E diele, 28.04.2024, 06:00 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sabile Keçmezi- Basha: Jo-ja e madhe e atdhetarit të anamoravës – Ramiz Cërrnica

E marte, 26.01.2010, 10:57 PM


JO- JA E MADHE E ATDHETARIT TË ANAMORAVËS- RAMIZ CERRNICA

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha

Sabile_basha@hotmail.com


            Që nga koha e aneksimit të Kosovës nga Serbia, gati po bëhen 62 vite, çështja e Kosovës në vazhdimësi ishte dhe ngeli problem aktual dhe ende i pazgjidhur, që nëpër mes mënyrave të ndryshme të rezistencës, ajo çdo herë dhe në çdo kohë mbajti vulën e aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës, qoftë për identitetin e vet kombëtar, qoftë për bashkimin kombëtar, qoftë për barazi kombëtare. Duhet përmendur me krenari se në mesin e atyre burrave që reaguan për një tradhti të madhe që iu kurdis popullit liridashës, në Kuvendin e Prizrenit me 8-10 korrik, 1945, vend meritor pa dyshim zë, atdhetari dhe patrioti Ramiz Cernica që ishte jo vetëm një luftëtar i pakompromis kundër pushtuesit dhe regjimeve të huaja por edhe tribun i denjë i interesave të popullit të vet. Ai, mbi të gjitha ishte një politikan demokrat largpamës i cili me veprën e vet la gjurmë të pashlyeshme  në historinë tonë më të re[1]. Në kohën kur terrori e dhuna në Kosovë nuk kishin të ndalur, në fshatin Cërrnicë të Anamoravës lindi dhe u rrit atdhetari i njohur i kësaj ane, e jo vetëm i kësaj-Ramiz Cerrnica. Ai u lind më 25 maj të vitit 1903. Dhe, jo rastësisht, Ramizi i vogël mori rrugën  e atdhetarisë, ngase edhe më herët familja e tij ishte përballur me okupimin dhe me sfidat që i sillte ajo. Dihej se, e tërë familja Hoxha, gjatë tërë historisë kishte dhënë kontribut të çmuar në lëvizjen kombëtare shqiptare për lirimin e vendit nga okupuesit e ndryshëm.

Ramiz Cërrnica, qysh si fëmijë përjetoi dhe u ballafaqua me luftërat çlirimtare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në të cilën merrte pjesë edhe babai i tij Halim Hoxha, që në rritën e tij atdhetari pati ndikim të madh. Në rinin e hershme filloi të përballet me padrejtësitë e shumta dhe si i ri filloi ti dal zot atyre, dhe të mendoj për organizimin dhe mbrojtjen nga ato. Gjatë jetës me plotë peripeci, pati shumë funksione të rëndësishme në jetën politiko shoqërore të asaj kohe, por pati edhe një kalëvar të trishtuar që përjetoi në burgjet e ish-Jugosllavisë.

Ramiz Cerrnica si atdhetar jo rastësisht nuk hyri në histori, por para se të shkruajmë për JO-në e madhe që e tha në fjalimin e tij historik, të mbajtur në Kuvendin e Prizrenit (8-10 korrik, 1945), do të ndaleshim te momentet historike e kulmore të kohës dhe do të shohim se çka e shtyri atdhetarin që të reagonte në mënyrë dinjitoze, që i kishte hije vetëm një Ramiz cërrnice, me kalibër shumë dimenzional atdhetar.

Tri periudha të veprimtarisë së Ramiz Cërrnicës

 Sipas shënimeve që na i ofron e mbesa e tij Afërdita Halimi-Cërrnica, vijmë në përfundim se Baca Ramiz edhe më herët kishte punuar dhe dhënë kontribut të veçant për çështjen kombëtare duke mos kursyer asgjë, bile-bile në shumë raste kishte vu edhe jetën e vet e të familjes në rrezik.

Sipas të dhënave që kemi, aktiviteti politik i atdhetarit mund të ndahet në tri periudha: aktiviteti i periudhës së paraluftës , periudha gjatë luftës dhe ajo e pasluftës[2]. Periudhën e para luftës të atdhetarit e karakterizon angazhimi i tij që me votën e qytetarëve të 1934 zgjidhet kryetar i komunës së Parteshit. Por edhe në zgjedhjet e më vonshme të vitit 1938, ai përsëri i fiton votat bindshëm ndaj kundër kandidatit të tij Daut Rexhepit, dhe përsëri zgjidhet kryetar i të njëjtës komunë. Vlen të përmendim se gjatë këtij mandati, bije në kontakt me shumë atdhetar, por miqësia me Hasan Alin- Remnikun, kishte lënë mbresa të pashlyeshme në rezistencën shqiptare.

Duhet theksuar se gjatë tërë jetës politike, atë e cilësonte dhe e veçonte qëndrimi i tij prej demokrati, gjë që edhe në vitet e më vonshme, ngeli deri në fund të jetës properëndimor.

Gjatë luftës, edhe pse Kosova ishte e ndarë në tri zona territoriale, përsëri, Ramiz Cërnica ngeli në postin e kryetarit të komunës së Parteshit. Si kryetar i komunës luajti një rol të rëndësishëm për mbrojtjen dhe të drejtat e qytetarëve. Njësoi u angazhua që të mos vinte deri te gjakderdhja në mes popullatës të përzier etnikisht, por duke mos harrua asnjëherë që të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit të vet. Duhet përmendur ndikimin e madh që patën bashku me Hasan Remnikun, me rastin e shpërnguljes së popullatës shqiptare nga fshatit Remnik për të kaluar nga zona Bullgare në atë Italiane.

 Duke e kuptuar se fashizmi ishte një e keçe e botës, ai forcat nacional-çlirimtare i shihte si shpëtimtar, andaj u angazhua për shpëtimin nga rrethimi i hekurt, aradhen e luftëtarëve partizanë që ishte e rrethuar në fshatin Livoq të Epërm. Ashtu siç ka komanduar Mulla Idrizi me vullnetarët shqiptarë në mbrojtje të kufirit shqiptar nga kriminelët serb, edhe tribuni i ardhshëm i kombit ka komanduar me një mijë vullnetarë shqiptarë në luftën e Preshevës dhe ka penguar hyrjen në Kosovë të çetnikëve serb.[3]

Aktivitetin politik atdhetar ai nuk e ndërpreu edhe pas LDB-së. Kreu shumë punë dhe pati shumë detyra të rëndësishme në sistemin “e ri” komunist. Por, ajo që e karakterizon dhe i siguron vendin e respektuar në panteonin atdhetar ishte fjalimi i tij në Kuvendin “e famshëm” të Prizrenit me 1945. Me trimërinë, guximin dhe mençurin që kishte doli hapur kundër qëndrimeve aneksioniste serbe dhe hapur e shprehu dëshirën dhe dëshpërimin e tij, duke iu thënë të pranishmëve se kjo është tradhti dhe se: “Jugosllavia e re, për popullin shqiptar nuk ka asnjë ndryshim nga Jugosllavia e vjetër. Ju ende nuk e keni bërë vetëm edhe një punë, dëbimin e këtij populli për në Turqi, për të bërë në këtë mënyrë spastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare. Prandaj, unë nuk po shoh kurrë një dallim, sepse kjo luftë shqiptarëve nuk u solli lirin, por një robëri të re edhe më të keqe...”. Për të vazhduar më vonë edhe me tone më të ashpra. Pas këtij reagimi në sallë krijohej një tollovi e paparë. Delegatet e kuvendit, fillojnë të shqetësohen për jetën e tij. Disa nga ata ishin të informuar dhe e dinin se çfarë kishin përgatitur dhe çfarë i priste jashtë sallës. Pushtetarët ishin përgatitur se në rast të ndonjë të papriture të kësaj natyre, personi do të nxirrej jashtë dhe ti humbej gjurma. Por, reagimi i Ramiz Cernicës i zuri të befasuar, andaj edhe arrestimi i tij i menjëhershëm ishte i pamundur, ngase ata e dinin rrezatimin e tij që kishte te të pranishmit, dhe çdo gjë e pa menduar mirë, do të krijonte situata me pasoja të mëdha në kuvend. Megjithatë, kuvendi përkohësisht e ndërprenë punën që të konsultoheshin se çka do të ndërmarrin më tej.

Jo me Serbinë, por me Shqipërinë...”

Ramiz Cerrnica nuk qëndroi duarkryq edhe në periudhat e më vonshme nën sundimin ish- Jugosllav. Kuvendi i Prizrenit, për historinë e popullit shqiptar të Kosovës ishte kaptin e dhembshme dhe e veçantë. Ndërsa, për Bacën Ramiz ishte një akt i veçantë trimërie dhe heroizmi qe do t’i sigurojë vend nderi në historinë tonë të re. Në të u diskutua gjatë për fatin e saj. Ndërsa diskutimi i patriotit të Gjilanit i vuri vulë kohës dhe jetës së tij të bujshme prej atdhetari. Diskutimi ishte i shkurtër, i prerë dhe i hapur. Ai në mënyrë dinjitoze dhe krenare e mbylli fjalën e tij duke thënë “Jo me Serbin, por me Shqipërinë...”. Pas kësaj, në sallë u krijua tollovi e paparë. Pushtetarët për gjithçka ishin përgaditur, por se do të del një trim me një fjalim të këtillë nuk e kishin pritur. Mbledhja ndërpritet urgjentisht. Kishte propozime që Ramiz Cërrnica të arrestohej, por ekzistonte frika se si do të reagonin të tjerët. Fadil Hoxha me Xhavit Nimanin duke e parë situatën e tendosur, diskutuesin e tërheqin anash, duke e këshilluar se nuk mund ta mbronin nga kërcënimet dhe sulmet që do ti bëhen tani e tutje. Ndërsa Ali Shukrija kishte intervenuar që ti ndërpritet fjala  Ramiz Cërrnicës derisa diskutonte, dhe ta arrestonin ose ti epnin për detyrë që të kapte Hasan Remnikun që ishte në arrati, ngase e dinin se Hasan Remniku shpesh konsultohej me të dhe kishte ndikim të madh tek ai.

 Ramiz Cernica gjatë tërë jetës së vet, nuk ishte njeri që mund të shitej ose te blihej, pa marr parasysh çmimin që i ofronin. Andaj ishte absurde një ofertë e tillë. Ai i kishte shikuar gjatë dhe përbuzshëm kishte qeshur.

Para se të përfundonin punimet e kuvendit, Ramiz Cernica e lëshon atë dhe merr rrugën për Gjilan duke i bishtnuar  rrugëtimit, ngase e dinte se do ti venin prita dhe likuidimi do të ishte mase i sigurt. Megjithëse e dinte epilogun e tij, ai ishte krenar për atë që bëri dhe që e tha haptas në kuvend. Por, pas ardhjes së tij në shtëpi, filluan survejimet dhe përcjelljet nga udbashët në çdo hap. Ishte i vetëdijshëm atdhetari, për pasojat e fjalimit, dhe nuk vonoi shumë  Ramiz Cerrnicën e arrestuan. Gjykatësi ushtarak, në mungesë të fakteve e liroi si të pafajshëm.

Ndjekjet e përcjelljet e UDB-es edhe pse u shpall i pafajshëm, ato asnjëherë nuk reshtën së ndjekuri. Nuk kaloi kohë e gjatë, atë përsëri e arrestuan, por kësaj radhe hetuesit qenë më vigjilent, duke “inskenuar fakte”, dhe Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqiptoi dënimin prej 20 vitesh burg të rëndë. Bile kërkesa e Prokurorit Publik Gernolub Popoviqit ishte që ti shqiptohej dënimi me vdekje- pushkatim, duke e arsyetuar se Ramiz Cërnica ishte njeri i rrezikshëm për popullin dhe për pushtetin e ri komunist.

Takimi me të birin në burgun e Mitrovicës së Sremit

Pas disa amnistive që pasojnë në vitet e ardhshme, Ramiz Cernica në burgjet e ish-Jugosllavisë i kalo plotë 13 vite. Është për tu befasuar këndshëm, po them këndshëm për arsye se edhe ky takim i papritur me të birin sillte pak gëzim në jetën e të burgosurve, siç ndodhi me babë Ramizin dhe djalin e tij Raifin, në  burgun e Mitrovicës së Sremit.

Dihej se ishte një rregull i pa shkruar për të gjithë të burgosurit politik, që ishin të dënuar mbi dhjet vite burg, i dërgonin për të vuajtur dënimin në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit. Atdhetari, që poashtu kishte bërë nam për veprimtari atdhetare ishte djali i Bacës Ramiz, Raif Halimi –Cernica. I cili nga gjykatat e atëhershme ushtarake iu ishte shqiptuar dënimi, fillimisht me vdekje, që më vonë iu zbrit në 20 vjet burg. Pasi i shqiptojnë dënimin, atë Raif Halimin- Cërnicën e dërgojnë që ta vuaj dënimin në këtë vend-burg, ku më vonë merr vesh se po aty kishte rastisur të jetë, edhe babai e tij- Ramiz Cernica. Pas disa bisedave që i bënë nëpër mes shokëve, Baca Ramiz kalon në Pavijonin ku ishte Raifi, e pastaj kalon edhe në një dhomë bashkë me djalin që e kishte shumë vite mall. Por, kjo “idil”, në mes tyre nuk zgjati shumë, (tri vite), pasi se nga disa të burgosur u zbulua se çka ishin ata në mes veti, ata i ndan.

Baca Ramiz, në burg qëndroi 13 vite, nga aty doli më 1956, por me kaq nuk merr fund kaluari i tij. Ai dënohej edhe dy herë tjera duke e akuzuar se përsëri kishte veprua kundër popullit dhe shtetit.

Për herën e parë kur u lirua nga burgu, në Kosovë kishte filluar aksioni i tmerrshëm i mbledhjes së armëve nga shqiptarët. Posa e pa dhe u informua nga të afërmit se çfarë po ndodhte në vendin e riokupuar, ai përsëri reagoi hapur.

                                     Prandaj jo një herë është konstatuar me të drejtë se Ramiz Cerrnica, ky burrë i madh dhe i papërsëritshëm i kombit, e bëri maksimumin e mundshëm në logun e burrave.
Shumë shkurt dhe qartë e artikuloi dëshirën shekullore të shqiptarëve.[4]

Bacën Ramiz, edhe më vonë e gjejmë brenda grilave të burgut. Në kohën kur zbulohet dhe dalin para gjyqit Kadri Halimi, Ali Aliu, dhe shumë të tjerë, në mesin e tyre ndodhej edhe atdhetari i devotshëm Ramiz Cërnica. Dhe ne këtë proces gjyqësor, atij iu shqiptua dënimi prej 18 muajsh burg.

 Ramiz Cerrnica vdiq në vitin 1979. Vdekja thonë se e gjeti shumë të mërzitur për fatin dhe të ardhmen e popullit shqiptar të Kosovës, të shokëve që i kishte lënë burgjeve por edhe të atdhetarëve tjerë që regjimi antishqiptarë i kishte burgosur dhe dënuar me vite të tëra burgu.

Figura e Ramiz Cërrnicës dhe meritat e tij karshi atdheut e bëjnë atë të pavdekshëm duke i rezervuar vend nderi në altarin e lirisë. Respekti i brezave të rinj ndaj Ramizit dhe veprës së tij ishte dhe do të jetë frymëzim i përhershëm. Andaj, gjithë përpjekjet që bëhen për vlerësimin e kësaj figure madhore të kombit është vetëm një kontribut modest yni krahasuar me borxhin që kemi ndaj tij dhe ndaj veprës madhore të tij. 



[1] Dr. Fehmi Rexhepi, Portreti historik i atdhetarit Ramiz Cernica (1903-1979), fjalë rasti e mbajtur në tribunën kushtuar Ramiz Cërnicës.

[2] Aferdita Halimi – Cerrnica, “Raif Halimi Cernica (Veteran I luftës dhe I demokracisë në Kosovë), Tiranë, 2000. F.15

[3] Ismet Sylejmani, fjalë e mbajtur në tribunën kushtuar Ramiz Cernicës, Prishtinë 2007.

[4]Ismet Sylejmani, fjalë e mbajtur në tribunën kushtuar Ramiz Cernicës, Prishtinë 2007. 



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora