan nuk thithte dhe ashpër i qortonte të tjerët për këtë çështje, vëreja se askush nuk ia kthente fjalën. Nja tre pleqnar që ishin bë thuaja pjesë përbërëse e familjes tonë në pritjen dhe përcjelljen e mysafirëve nuk flisnin asgjë. Ndonjëherë aty këtu dëgjoja që dikush nga të pranishmit të thotë: “Rrofsh o profesor se na kënaqe”. Atij i shtronin  pyetje nga të ndryshme, në të cilat nuk mbetej pa u përgjigjur. Unë fillova të mahnitem me dijen dhe informimin e tij aq të rast. Ky burrë (që sipas meje kishte një autoritet të veçantë) qëndroi më tepër se zakonisht që rrihet në pamje. Pas shkuarjes së tij e kuptova se ai ishte profesor magjistër Ahmet Maloku, emrin e të cilit kisha pas rast ta dëgjoj  shumë herë, por që fizikisht nuk e kisha par dhe njohur asnjëherë më parë.  
   Mbas dy dite profesori i nderuar erdh sërish me pa, por tani ishte pasdite dhe ne nuk rinim brenda në odë sepse ishte një kohë shumë e bukur shtatori ku nxehte një diell po thuaj si në muajin maj, andaj familjarët e kishin improvizuar një çardak në oborrin e shtëpisë shtruar me shilte në të katër anët e saj, tani mysafirët si të huaj e po ashtu edhe të afërmit që vinin në paradreken e çdo dite, në kohën e pasdites rralloheshin. Unë iu afrova një kushëriri tim më te vjetër Ibrahim Riza Voca, për të cilin kemi bë fjalë më lartë dhe duke mos më vërejtur askush nga të pranishmit e pyeta me zë shumë të ulët pranë veshit të tij: “Axha Ibrahim pasi që nuk ka kallaballëk dhe numri i mysafirëve të huaj ishte i vogël a më lejoni që edhe unë me pyet diçka profesorin e nderuar?” Përgjigjja e tij ishte pozitive: “Po more qysh jo.” Dhe nuk priti as një as dy por iu drejtua me emër:” O Ahmet qy ky djalë ngatë meje po ka qef me të vet diçka (Ibrahimi ani se ishte shumë më i ri se profesori atij iu drejtohej me emër dhe e fliste gjuhën e odës), a po pranon ajo? Po more qysh jo me gjithë dëshirë, por para se të ma shtroi pyetjen më tregoni kush është ky, i kujt është, dhe çka po ju bie juve,? Ishin këto fjalët e profesorit Ahmet. 
   Pas prezantimit tim, ai së pari i foli disa fjalë rreth babait tim Shaban Sherif Voca (i lindur më1927, në ndonjë dokument figuron edhe viti 1926, por baba vetë më thoshte se viti i saktë i lindjes së tij është 1927, vdes më 30 qershor 1976, plotësim Sh. V.) duke ju thënë të pranishmëve: “Vallahi bre juve Vocave të tjerë mos të ju mbetet hatri se ma i mençmi dhe ma i lexueshmi prej ju  ka qenë Shabani. Atij shkit herët ja kurdisën akuzën për Informbyro, për asgjë tjetër vetëm pse ishte  shumë mendje preftë. Dhe me sa e di Shabani ka qenë njëri nga të burgosurit e grupit të parë të Informbyrosë në burgun e ishullit Goli Otok, dhe prej më të rinjve. Nuk më kujtohet sa ka qëndrua atje por e di se kishte vuajt mjaft. Unë ndërhyra duke i thënë gjithsejtë  gjashtëmbëdhjetë muaj ka ndejë i dënuar politikisht në ishullin e burgut të Goli Otokut. Profesorit i erdhi mirë kjo informatë e imja dhe tha rrofsh, është mrekulli kur njeriu e njeh historinë e së kaluarës së familjes, dhe vazhdoi edhe me ca fjalë tjera të na tregoi për burgun famë keqe të Goli Otokut. Gjatë kohës sa fliste, unë mendoja në vete, çudi e madhe si është e mundur të di kështu saktësisht me emra të gjeneralëve të burgosur dhe politikanëve të tjerë, si dhe kur kishte filluar të ndërtohet ai burg famëkeq dhe me çfarë lloj materiali. Pastaj profesori i nderuar tha se atë burg regjimi Jugosllav në krye me Titon e kanë ndërtua vetëm për të burgosurit politik, por gjatë kalimit të kohës ajo e humbi rolin e vetë, sepse atje tani për vuajtjen e dënimit filluan ti dërgojnë edhe njerëz me vepra jo politike si për shembull kriminel dhe hajna të ndryshëm. Këto fjalë të profesorit shumë vite më vonë mi kanë vërtetuar edhe dy të ish burgosurit politik të Informbyrosë nga Mitrovica, Qemajl Jakub Kpuzi (1925-1997), informatë më 23. XII-1991, e hënë, dhe Abdulla Zejnulla Kabashi (1924-1997) informatë e dhënë më 12. III-1992, enjte. Këta dy kishin vuajt dënimin e burgut në Goli Otok gjatë viteve pesëdhjeta (1953), por nuk kishin qëndruar gjatë. 
   Pastaj profesori i nderuar mu drejtua mua dhe më tha mundesh me vazhdua me at që po të intereson.
    Unë profesorit iu drejtova me axha Ahmet, dhe pyetjen si dhe biseda tjera që at ditë unë i zhvillova me te më duket se edhe tek të tjerët zgjoi një interesim të madh. 
     I thash axha Ahmet do ta shtroi një pyetje në lidhje me fiset tona shqiptare, për të cilat ju atë ditë kur erdhët në pamje i zutë mjaftë në gojë, ndërsa po e vërej që edhe sot shpesh i përmendni. Sa pata mundësi të dëgjoj prej juve, me që unë kur ju ishit herën e parë para ca dite këtu më tepër isha në lëvizje duke shërbyer, folët mjaft për fise dhe mund të ndodhë që nuk kamë kuptuar mirë. Gati cilin do qoftë person që ishte aty prezent kur e pyetnit nga jeni, pas prezantimit të personit ju menjëherë i tregonit se cilit fis apo bajrak i takonte si dhe nëse fshati prej nga vinte ai person kishte ndonjë mëhallë të përzier ju edhe ato i tregonit. Mua më fascinojë ajo informatë e mrekullueshme e juaja për njohurit që i kishit, jo vetëm për fise por edhe për shumë e shumë gjëra tjera, andaj  për fillim më intereson të dëgjoj mirë dhe qartë nga ju se në sa fise ndahet populli shqiptar? Meqë kam pas rast të dëgjoj nga një far Shaban Dolaku me të cilin punoja në Zveqan, tani ai ka dal në pension, por ishte një plak mjaft i urtë, punën fort nuk ja donte zemra me siguri se ishte mjaft i shtyrë në moshë dhe se serbët nuk i donte ama bash hiq. Ai na tregonte shpesh gjëra interesante për traditat tona shqiptare si dhe për luftën e Shaban Polluzhës, në të cilën kishte marr pjesë edhe vetë si në Drenicë e po ashtu edhe në Novi Pazar në mbrojtjen e boshnjakëve nga sulmet çetnike. Baca Shaban me një rast na tha: “Eh de, po, po, neve shqiptarëve na kanë marrë 27 pushkë e na hala po rrimë n’komë tona.” Pas këtyre fjalëve u ndal, e hoqi plisin dhe me dorën e majtë e fërkoi nja dy herë kokën, dhe sërish e vuri plisin në kokë dhe nuk vazhdoi të flasë. Unë nuk e kuptova andaj i thash vazhdo baca Shaban sqaroma këtë çështje se vallahi nuk kuptova asgjë? Ai mu përgjigj me gjuhën që e fliste dhe unë ashtu në origjinale po e shkruaj. Ngo knejna o sheherli se ju nga shehri nuk i dini kto pun, thash 27 pushkë se na shqiptart jemi nda në 12 fise e 12 tarikate, a po bojn 24, ia ktheva me po, pastaj vazhdoi edhe tri fe, a bojnë krejt 27 . Po, me matematikë nuk e luanë, ia ktheva unë. Me këtë sikur donte të thoshte se ne shqiptarët jemi shumë të përçarë. Tani nga ju axha Ahmet kërkoi të di se cila është e vërteta për fiset tona, jemi 12 fise apo 7, siç pata rastin të dëgjoi disa herë nga ju. 
   “Shevki, mu drejtua axha Ahmet, ti qenke pak i ri dhe nuk paske pasur mundësi me i përcjellë shkrimet e mija që i kam botuar në lidhje me historinë e fiseve tona në vitet e gjashtëdhjeta. Sipas pleqve të anës së Gjakovës dhe atyre të Pejës ne ndahemi në dymbëdhjetë fise, ndërsa dr. Atanasije Urosheviqi një studiues dhe hulumtues serb gjatë shkrimeve të tija na numëron në shtatëmbëdhjetë fise. Ndërkaq e vërteta sipas hulumtimeve të mija shumë vjeçare të cilat i kamë gjurmuar dhe hulumtuar nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës i sjelli në shtatë fise.” Mirëpo axha Ahmet  para se ti ceku emrat e fiseve ai mi sqaroi disa karakteristika që ndërlidhen me numrin shtatë, që për mua kjo nuk zinte aq peshë, por si do qoftë e dëgjova dhe nuk e lodha kokën që ti mbaja gjitha ato karakteristika të numrit shtatë në mendje, me që unë mezi pritja të filloi me shpjegimin e fiseve tona. Me gjithat ai e filloi bisedën kështu: Shevki në popullin tonë numri shtatë përdoret për shumë raste si për shembull: shtatë kralat (këtu më duket se aludohet për shtatë fuqitë e mëdha të gjysmës së dytë të shekullit 19-të, Anglia, Gjermania, Italia, Franca, Rusia, Austrohungaria dhe Perandoria Osmane, pl. Sh. V.); të Shtatë Shaljanët; shtatë sahat larg; shtatë pushkë të rrafshin, të përvëlofshin, të shitofshin të zanofshin, të shtatë fiset, të shtatë bajraqet e të tjera...Kurse sa i përket fiseve në realitet ekzistojnë këto: Shala, Berisha, Thaqi, Hoti, Kelmendi, Gashi dhe Krasniqi. Më pas vazhdoi dhe tha: Njëfarë A. Jovanoviq i cili është marrë me hulumtimin e fiseve shqiptare gabon kur në punimin e tij “Malesija” të cilën e boton në librin e 10, “Naselje i poreklo stanovnistva” (Vendbanimet dhe prejardhja e popullsisë), botua në Beograd në vitin 1913, edhe Kastratin e konsideron si fis. Gjithashtu edhe një serb tjetër Toma Oraovac, në librin e tij “Arbanasko pitanje i srpsko pravo” (Çështja shqiptare dhe drejta serbe-këtë libër shumë vite më vonë e porosita nga Beogradi, pl. Sh. V.), botua po ashtu në Beograd në vitin 1913,bënë gabim të madh kur thotë se edhe Isniqi është fis.” Axha Ahmet në këtë drejtim gjithashtu ia adresoi ca kritika edhe albanologut të madh kroat Millan Shufllaj për të cilin tha: “Edhe ky gabon kur mendon se Shkreli është fis.” Pastaj axha Ahmet në vazhdim më tha: “Shumë kush gabon kur mendon se Kabashi, Kryeziu, Shkreli,Bytyqi, Mziu, Kastrati, Drushtini, Merturi dhe disa të tjerë janë fise. Këto më tha janë barqe apo si i thonë edhe ndryshe vëllazëri të atyre fiseve që i përmendëm më parë.” Ai më pas më pyeti a thua do ti mbanë në mend gjitha këto që ti tregova dhe a të vazhdoi ende? Me këtë sikur ma hapi rrugën që të nxjerri lapsin dhe një bllok të vogël nga xhepi dhe ti kërkoi leje për evidentimin e këtyre çështjeve, për çka me pa dyshim ai edhe më lejojë, duke më thënë: “ Po more si jo, unë të diktoj ti shkruaj,” dhe asnjëherë nuk mundem të harrojë  kur më tha: “Kështu dikur edhe vetë kamë vepruar” , që nënkupton se ka mbledh dhe grumbulluar shënime.
   Pas kësaj axha Ahmet duke më diktua me një profesionalizëm të vërtet të një pedagogu të përvojës së madhe më tha: Fillojmë me fisin Thaq që ndryshe i thonë edhe Helshan, e cila ndahet në këto vëllazëri apo barqe: “Bytyç, Kabash, Sop, apo Morinë, Kryezi, Mzez, (Drushtinë), Mazrekaj, Zogaj, Korb dhe Shkrel.”
   Fisi Kelmend ndahet në këto vëllazëri: “Lajçi, Muriqi, Nikqi, Dreshajt, Xhevukajt, Bogajt, Hoxhajt, Vukli, Vuthaj dhe Selçaj.”
   Fisi Hot ndahet në gjashtë vëllazëri. Këta në fillim bashkërisht kanë zanë vend në fshatin Plluzhinë, ndërsa më vonë aty mbetet vetëm një vëlla, kurse të tjerët shpërngulen në Likovc, Ticë Tushillë, Morinë të Drenicës, dhe në Bradash të Llapit.
   Shala ndahet në këta vëllazëri: “Gimë, Pecë, Maletë (ose Lotaj) dhe Lopç. Shalës i mbathet edhe një degë që quhet Shoshi.”
    Berisha ndahet në këta vëllazëri: “Merturi, Alshiqi, Kuqi, Buzë-Madhja,Kastrati dhe vetë Berisha si vëllai më i madh.” 
     Fisi Gash, ndahet në Gashin e Gurit (ndryshe njihet edhe me këto emra: Gashi i Gurit të Bardhë i Bardhanë ose Gashi i Bardhë) dhe Gashi i Xërxës.
     Dhe fisi i shtatë njëherë edhe i fundit sipas konstatimeve të mija vazhdoi axha Ahmet është Krasniqi, i cili ndahet në degën kryesore Krasniq, Nikaj, Mripa, dhe Curaj. Nikajt e kanë bajrakun e vet dhe numërohen si fis në veti, megjithëqë janë Krasniq. Pra Nikaj, Mripa dhe Curaj janë vëllazëri të Krasniqit.” 
   Pasi e përfundoi me sqarimin e fiseve nuk nguroi dhe më tha: “Tani mbylle bllokun dhe bashkë me lapsin fute në xhep, sepse tash do të vazhdoj të ju tregoi edhe shtrirjen e këtyre fiseve në të katër anët e fshatrave të Kosovës, me ç’rast mu drejtua me arsyen se nuk mundem më shumë  me të diktua sepse na merë shumë kohë, dhe vendi nuk është bash i përshtatshëm për shkak të ndërprerjes së bisedës me që aty këtu po vinë ende njerëzit me pa, ndërsa ti do të vish një dit në shtëpinë time bashkë me Ibrahimin apo mundesh lirisht edhe vetë, dhe unë do ti gjej shkrimet ku kanë qenë këto të botuara që ti huazoj deri sa ti  i fotokopjon ose i shënon në fletoren tënde të shënimeve, dhe pastaj sërish mi kthen pas.” Për këto informata iu falënderova nga zemra, dhe pastaj filloi me sqarimin dhe tregimin e shtrirjes së fiseve nëpër gjitha anët e Kosovës. Nuk mundesha me marr me mend se ai njeri ka një memorie të jashtëzakonshme. Përveç emrave të fshatrave ai tregonte edhe bajraqet e tyre, pastaj ndarjet që kanë ndodhë gjatë historisë për shkaqe të ndryshme e më së shumti nga vrasjet dhe konfliktet mes veti, që kanë sjellë deri te shpërngulja prej një fshati në tjetrën, pastaj për takëmet e fiseve e shumë e shumë gjëra tjera që për mua ato si dhe temat tjera që i shpjegonte ishin tepër joshëse.
    Mbas këtij rasti mua pastaj më binte më rrallë të takohem me profesor Ahmetin. Kur takoheshim në rrugë i nderonim tre katër fjalë. Atij më tepër i interesonte të dijë se çka po lexoj. Kishin kaluar disa vite nga rasti i takimit të parë me te, kur ai veç tani ishte shpërngul me banim në Prishtinë, por pasi që e kishte shtëpinë ende në Mitrovicë vinte kohë pas kohe. Një natë rastësisht u takuam para shtëpisë së tij, unë isha me shokët e mi duke dalë në qytet për një shëtitje, ndërsa axha Ahmet më ndali dhe nuk më lejoi të shkoi me ta por iu kërkoi falje dhe mua më futi në shtëpinë e tij. Ishte marsi i vitit 1991, dhe që nga kjo kohë e deri pak javë para shpërthimit të luftës në Kosovë ne kemi qenë vazhdimisht në kontakt. Në Mitrovicë vinte shpesh, por më tepër vetëm, se sa në shoqëri me dikë. Ndonjëherë e merrte me veti vajzën më të vogël Valbonën (tani nënë), për ta pastruar shtëpinë, dhe me ç’rast më thërriste mua, ajo na përgatite çajin, për derisa un me te zhvillonim biseda nga të ndryshme duke qëndruar deri në orët e vona të natës. Nuk donte të rinte me askënd, përveç me mua por aty këtu në najë rast edhe me shokun tim Saad Gashin (tani magjistër i shkencave të kriminalistikës dhe autor i librit unikat në Kosovë “Konspiracioni dhe shoqatat sekrete”), babai i të cilit Riza Gashi (1916-1989), kishte qenë njeri i mençur dhe i lexueshëm, që posedonte një bibliotekë mjaftë të pasur, më shumë në gjuhën turke e sidomos në lëmin e masonerisë, për çka unë dhe axha Ahmet më së shumti diskutonim, dhe me ndonjë shok tjetër si më rrallë si bie fjala me Mursel Hazirin dhe Hamza Kralanin. Ai e dinte se literatura ime më e dashur ishte masoneria dhe shoqatat sekrete tjera të ngjashme me masonerinë. Mirëpo asokohe në gjuhën shqipe unë nuk di që kishte diku ndonjë libër apo artikull që shkruante në lidhje me këtë organizatë sekrete më të fuqishme në botë, atëherë un isha i orientuar kah Beogradi, Zagrebi deri para shpërbërjes së Jugosllavisë Titoiste, dhe nga Turqia, nëpër librarit e të cilëve mund të gjendeshin libra me tema të tilla.
   Në qershorin e vitit 1991, në përmes një studenti arab nga Iraku, i cili kishte studiuar në Mitrovicë, dhe nuk e dija arsyen e tij përse pas kryerjes së fakultetit nuk u kthye në vendlindje si shokët e tjerë të tij (dikush fliste se po i kryen punët e spiunazhit në interes të Jugosllavisë së atëhershme) më arritën nga Beogradi dy libra të cilat kaherë i kisha porositë: “Dashnoret e Josip Broz Titos”, nga autori Filip Radulloviq, dhe tjetra “Bota e fshehtë e masonerisë”, të autorit nga Maqedonia, Mihajllo Popovski. Libri i parë ka qenë i përgatitur për shtyp ende sa ka qenë gjallë vetë Titoja, por pas rishikimit të tij ani pse në fillim e kishte lejuar botimin e atij libri ai pastaj e ndaloi, dhe mezi që pas viteve të 90-ta e pa dritën e botimit. Po kështu ngjau edhe me librin e dytë e cila kah fundi i vitit 1983 dhe fillimi i vitit 1984, filloi të botohet në fillim si fejton në gazetën e njohur të Beogradit “Ilustrovana politika”, që dilte një herë në javë. Fejtoni i këtij shkrimi doli vetëm në katër vazhdime, dhe censura e bëri të vetin duke mos e lënë të shkojë deri në fund. Autori M. Popovski pak muaj më vonë nuk e dimë se si arriti ta botojë këtë libër, e cila shumë shpejtë u tërhoq nga tregu prej organeve përgjegjëse të shtetit për censurë. Sipas një interviste të autorit të librit dhënë disa vite më vonë, aso kohe libri kishte arit të shitet vetëm në disa dhjetëra. Por pas rënies së komunizmit libri i njëjtë doli në treg në ribotim dhe u shit pa problem. Për këto dy libra unë i lajmërova axhës Ahmet menjëherë në telefon. Më tha në fund javë do të vi në Mitrovicë dhe do të bisedojmë. 
   Në shtunën e javës së fundit të qershorit 1991, axha Ahmet kishte arit nga Prishtina dhe në mbrëmje mu lajmërua me telefon që të shkoj tek ai dhe ti solli ato dy libra me veti. Unë ashtu veprova, dhe duke menduar se do ta befasojë me ca të dhëna nga ato dy libra, ai nuk më la me fol por ia nisi vetë. Vetëm njëherë ia lëshoj sytë kopertinave të librave dhe më tha: “Shevki këtu ka gjëra për të cilat unë jam informua ma herët, dhe menjëherë filloi me Titon duke më thënë a të kujtohej kur të tregoja se Tito ka pas shumë gra tjera përveç asaj zyrtare që e dimë, dhe se njëra prej atyre shumë grave të tija ka qenë ajo nga Turqia, Zuhra Reuf, si dhe Tito ka ditë me fol gjuhën Turke. Të shtoj se në një bisedë më të hershme me axhën Ahmet që patëm zhvilluar për Titon ai me të vërtet me pat thënë se ai ka pas shumë gra (jashtëmartesore) dhe se ka njohur disa gjuhë botërore në mesin e tyre edhe gjuhën turke, dhe njëra prej atyre shumë grave jashtëmartesore ka qenë bija i një pronari të një miniere të arit në Turqi me të cilën i kishte lind një djalë, emrin nuk ia dinte, mirëpo pasi pohova se ashtu po shkruan edhe në libër atëherë i tregova si quhej.” Unë mbeta si i shtangur. Ndërsa për librin e dytë nuk diskutuam shumë sepse me vete i kishte soll dy nga ato katër vazhdime të gazetës së përmendur më lartë, me çka ma bëri me dije se edhe për këtë jam i informuar.” Por prapë se prapë ai i mori të dy ato libra me veti në Prishtinë për me i lexuar më në detaje. Që nga kjo kohë e deri sa kanë zgjatë kontaktet e mija me axhën Ahmet unë vazhdimisht i kamë ofruar libra të ndryshme për lexim dhe studim të tyre, por ma së shumti me ato të përmbajtjes konspirative të organizatës së fuqishme sekrete të masonerisë. 
   Pas një kohe, pasi që mi kthej librat, ashtu në bisedë e sipër më tregonte gjëra interesante nga koha e Isa Boletinit, Hasan  Prishtinës, Azem Bejtës, Hazhi Zekës, pastaj për një polemikë të ashpër mes Shahin Kolonjës dhe Faik Konicës të cilët gati se edhe fizikisht ishin ngatërruar, por falë durimit të z. Shahin Kolonjës, kjo polemik kishte kaluar pa eksese. Faik bej Konica në stilin e tij siç ka dit dhe ka muajt vet, e kishte ofenduar me ca fjalë Shahin bej Kolonjën. Në pyetjen time cili kishte qenë motivi shtyrës për këtë mos marrëveshje që aq shumë e paska nervozuar Faik bej Koicën saqë gati edhe fizikisht me hy në konflikt? Axha Ahmet më tha se ata dy pas disa bisedave normale të zhvilluara atë ditë, për një çast rroken për dy kolos të letërsisë botërore, për Shekspirin dhe Tolstoin. Deri sa Shahin bej Kolonja ia mbante anën më tepër Shekspirit, ndërsa Faik bej Konica, nuk pret as një as dy dhe me zë të ngritur dhe ashpër i drejtohet: “Ore ti, pos dy tre gjuhëve të huaja që i njeh, duhet ende të lexosh që ta kuptosh më mirë Shekspirin. A e sheh se nuk ke njohuri, dhe se nuk i ke lexuar shkrimet e Tolstoit  “Për Shekspirin dhe dramën”, ku ky gjigant i letrave ruse dhe botërore i prezanton mendimet dhe analizat e veta krejtësisht ndryshe nga ajo që di bota për veprat e Shekspirit.” Me këtë rast më tregoi edhe gjëra tjera interesante në lidhje me polemikat e zhvilluara në mes këtyre dy rilindëseve tanë, që sipas njohurive të mija që të dy këta ishin me një kulturë të lartë enciklopedike. Është interesant me këtë rast të theksoj, se shumë vjet pas kësaj bisede me axhën Ahmet, mua më ra në dorë një katalog librash nga biblioteka e ashtuquajtur “Genij e geniju sve najgore” (Gjeniu për gjeniun gjithçka më keq), botuar në Beograd. Në mesin e shumë librave të prezantuara në këtë katalog mua ma tërhoqi vëmendjen njëra, të cilën e kishte  shkruar shkrimtari i madh rus dhe botëror Tollstoi me titull “Për Shekspirin dhe dramën”. Nuk prita dhe menjëherë nëpërmes telefonit i porosita dy ekzemplar, një për veti dhe një për axhën Ahmet. Mirëpo pasi që axhen Ahmet se takova një kohë të gjatë sepse nuk vinte në Mitrovicë, unë në bisedë e sipër me një mik Skender Sadiku, të cilit ia tregova këtë libërth, ai ma huazoi dhe drejt ia dërgoi në Prishtinë publicistit dhe dramaturgut të njohur Haqif Mulliqi. Libri u humb, nuk mu kthye më në duar. Ia kërkoja Skenderit, më thoshte se Haqifi ia ka dhënë Fadil Hysës e kështu me radhë. Nuk u mërzita shumë pasi që e kisha edhe një në shtëpi. Më vonë këtë libër që e kisha në bibliotekën time personale, nga frika mos po mbes edhe pa te unë vetë e fotokopjova dhe ashtu ia dhashë axhës Ahmet. Kur i tregova çka ka ndodh, ai tepër shumë më qortoi duke më thënë: “Kur më do të mbushesh mend o djalë, nuk më dëgjon mua që kam përvojë të hidhur me njerëz, por po vepron sipas mendjes tënde.” Unë u mundova me u arsyetuar në  një mënyrë, sepse z. Haqif Mulliqi aso kohe në bashkëpunim me Bajrush Morinën botonte përdyjavshmen “Gazeta Shqiptare”, në të cilën unë përmes shokut Skender Sadiku-t që e ceka më lartë e dërgova në botim shkrimin për vrasjen e kryetarit amerikan Kenedi. Për çudi, materialin që ua dërgova e botuan në tre vazhdime, por nuk shkuan deri në fund. Lexuesit aso kohe mbetën pa epilogun e qartë të ngjarjes, sepse në fund të vazhdimit të tretë shkruante: vijon sikurse në dy numrat paraprak. Ndërsa shkrimi nuk vijojë më. Ndërkaq, befasia më e madhe për mua ndodhi sepse në vazhdimin e parë nuk e kishin shënuar emrin e autorit të shkrimit. Nëpërmes telefonit bisedova me Haqifin i cili kërkoi falje për këtë lëshim. Mirëpo lëshime ndodhën edhe në vazhdimin e dytë dhe të tretë, sepse prapë nuk qëndronte emri i vërtet i autorit të shkrimit. Herën e dytë shkruante Ekrem Voca ndërsa herën e tretë Shefqet Voca në vend se me qenë Shevki Voca. Haqifi u hidhërua dhe të gjitha fajet ia hodhi Bajrushit, i cili me të vërtet në kontakt me mua me telefon u tregua mjaft arrogant dhe aspak i arsyeshëm, përkundër Haqifit i cili më dukej më i sjellshëm dhe më xhentëlmen. (Në fletoret e ditarit tim i kam të shënuara datat, orët dhe bisedat e zhvilluara me të dytë). Në fillim të dhjetorit të vitit 2005 e përditshmja “ZËRI”, falë Z. Ibrahim Kadriut ma botoi në katër vazhdime materialin në fjalë por, tani me plotësime dhe më mirë të shtjelluar.
    Pa dyshim se axha Ahmet ishte njohës i shkëlqyeshëm, i rrjedhave të historisë së civilizimit botëror, themelimit dhe krijimit të shteteve, deri tek kryetarët dhe mbretërit e tyre. Më thoshte ti Shevki pasi që, bukur shumë po lexon literaturë të shoqatave sekrete, e sidomos ato të masonerisë, do të bindesh, ndoshta edhe je bind se, luftërat, revolucionet, kryengritjet, montimet e ndryshme politike si dhe atentatet ndaj njerëzve të mëdhenj, janë vepër e masonëve dhe atyre që janë ngjashëm me ta. Ndërhyra duke theksuar bar në 250 vitet e fundit, çudi, nuk reagoi për këtë ndërhyrje nga ana ime. Me që axha Ahmet shpesh herë më epte përparësi në këtë drejtim, unë në ndonjë rast nuk pajtohesha me te. Biseda bëhej më atraktive kur e kundërshtoja ndonjëherë. Bie fjala ai në vitet 1995-1996, kishte filluar ti sistemoj të gjitha shkrimet dhe informatat që i kishte gjurmuar dhe grumbulluar gjatë tërë jetës për Isa Boletinin. Tani kërkonte ndihmën time nëse kamë ndonjë informatë për shqiptarët që kanë qenë anëtarë të lozhave të masonerisë. Me atë rast unë i thashë: “Axha Ahmet, sa më përket mua të tregoj se unë nuk i rreshtoj njerëzit në radhët e masonerisë vetëm nëse ata kanë pas apo kanë ndonjë pozitë të lartë politik, ushtarak apo diç tjetër si bie fjala biznesmen të suksesshëm e tjera. Sepse të thuash sot filan personi ka qenë apo është mason duhet të kesh argumente të forta. Kërkohet viti i pranimit në anëtarësimin e lozhës masone, pastaj vendi dhe emri i lozhës, numri rendor (një lloj i letërnjoftimit për arkivat e masonerisë), si dhe emri konspirativ i personit.” Ai sikur u hidhërua dhe më tha: “ O djalë mos më mbaj mua ligjërata, a pak gjëra deri sot ke mësua nga unë, dhe ende vazhdon të mësosh, por nëse ke diç më jep të lutem,” dhe vazhdojë të më tregojë për përgatitjen e librit për Isa Boletinit. Pasi ia përmenda disa nga emrat e njohura të shqiptarëve të cilët kanë qenë të kyçur nëpër lozhat e masonerisë, si për shembull: Ismail Qemali, Nikolla Ivanaj, Ibrahim Temo, Ahmet Njazi (Resneliu), Esat pashë Toptani, Arif Hikmeti, e disa të tjerë, ai nuk u nda i kënaqur. Insistonte gjithsesi që ta ceku edhe Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën. Mirëpo, sa e sa herë i thashë që për Hasan Prishtinën nuk kam të dhëna që ka qenë masonë ndërkaq, a ju ka shërbyer ai masonëve është diçka tjetër. Jo, më thoshte prej Lidhjes së Prizrenit 1878 e këndej ka pas mjaft shqiptarë të kyçur në masoneri, por mua më duhen më tepër argumente, dhe i përmendi ca emra, që unë për veti edhe pse kisha mjaft informata për masonët në 
përgjithësi, nuk doja të pranoja se ata kanë qenë masonë. I tregova se në librin “Masoni u Jugoslaviji 1764-1980” të autorit nga Beogradi e njëherë edhe kryemjeshtër i shkallës 33-të në masoneri të Jugosllavisë së viteve 90-ta, Zoran Nenezic, në të cilën ai thekson lidhshmërinë dhe solidaritetin e vëllezërve mason kudo qofshin ata në botë duke sjellë një argument se si masonët serb kërkojnë nga Orienti i Madh (lozha më e madhe), që të intervenojnë tek vëllezërit e tyre masonë turk që ta ndalin represionin dhe dhunën ndaj popullatës krishtere, ndërsa këta si kundërshpërblim, kërkojnë që disa turq dhe shqiptar mason që gjenden të burgosur në Beograd  të lirohen, (faqe 284,viti 1988). Ky rast ka ndodh kah fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 1913, kur aso kohe në Beograd ishin të
burgosur Hasan Prishtina, Nexhip Draga dhe 12 shqiptarë tjerë. Pastaj ma kërkoj librin të cilën e murrë me veti në Prishtinë dhe e mbajti gati dy vite, si dhe disa fejtone e artikuj nga gazeta dhe revista të ndryshme të kohës së Jugosllavisë Titoiste, por edhe të kohës së Millosheviqit. Në mesin e tyre ishte edhe fejtoni në tre vazhdime i shkruar nga Bogumil Hrabak me titull: “Roli i masonëve në krijimin e Jugosllavisë”. Pas këtij rasti, thua se sa herë që vinte në Mitrovicë dhe takohej   me mua më thoshte: “A po she, edhe e ke lexuar  edhe nuk pranon që Hasan Prishtina ka qenë        masonë. Unë mbaja qëndrimin tim sikur që kam  cek edhe më lartë, se duhet pasur argumente     më konkrete dhe më të fuqishme.                              

     Ndodhi që në vitin 1997 ai ta botoi librin për “Isa Boletinin...” siç e kemi cekë edhe më lartë, dhe në faqen 272 të saj i plasoi ato pjesë nga libri i Zoran Neneziçit që e zumë në gojë më parë. Mirëpo në ndërkohë, si zakonisht sipas porosisë time më vinin libra nga Beogradi. Në fillim të vitit 1998 më arriti një libër dy vëllimshme me ekzemplar shumë të kufizuar dhe përkthyer nga anglishtja “Leksikoni i masonëve të lozhave të Ballkanit” nga dy autor të regjistruar vetëm me iniciale. Unë nuk rrija i qetë vazhdimisht interesohesha për libra me tematikë të tillë. Kisha mjaft vështirësi për ti siguruar por ia aria disi. Ky libër në dy vëllime ishte e ilustruar me fotografi dhe kishte të dhëna shumë interesante për personat që përfshiheshin aty. Libri përfshinë edhe një numër të shqiptarëve por, Hasan Prishtina as aty nuk gjendet. Dhe me ç’rast i pata treguar axhës Ahmet për këto dy libra, ai i kërkonte ti merë me veti në Prishtinë, por për kundër respektit, nderit dhe dashurisë që kisha ndaj tij  unë nuk ia dhashë, vetëm sa i pa kur erdhi një ditë te unë në Mitrovicë. I thash sikur ta kisha këtë libër para se ti ta botoje librin për Isa Boletinin kisha me ta dhanë, por tani mbasi e ke kryer punën kryesore me librin e po sa botuar kjo nuk ja vlen. Edhe pse herë pas here nuk pajtoheshim dhe nuk na përputheshin mendimet për rastet dhe ngjarjet të ndryshme, e sidomos kur ishin temat e nxehta si për shembull kur bisedonim për lëvizjen e masonerisë, unë nuk guxoj dhe nuk kam potencial intelektual dhe informativ që t’ia mohoj diturin, leximin e në veçanti analizat tepër të qëlluara, qofshin të rrafshit politik, historik apo të ndonjë fushe  tjetër, sepse me të vërtet ka qenë një person me dije, lexim dhe informim të hatashëm dhe vështir se dikush ia ka dal në krye me te. Ai për një çast sa ishim ashtu duke biseduar në ato momente heshti për një gjysmë minutë dhe me kokë të kthyer poshtë dhe me tre gishtat e parë të dorës së djathtë duke fërkuar ballin mendoj pak, e pastaj ngriti kokën dhe më tha: “Shevki, dëgjomë, të kam lakmi që po lexon dhe po i gjen do libra që nuk është lehtë njeriu të vij deri te ato, por, po të flas për veti, se sa i përket meje as  kjo nuk është argument që Hasan Prishtina nuk ka qenë masonë. Nëse pyet përse ja të tregoi. A po e lexon me vëmendje titullin e librit “Leksikon masona  Balkanskih loza”, i thash po, atëherë vazhdoi dhe më tha, pra këtu mund të përfshihen vetëm ata mason që kanë qenë nëpër lozhat e masonerisë të vendeve të Ballkanit, ndërsa Hasan Prishtina, pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane, ka pas lidhje të forta edhe me Francën edhe me Austrinë, e sidomos me këtë të dytin, dhe shumë normale është që mos të përfshihet këtu, në regjistrin e emrave ma masonët e shteteve Ballkanike. Sepse sikurse që dihet as njëra prej këtyre dy shteteve për nga territori nuk i takojnë vendeve Ballkanike. Ndërkaq që Hasani i ka taku ndonjërës prej logjeve të perëndimit, dhe kurdo  qoftë kjo punë e tij do të dal në shesh, mu ashtu me argumente siç po e kërkon ti.” Çka ti bësh mu deshtë të heshti sepse pranë tij dukesha tepër i vogël si zogu para shqiponjës së madhe, apo krapi (një peshk i  lumenjve tanë Sh. V.) pranë një balene. Dituria e tij dhe prognozat e forta mua më gëlltitnin tërësisht.
    Krahas diturive dhe njohurive të mrekullueshme të rrethanave shoqërore politike ndërkombëtare, ai kishte një bagazh të pasur të diturisë për të kaluarën e hidhur të historisë tonë kombëtare. Vazhdimisht më thoshte: “ Kamë frikë se Evropa dhe perëndimi do të na tradhtojnë. Shqiptarët në përgjithësi kanë një përvojë të hidhur diplomatike me shtetet e perëndimit. Disa herë na copëtuan duke na i shkëputur territoret tona autoktone me ia dhënë tjetër kujt.” Ndërsa unë në disa raste i thosha jo bre axha Ahmet mos u banë kaq pesimist, tani shqiptarët nuk janë ata të para 100 apo 200 vjetëve, tash falë Zotit kemi njerëz të shkolluar dhe të ditur mjaft. Në këtë kontekst ma përmendke shumë shpesh Mitrovicën, duke më thënë udhëheqësit tonë duhet të jenë shumë syhapur dhe këmbëngulës që assesi mos të lejojnë ndarjen e territorit të Kosovës apo të shkëmbimit të ndonjë pjese të saj me ndonjë territor tjetër, siç ndodhi para ca vjetëve me një iniciativë nga disa intelektual tanë mjerisht aspak të ditur dhe vizionar. Pyetja ime që ia shtrova me këtë rast ishte: “Përse po e cekë vetëm Mitrovicën, e jo edhe ndonjë pjesë tjetër të Kosovës, që ruana Zot mos të lejohet të vjen deri te ndarja e saj, a vetëm për shkak të minierës Trepça? Përgjigja e tij ishte shumë e arsyeshme dhe me plot argumente. Më tha dëgjomë  Shevki: “Kur po përmendet Mitrovica shumë kush po mendon se vetëm Trepça është në pyetje. Por unë të tregoi se Mitrovica me rrethinë që shtrihet deri nja shtatë kilometra pranë Rashkës, duke përfshirë Leshakun, Leposaviqin, Soçanicën e Bello-Bërdën para vitit 1912 dhe pas vitit 1945 është çelësi i Portës së Ballkanit, është Nili i Ballkanit, është Otrant i Ballkanit, është Dardanel i Ballkanit, është Eufrat e Tigër i Ballkanit dhe si e tillë Hyjni e Kosovës. Trepça, që po e përmend ti o Shevki, me thëngjillin e Obiliqit, dhe Kishnicës i kanë vitet e numëruara të eksploatimit. Ndërsa rol kryesor këtu ka Ibri (tani Lumëbardhi) në Gazivodë që janë të pa vdekshme. Ajo me një akumulim të ujit prej 370 milion m.3 e shuan etjen në Kosovë. Furnizon me ujë të pijshëm Mitrovicën me rrethinë, Skenderajn me rrethinë, Vushtrrinë me rrethinë; ujit arat e Kosovës deri në Gërlicë të Ferizajt, Drenica e Pashës furnizon me ujë termocentralin “Kosova B”, industrinë kimiko-metalurgjike të Trepçës. Është det i Kosovës ku gjatë tërë verës lahen në të dy anët e brigjeve të tij qytetarët e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt dhe të fshatrave për rreth. Pra për atë po them se asnjë gur a bos i Kosovës nuk guxon të lëkundet e të del në treg për t’u shkëmbyer as për gjysmën e Ballkanit, e çfarëdo çmimi tjetër. Shkëmbimi i tokave shqiptare me tokat shqiptare do të ishte një akt i shëmtuar aventurierësh e tradhtarësh të cilën populli shqiptar kurrë nuk do ta pranonte.” Këto fjalë mi ka thënë sa e sa herë,deri sa më në fund pasi që shkrimet e tija sa vizionare aq edhe thumbuese për shumë kënd nuk ishin të mirëseardhura, ai u detyrua që të gjitha materialet prej vitit 1970 e këndej të cilat nuk ia botonin asnjëra nga revistat apo gazetat e kohës, ti botojë në libra të veçanta me financimet e veta personale. Këto fjalë vizionare të profesorit të nderuar unë i paraqita nga fletoret e mija të shënimeve të cilat kohë pas kohe i merrja prej tij. Ndërsa lexuesit nëse dëshirojnë të dinë më shumë  rreth këtyre çështjeve mund t’i gjejnë në librin e tij “ISA BOLETINI-integruesi i parë i të gjitha trojeve etnike shqiptare”, Prishtinë, 1997. 
     Ishte diku kah gjysma e dytë e dhjetorit (18, e hënë) 1995, kur axha Ahmet rreth orës 11 paradite mu lajmërua me telefon nga shtëpia e tij në Mitrovicë. Më tregoi se po sa kishte arit nga Prishtina dhe më tha nëse je në mbrëmje në shtëpi dhe ke kohë do të vi të takohemi, sepse sonte do të qëndrojë në Mitrovicë. Po si jo o axha Ahmet në çdo kohë jam i përgatitur për juve pa marrë parasysh se a e kamë ndonjë mysafir, apo ndonjë punë. Ju, tek unë jeni mysafir i veçuar nga të gjithë të tjerët. I vinte shumë mirë kur e pritja me këto fjalë.  Dhe diku rreth orës 18 erdh. Si zakonisht biseda fillonte për problemet tona të përditshme politike në Kosovë siç ndodhte zakonisht në atë kohë, nga problemet që na shkaktonin  policët serbo çetnik të Millosheviqit, duke filluar nga rrahjet, plaçkitje nëpër shtëpia dhe nëpër tregje në pikë të ditës, hyrje në orët e hershme të mëngjesit nëpër banesa dhe shtëpia me motive që për ta çdoherë kishin arsye, dhuna nga të ndryshme etj.  
    Pas pak më pyeti a e njoh profesorin dhe publicistin Fazli Hajrizi. I thash personalisht  nuk e njoh, përveç përmes shkrimeve që po i publikon, të cilat kur po mundem me i zanë në gazeta po ia lexoi dhe po i ruaj në arkivin tim bashkë me bibliotekën. Axha Ahmet e njihte mirë dhe më tregoi se është nga fshati Kotor, por jeton në Mitrovicë dhe ligjëron gjuhën shqipe në shkollën e mesme të gjimnazit në Mitrovicë. Pas kësaj që më tregoi unë kalova për pak qaste në dhomën ku e kisha bibliotekën dhe e solla shkrimin e Fazliut të botuar gati dy muaj më parë në gazetën “BUJKU”, në rubrikën e fejtoneve për patriotin, atdhetarin, dashamirin e arsimit shqiptar Bedri Xhinaj, të cilën e kishte shkruar ai vetë. Ndërkaq axha Ahmet më tha unë për këtë edhe desha me të pyet, se a pate mundësi me përcjellë deri në fund. I thash ja ta solla, përpara e ke (fejtoni u botua në tetë vazhdime, prej 14 tetor 1995 e shtunë, deri më 23 tetor e hënë, me që gazeta “BUJKU” nuk dilte të dielave SH. V.), dhe vazhdova duke i treguar se pas përfundimit të fejtonit unë bisedova me një maturant të gjimnazit Bedri Bala nxënës i Fazliut dhe nxënësi më i mirë në klasë, me të cilin kisha kontakte kohë pas kohe se ai kishte nevojë për libra dhe informata të ndryshme për shkollë të cilat me lehtësi i gjente tek unë. Bedriut i pata treguar për këtë fejton në lidhje me disa lëshime që ishin bërë. Ndërkaq që ky  i tregon profesorit të vetë për mua, andaj ai shpreh dëshirë që të njoftohet, dhe i thotë Bedriut pyete Shevkiun kur është i lirë të shkojmë tek ai dhe të bisedojmë pak. E tani kur do të vijnë nuk e di. Me këtë rast axha Ahmet më pyeti se nëse e kam lexuar shkrimin me vëmendje (sepse ai nuk kishte mundë me i përcjell gjitha vazhdimet), a theksohet kund rasti i vitit 1942, kur Bedri Xhinaj organizoi demonstrata dhe protesta të mëdha në Mitrovicë, si dhe e mbajti një fjalim madhështor me rastin e vrasjes dhe zhdukjes së tre tregtarëve shqiptar nga Mitrovica, në Leshak, nga ana e serbo çetnikëve. Me që për këtë rast kisha edhe unë ca informata që i kisha mbledhur së pari nga nëna ime dhe nga qytetarë tjerë të Mitrovicës, i thash jo, nuk e përmend këtë rast askund në shkrim, për çka edhe unë shumë isha i interesuar ta shoh si i përshkruan vetë Fazliu ato ngjarje. Atëherë axha Ahmet më pyeti se çka di un për at rast duke më thanë fillo të tregosh deri sa un do të dëgjoj me vëmendje. Unë fillova ti tregoi se me 2 shkurt 1942, nisen nga Mitrovica tre tregtar të njohur të qytetit për serbi që të marrin mall për furnizimin e depove dhe dyqaneve të tyre. Ndërhyri Axha Ahmet duke më thanë kush kanë qenë ata? Ata sipas të dhënave që unë i kamë ishin: Jahja Zhubi, Abedin Jolla dhe Çazim Kalaveshi. Këta tre, vazhdova unë me aq sa kisha informata nuk janë marrë me politik, kanë qenë tregtar që kanë punuar me shumicë, dhe i kanë furnizuar qytetarët e Mitrovicës me gjëra elementare të nevojshme për ekzistencë. Në Leshak këta tre bashkë me disa koleg tregtar tjerë të nacionalitetit serb, i kanë zbrit nga treni me motiv të verifikimit të dokumentacionit, mirëpo serbët që kanë qenë me këta tre i kanë nda menjëherë, ndërsa Jahjan, Abedinin dhe Çazimin i kanë vra diku në malet e Leshakut dhe asnjëherë nuk janë gjetur kufomat e tyre. Më pyeti axha Ahmet nga kush i kamë këto të dhëna? I tregova se në fillim mi ka tregu nëna sepse po at ditë me këta tre ka pas me marrë rrugë edhe gjyshi im në vijë të nënës Jusuf Qoroviqi (1900-1987) i cili e ka mbajt një dyqan në Mitrovicë, dhe po të shkoja, edhe ky me siguri do të vritej nga serbo çetnikët, pastaj rrëfimtar tjetër janë (aso kohe kur unë zhvilloja këtë bisedë me axhën Ahmet të gjithë këta ishin gjallë përveç Halil Abrashit), Mustaf Vitaku, Njazi Prekazi (me të cilin kaloja orë të tëra në bisedime të ndryshme, me ç’rast përfitoja informata dhe njohuri nga ngjarjet e së kaluarës të qytetit të Mitrovicës për çka unë interesohesha, të cilat ai i mbante mirë në mend dhe i rrëfente për mrekulli), Ismajl Alushi, Halil Abrashi, axha im Bajram Voca etj. Për të gjitha këto biseda i kam datat e shënuara. Pastaj axha Ahmet nuk më la të vazhdojë më tutje por e mori fjalën ndër të cilat theksojë: “Shevki at ditë me të mbërritur lajmi në Mitrovicë për vrasjen e këtyre tre qytetarëve, në qytet u krijua një gjendje e jashtëzakonshme. Bedri Xhinaj ishte ai që organizoj protesta dhe demonstrata të mëdha në qytet në shenjë revolte ndaj kësaj vepre tradhtare nga ana e serbëve ku para masës së madhe të qytetarëve të indinjuar dhe të mllefosur mbajti një fjalim të zjarrtë para bashkisë së qytetit. Mirëpo ato që ti nuk i ceke, po ti tregoi unë  se situata menjëherë pas fjalimit të Bedri Xhinajt eskaloi dhe doli nga kontrolli. Masa e qytetarëve të tubuar filluan ti sulmojnë serbët dhe pronat e tyre në shenjë hakmarrjeje, me ç’rast shumë serb u rrahën dhe shumë shitore të tyre u dogjën. Qytetari Sylejman (Syli) A. Misini dhe Ejup Burgi Deva e rrahën për spital tregtarin e njohur dhe më të pasur në qytet Zharkoviqin, plaku Tahir Zasella i shkaktoi plagë të rënda një serbi tjetër me mbiemrin Stojadinoviq. Tahir Kosterci me bastun (kroç)  në dorë rrah një serb deri në vdekje.” Pastaj unë ndërhyra dhe i thash Axha Ahmet për disa nga këto raste edhe unë kam informata, por kështu me emra sikurse ju që i cekni jo, përveç se kur e pata pyetur axhën tim Bajram Voca (ende gjallë 79 vjeçar) më pati treguar  se edhe vëllai i tij i madhi Emin Voca (1915-1969) do me thënë axha im më i madhi nga shtatë vëllezër sa kanë qenë, duke ia rrëmbyer bastunin nga dora plakut Tahir Kosterci,  e zënë një serb dhe e rrah shumë, emri i atij serbi axhës tim nuk ju kujtoje. Aty pari duke rrahur Emini serbin, qëllon Pajazit Boletini i veshur me uniform Xhandari, dhe me një zë pak ca të ngritur thotë: “O Emin mos sill bre, mos sill, ndërsa më ngadalë i thotë të kundërtën myte shkaun, myte mos te dhimet. Pastaj axha Ahmet vazhdoi dhe tha këtë nuk e kam ditë dhe e shënoj në një pjesë të letrës të cilën un ia huazova duke më thënë se edhe kjo është pjesë e historisë së asaj dite, dhe vazhdojë me pjesën tjetër të ditës së njëjtë duke më treguar se at ditë sa kanë zgjatë protestat dhe demonstratat në qytet, protestuesve falas bukën ua ka siguruar pasaniku nga Mitrovica Sylejman Nishliu i cili në qendër të qytetit e ka pas furën e bukëpjekësit, dhe gati se tërë ditën ka shpërnda bukë pa pare. Atë natë ndejti deri rreth orës 23 dhe para se të përshëndetet me mua më tha nëse takohesh me Fazliun tregoja edhe këtë detaj të jetës së Bedri Xhinaj.  
   Dy tre ditë para vitit të Ri 1996, saktësisht me 28 dhjetor 1995 e enjte në mbrëmje rreth orës 19, erdh profesor Fazli Hajrizi me gjithë nxënësin e tij Bedri Balën. Ishte, pra hera e parë që po rrimë dhe po bisedojmë me Fazliun. Ishte i qetë dhe fliste ngadalë, bukur dhe rrjedhshëm, ndërsa unë nuk e kisha at filozofi të të folurit. Atë natë biseduam shumë gjëra, më tepër për historinë tonë kombëtare e sidomos për personalitet e rilindjes kombëtare qofshin ata të politikës e të diplomacisë qofshin krijues letrar dhe të tjerë, që gjatë regjimit komunist tërësisht kanë qenë në listën e zi ose për të keq ose për tradhti, me një fjalë të anatemuar. Ai si me habi dhe çudi më dëgjonte kur unë diç filloja të tregojë nga opusi im i leximit dhe informimit, si bie fjala për Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Dimitër Pashkon, pastaj për polemikat e Aleksandër Xhuvanit dhe Fan Nolit, në lidhje me pastrimin e gjuhës shqipe që Xhuvani ia adresonte Nolit, të zhvilluara në gazetën “Shkreptima” të Kajros. Për qëndrimin e pastrimit të gjuhës shqipe që udhëhiqte Xhuvani, për çka thoshte: “Huazime assesi, duke pas na gjuhën tonë të pastër dhe të pasur” etj. Fazliu më tha përse edhe ti nuk merresh me shkrime? I thash ende nuk jam i përgatitur, ndonëse kam pas në fillim të viteve të 90-ta ca reagime në ndonjë shkrim apo fejton, por u tërhoqa sepse nuk mi botonin. Për momentin jam duke sistemuar informatat e tubuara qofshin nga librat qofshin nga gazeta, revista apo edhe nga  përcjellja e emisioneve nëpër radio dhe televizion që kanë të bëjnë me vrasjen e kryetarit Amerikan Kenedi.  Fazliut ia përcjella porosinë e axhës Ahmet, të cilin edhe ai e njihte shumë mirë. Më tha o Shevki kam dëshirë mjaft të ri me te dhe ti mblodhi ca informata sepse e di që ai është thuajse unikat në këtë drejtim, por vështirë me hy në kontakt me te. Pastaj Fazliu më tregoi se dashtë Zoti kam ndërmend kurdo qoftë që ta bëjë një libër monografik për Bedri Xhinaj e me at rast me siguri se do të lajmërohem edhe tek ti për ndonjë informatë. Fazliu me Bedriun atë natë ndejën tre orë e gjysmë dhe shkuan. Pas këtij rasti e deri në ditët e sodit Fazliu vazhdimisht mu ka lajmëruar me ç’rast i nevojitej ndonjë material apo informatë për shkrimet e tija përkatëse. Sipas meje, shokëve, dhe familjarëve të mijë, por edhe shënimeve të cilat i kamë evidentuar nëpër fletore, të gjitha kontaktet që i kam pas me Fazliun janë të njohura. Ai shkroi për Xhafer Devën, Mulla Ilijaz  Brojën dhe Ibrahim Spahiun (babë e bir), Tafil Boletinin, Bedri Xhinajn (pas lufte botoi librin për te), Rexhep Mitrovicën, (për të cilën në fillim në “Bota Sot” botoi disa herë fejton, tani në fund e qiti edhe librin monografik për te) për  Mehmet Vokshin dhe pjesë fragmentare nga libri i tij  “Shqipnija e shqiptarëve” botim i vitit 1930, të cilën unë ia dhashë me një marrëveshje, ndërsa ai e botoi fejton në 12 vazhdime në “Rilindja”, pas luftës, në ç’mënyrë nuk doli si u patëm marrë vesh. Këtë libër ma kishte dhënë axha Ahmet, unë e fotokopjova por, me lejen e tij, Fazliu pastaj botoi librin monografik për gjimnazin e Mitrovicës, dhe libra tjerë si për shembull “Vëzhgime për Shalën e Bajgores”, monografinë për normalen Hasan Prishtina të Mitrovicës të cilën e kemi cekë më lartë në disa raste etj. Një javë pas vdekjes së axhës Ahmet, Fazliu ia behu herët në mëngjes tek unë dhe mblodhi ca informata ku shkroi dhe botoi shkrimin për te, të cilat u botuan në dy gazeta. E para në “RILINDJA” me 3 nëntor, 1999, e mërkurë faqe 6, dhe i njëjti në “Shkëndija” Mars 2000, faqe 8, e shumë e shumë shkrime dhe informata tjera që i nevojiteshin. Ai edhe tani pasi jam shpërngul nga Mitrovica në Prizren, kohë pas kohe më lajmërohet me telefon kur i paraqitet nevoja për ndonjë libër apo informatë. Për shembull me 3 gusht 2009, e hënë rreth orës 12 më thirri në telefon dhe ma bëri me dije se ma kishte siguruar librin e tij të fundit “Rexhep Mitrovica në lëvizjen kombëtare”, të cilën e kishte lënë në Mitrovicë te Bedri Bala. Më tha: “Shevki e meriton ti këtë libër me ta dhurua duke i marrë parasysh ndihmat dhe informatat e kohë pas kobshme që i mera prej teje.” Librin ta kam lanë te Bedri Bala, kur me ndonjë rast vjen në Mitrovicë lajmërohesh te ai apo, nëse ai vjen te ti në Prizren ta sjellë. Për profesor Fazliun kam edhe shumë çka për të shtuar, por po e lë me kaq me që një ditë kamë ndërmend të shkruaj për njerëzit e qytetit tim (lexo intelektualët që në një mënyrë apo tjetër i kanë shërbyer kombit pa kursyer asgjë), me ç’rast një vend të veçantë do ti kushtojë profesorit Fazli Hajrizi, si publicist dhe gjurmues i pa përtuar në ndriçimin e figurave kombëtare të cilët i kishte mbuluar pluhuri i kohës.
   Profesor Ahmet Maloku përveç dijes, inteligjencës, dhe shkrimeve të cilat i hidhte në letër, ai u mor edhe me një veprimtari tjetër që shekuj me radhë ia piu gjakun popullit tonë. Ajo ishte pjesëmarrja dhe udhëheqja (jo aq sa duhet përkundër mençurisë që e kishte) e tij në pajtimin e gjaqeve. Unë këtë nuk e quaj aksioni i pajtimit të gjaqeve, sikurse që shumë kush e quan, sepse tradita jonë shqiptar kështu nuk e ka njohur. Kjo terminologji u përvetësua në kohën e sundimit të satrapit të Ballkanit Millosheviq, atëherë kur me iniciativën e të ndjerit Anton Qeta, të cilit iu bashkëngjitë edhe një grup intelektualësh të profileve të ndryshëm e filluan të ashtuquajturën aksioni për pajtimin e familjeve të armiqësuara mes veti, qoftë për vrasje, hakmarrje, grabitje të vajzave dhe konflikte me motive tjera. Deri para këtij të ashtuquajturi aksion i pajtimit të gjaqeve shumë rrallë apo, ndoshta edhe hiq, nuk mund të shifshi nëpër oda të fshatrave tona të ketë marrë pjesë ndonjë nga intelektualët për një gjest human sikurse që është pajtimi i dy apo më shumë familjeve të gjakosura mes veti, përveç atyre disa pleqnarëve, që për fat tani edhe ata janë rralluar mjaftë, të cilët me mençurin e dhuruar nga Zoti e arrinin qëllimin e pajtimit të familjeve në konflikt, ndonjëherë më shpejt dhe më lehtë, por ndonjëherë u merrte edhe kohë të gjatë, me që ndonjëra palë nuk pranonte lehtë ta fali gabimin e tjetrit.. Ndërsa profesor Ahmet Maloku  e ka pas guximin që edhe atëherë të pajtoi dhe bashkoi shumë familje që ishin në konflikt. Tani edhe ai u kyç në karvanin për pajtimin masiv të gjaqeve. Në Mitrovicë vetë kam pas rast disa herë ta shohë kur ai arrinte duke i prirë masës pranë oborrit të xhamisë së quajtur “Haxhi Veseli” (emri i vërtet i xhamisë Hysen Qaush), dhe kryente me një disiplinë të madhe ceremoninë e pajtimit. Nuk lejonte të dëgjohen zëra pa nevojë dhe arsye. Menjëherë ndërhynte dhe ia epte fjalën atij që e kishte radhën. Aktiviteti i tij në këtë drejtim u shtri që nga fshatrat më të thella të Shalës së Bajgores e deri përtej Drenicës.
   Herën e fundit para se të ndërronte jetë profesor Ahmet Maloku, më vizitoi në shtëpi me djalin e tij të madhin Bahriun. Ishte data 19-korrik, 1999 e premte, kur pak para orës 11 paradite ia behu tek unë. Ata erdhën me një veturë të cilën e voziste Bahriu. Ndërkaq tre ditë më parë unë kontaktova me te në telefon, me ç’rast më tha pritëm, dashtë Zoti brenda dy tre ditëve do të vi në Mitrovicë enkas me u taku me ty. 
   Pasi u ulën unë u ngrita sërish në këmbë dhe u afrova duke e përqafuar dhe uruar çlirimin nga një okupim i gjatë klasik serbo-çetnik që kishte përjetuar Kosova. Të dyve na u mbushën sytë lot. Njëjtë veprova edhe me djalin e tij. Axha Ahmet ishte i disponuar mjaft, por unë vërejta se kishte disa shenja të keqësimit të gjendjes shëndetësore. Më vërejti se po e shikoj me një breng dhe mërzi, atëherë mu drejtua sikur të ma lexoja mendjen: “Shevki neve na ndan një periudhë mjaft e gjatë kohore, ti dhe ky djali im dhe gjithë të tjerët që dhashë Zoti ta shijoni edhe shtetin si shtet që i ka hije më në fund Kosovës edhe njëherë po ju them urime, e urime, sepse mua ka filluar shëndeti të më lëshojë, andaj me siguri se nuk do të jemi edhe shumë kohë së bashku. Kjo është një realitet që çdokush që ka ardhë në këtë botë një ditë edhe do të ndahet prej saj. Unë u mërzita mjaftë, por u përmbajta disi.
   Me veti e kishte sjellë librin e pestë me radhë “Dëshmi po-prask jo” të cilën ma dhuroi dhe më tha: “Nëse më jep Zoti shëndet shumë shpejt do të dal edhe me librin e gjashtë dhe të shtatë me radhë.” At ditë nuk ndeji si zakonisht që rinte me orë të tëra me mua, sepse djali i tij që e kishte sjell me vete në Mitrovicë, një, dy insistonte, qohu, qohu, po qohemi babë se e din që kemi edhe ca punë tjera, përkundër insistimit të axhës Ahmet i cili vërehej shumë mirë se kishte dëshirë të kalonte edhe ca qaste me mua. Në ora 12 e 30 minuta i përcolla deri te hyrja dhe nisja e veturës. Nuk mundem dot assesi ta hoqi nga mendja  shikimin e tij dhe përshëndetjen që ma bënte nga vetura me dorë deri sa humbi dhe nuk dukej më. U ktheva brenda në shtëpi shumë i mërzitur. Dy fëmijët e mi Shabani (përtëritje e emrit të babait tim) aso kohe gjashtë vjeçar, dhe Jusufi 5 vjeçar, mu afruan dhe u ulën në prehrin tim. I madhi Shabani duke mi parë sytë e përlotura nuk foli asgjë vetëm se u ngulit thellë dika në mendime, ndërsa i dyti Jusufi që ende nuk fliste qartë, dhe si duhet, me një gjuhë simpatike më  tha: “Kiki (kështu më thërrasin fëmijët e mi, fëmijët e vëllait dhe të dy motrave), pçe po kan, e pçe, kajgjom mu (përse po qanë, përse, tregomë mua) dhe tentonte me duart e vogla dhe të lëmuara të tija të mi fshij lotët që rrjedhin nga sytë e mi pa ndërpre.  
   Pas pak çastesh e lash më një anë librin, “Jevreji za slobodu Srbije 1912-1918” (“Hebrenjt për çlirimin e Serbisë 1912-1928”), botim i Beogradit 1995, të cilën ato ditë kisha filluar me lexuar, me që për çudinë tonë kishte të dhëna shumë interesante. Hebrenjtë si hebrenj, në cilën vend të botës qofshin, ata din të adaptohen në mesin ku jetojnë, sepse e posedojnë një mjeshtri të veçantë teknike për këtë çështje, pasi që dihet shumë mirë se ekonomikisht dhe materialisht janë shumë të fuqishëm. Më pas me pa durim e hapa librin e axhës Ahmet, të cilën shpejt e përfundova sepse në te kishte ribotuar shumë shkrime të cilat më herët mi kishte dhënë për ti fotokopjuar.
   Pasi që ekonomikisht nuk qëndroja mirë, nuk kisha mundësi të shkojë deri në Prishtinë për ta vizituar, atëherë pas një kohe të vizitës së tij tek unë, ia bëra një telefon sa për tu informuar rreth gjendjes së tij shëndetësore. Ishte fundi i shtatorit (30)-1999, e enjte pas orës 17, andej lidhjes telefonike u paraqitë bashkëshortja e axhës Ahmet tezja Shemsije, një grua shumë fisnike për çdo lëvdatë. Pas përshëndetjes time ajo më tregoi se axha Ahmet është shumë s’muet dhe është ligë tepër. Mirëpo me të dëgjuar se me kënd po flet ajo në telefon, ai shpejt reagoi (ia dëgjoja zërin edhe përse ishte në dhomën tjetër nga ku ndodhej telefoni). Ndalu, ndalu, nal të flas me Shevkiun tim. Dëgjohej zëri i tij. Tezja Shemsije mundohej ti pengoj me që mjeku kishte dhënë terapi të cilave me përpikëri duhej ti përmbahej, fjala ishte që mos të qëndrojë në këmbë, mos ta lodhi veten, sa ma pak të flas etj, ai përkundër këtyre rregullave është quar nga shtrati dhe u afrua deri te telefoni për ti ndërruar ca fjalë me mua, e që njëherë as unë, por as ai, nuk e dinim se këto ishin fjalët e  fundit që i këmbyem. Më kujtohet se e dëgjova tezën Shemsije të thotë me një zë të butë dhe ngadalë: “O Ahmet  kadale bre, a të ka thanë mjeku mos mu lodh dhe mos me zgjat shumë në biseda se të keqësohet gjendja shëndetësore.” Axha Ahmet i tha: “Po shuj mori grua se vetëm këtë shok dhe mik e kamë, pastaj vazhdoi dhe më tregoi se gjendja shëndetësore tepër ju ka keqësuar, më tha i kam humb ndoshta më tepër se njëzet kilogram, qe sa kohë as nuk po ha as nuk po pi. I thash mos u mërzit o axha Ahmet, se dashtë Zoti sërish do të përmirësohesh dhe do të takohemi e ta vazhdojmë bisedën si çdoherë mu aty ku kemi mbet. Ma kthej, jo o Shevki jo, nuk po mërzitem se një ditë pa dyshim gjithë kemi me shkua aty  ku e kemi vendin. Misioni i çdo njeriu dhe krijese tjetër në këtë botë është i caktuar nga Fuqiploti dhe të gjithë sërish tek ai do të kthehemi. Por dëgjomë edhe diçka, jam në përfundim e sipër të edhe dy librave tjerë, njëra i kushtohet më tepër të madhit Xhafer Deva, ndonëse për kah koha  e aktivitetit politik shumë të shkurtë por tepër aktiv dhe të vrullshëm të tij. Atëherë si duket u lodh dhe nuk mundi më tepër me qëndrua, dhe në shpejtësi u përshëndet me mua, pastaj i këmbeva edhe dy tre fjalë me tezën Shemsije dhe u përshëndetëm. 
   Vajzën e vogël Valbonën e kishe fejuar për Liridon Vatovcin djalin e Ahmet Vatovcit një aktivistit të dalluar të LDK-në Mitrovicë. Derisa bacën Ahmet e njohsha mirë dhe kisha biseda me te, djalin Liridonin nuk e njohsha fare. Në mëngjesin e hershëm të 24 tetorit 1999 e diel ora 8 e 15 minuta, shumë rrufeshëm u trokit dera e korridorit. Me të hapur derën e pash një djalosh të pa njohur. Menjëherë pas prezantimit si djali i Ahmet Vatocit, unë e ndërpreva duke i thënë: “A mos po donë me më thonë se ka ndërruar jetë axha Ahmet”? Djaloshi u shtang se nga po e di, dhe vazhdoi të më thotë se mbrëmë vonë Ahmet Maloku ka ndërruar jetë dhe anëtarët e familjes së tij pasi na lajmëruan neve si miq të ri menjëherë më thanë nesër herët në mëngjes së pari lajmëroi Shevki Vocës e pastaj të tjerëve me rend. Më tregoi se varrimi do të bëhet në varrezat e Prishtinës, dhe vazhdoi rrugën tjetër kah. Hyra brenda tepër i mërzitur dhe i pikëlluar. Sillesha nëpër dhoma dhe korridor duke mos ditë se çka me bë. 
    Profesor Ahmeti u varros në varrezat e Prishtinës me nderimet e fundit që ia bënë ish nxënësit dhe studentët e tij që aq shumë i deshi në jetë, pastaj kolegët, bashkëvendësit dhe qytetarët e Prishtinës dhe më gjerë. Saktësisht doli ashtu si më tha disa muaj më par në shtëpinë time se jam i lodhur, dhe kam bë goxha do vjet, kam frikë se nuk do të arrijë ta shohë Kosovën ashtu si e kam parapa, me shtetin vet të pavarur, me udhëheqësin e tij shqiptare në krye, e pse jo edhe me simbolet e saja. 
    Profesor Ahmet Maloku pas veti la një opus mjaftë të gjerë të punimeve shkencore duke filluar nga  fizika, kimia, gjeografia, letërsia, etnografia, historia, folkloristika etj. Ndër të cilat mund ti përmendim: “Pasuritë nëntokësore të Kosovës e Metohisë” (1953, këtë material e kishte shkruar gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, dhe honorarin e paguar për këtë shkrim ia kishte adresuar babës vet Shaqir Malokut, ky as që kishte ditë se nga dhe kush po ia dërgon ato të holla Sh. V.), “Epoka e Atomit” (“Përparimi”, numër 5, 1955),”Zhvillimi i atomistikës prej Demokritit e deri në ditët tona” (1964), “Fjalë e të folme të rralla popullore”,(“Përparimi” numër 1,2,3,4,5,6,9.10,11,12-1961), “Disa shënime gjeografike mbi shalën e Bajgores”, “Disa shënime mbi përhapjen e fiseve në Kosovë e Metohi (“Përparimi” numër 1-2, 1963), “Besime e besëtytni në Shalë të Bajgores” (1963), “Smrekonica në unazë të Shalës së Bajgores” (1963), “Lojërat popullore në shalë të Bajgores” (1966), “Mydyrjeti i Banjskës” (botuar në pesë vazhdime në gazetën javore “Zveqan” tetor-nëntor 1966, ndërsa “Rilindja” vetëm një vazhdim, me 6-janar-1968 e shtunë), “Kisha e Sokolicës” (1966), “Kurioziteti i xhamisë së Trepçës” (1966), “Jeta dhe veprimtaria e Azem Bejtës” (botuar me vazhdime në  “Zveqan” dhe në “Zani i Rinisë” (1967), “Sherif Voca i Shalës së Bajgores” (“Rilindja”, 3 dhjetor 1967), “Hasan Prishtina-jeta dhe veprimtaria e tij” (“Zani i Rinisë” në dhjetë vazhdime, 1967-1968), etj.
      Ndërsa gjatë viteve 90-ta të shekullit të kaluar botoi disa vepra; “Ata gabo un qorto I” maj 1996, dhe “Ata gabo unë qorto II-shin”, gusht 1996, (vepra këto me shkrime publicistike); pastaj “Isa Boletini-integrist i parë i të gjitha trojeve etnike shqiptare” (1997); “Enciklopedik i vogëlth-politiko-etnologjiko-historike” “(shkurt 1998); “Dëshmi po-prask jo” (maj 1998). Këtu më duhet të theksoj diçka para se ta ceku edhe librin e gjashtë me radhë të tij. Kur më ra në dorë libri i Fazli Hajrizit “Shkolla Normale Hasan Prishtina e Mitrovicës-monografi” botuar më 2007, ai në faqen e 420 të librit me ç’rast paraqet të dhënat biografike të profesor Ahmet Malokut, në mes veprave të tija e cekë edhe një të fundit me titull “Sqarime me peshë historike” (1999). Unë për këtë libër nuk kisha njohuri, andaj në bisedë telefonike që pata me z. Fazliun i cli më tregoi se ma kishte nda librin e fundit të tij për Rexhep Mitrovicën që kemi cekë më lartë, e shfrytëzova rastin dhe pyeta për këtë libër të axhës Ahmet. Fazliu më tha për nder unë nuk di, sepse krejt dy apo tre libra i kam të profesor Ahmet Malokut, por ato të dhëna biografike që gjenden në librin për shkollën e mesme normale HasanPrishtina, të Mitrovicës i kamë sipas të dhënave që mi ka dhënë djali i Profesorit Ahmet Maoku Bahriu, përndryshe unë as që e kamë parë atë libër-përfundoi me kaq Fazliu.
   Në fund, nëse do ta portretizonim figurën apo personalitetin e profesor Ahmet Malokut me pika të shkurta do të dukej kësi soji: 
     Ahmet Shaqë Maloku, i lindur 1929 vdesë 1999 me profesion magjistër i shkencave të kimisë, me vokacion folklorist, poet, historian, etnograf,adhurues dhe dashamirë i çdo gjëje kombëtare, atdhetar i pa kompromis, trim, guximtar i vendosur dhe i pa luhatur në qëndrimet e veta intelektuale, pedagog i shquar,  polemizues i rreptë, kritik i ashpër. Ata të cilët e kanë njohur në një mënyrë apo tjetër dhe kanë pas rast të rinë me te, me siguri se aspak nuk iu ka dhimbsur koha që e kanë kaluar me te. I tillë ishte profesor magjistër Ahmet Shaq Maloku.  


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora