Faleminderit
Mark Marku: Komunikimi politik i Rugovës
E premte, 19.02.2010, 10:56 PM
Komunikimi politik i Rugovës
Nga Mark Marku
Ndër aktorët politikë të botës shqiptare, Ibrahim Rugova, lideri historik i shqiptarëve të Kosovës, është padyshim një nga promovuesit e komunikimit politik modern. Jetëgjatësia e imazhit të tij pozitiv nuk mund të shpjegohet dhe kuptohet pa përmasën komunikuese.Ibrahim Rugova shfaqet si një politikan që e kupton se para së gjithash, suksesi i çështjes që ai përfaqësonte, pra i Pavarësisë së Kosovës, do të varej shumë nga imazhi që populli i Kosovës dhe lëvizja e tij do të krijonte së brendshmi dhe së jashtmi. Ai e dinte se kundërshtarët e tij do të përqendronin tërë arsenalin e një shteti të fuqishëm propagandistik, si ish-Jugosllavia, për ta paraqitur këtë imazh të deformuar para opinionit publik jugosllav dhe ndërkombëtar. Në fund të viteve ‘80, pra në momentin kur nisi aktivitetin e vet LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, shteti jugosllav kishte një pozitë ende të fortë ndërkombëtare për shkak të pozicionit të moderuar që kishte mbajtur regjimi jugosllav i Titos gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Në ndryshim nga vendet e tjera të bllokut komunist, imazhi ndërkombëtar i shtetit jugosllav ishte pozitiv dhe ndikimi i saj te një sërë aktorësh të rëndësishëm të politikës botërore ishte i konsiderueshëm. Ky ndikim ishte edhe më i madh te grupi i vendeve “të paangazhuara”, grup në të cilin ish-Jugosllavia kishte pasur një rol të dorës së parë. Konfliktet etnike që shkaktuan shpërbërjen e këtij shteti nuk arritën megjithatë ta tronditin plotësisht autoritetin e shtetit, të mbetur jugosllav në arenën ndërkombëtare dhe propaganda serbe e shfrytëzonte me mjeshtëri trashëgiminë pozitive të ish-Jugosllavisë për të zvogëluar efektin negativ të politikës së Milosheviçit. E vetëdijshme për këtë trashëgimi pozitive, kjo propagandë u përpoq të bindte opinionin publik ndërkombëtar se armiqtë e shtetit jugosllav ishin kombet e tjerë të ish-Jugosllavisë, d.m.th. kroatët, sllovenët, boshnjakët dhe shqiptarët, dhe se ishin pikërisht ata që kërkonin t’i jepnin fund eksperimentit multietnik jugosllav. Në përpjekjet për vizatimin e portretit të keq “të armiqve”, portreti më i keq, padyshim u rezervohej shqiptarëve.
Ibrahim Rugova që në krye të herës shfaqet me një vizion politik dhe një imazh krejt tjetër nga ai i propaganduar nga kundërshtari. Vizioni politik: rezistenca paqësore. Imazhi: një popull paqësor që kërkon me këmbëngulje, por në mënyrë demokratike, të drejtat dhe liritë e njeriut, një popull që kërkon të drejtën e shkëputjes nga ish-Jugosllavia si të gjithë popujt e tjerë të ish-Federatës Jugosllave. Rugova e di shumë mirë se një imazh dhe një vizion i tillë ishte krejt i përkundërt me stereotipet që kishte krijuar dhe që synonte të krijonte pushteti serb për shqiptarët. Sipas propagandës serbe, por edhe sipas disa prej, stereotipeve mbizotëruese për shqiptarët në Evropë, shqiptarët paraqiteshin terroristë, të paqytetëruar, myslimanë fanatikë. Në shërbim të prodhimit dhe të përhapjes së këtij imazhi ishin mediat e ish-Jugosllavisë, institucionet arsimore dhe kulturore, Akademia e Shkencave të Serbisë, diplomacia me të gjitha institucionet e saj dhe një rrjet i tërë organizmash të tjera qeveritare dhe joqeveritare, që ushtronin veprimtarinë e tyre në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj.
Zgjedhja e rezistencës paqësore nga ana e Rugovës si rrugë për të mbërritur te Pavarësia ishte një strategji që e befasoi kundërshtarin. Ajo ishte një risi dhe u prit me simpati nga opinioni publik i brendshëm dhe i jashtëm dhe e vuri në vështirësi të mëdha regjimin e Milosheviçit. Ajo u bë edhe më joshëse, pasi kontrastonte shumë me realitetin e një Ballkani të përfshirë nga luftërat dhe konfliktet. Një lëvizje paqësore në një vend që ziente nga konfliktet e armatosura ngjante e çuditshme, por pikërisht për këtë arsye do të tërhiqte vëmendjen e mediave, të diplomatëve, të intelektualëve. Por rezistenca paqësore, përveçse një strategji politike, ishte edhe një operacion imazhi. Duke e hequr pistoletën nga dora e palës shqiptare, ai e bënte më të madh efektin e armës në dorën e palës tjetër, më mizor kundërshtarin, më të dallueshëm fajtorin. Tek e fundit një tablo me dy luftëtarë të armatosur, mund të jetë epike, por e bën të vështirë qëndrimin etik të publikut, ndërkohë që një tablo me dy dyluftues, ku njëri është i paarmatosur e tjetri i armatosur, nuk le vend për dilema. Duke zgjedhur rezistencën paqësore, Rugova kishte shmangur portretizimin e deformuar të tij dhe të lëvizjes së tij, kishte shmangur mundësinë që portretin e tij ta vizitonte pala tjetër në konflikt.
Rugova e dinte se komunikimi politik modern ishte jo vetëm komunikim i ideve, por edhe i imazhit. Dhe mbi të gjitha i imazhit. Ai e kishte të qartë se vizioni i tij duhej konkretizuar. Dhe ai i ofron një formë konkrete vizionit të tij politik dhe ky ishte portreti i tij. Intelektuali avangardist i viteve ‘60-‘70, studenti i Roland Bartit, njohësi i mirë i kulturës moderne dhe i asaj shqiptare (studiuesi më i mirë i Bogdanit), shqiptari elegant dhe i brishtë, ishte simboli më i mirë i mundshëm i një kauze radikale, por që synonte të realizohej me një projekt politik paqësor. Bashkimi i këtij vizioni me portretin e tij do të shndërroheshin në përfaqësimin më autentik të rezistencës shqiptare të Kosovës. Nëse NATO, e drejtuar nga amerikanët, nuk e pati aq të vështirë sa ç’pritej për të mposhtur hezitimin e disa vendeve evropiane dhe për të hyrë në luftë kundër ish-Jugosllavisë në vitin 1999, kjo ndodhi edhe falë imazhit të Rugovës dhe lëvizjes që ai përfaqësonte. Imazhi i tij prej njeriu paqësor, i dha formë imazhit të një populli të tërë si një popull paqësor dhe e bëri shumë të perceptueshëm për Perëndimin idenë e një populli të viktimizuar nga barbaria serbe. Nga lëvizjet e shekullit të njëzetë, asnjë prej lëvizjeve nuk ka pasur përfaqësim më modern dhe të menduar se rezistenca e shqiptarëve të Kosovës me Rugovën. Ndikimi i tij në opinionin publik ishte i ngjashëm me ndikimin e Nelson Mandelës.
Pasi ofron si vizionin ashtu edhe portretin, ai fillon komunikimin sistematik të këtij vizioni dhe të këtij portreti. Vizioni është i njëjtë, portreti po ai. Rugova e di shumë mirë se që një mesazh të depërtojë në mendjen e njerëzve duhet të jetë i qëndrueshëm në kohë, të ketë koherencë logjike dhe të jetë i thjeshtë. Ai s’pushon së dërguari mesazhin e tij të formuluar gjithherë në të njëjtën mënyrë: Zgjidhja më e mirë e problemit të Kosovës është krijimi i një shteti të pavarur dhe neutral të Kosovës, të hapur si ndaj Shqipërisë ashtu edhe ndaj Serbisë, me një protektorat të përkohshëm civil ndërkombëtar. Ai asnjëherë nuk harronte të theksonte se një gjë e tillë do të realizohej me ndihmën e vendeve evropiane dhe SHBA-së. Përsëritja e të njëjtave mesazhe për gati dhjetë vjet, të vendosura në të njëjtin dekor dhe të shqiptuara nga i njëjti person, i cili gjithmonë shfaqej para mediave me pamje të qetë, me një buzëqeshje të lehtë, me kostumin e zi me kravatë të kuqe, me shallin e mëndafshtë mitik e kishte një funksion dhe funksioni ishte ky: identifikimi i çështjes së Pavarësisë së Kosovës, mes shumë çështjeve të mëdha të pazgjidhura etnike të botës. Rugova me sa duket e ka zgjedhur me vetëdije një formë të tillë të ligjërimit politik. Ai ka një regjistër të kufizuar, por efikas, të zgjedhur në përputhje si me karakteristikat psiko-sociale dhe kulturore të publikut, ashtu edhe me rrethanat e komunikimit. Të shprehurit e tij siç thotë studiuesi, Sabri Hamiti, merr formën e “elipsës”. “Kjo mënyrë komunikimi - thotë Hamiti, në një anë jep mesazhin themelor të pastër e të saktë pa zhurma retorike, nga ana tjetër i jep mundësinë bashkëbiseduesit për të imagjinuar mesazhin e vet plotësues1.
Nevoja për qartësi dhe thjeshtësi të mesazhit politik, përveçse nga vetë specifika e komunikimit politik, buronte edhe nga rrethanat e komunikimit. Për një kohë të gjatë, Rugova i përcillte mesazhet e veta politike nëpërmjet konferencave periodike të shtypit dhe nëpërmjet komunikatave të qendrës për informim të LDK-së, duke pasur pak ose aspak media në dispozicion për përpunimin dhe shpërndarjen e mesazheve të veta politike. Pas fillimit të rezistencës paqësore nga ana e shqiptarëve, regjimi i Milosheviçit u përpoq të mbyllte çdo kanal komunikimi mediatik të strukturave të kësaj rezistence me publikun shqiptar dhe me opinionin ndërkombëtar. Kështu më 5 korrik 1990, trupat e posaçme të ushtrisë serbe nxorën me dhunë nga redaksitë e studiot e këtij institucioni 1.300 gazetarë, regjisorë, kameramanë e punonjës të teknikës. Në të njëjtën kohë u pushtuan edhe radiostacionet lokale: në Prishtinë e Prizren, në Pejë e Gjakovë, në Ferizaj e Gjilan, si dhe 2 transmetuesit radiotelevizivë të Kosovës në Golesh e Cvilen. Në të vërtetë sulmet kundër medias shqiptare ishin dendësuar që në javën e parë pas formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (23 dhjetor 1989). Më 5 shtator u ndalua botimi i gazetës “Rilindja”. Më 22 tetor 1992 u bastis edhe Ndërmarrja e Shitjes e sistemit të Rilindja. Pasuria e saj u grabit. Në të njëjtën kohë u krijua ndërmarrja serbe Panorama. Edhe shtypshkronja Rilindja, në mars 1999, kaloi në pronësi serbe me emrin e manastirit ortodoks Graçanica. Regjimi i Millosheviçit ndaloi edhe revistën “Drita”, të vetmin organ shtypi të kishës katolike shqiptare. Mungesën e mediave ai e përballon me thuktësinë dhe saktësinë e mesazhit. Faktin që mediat janë të kontrolluara nga kundërshtarët e tij, nga serbët, ai e përballon me qartësinë e mesazhit. Vetëm në këtë formë, mesazhi i tij mund të shkonte drejtpërdrejt tek publiku dhe mund zvogëlohej mundësia e manipulimit të tij.
Komunikimi politik i Rugovës është një dukuri për t’u studiuar. Ai është komunikim që mbështetet njëherësh në imazhin dhe idenë. Ligjërimi i tij politik është i kursyer, por efikas. Rugova dinte të përdorte mirë fjalët, por akoma më mirë heshtjen. “Heshtja - thotë një studiues italian - ka një rol të madh në komunikim. Ajo ndihmon në kuptimin e të thënës, në diferencimin e kuptimeve”2. Përveç kësaj, heshtja funksionon nganjëherë si një fushë kuptimore e hapur ndaj çdo interpretimi. Në njëfarë mënyre, ajo është si faqja e bardhë që i lihet në dispozicion lexuesit në fund të librit për t’u mbushur nga vetë lexuesi. Por heshtja dhe fjala te Rugova kanë të bëjnë para së gjithash me sensin e masës. Ai e kishte të zhvilluar me tepri sensin e masës dhe kjo e bënte atë të ishte i dëgjueshëm, si nga populli i tij, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
Sensi i masës reflektohet në regjistrin e komunikimit, në komunikimin joverbal, në veshje, madje edhe në shfaqjet dhe në qëndrimin e tij publik. Tek sjellja politike e Rugovës mishërohen dy parime themelore të komunikimit publik, të artikuluara nga Gofman në librin e tij, “Mënyrat e të folurit”: a) Kur je në plan të parë mos qëndro në këtë pozicion as shumë, as pak dhe, b) ndrydhe brenda vetes çdo formë armiqësie. Çdo kërkesë duhet shtruar me takt3
Pak nga pak, ai u shndërrua në ikonë dhe komunikimi i tij politik mori përmasat e komunikimit religjioz. Në vitet e fundit, ai mori përmasat e një lideri shpirtëror fetar: populli e adhuronte dhe i bindej deri në vetëmohim, të huajt e kishin pikë të vetme referimi, opinioni politik ndërkombëtar e identifikonte një popull të tërë me imazhin e tij. Ligjërimi i njëtrajtshëm formal dhe përmbajtësor i dhanë çështjes së Kosovës trajtën e një dogme fetare dhe liderit të saj pamjen e liderit të një feje të re. Kjo qe arsyeja pse ai qëndroi kaq gjatë në politikën e një vendi dhe që mbijetoi tre periudhave të vështira, që të gjitha së bashku përbëjnë një sprovë të madhe të personalitetit politik: diktaturën komuniste, represionin dhe gjendjen e luftës, demokracinë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Jorgo S. Telo: Nderim i përjetshëm për zbatuesit e ligjit
Agim Gashi: Me fat Pavarësia o Adem Jashari
Baki Ymeri: Pasardhës të denjë të rilindësve tanë
Sami Repishti: Mbi kontekstin historik të fenomenit Gjergj Kastrioti - Skendërbeu (1405-1468)
Vebi Xhemaili: Xhemë Hasa, ky kolos shqiptar e ka vëndin përmbi Urën e Gurit në Shkup...
Milazim Kadriu: Në tre vjetorin e rënjes u përkujtuan Mon Balaj dhe Arben Xheladini
Agim Gashi: Dëshmorëve të Feronikelit
Luan Topçiu: In memoriam - Ibrahim Kodra
Xhevat Rexhaj: Istogasi Ibish Rugova
Uran Butka: Pjetër Arbnori si simbol i qëndresës
Vladimir Shyte: Pishtarë që kurrë nuk shuhen
Poezi për Dëshmorët e Kombit nga Dibran Demaku
Origjina e Skënderbeut, Dokument i rrallë i 1368 përmend Kastriotët nga Kanina e Vlorës
Halit Bogaj: Fatma Zyberi
Ramazan Ilnica: Rifat Manjani - Dëshmori i Lirisë
Baki Ymeri: Shembuj të shenjtë të atdhedashurisë
LDD në Suedi: Mbledhje komemorative me rastin e ndërrimit jetë të nderit Fadil Ferati
Kujtim Mateli: Hasan Pacani i Mazhanit - shëmbëlltyra e vlerave përmetare
Kastriot Shkreli: Ndue Jaku (1896-1948)
Hajro Hajra: Nëna Tereze në Feniks të Arizonës