E hene, 29.04.2024, 10:37 PM (GMT+1)

Faleminderit

Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot Pano

E enjte, 21.01.2010, 10:59 PM


Nga Sporti Shqiptar

Ndarja nga jeta e të madhit të futbollit shqiptar, Panajot Pano, ka prekur thellë edhe strukturat më të larta drejtuese të vendit. Kështu, të mërkurën, qeveria shqiptare ka nderuar me një minutë heshtje, në mbledhjen e radhës, korifeun e futbollit shqiptar, legjendën Panajot Pano. Kryeministri Sali Berisha u shpreh se vdekja e legjendës Panajot Pano është një lajm i zi për futbollin shqiptar. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, shefi i ekzekutivit u shpreh se vdekja e Panos është një humbje e madhe për të gjithë futbollin shqiptar. Gjithashtu, gjatë mbledhjes u mbajt një minutë heshtje në nder të figurës së Panajot Panos. Kryeministri theksoi gjithashtu se dita e varrimit të Panos do shpallet “ditë zie kombëtare”, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do organizojë ceremoninë mortore
 
Panajot Pano, pasaporta
Emri: Panajot
Atësia: Thoma
Mbiemri: Pano
Datëlindja: 7 mars 1939
Vendlindja: Durrës
Tituj sportiv:
“Mjeshtër sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nder i Sportit Shqiptar”
Klubet: SK Tirana, Partizani, Dinamo
Aktivizuar: Me të rinjtë e Tiranës 1955-57, Puna e  Tiranës 1957-59 (të rritur), Partizani 1960-75, Dinamo 1962 (për Kupën Ballkanike)
 
Trofe:
1957 - Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.
1960 - Golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1961 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1963 - Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.
1964 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.
1966 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1967 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1970 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1971 - Kampion kombëtar me Partizanin.
1973 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit)
2000 - Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.
1979 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
1980 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.
1981 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
 
Dekoratat:
Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1?, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhëri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.
I zgjedhur:
Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së.
 
- Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke.
- Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania.
- Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.
- Trajnerët që e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15 vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajneri i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajneri i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).
- Ndeshja e parë zyrtare me të rinjtë e Tiranës: ndaj të rinjve të Peshkopisë, 18 korrik 1956, për kampionatin kombëtar.
- Goli i parë i karrierës me të rinjtë: ndaj Kukësit, 5 gusht 1956
- Ndeshja e parë me të rriturit: ndaj Besës, në vitin 1957, për Kupën e Shqipërisë, me fanellën e 17 Nëntorit (Tiranës).
- Ndeshja e parë në kampionatin kombëtar: me 17 Nëntorin, më 4 maj 1958, ndaj Dinamos (4-0). Pano shënon dhe golin e tij të parë.
- Ndeshja e fundit, si futbollist i 17 Nëntorit: ndaj Besës, më 9 dhjetor 1959 (4-2), ku ka shënuar golin e fundit për bardheblutë.
- Ndeshja e parë me Partizanin: më 14 shkurt 1960, ndaj Dinamos (3-0), ku dhe ka shënuar golin e tij të parë për të kuqtë.
- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Tiranën: ndaj skuadrës sovjetike “Krahët e Sovjetëve” (Kujbishev), në vitin 1957.
- Ndeshje si përforcues me 17 Nëntorin: më 6 mars 1960, ndaj rusëve të Admiraltejec; më 28 gusht 1969, ndaj Standart Liezh (Belgjikë)
- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Partizanin: mars 1960, ndaj Nojebrandenburg (e fituar 3-2), në turneun në RDGJ.
- Goli i parë i karrierës: ndaj Besës, më 1957, për Kupën e Shqipërisë.
- Goli i parë në takime ndërkombëtare: ndaj Moldava të Kishinjevit, në turneun e 17 Nëntorit në BS, në vitin 1958.
- Goli që i ka sjellë më shumë kënaqësi e sukses: ai i shënuar ndaj Dinamos, në vitin 1961, në finalen me dy ndeshje, që zgjati 242 minuta. Ky gol e shpalli Partizanin kampion, titulli i parë dhe për Panon.
- Goli më i bukur: i shënuar ndaj kombëtares së Danimarkës (1963).
- Më tepër gola në një ndeshje: 4 ndaj Vllaznisë së Shkodrës; në takimet ndërkombëtare, ka shënuar 3 gola ndaj Forverts të Berlinit, në turneun e Vietnamit.
- Hidhërimi më i madh: kur, nga një distancë fare pranë portës së boshatisur, nuk mundi të shënojë ndaj Torinos, në një ndeshje për Kupën e Kupave, në “Qemal Stafa” (1968)
- Gola nga distanca mbi 20 metra: ndaj Olimpikes bullgare, Vakerit, Advidabergut, ndërsa ndaj Vllaznisë mbetet ndër më të bukurit.
- Penallti të humbura: vetëm tri gjuajtje nga 11-metërshi.
- I përjashtuar nga gjyqtari: dy herë.
- Ndeshja e lamtumirës: Partizani -17 Nëntori, më 23 maj të vitit 1975.
- Titulli i parë kampion kombëtar: me Partizanin, në vitin 1961.
- Kupa e parë e Shqipërisë e fituar: me Partizanin, në vitin 1961.
- Numri i fanellës: 10.
- Ndeshja e parë me ekipin kombëtar: më 24 qershor 1963, me Danimarkën në Kopenhagen (0-4).
- Ndeshja e fundit me kombëtaren: më 7 nëntor 1973, ndaj përfaqësuese kineze.
- Më shumë gola në takime ndërkombëtare: në vitin 1963 (11).
- Gjithsej gola në takimet ndërkombëtare: 34
- Skuadra e huaj, me të cilën është ndeshur më tepër: me Fenerbahçen 7 herë (3 herë më 1961 me Partizanin, 2 herë me Dinamon në vitin 1962 dhe 2 herë me Partizanin në vitin 1967).
 
 
I pabesueshëm, tronditës, por fatkeqësisht i vërtetë lajmi se “Joti nuk është më mes nesh”. Një rrufe në qiellin e futbollit shqiptar, që ka shokuar jo vetëm familjen, shokët dhe të afërmit e tij, por tërë sportdashësit e vendit tonë. Lajm i rëndë, futbolli shqiptar në zi. 18 janari 2010 paskësh qenë dita e fundit e jetës së futbollistit më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, e legjendës së madhe e të papërsëritshme Panajot Pano. Zemra e “mbretit” të top-këmbës shqiptare ka pushuar së rrahuri atje larg, në Xheksonvil të Floridas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje rreth mesditës, pasi kishte 3 ditë i shtruar në spital, si pasojë e një parainfrakti që kishte pësuar. Ndërhyrja e mjekëve ka qenë e pasuksesshme, pasi intervenimi i tyre përmes kryerjes së koronografisë është shoqëruar me humbjen e jetës së Panos. Një lajm i kobshëm për futbollin shqiptar, i cili e ka “ulur flamurin në gjysmështizë”. Zemra e ka tradhtuar “lojtarin fluturues”, të cilin nuk kishte kundërshtar që ta markonte, pas një infarkti, duke na thënë të gjithëve “lamtumirë”. Legjenda shqiptare, më i njohuri në botë, Panajot Pano, para një viti, teksa mbushi të 70-tat, u dekorua me urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi. Ka qenë pikërisht ky, i pari që ka shprehur publikisht ngushëllimet e tij për këtë humbje të madhe. Jeta e tij ka qenë vërtet intensive dhe me shumë ngjarje, që nuk harrohen. Cilësitë dhe aftësitë e tij kaluan kufijtë e kohës, pavarësisht se izolimi i regjimit ishte i pashoq. Vlerësimet e ish-trajnerit të përfaqësueses së RFGJ-së, Helmut Shen, se “Shqipëria ka një futbollist të madh, Panon”, të Franc Bekenbauerit, ish-kapiten i përfaqësueses së RFGJ-së, se “më pëlqeu kundërshtari im, Bizi, ndonëse në Gjermani njohim më shumë Panon”, i Shulc, qendërmbrojtës i përfaqësueses së RFGJ-së, se “askush në vendin tim dhe jashtë tij nuk ka guxuar të më sjellë rrotull, të më kalojë dorë për dore, të më gjunjëzojë, ashtu si Pano”, sot janë “kurora” më e fisme te koka e këtij gjiganti të futbollit shqiptar. 
 
Kush ishte Panajot Pano
Prindërit: Ai u lind në një nga shtëpitë tradicionale durrsake, diku rrëzë kodrës së Vilës së Zogut, më 7 mars 1939, nga prindër të ardhur nga fshatrat e Delvinës, Leftohori dhe Kakaviqi. Babai i Panajotit kishte nuhatje dhe dinte ta zgjidhte mirë jetën kudo. Shumë shpejt la Durrësin për të ardhur në Tiranë. Gjatë gjithë jetës së tyre treguan shembullin më të mirë para fëmijëve të tyre dhe bënë më të mirën. I edukuan që në radhë të parë të tregonin respekt për të tjerët. Kur Joti çamarroku kishte filluar të dallohej në futboll, e motra e tij ishte ndër nxënëset e para të Teknikumit të Fiskulturës.
Djemtë e Rrugës “Fortuzi”: Kur e kemi pyetur një herë Panon se a të pëlqen të të quajnë djali i Rrugës “Fortuzi”, ai ka reaguar jo qetë: “Mund të na quash “djemtë e Rrugës “Fortuzi”. Ndoshta ishte rastësi që familja “Pano” të blente shtëpi pikërisht në një nga zonat më sportive, që ziente nga zërat e fëmijëve dhe të rinjve, që luanin futboll. Ky ishte një fat për Jotin “e vockël” në fushën sportive. Që fëmijë, të marrësh edukatën fizike nga një figurë dhe specialist si Myftar Marku me shokë tek shkolla “Hasan Vogli”, vërtet është një rast i mirë për të shpalosur talentin. A kishte lindur Panajot Pano për futboll, apo e mësoi aty futbollin? E kemi pyetur në një rast për këtë. “Kam përfituar shumë nga djemtë e Rrugës “Fortuzi”, që nga vitet e fëmijërisë e deri tek të rinjtë. Më donin shumë, se luaja kudo: portier, mbrojtës, sulmues,” - kujton Joti. Ai që e “largoi” nga ekipet e rrugës ishte një figurë, që u bë shumë e njohur, qendërmbrojtësi, nga më të mirët në historinë e futbollit shqiptar, Skënder Halili (Merja). Duke folur për Panon fëmijë, inxhinieri i ndërtimeve, Luan Kuçi, që e njeh atë qysh kur luante me paratërinjtë e Tiranës, thotë: “Joti ishte një talent i lindur për futboll.”
Trajnerët: Kush e zbuloi Jotin? Zbulimet asnjëherë nuk i bëjnë trajnerët e njohur, se ata nuk janë në kontakt me fillestarët. Panajoti vlerëson Myftar Markun, mësuesin e fizkulturës tek “Hasan Vogli”: “Të gjithëve na pëlqente futbolli. Unë rrija gjithë ditën pranë fushës. Kur u mungonte ndonjëri, më fusnin edhe mua, shumicën e herëve si portier, sepse dihet që të gjithëve u pëlqente të luanin në sulm. Pastaj e provova edhe unë sulmin, provova dhe golin. Kur u rrita edhe pak, qendërmbrojtësi legjendar, Skënder Halili, që atëhere thirrej Skënder Merja, luante me të rinjtë e Punës së Tironës, më dërgoi tek ekipi i të rinjve. Xhavit Demneri ka qenë vërtet një profesor futbolli për seleksionime. Nga portier më kthen në mbrojtës të majtë, në një ndeshje miqësore me ekipin e parë të Spartakut të Tironës. Pjesën e dytë më thotë: Ti çun dil në sulm.”
Duke folur për këtë episod, inxhinieri i ndërtimit, Luan Kuçi, kujton: “Vetëm pak muaj pasi Panajoti kishte filluar në ekipin tonë, ai jo vetëm zuri vend në formacion, por ishte më i pëlqyeri. Një ditë, profesor Demneri shkon tek dyqani i tij i xhamave, ku grumbulloheshin shumë sportistë dhe tifozë të Tiranës, dhe u thotë gjithë qejf: Na ka ardhur një talent, që do të bëhet e ardhmja e futbollit shqiptar.” E kështu, nga një dorë ustai, Panajot Pano kaloi në dorë të një ustai tjetër, Myslym Allës, i cili pa asnjë hezitim i dha atij vendin e duhur në formacion. Pano e lidhte atë çfarë ka dhënë në futboll me meritën që kanë pasur trajnerët e tij, vërtet me aftësi të veçanta profesionale, ku përmendte të mëdhenjtë e stolit shqiptar, Rexhep Spahiun, Loro Boriçin, por edhe trajnerë të tjerë, po aq të njohur tek ekipet e tjera. Joti gjithnjë e përmendte faktin e padiskutueshëm që futbollisti, kushdo qoftë ai, duhet të zbatojë atë detyrë që i ngarkon trajneri. I “kundërshtuar” apo sugjeruar për superstarin në ekip, vetë superstari shqiptar i shekullit thoshte me një ngritje të zërit: “Trajneri është ai që vendos se si duhet të luhet. Ata janë strategët. Superstari është një nga 11 futbollistët gjatë 90 minutave. Aty dallohet trajneri, se si do të koordinojë repartet dhe individët brenda një reparti. Nuk mund të bëhesh lojtar i njohur pa pasur një trajner të mirë. Shikoni gjithë ekipet e mira. Të gjitha kanë trajnerë të mirë. Unë veçoj vlerën e Boriçit në ndeshjet ndërkombëtare, sidomos në disa përballje me ekipet kampione dhe kombëtaren e Gjermanisë.”
Familja: Ka qenë një kryespecialist sporti, një ish-sportist i gjithanshëm, Petrit Qëndro, ai që bashkoi të pakapshmin Pano me Rebekën e bukur. Vitet treguan se Rebeka shpalosi në familje më shumë një amvisë të mirë se të bukur. Ajo që na ka bërë më shumë përshtypje te familja “Pano” është se ata të katër, Panajoti, Rebeka, Ledio dhe Nertila, e kanë një veti të përbashkët: ndershmërinë dhe personalitetin familjar e shoqëror! Panajoti, sapo ishte fejuar në dimrin e famshëm të dhjetorit të 1967-tës. Për gati 3 javë ka menduar vetëm për nderin e kombëtares së Shqipërisë, që ishte shkatërruar në Gjermani, 6-0. Rebeka edhe pse vetëm 17 vjeç, e ka “ushyer” me sensin e besimit. 3 javë pas barazimit historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore, natën e Vitit të Ri, bëjnë ceremoninë e martesës. Edhe pse tipa të ndryshëm, mbi 40 vjet shumë pranë njëri-tjetrit, tregojnë një fat të dyanshëm.
Simpatizantët: Forca e sportit është shumë më e madhe se ajo e artit. Kjo vjen ndoshta ngaqë sporti përfaqëson një qytet, një shtet e deri tek një kontinent. Vetë sporti i ka vlerat gjithnjë te konkurrenca. Shikuesi është vetë një inkurajues dhe dekurajues. Mund të duartrokitesh, por mund të të thyhen edhe xhamat. Sporti i ka simpatizantët më besnikë dhe të përjetshëm. Disa quhen superstarë, njihen dhe respektohen më shumë, madje edhe nga kundërshtarët. Panajot Pano është njëri nga ata që njihet. Gjithnjë ka kaluar mirë me tifozët, edhe kur u ka shënuar, edhe kur u ka shkaktuar humbjet e hidhura. Mund ta kenë sharë në atë moment (Panajoti është revoltuar vetëm një herë në jetë me spektatorin), por pas ndeshjes mundoheshin ta takonin. Panajoti ishte shumë i thjeshtë, i shoqërueshëm, korrekt dhe me një memorie për ta pasur zili. “Spektatorët janë ata që i japin forcë lojtarit, qoftë edhe vetëm me praninë e tyre në stadium. Tifozët të detyrojnë të luash sa më mirë. Ndryshe nuk do të të ndjekin, nuk luhet pa praninë e tyre,” - shprehej Panajoti me shumë përkushtim për ata që janë “mushkëria” e një ndeshjeje. Spektatori në fushë dhe simpatizuesit në jetë i jepnin atë ajrin e duhur “zemrës” së tij, që pushoi dje së rrahuri.
Dekorimi për 70-vjetorin: Miliona njerëz kanë mësuar lajmin e dekorimit të Panajot Panos me titullin më të lartë për kombin shqiptar, “Nderi i Kombit”, që akordoi vitin e kaluar Presidenti Bamir Topi. Shumë i emocionuar, legjenda e futbollit shqiptar, dha asokohe një mesazh nga thellësia e shpirtit të tij, teksa tha: “Më mirë të luaja një ndeshje ndërkombëtare, se sa të vija këtu”, dhe i mbytur në emocione, në ato pak fjalë që tha, nuk la pa përmendur ndihmën që kanë dhënë shokët e ekipit në sukseset e tij. Titulli më i lartë i Shqipërisë, “Nderi i Kombit”, është më shumë se një milion dollarë! Panajot Pano është tashmë edhe zyrtarisht “Nderi i Kombit Shqiptar”.
 
Intervista e fundit e Panos për “Sporti shqiptar”

Mjeshtri i madh nuk përtonte kurrë të fliste për gazetarët, të tregonte aventurën e tij në fushat e blerta, me kulmet e saj apo dhe me momentet e hidhura, por kur fliste për dashurinë e tij të madhe, ai gjallërohej. Pesha e viteve që kishte mbi supe zhdukej dhe fjalitë gurgullonin njësoj, si me shpejtësinë e tij dribluese në fushë. “Sporti shqiptar” po riboton intervistën e tij të fundit për faqet e saj, ku “mbreti Pano” rrëfente shumëçka rreth vetes.
“E kam filluar karrierën futbollistike që në moshën 13-vjeçare, duke qëndruar me disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar si Sul Maliqati, Xhaf Merja, Gani Merja, Bert Jashari, Cuf Pelingu e shumë të tjerë. Si të gjithë fëmijët, kalonim orë të tëra duke luajtur futboll me moshatarët e mi të rrugës “Fortuzi”. Aty shikonim ata që luanin futboll dhe që na dhanë edhe ne seriozitetin e duhur për lojën. Madje, edhe në shkollën “10 Korriku”, në orën e fizkulturës, donim vetëm topin që të luanim. Por shpesh na bërtisnin mësueset, sepse iknim në orët e tjera gjithë djersë,”- rrëfen hapat e parë në rrugën e futbollit.
Ndërkohë, lidhur me kalimin e tij te Tirana, Panajoti nënvizon: “Në vitin 1957, nga gjithë ai grup lojtarësh me ekipin e të rinjve të qytetit, 7-8 lojtarë kaluan me ekipin e Tiranës, që atëherë quhej Puna e Tiranës. Unë, Fatmir Frashëri, Skënder Halili, Naim Balla, Fred Rruxho, Stefan Pavli, Albert Verria, kaluam me Punën. Luajtëm në Kupën e Republikës, ku u eliminuam nga Besa e Kavajës në gjysmëfinale. Në vitin 1958, filloj si titullar me Punën, si sulmues i krahut të majtë. Dyshe sulmuese isha unë dhe Skënder Halili. Atë vit, ne zumë vendin e dytë pas disa vitesh që Puna lëkundej mes vendeve 3-5. Gjithashtu, luajtëm Kupën e “Zërit të Popullit”, ku merrnin pjesë katër ekipe, tre skuadrat e Tiranës dhe Kavaja. Kupën e fituam ne. Ne mundëm në finale Partizanin 3-2, ku unë shënova një gol. Ishte hera e parë që Tirana fitonte me Partizanin…”
I paharruar mbetet për Panajotin edhe rikthimi te Partizani, me të cilin ka rregjistruar edhe kulmin e tij si futbollist: “Në fund të vitit 1959, unë shkoj ushtar dhe nuk iki direkt te Partizani, po te Komiteti i Sigurimit, dhe më pas në Marinë. Sepse te Komiteti i Sigurimit erdhi Petrit Dumja, që ka bërë namin për Partizanin dhe futbollin shqiptar. Në janar të vitit 1960, rikthehem te Partizani dhe na erdhi një ftesë për t’i kthyer nderin Forvestit të Berlinit. Ne shkojmë në Gjermaninë Lindore dhe zhvillojmë tri  ndeshje. Në ndeshjen e fundit luajtëm në Berlin dhe dolëm barazim 0-0. Dy ndeshjet e para i fituam, me Kotbusin 4-1 dhe me Nojebrandeburgun 2-3. Fillon kampionati i vitit tjetër, ku ne humbim ndeshjen e parë me Tomorin në Berat. Unë rikthehem në Marinë, për të ardhur prapë te Partizani, pak ditë më pas, ku dhe do të luaja për 15 vjet. Karriera ime te Partizani ishte një ëndërr, sepse ai klub të ofronte gjithcka. Partizani i merrte lojtarët, por ata aty transformoheshin, ktheheshim menjëherë në idhuj…”
Po ndeshja e lamtumirës, kur daton për legjendën e futbollit shqiptar, Panajot Pano? Përgjigjen e jep vetë ai: “Në moshën 36-vjeçare, kam bërë ndeshjen time të lamtumirës dhe aty jam ndjerë keq. M’u duk sikur mbaroi çdo gjë. Por, në fakt, vazhdova disa kohë si trajner. Kam drejtuar ekipin e Butrintit, u riktheva te Partizani, te Shpresa, më pas si trajner i dytë te skuadra e parë.”
Për më shumë rreth jetës së tij sportive dhe personale, Pano kishte kujtesën e duhur dhe gadishmërinë t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve tona.
- Cilët kanë qenë golat më të bukur që ju keni shënuar gjatë karrierës suaj futbollistike?
Unë kam shënuar gola shumë të mirë, por kam edhe gola të humbur. Golin e parë që kam shënuar, ku kam vendosur dhe emblemën e kampionit të kategorisë së parë në Shqipëri te Partizani në vitet 1951, ku unë shënova golin e vetëm dhe u ndërpre loja e futbollit që u quajt atëherë “golden goal”. Kam një gol tjetër me emblemën e ekipit kombëtar në vitet 64 me Danimarkën, për herë të parë që merrte pjesë ekipi ynë kombëtar në eleminatoret e Kupës së Kombeve këtu në stadiumin “Qemal Stafa”.
- Cili ka qenë momenti më i bukur dhe ai më i keq në fushën e blertë?
Momenti më i bukur i imi ka qenë kur i bëra golin Danimarkës, vesha fanellën e ekipit kombëtar me emblemë. Kam edhe momente jashtëzakonisht jo të mira kur kam humbur gol duke e çuar topin në rrjetë, kam goditur topin, i cili ka shkuar jashtë këtej nga kodrat te sahati, me ndeshjen kundër Torinos në “Qemal Stafa”.
- Futbollin e trashëgoi dhe djali juaj Ledio Pano, i cili luajti me Partizanin dhe Kombëtaren?
- Kur më lindi djali të them të drejtën unë kisha dëshirë që ta bëja një futbollist të mirë dhe me të vërtetë u bë, por disa kushte jo të tijat, por të drejtuesve të ekipeve kombëtare, që kanë qenë në atë kohë, nuk e kanë vlerësuar aq sa e vlerësoi një trajner i ardhur në ekipin kombëtar, Agron Sula, i cili e futi në ekipin kombëtar dhe luajti me Austrinë në eleminatoret e Kampionatit Europian dhe Botëror. Me ikjen e tij nga Partizani në Greqi në vitet ‘92-‘93 ai u quajt Platinia i dytë dhe e cilësuan specialistët grekë dhe gazetarët grekë një nga futbollistët më të mirë të Greqisë në vitet ‘93 deri në vitin 2001.
-  Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me anëtarët e byrosë politike në atë kohë?
 Unë të them të drejtën kam pasur lidhje me shumë politikanë në atë kohë, anëtarët e byrosë që kanë qenë atëherë, me përjashtim të Enver Hoxhës, që nuk e kam takuar asnjëherë, por me të gjithë të tjerët si Ramiz Alia, Petrit Dume, Beqir Balluku, Adil, Çarçani e shumë të tjerë jam takuar shpesh, sepse ato vinin te klubi “Partizani” dhe luanin tenis. Ne shkonim dhe i shikonim, ndërsa ata na përkrahnin në të gjitha mënyrat për rritjen e cilësisë sportive në futboll.
- Ju jeni cilësuar si  mbreti i futbollit shqiptar. Nëse do të kishit lindur në një shtet të huaj, mendoni se do të ishit vlerësuar më shumë?
Unë them se në qoftë se do të isha jashtë shtetit dhe të luaja futboll mund të kisha një vlerësim ndryshe nga ç’jam sot, por vlerësimet e mia gjatë gjithë karrierës sime sportive, pavarësisht nga regjimi i tillë që ishte, nuk kanë munguar. Më kanë vlerësuar duke më dhënë sadisfaksionin shpirtëror dhe moral, jo nga ana materiale, por nga ana shpirtërore. Një ndikim të madh kanë dhënë shokët e mi që kam luajtur krahas tyre, duke më ndihmuar shumë. Njëkohësisht edhe sportdashësit më kanë dhënë dorë në rritjen e cilësisë sime sportive, që sot e kësaj dite, ku kam 35 vjet që e kam lënë futbollin, të gjithë ato që më njohin kanë një respekt dhe një dashamirësi për t’u takuar me mua.
- Me kë është tifoz Panajot Pano?
Unë me klube tifoz jam me Interin, kurse me ekipe kombëtare jam Gjermaninë sepse e kam pas simpatizuar shumë dhe të them të drejtën kam debutuar dhe kam qenë konkurrent kryesor kundër ekipeve gjermane si në Kupën e Kampioneve, ashtu edhe me dy ndeshjet e tjera, që ne luajtëm me ekipin kombëtar në Dortmund dhe në Tiranë dhe më kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë specialistët gjermanë.
- Ndonjë të pathënë nga jeta juaj sportive?
Të them të drejtën edhe ne kemi pas bërë gabime në jetën tonë sportive, por jo shumë herë, sepse detyrat tona na i kishin vënë gjithmonë në kokë edhe drejtuesit që ishin në krye të futbollit në atë kohë dhe kërkonin gjithmonë që të fitonim kampionatin. Kemi bërë disa gabime, duke shkelur në regjimin e futbollit. Kemi marrë vetëm disa ndëshkime të vogla. Njëherë ishte një ndëshkim i vogël në atë kohë me Petrit Dumen. Ne luajtëm në Korçë dhe loja ishte 1-0 për korçarët, Petrit Dume ikën nga tribuna qëndrore e stadiumit të Korçës. U bë një korne në favorin tonë në minutat e fundit dhe Refik Resmja gjuan nga kornja dhe shënon golin e barazimit. Loja mbaroi 1-1. Petrit Dumja nuk e kishte dëgjuar këtë aksion, ku ne barazuam dhe udhëzoi shefin e klubit që të ecnim me këmbë nga Korça në Maliq për ndëshkim. Pa dalë nga Korça dalin ushtarët e Gardës së Korçës dhe na thanë që të hipnim të gjithë në makinë sepse ka urdhëruar Petrit Dumja dhe të shkojmë në klub.
-  Sa gola keni shënuar gjatë gjithë karrierës futbollistike?
Përafërsisht unë mund t’ju jap një shifër, kam shënuar gjatë gjithë karrierës sime sportive rreth 350 gola, kam bërë 115 ndeshje ndërkombëtare, 24 i kam bërë me emblemë dhe 91 i kam bërë me ekipe klubesh; miqësore, kupë kampionesh, kupë kupash, ndeshje miqësore në Kinë.   
- Marrëdhënia juaj në familje?
E shkëlqyer. Jam një familjar i mirë dhe nuk i kam hapur kurrë telashe shtëpisë sime. Unë familjes tani i kushtoj shumë rëndësi sepse jam në pension dhe dua të jem sa më pranë saj për arsye se kur luaja futboll kam qenë larg shtëpisë, sepse Partizani dhe Dinamo në atë kohë kërkonin gjithmonë titullin kampion dhe ishim të grumbulluar për ndeshjet e kampionatit tonë kombëtar.
- Çfarë muzike dëgjoni?
Popullore dhe muzikë të lehtë të kohës sonë. Këtë muzikën që bëhet sot nuk e duroj dot. Dëgjoj shpesh edhe muzikën greke, sepse më pëlqen shumë.
- Cili është mendimi i Panajot Panos për Partizanin?
Duke parë Partizanin e gjithë viteve të mia, që luajta futboll e njëkohësisht tani që i shoh si spektator them të drejtën më vjen keq që është në një pozicion jo të mirë të klasifikimit. E them këtë për arsye sepse Partizanin e kemi parë gjithmonë në krye të tabelave, që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar, dhe më vjen keq që ky ekip ka arritur në këtë gradë jo të mirë.
- Golat më të bukur tuajët?
Golat që më kanë mbetur në mendje janë 2: Ai i minutës së 222-të dhe goli me Danimarkën.
- Momenti më i keq në fushë?
Me Torinon kam një kujtim të hidhur. Kur ishin minutat e para të lojës, topi, pasi kishte kaluar mbrojtjen dhe portierin, po shkonte ngadalë drejt portës. Unë po shoqëroja topin dhe në vijën e 5-metërshit e godas për të shënuar gol. Por, në vend që ta shtyja topin në rrjetë më portën e boshatisur, e çoj te Sahati i Tiranës.
- I kujt është Panajot Pano?
Edhe sot e kësaj dite, tifozët e Tiranës dhe Partizanit debatojnë shpesh për “përkatësinë” time. Unë jam ndjerë mirë me të gjithë tifozët, qofshin ata kundërshtarë, por i përkas skuadrës së Partizanit. Kam kaluar 15 vjet te Partizani dhe e dua këtë skuadër, por nuk urrej të tjerat. Mua më donin shumë edhe tifozët e Tiranës dhe gjithmonë më thoshin që “nuk mërzitemi po na shënove Joti, boll të mos fitojë Partizani. Siç e thashë, fillimet i kam pasur te të rinjtë e qytetit të Tiranës, sepse skuadrat asokohe nuk kishin ekipe zinxhirë.
 
Kanë thënë për Panajot Panon

Loro Boriçi (Mjeshtër i Punës, Mjeshtër i Merituar i Sportit): “Kur ke në skuadër futbollistë si Pano, të lehtësohet shumë puna dhe me pak kujdes mund të arrish në majat më të larta”.
 
Rexhep Spahiu (ish-trajner i Partizanit: “Më mirë një Pano me një këmbë në fushë, sesa një tjetër me dy”.
 
Xhavit Demneri (trajneri i parë i Panos): “Për një seleksioner, mendoj se është mjaft të thuash: kam nxjerrë Panajot Panon”.
 
Refik Resmja (Mjeshtër i Merituar i Sportit): “Pano luajti me një skuadër me emër të madh, me Partizanin me futbollistë cilësorë, por ai ishte supercilësor. Më i madhi mes të mëdhenjve”.
 
Myslym Alla (ish-trajner i Tiranës): “Në historinë e futbollit tiranas, më të shkëlqyerit kanë qenë Panajot Pano e Skënder Halili. Panon do ta krahasoja me një nga më të mëdhenjtë e Europës, si Krojfi”.
 
Zihni Gjinali (Mjeshtër i Merituar i Sportit, ish-trajner i Dinamos): “Nuk e kam drejtuar asnjëherë, por e kam parë në stadiume si trajner, futbollist e specialist. Do të thosha se është më i miri i vendit.”
 
Miço Papadhopulli (ish-futbollist i Partizanit, ish-president i FSHF-së): “Autoriteti sportiv, talenti dhe kontributi i Panajot Panos në futbollin shqiptar është shumë i madh dhe shumë i çmuar, që maten me emra të mëdhenj të fushave të tjera. Ne, që kemi luajtur me të, emocionoheshim, mahniteshim me virtuozitetin e tij. Ah! Sa dëshirë do të kisha që ta shihja përsëri duke luajtur në fushë”.
 
Ismet Bellova (komentator dhe gazetar sportiv): “Pano ishte yll i futbollit tonë. Me atë çka bënte në fushë, jo vetëm të frymëzonte, por dhe të detyronte të flisje, apo të shkruaje gjëra të bukura, me superlativa”.
 
Miço Ndini (ish-futbollist i Partizanit): “Një futbollist me cilësi të rralla fiziko-teknike, që, në çdo moment, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, përshtatej ndaj kundërshtarëve dhe terrenit, duke arritur qëllimin final, shënimin e golave”.
 
Mehdi Bushati (ish-futbollist i Dinamos): “Lojtarë si Pano i vijnë rrallë futbollit tonë. Nëse në ato vite kur luajti do të ishte mundësia e lëvizjes së lirë, me cilesitë e mira fizike e teknike, që ai zotëronte, me siguri mund të luante edhe me skuadrat e mëdha të Europës, si Milan, Juventus e deri te Real i Madridit. I tillë “prodhim” brilant i futbollit shqiptar ishte Pano. Ndoshta do të duhen dekada të tëra, që të lindë një tjetër futbollist si ai.”
 
Medin Zhega (ish-futbollist i Vllaznise dhe Dinamos): “Pano dinte gjithçka, që duhet të dinte një futbollist i klasit të lartë. Pano realizoi gjithçka, që mund të realizonte një futbollist i klasit të lartë në karrierën e tij”.
 
Mexhit Haxhiu (ish-futbollist i Flamurtarit dhe i Partizanit): “Të luaje me Panon ishte më tepër se një kënaqësi e dëshirë. Me Panon mund të luaje i qetë, pasi ta lehtësonte shumë lojën. Ai ishte kryefjala e futbollit shqiptar, duke realizuar të pabesueshmen, ishte i thjeshtë dhe joegoist, saqë asnjëherë nuk e përdori fjalën “Une”, “une gjuajta”, “unë pasova”, “unë shënova”… Kjo modesti ia rriti më tepër personalitetin”.
 
Fatmir Frashëri (ish-futbollist i Tiranës dhe i Partizanit): “Pano është një nga legjendarët e futbollit shqiptar, i pakrahasueshëm për kohën, kur luajti si sulmues. Spikaste për aftesinë e jashtëzakonshme me top, që do të ishte edhe arma kryesore e tij. Edhe kur driblonte kundërshtarin, e bënte në mënyrë origjinale, që mund të quhet “stili Pano’”.


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora