E shtune, 12.10.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Pasardhës të denjë të rilindësve tanë

E diele, 14.02.2010, 08:59 PM


Sherban Tabaku me familjen e tij
Sherban Tabaku me familjen e tij
Korçarët e Bukureshtit: Adriana dhe Sherban Tabaku

Pasardhës të denjë të rilindësve tanë

Nga Baki Ymeri

Lidhjet shpirtërore mes Korçës dhe Bukureshtit janë të fuqishme. Korça konsiderohej në kohën e rilindësve tanë si Lulja më e ëmbël e Shqipërisë në diasporë. Në vargun e patriotëve korçarë që kanë dhënë kontribut për historinë e Shqipërisë rradhiten edhe pjestarë të shumtë të familjes Tabaku, që nga Dhimitër Emanoil Mborja e deri te Adriana dhe Sherban Tabaku, dy pëllumbat e Korçës që jetojnë sot e kësaj dite në Bukuresht, në një shtëpi të vjetër të rilindësve tanë. Sherban Tabaku është autori i fjalorit të parë shqip-rumanisht/rumanisht-shqip, botuar në Editurën Ararat (1996), me propozim të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, në kohën kur këtë e drejtonte Dr. Xhelku Maksuti. Përndryshe, Zt. Tabaku është mjek/stomatolog, përkthyes, gazetar dhe patriot, autor i një numri të konsideruar artikujsh mbi Kosovën dhe Shqipërinë, të botuar në revistën Albanezul/Shqiptari dhe Romania libera. Është një burrë i mençur që e përkthen Kadarenë, shëmbëllen me Kadarenë dhe ka një grua të mençur dhe dy fëmijë të bukur. Bashkëshortja e tij, Znj. Adriana Tabaku është e mbesa e Dhimitër Emanoilit që vajti vullnetarisht me delegacionin e Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë. I gjyshi i Sherbanit ka ardhur në Rumani në shek. XIX-të.
Nga Shqipëri’ e Re (nr.575/25 janar 1935), sipas ungjit të tij, Konstantin (Margarit) Tabaku (1913-1982), kuptojmë se “Njohja e një populli bëhet në dy mënyra: drejtëpërsëdrejti, përmes udhëtimit, dhe në mënyrë indirekte, përmes letërsisë. Mënyra e parë është, natyrisht, më e rekomanduara por edhe më e domosdoshme nga konsiderata të ndryshme, ndër të cilat prioritet ka ana materiale. Mbetet, pra, mënyra e dytë, letërsia, e vetmja që mund të realizohet për shumicën e madhe të dashamirëve për njohje të reja dhe të ndryshme.” Familja Tabaku shfrytëzon rastin ta njohë Shqipërinë e të parëve tanë, edhe përmes udhëtimit, edhe përmes letërsisë. Kontributi i tyre për afirmimin e Kadaresë në gjuhën rumune, në revistën më të lexuar letrare të këtij vendi (Oglinda literara) është i pashoq. Zotëria e tij, në bashkëveprim me Adrianën, kanë përkthyer një dramë të Jusuf Zenunajt, një roman të Aliba Idrizit dhe nj përmbledhje tregimesh të Ali D. Jasiqit, që të tre nga Kosova.
Përtej shifrave, dokumenteve dhe të dhënave historike, pas tyre qëndrojnë jetët e aq shqiptarëve dhe pasuritë e tyre të cilat u sakrifikuan për çështjen e Pavarësisë Kombëtare dhe mbrojtjen e saj. Dhimitër Emanoilit i kishte buzëqeshur fati të jetojë në Bukuresht, në kohën e Mbretërisë rumune, kur Drita, Dituria, Shpresa, Bashkimi e shoqëri të tjera, botonin  me të madhe vepra të rilindasëve tanë, abetare, kalendarë, revista, gazeta apele e memorandume, për tua ndezur shiptarëve, atë zjarr  të shenjtë të atdhedashurisë, që i shtyente ta konsiderojnë gjuhën shqipe si gjuhë perëndishë. Sipas Sherban Tabakut, Dhimitër Emanoili ishte një patriot i madh shqiptar, pjesërmarrës i rëndësishëm në përgaditjen dhe realizimin historik të 28 Nëntorit 1912. Meritat e larta të Dhimitër Emanoilit shkruan gazeta “Shqiptari” e Bukureshtit në vitin 1997, nuk kanë qenë të njohura gjatë regjimit komunist, emri i tij duke u bërë tabu, duke mbajtur etiketën e “mikroborgjezit”. 
          Pasardhësit e tij në Shqipëri, deri në gjeneratën e tretë, sipas  Sherban Tabakut, kanë qenë të persekutuar pa motive dhe pa turp, të detyruar të durojnë një 
Dictionar roman-albanez (Serban Tabacu)
Dictionar roman-albanez (Serban Tabacu)
trajtim çnjërëzor. Shqiptarët e e Rumanisë kanë zgjedhur edhe shumë forma tjera për rimëkëmbjen e tyre. Një rol evident në këtë drejtim luan gazeta “Albanezul” dhe Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, e cila botonte në kohën e Dr. Xhelku Maksutit libra dhe artikuj me interes për të kaluarën dhe të tanishmen shqiptare. Familja Tabaku ka dhënë një kontribut për avansimin e kulturës shqiptare në Rumani, duke shkruar artikuj, duke e përkthyer madje edhe Kadarenë në gjuhën rumune. Nga një dorëshkrim i Kurtesh Devajës kushtuar shqiptarëve të këtij vendi, kuptojmë se “në shtëpinë e ndërtuar para më shumë se një shekulli, jeton Sherban Tabaku me Adrianën dhe dy fëmijtë e tij të bukur e të mençur. Në pyetjen tonë për aktivitetet e tij si veprimtar me prejardhje shqiptare, ai thotë: 
“Gjyshërit e mi kanë ardhur në Rumani nga jugu i Shqipërisë, nga Korca, në mbarim të shekullit 19, duke u vendosur në Bukuresht. Kanë punuar për të siguruar ekzistencën, këtu në Bukuresht dhe kanë arritur të krijonë kushte të mira për jetë dhe kanë ndërtuar këtë shtëpi. Shtëpia në të cilën ne jetojmë është e gjyshërve të mi, të cilët ishin shumë të çmuar në komunitetin shqiptar. Në familje të gjithë e flisnin gjuhën shqipe. Edhe unë kam mësuar ngapak shqip, pa bërë studime të thella. Pastaj duke dashur që të shkoj në Shqipëri, për të përmirësuar njohuritë në këtë fushë, meqë nuk ekzistonte kurrëfarë fjalori shqip-rumanisht, më lindi ideja që ta  bëja një fjalor. Ta bëj një fjalor të thjeshtë. Por arrita, megjithatë, ta bëja një fjalor të mirë. Ky fjalor ka merita sepse është fjalori i parë shqip-rumanisht. Falë fondeve që siguronte Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, fjalori doli në një numër të konsideruar ekzemplarësh, në një vëllim prej 366 faqesh. Ndërkohë, në Shqipëri botohen edhe disa fjalorë të tjerë, por, po e përsëris: ky është fjalori i parë shqip-rumanisht. Studentët që vijnë të studjojnë këtu, e shfrytëzojnë edhe këtë fjalor për studimet e tyre. Mua gjithashtu më ka preokupuar politika rumune, politika e Shqipërisë dhe kam shkruar vite me radhë për atë që ka ndodhur në Rumani dhe në Shqipëri, sidomos në Kosovë, për të cilën kam shkruar me admirimn. Në periudhën e Luftës kam shkruar artikuj duke e përkrahur çështjen e Kosovës, sidomos me disa kronika të shkruara në shtypin rumun. Kam botuar artikuj për Kosovën në rubrikën e politikës së jashtme të së përditshmes demokratike „Romania libera / Rumania e lirë“, si dhe në gazetën „Shqiptari“ dhe në gazeta tjera.”
Në pyetjen e ekipit të Radiotelevizionit të Kosovës, lidhur me kontaktet që mbanin me shqiptarët tjerë në Rumani, z. Tabaku thotë: “Unë e ndiej veten edhe si rumun edhe si shqiptar. I kam shprehur opinionet e rumunëve dhe pikëpamjet e mia lidhur me çështjen e Kosovës. Jam përpjekur të jem objektiv dhe kam qenë objektiv në atë që kam shkruar si përkrahës i luftës në Kosovë. Këtë e kam thënë, ngase unë shkruaj për shqiptarët e Rumanisë. Duhet të jemi objektivë dhe kjo duhet të dalë në dritë, ngase kam kryer obligimet e gazetarit duke thënë të vërtetën. Nuk kam qenë subjektiv kur kam shkruar për atë që ka ndodhur në Kosovë, në Shqipëri dhe në Rumani.” Duke folur për veprat e  shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare,  z. Tabaku shton “Unë e konsideroj Kadarenë si shkrimtar gjenial, një nga mëndjet më të ngritura të botës shqiptare. Si analist në të gjitha pikëpamjet, më ka pasionuar letërsia e tij dhe unë i kam përkthyer disa kapituj të romaneve dhe të prozave të tij dhe i kemi botuar në disa revista dhe në gazetën  „Shqiptari“.

Dhimitër Emanoil (1884-1945)
Dhimitër Emanoil (1884-1945)
Dhimitër Emanoili dhe kontributi i tij në favor të Shqipërisë

Dhimitër Emanoili ishte vëllai i gjyshes së gruas së Sherban Tabakut, Adrianës. Zoti Tabaku me Adrianën dhe fëmijtë e tyre jetojnë në një shtëpi shqiptare të shekullit XX, e ngritur në kohën e Rilindjes. Sipas gazetës «Minerva» të Bukureshtit (5 nëntor 1912), që gjendet në repartin e Koleksioneve Speciale të Bibliotekës së Akademisë së Rumanisë, konstatojmë se artikullit «Autonomia e Shqipërisë» i paraprijnë tre medaljone (të Dhimitër Emanoilit, Dhimitër Zografit dhe Dhimitër Beratit), që të tre anëtarë të delegacionit të Ismail Qemajlit. Me këtë rast jepet një radhitje kronologjike e kontributit që kanë dhënë patriotët shqiptarë «për ruajtjen e identitetit të këtij populli trim». Kujtohet vizita e Ismail Qemajlit në Bukuresht, takimi i tij me udhëheqës të kolonisë së këtushme shqiptare, si dhe vendimet që janë marrë më 5 Nëntor në Bukuresht: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, thirrja e përfaqësuesve shqiptarë nga Egjipti, Greqia, Amerika dhe Konstantinopoja, për të dërguar delegacion në Trieste, formimi i një qeverie të përkoshme në Shqipëri». 
Në kapitullin «Delegacioni nga Bukureshti», lexojmë: «Delegacioni zyrtar i cili do ta prezentojë në këtë akt të madh kombëtar koloninë shqiptare nga Bukureshti, është i përbërë nga katër veta: Dhimitër Emanoili, pronar i lokalit «Carpati », Dhimitër Zografi, tregëtar në rrugën Doamnei, Sotir Ilo dhe Dhimitër Berati, profesor. Ky delegacion, i shoqëruar edhe nga të tjerë patriotë të cilët shkojnë privatisht, do të lënë kryeqytetin me trenin Arad, në këtë mbrëmje, e dielë. Pas disa ditëve, në mes të javës, ikën edhe udhëheqësit shqiptarë Meksi dhe Gurakuqi, ndërsa pas disa ditëve, do të shkojnë edhe Pandeli Evangjeli, kryetar i Shoqërisë «Bashkimi». Në Triestë, të gjithë delegatët do të vishen në kostume kombëtare dhe do të hypin në një anije, të Lordit austriak, e rregulluar posacërisht për ta, e cila do t`i transmetojë në portin e Vlorës, kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë.  Më 28 Nëntor të vitit 1912, para një mase shqiptarësh të panumërt, u lexua vendimi për shpalljen e pavarësisë shqiptare dhe ngritjen e flamurit kombëtar, me shqiponjën e Skenderbeut. Nga nënshkrimet e këtij akti historik, numërohet edhe ai i patriotit të madh  Dhimitër Emanoilit. 
Emrin e këtij atdhetari që e përjetoi rrugën dhe çastin historik të shpalljes së pavarësisë, e përmendin një serë shkencëtarësh shqiptarë. Sipas burimeve historike, Dhimitër Emanoili u zgjodh në delegacionin e Bukureshtit, qysh me rastin e mbajtjes së mbledhjes historike, në hotelin « Kontinental ». Pos tij, në delegacion u zgjodhën Pandeli Vangjeli, Dhimitër Ilo, Dhimitër Zografi dhe Dhimitër Berati, ndërsa vullnetarisht për në Vlorë u paraqitën Pandeli Cale, Spiridon Ilo dhe Pandele Emanoili. Së bashku me Asdrenin, Pandeli Vangjelin, Thanas Kantilin, Dhimitër Beratin, Nikolla Këndzon, Vasil Doganin, Dhimitër Ilon, Mihail Lehovën dhe Dhimitër Zografin, Dhimitër Emanoili e përfaqëson koloninë shqiptare të Bukureshtit edhe në Kongresin e Shqiptar të Triestës, që u mbajt në pranverë të vitit 1913, e në të cilin morën pjesë edhe një numër i konsiderueshëm filoshqiptarësh me prejardhje arumune (Dr Shunda, Atë Foti Ballamaqi, Epaminonda Ballamaqi).
           Para se të shkojë në Triestë, më dy shkurt të vitit 1913, ai do të jetë prezent dhe në sallën e madhe «Transilvania» të Bukureshtit, ku shqiptarët e këtushëm ngritën zërin kundër masakrave të ushtrive të Aleancës ballkanike që ushtronin në trojet shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Çamërisë, Malit të Zi e gjetiu. Disa shënime biografike mbi këtë atdhetar dhe familjen e tij,i ka prezentuar edhe poeti dhe gazetari Klito Funto, në kuadrin  e artikullit «Cilët janë vëllezërit Emanoil» (botuar në revistën «Alternativa» të Korçës, më 23 mars 1993). Autori bën fjalë për dhjetëvjetorin e fundit të shekullit XIX, për tregtarin patriot  Viskë Emanoili që u largua familjarisht nga Mbroja e Korçës në Bukuresht. « Në një mjedis patriotik të këtushëm, Dhimitri ishte zgjedhur kryetar i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Në shtëpinë e tyre mblidheshin e diskutonin patriotët e shquar për çshtjen kombëtare. Aty strehoheshin Ismail Qemaili dhe Themistokli Gërmenji. Shtëpia e tyre ishte si një klub patriotik. Në prak të 28 nëntorit 1912, Dhimitër Emanoili, nëpërmjet Trieshtës erdhi në Vlorë, duke shoqëruar dhe 1 mijë napoleona ari, të mbledhura si ndihmë. Ato ia dorëzoi Luigj Gurakuqi për arkën shtetërore. Më 28 nëntor 1912, Dhimitri ishte nga të parët që firmosi dokumentin histortik për Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, vëllai i tij më i vogël, Nuçi, qëndronte në Korcë, bashkë me  Themistokli Gërmenjin dhe Ferid Frashërin, për ruajtjen e rendit».

Sherban dhe Adriana Tabaku
Sherban dhe Adriana Tabaku
Dardha, Mborja, Boboshtica dhe Drenova

Dhimitër Emanoili mbante ndajshtimin Mborja. Dardharët, boboshtarët dhe drenovarët e Bukureshtit kishin shoqëritë e tyre që funksiononin në kohën e Asdrenit. Asdreni frekuentonte këto shoqëri dhe shkonte së bashku me ta në piknik, sidomos në pyllin Bëneasa. Në to marrin pjesë edhe Miltiade që kishte restoran në Splaiul Unirii, Marianthi, Çeamis, Eftimie Zografi etj. Sherban Tabaku është shqiptari i parë që e ka nxjerrë në pah meritat e Toma Çeamis në favor të Shqipërisë dhe Pavarësisë së saj. Vlen të ripërkujtojmë faktin se shtëpia e Emanuelëve, sipas këtij autori, e ndodhur në qendër të kryeqytetit rumun, ishte shndërruar në një klub atdhetarësh shqiptarë. Aty ishte edhe birraria, ku mblidheshin e diskutonin intelektualë të shquar, ndër të cilët edhe Asdreni, Viktor Eftimiu, Lasgush Poradeci. Mblidheshin ndihma dhe shpërndaheshin gazeta shqiptare. Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor të çdo viti, birraria e Emanoilëve shërbente falas, për cdo shpirt shqiptar. Meritat e Larta të Dhimitër Emanoilit, thekson gazeta «Shqiptari» i Bukureshtit (nr. 1/1997), nuk kanë qenë të njohura në regjimin komunist, emri i tij mbajtur etiketën e «mikroborgjezit ». Pasardhsit e tij, syrgjynosur deri në gjeneratën e tretë, sipas Sherban Tabakut, kanë qenë të persekutuar pa motive dhe pa turp, të detyruar të durojnë një trajtim çnjerëzor të programuar : burg, konfiskim i krejt të mirave materiale, humbje e të gjitha të drejtave të njeriut».
        Pas shpërthimit të revolucionit antikomunist, censura flaket nga pushteti i shtypit, rehabilitimi shkon duke e bërë të veten, edhe pse jetën e hidhur të viktimave të terrorit komunist nuk mund ta rehabilitojë asnjë president dhe asnjë dekoratë. Viteve të fundit pas instalimit  të pjessshëm të demokracisë në Shqipëri, regjimi i ri filloi të rishikojë historinë, duke i korigjuar të metat shkencore të marksistëve tanë. Paralelisht me një numër të konsideruar atdhetarësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Diaspora, përmes nënshkrimit të Presidentit të Republikës, edhe të Pandeli Emanoilit iu nda Urdhëri i klasit të parë, medalje për kontributin e rëndësishëm sjell në formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kjo dekoratë e lartë, e nënshkruar nga Sali Berisha, iu dorëzua në një kuadër festiv, nipërve të këtij atdhetari të madh : Julian dhe Eli Emanoilit. Me sy të përlotur, e pritën këtë dhuratë të shtrenjtë, mirënjohje konkrete për një rilindas të madh që dha kontribut  konkret për shqiptarët e Rumanisë dhe Pavarsinë e Shqipërisë. 
Korcaret e Bukureshtit me Asdrenin ne mes (1938)
Korcaret e Bukureshtit me Asdrenin ne mes (1938)


(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora