Faleminderit
Sami Repishti: Mbi kontekstin historik të fenomenit Gjergj Kastrioti - Skendërbeu (1405-1468)
E diele, 14.02.2010, 08:59 PM
Mbi kontekstin historik të fenomenit Gjergj Kastrioti - Skendërbeu (1405-1468)
Nga Sami Repishti
Figura pluri-dimensionale e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ka ndezë fantazitë e breznive të njipasnjishme shqiptare për afër gjashtë shekuj. Megjithë pushtimin 423 vjeçar otoman të viseve shqiptare dhe konvertimin në islam të pjesës ma të madhe të popullsisë së vendit, figura poliedrike e Skenderbeut, sundimtar, diplomat, strateg ushtarak i rangut të parë dhe mbrojtës i krishtenimit perëndimor, mbetet gjithëherë epiqendra e kryenaltësise kombëtare shqiptare dhe personaliteti qendror që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipnisë, pa dallim feje, krahine ose ideologjie politike. Skenderbeu qendron sot, pesë shekuj e gjysëm mbas vdekjes tij me l468, si nji gjysëm-perëndi, hero i antikitetit, personifikimi i çdo gjaje që shqiptarët adhurojnë dhe vazhdojnë të shpresojnë.
I lindun në nji vend si Shqipnia, kurdohere nji urë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, veprimtaria e gjithanëshme e Skenderbeut karakterizohet nga nji marrje qendrimi të preme në favor të njenës - Perëndimit të krishtenë, dhe kundër tjetres - Lindjes islamike, nji qendrim unik në atmosferen politike të Ballkanit në shekullin XV. Ajo që na intereson asht konteksti historik i nji veprimtarie të këtillë që, simbas mendimit tonë, ka percaktue kahen e veprimtarisë së tij, si dhe rezultatet që nji qendrim kaq i vendosun ka dhanë për të ardhmen e nji vendi të kërcënuem nga rreziku i invadimit afatgjatë.
Shekulli XV që lindi Skenderbeun, e gjeti Perëndimin (në këtë rast i identifikuem si "Europë e krishtenë") në nji proces formimi të kontinentit tonë, që do t'i jepte formen e tij afatgjatë dhe të dallueme, si kontinenti i Europës. Bota tjetër ishte kryesisht jo e krishtenë. Prandej, shekulli XV ushqeu idenë e nji qytenimi të mbështetun në nji fe, d.m.th. krishtenimin, që mbante njikohësisht edhe vulen e trashëgimit të qytetnimit të pasun romak, sidomos me ruejtjen e përdorimin e gjuhës së shkrueme latinishte.
Konceptet moderne të "popullit" dhe "kombit", e aq ma shum "i shtetit", kanë qenë mjaft abstrakte; ajo që ishte konkrete, e përditshme, ishte termi, nominal dhe praktik i "krishtenimit" dhe zhvillimi i mavonshëm i ngjarjeve duhet parë nga ky prizem. Këtu fillon edhe historia e "Europës". Organizimet fisnore, ngritjet e paprituna të individëve të fuqishëm, megjithëse pjesërisht të romanizueme, nuk kanë qenë në gjendje me hedhë bazat e "nji shoqnie të qytetnueme", përsa kohë që barbarizmi në Europe ishte nji fenomen i përhapun. Ndërkaq, në botën jashtë "Europës" - Konstantinopoja. Kordoba, Bagdadi - me trashëgimin bizantin e arab kishin krijue "shtete" dhe qytenime që kalonin shumë sukseset e "Europës". Asnji shkollë mendimi ose universitet nuk ishte në naltësinë e arabëve, qoftë në Spanjë, qoftë në Lindjen e Mesme.
Në këtë gjendje të ulët zhvillimi, fuqia e madhe efektive që u trashëgue nga perandoritë e së kaluemes - ajo e Karlit të Madh, e mbretënve anglezë, gjermanë, spanjollë, - mbeti ajo e Kishës Katolike Apostolike të Romës, dhe ma pak të fuqishëm protestanët dhe kishat e tyne. "Nëpër të gjithë Europën perëndimore, ipeshkevit - shpesh herë bij të familjeve me influencë, me pasuni dhe lidhje të fuqishme që i mbronin - ishin figura kyçe në çështjet lokale, e morën përsipër detyra që ma parë i takonin zyrtarëve perandorakë. Kisha, pak nga pak, veshi rroben më të cilen veshej Roma shekuj ma parë - qytetnimin. Vija dalluese në mes të krishtenimit e paganizmit ka qenë gjithashtu edhe vija që ndante qytetnimin romak dhe barbarizmin." (J.M.Roberts, 237)
Nga të gjithë ipeshkevijt, ma i randësishmi dhe ma i fuqishmi u ba ai i Romës - i njohun si Papa i Romës. Arsyet për nji zhvillim të këtillë janë të njohuna: disa nga kryesorët janë prania e eshtnave të martirit Shën Pjetër, pa dyshim edhe fakti se Roma ka qenë për shekuj kryeqyteti i republikës dhe perandorisë romake me nji trashëgim të pakrahasueshëm. Me shkatërrimin e administratës së "perandorisë", ipeshkevijt morën përsipër edhe funksionet shtetnore, tue ruejtë gjuhën e shkrueme latine si gjuhë zyrtare. Për ma tepër, diplomacia papnore ndihmoi formimin e mbretnive kristiane që u ngritën me ramjen e barbarizmit në Europë. "Perandori" legjitimohej vetëm me kunorëzimin nga Papa i Romës.
Gjatë këtij transformimi, Kisha Katolike e Romës, megjithë lëshimet e herëpashershme, ruejti dy aspekte themelore:
a) dënimin e hakmarrjes si barbarizëm e zëvendësimin me "dashuni për të afërmin".
b) mbrojtjen e parimit të martesës së krishtenë, monogaminë, qendrime që mbahen edhe sot.
Njena sillte paqen, tjetra pagëzonte familjen si berthamën e shoqnisë.
Procesi i konvertimit të popujve "barbarë" dhe qendrimi i "Kishës" përfunduen me sukses në përpjekjen "me qytetnue" dhe si rrjedhim, me dalë në skenë si "europiane të qytetnueme" me identitet kontinental. Në nji Europë të këtillë, dimensionet fetare ishin të pakundërshtueshme dhe depërtuen në të gjithë jetën e shoqnisë së re. Asht kjo "Europë" që celebrohet me ndërtimin e katedralevet gotike, si dhe në art me pikturë e skulpturë.
Në sferën shoqnore, themelimi i qyteteve, zhvillimi i industrisë lokale dhe i tregëtisë, veprimtaria kulturore e zbulimi i shtypshkronjës filluen të krijojnë sensin e "bashkësisë" qenien "popull", si dhe nevojën e paevitueshme për nji organizim shtetnor. Ky grumbullim zhvilloi edhe ngritjen e "shtetit", ndjenjen e "kombësisë", të qenies pjesë e nji "kombi" të veçantë me interesa dhe aspiracione të veçanta. Asht lindja e "nacionalizmit" - francez, anglez, gjerman, spanjoll, portugez, holandez, danez, suedez, irlandez etj.
Historikisht, kombet janë zhvillue ma shpejt sa herë që kanë qenë të përfshime në nji shtet të organizuem dhe me sistemin monarkist. Megjithatë, prirja e "Monarkëve" për rritje territoriale kombëtare me dhunë ka shkaktue luftat e vazhdueshme. "Kombet europiane u formuen nga popuj që u treguen mjaft të fortë me qendrue së bashku, si dhe shpesh herë, nga detyrimi i bashkimit për rezistencë kundër invadimit të huej." (J.M.Roberts, 271)
Në Lindje, sundimi i Bizantit (afers. 527-l453) krijoi nji "krishtënim" të ndryshëm nga ai i Romës, sidomos me perandorin ilirian Justiniani i Madh. Në Lindje, perandori ishte i mveshun edhe me rroben e "supremacisë fetare" edhe në subjektet me landë fetare. Menjëfjalë, ishte nji udhëheqës laik dhe fetar (caesaro-papism), që shikohej si nën-mbret i Zotit mbi tokë. Ndërsa Perëndimi nuk lejoi autoritetin fetar me kalue në duert e "sundimtarit", tue sigurue që vetëm Kisha të kishte fjalën e fundit, sepse ajo i detyrohej vetëm Zotit, nji forcë jashtë-tokësore, prandej superiore.
Për arsye të pozitës së Bizantit, zyrtarët e Kishës flitnin greqisht, megjithë shoqninë multi-raciale të Perandorisë. Humbja e ndikimit të antikitetit grek dhe atij të Europës perëndimore, shkaktuen adoptimin e shumë formave aziatike në Ballkan, nji trashëgim që ndjehet edhe sot në këtë gadishull. Forma fetare e këtij zhvillimi u quejt "ortodoksizëm", nji formë e ndryshme nga "katolicizmi" perëndimor.
"Asnji klerik ortodoks nuk kishte randësinë e Papës së Romës. Patriarku i Konstantinopojës, udhëheqës kishtar i pranuem në Kishen lindore mbas shekullit VII, ishte në praktikë i emnuem nga Perandori, dhe si ‘shpërblim' jepte bekimet e Kishës në ceremoninë e kunorëzimit të Perandorit." (J.M.Roberts,173) Klerikët u lejuen të martohen, tue i paraqite ata si pjesë e shoqnisë laike dhe tue i lejue murgjët e monastireve të tërhiqen nga "jeta" për lutje, meditacion e vetëdisiplinim.
Mbas Koncilit të vitit l054 dhe skizmes që rezultoi, ndamja deri atëherë teorike në mes të dy kishave (katolike e ortodokse), u ba ma e theksueme çdo ditë e ma shum.
Përsëri në Lindje doli në skenë edhe nji fe e re, Islamizmi, që predikoi "vëllaznimin e besimtareve" (ummi) kudo që ata jetojnë. Që nga fillimi, "…theksi i vumë mbi randësinë supreme të vëllaznimit në mes të besimtarëve, kishte karakter subversiv, gjithashtu sepse sfidonte besnikërinë që kërkojshin fiset" (J.M.Roberts,179), dhe ma vonë kombet. Po lindte nji bashkësi e re shoqnore, e cila me zhvillimin e hovshëm të saj do të sillte qytetnimin e ri islam.
Në kundërshtim me krishtenimin, islamizmi u tregue nji forcë për pushtime tokësore me ndërmarrje ushtarake. Ekspeditat arabe pushtuen Afrikën e Veriut, e të gjithë Lindjen e Mesme. Në Europë, arabët pushtuen Spanjen dhe gjysmën e Francës, deri në Tours e Poitiers (v. 732), pikërisht njiqind vjet mbas vdekjes së themeluesit, Muhamet. Këtu fillon edhe ngritja e qytenimit arab, dhe ramja ushtarake e tyne, njikohësisht, që na e interpretojmë si fitorja e pendës mbi shpaten.
Ramja e arabëve u shpejtue kryesisht nga dalja në skenë e nji fuqie të re që përqafoi islamizmin, por mori për vete lavdinë e ndërtimit të perandorisë: turqit osmanë. Kryqëzatat e Perëndimit për çlirimin e Jeruzalemit, dobësuen Bizantin dhe mundësuen ardhjen e osmanëve në Europë. Nji botë plot intriga si Bizanti nuk ishte në gjendje me përballue sulmin e ushtrisë ma të fortë të asaj kohe. Në vitin 1453, Konstantinopoja ra në duart e osmanëve, nji moment dramatik në historinë e Europës. "Kur erdhi lajmi i rënies, askush nuk e priste dhe krishtenimi mbeti me gojë hapet." (J.M.Roberts,198)
Rruga për pushtimin e Ballkanit ishte tashma e hapun dhe rreziku i invadimit të Europës ishte iminent. Disa vende, si Bosnia, pranuen islamizmin në mënyrë masive, ndërsa vende të tjera si Hungaria, Serbia, Bullgaria dhe Arbenia e kundershtuen me suksese jo të barabarta. Por efektet e pushtimit, islamizimit dhe qendrimit anti-kristian të pushtuesve osmane, krijuen nji reaksion të fortë, koshient e të vazhdueshëm. Krishtenimi në Ballkan u ba forca udhëheqëse e rezistencës, që lindi idenë e kombësisë - si bashkësi e dallueme nga pushtuesi - dhe format e para të nacionalizmit në Ballkan. Në krye të kësaj lëvizjeje proto-nacionaliste qendronin kleri katolik e ortodoks. Megjithatë, për arsye të qendrimit barbar të kryqëzatave katolike europiane gjatë qendrimit tyne në Bizant, e veçanërisht grabitjes së pa fre të Konstantinopojës (l204), ndasia fetare e dy kishave u ba e plotë dhe mori tone politike. "Better Turks than Franks " (Ma mirë turqit se francezët (katolike).
Bizanti ftoi osmanët myslimanë të luftojnë kundër princave të krishtenë ballkanas. Këta të fundit ftuen osmanët myslimanë të luftojnë kundër rivalëve të tyne të krishtenë.
Mbretërit e Serbisë, Bullgarisë dhe të Bizantit u komprometuen me martesat e bijave dhe motrave e tyne me Sulltanin. Gjithçka ishte e kalbun në themel, ndërsa fuqia ushtarake turke kishte arritë kulmin. "Vetë Ballkani u shndërrue në nji teatër lufte, ku ushtarët e krishtenë luftuen vazhdimisht për turqit" (Kinross,49). Në luftën e Konjes (Anadoll), me l387, armata turke përbahej nga ushtarë të krishtenë serbë, grekë e bullgarë.
Më 1380 turqit hynë në Shqipni… "me thirrjen e princërve vendas që kërkonin ndihmën e turqëve me luftue anmiqt e tyne."(Kinross,54) Më l385, mbreti i mundun Lazar i Serbisë detyrohet me njohë Sulltanin dhe me pague tribut në të holla bashkë me nji kontingjent ushtarësh. Ma heret, që më l335, princët europiane kishin fillue marreveshjet me turqit, me qellim që të mbronin tregtinë e qendrave të tyne në Ballkan. Raguza, Venediku e Gjenova braktisën perandorin bizantin e lidhen traktate me perandorinë otomane.
Në nji përpjekje me pushtue Ballkanin, Sulltan Murati I u ndesh me forcat e koalicionit kristian - serbe, boshnjake, shqiptare, bullgare, vllahe dhe hungareze - nën komanden e mbretit Lazar të Serbisë, në Fushë Dardani (v. l389). Koalicioni humbi luften dhe serbët pavarësinë , tue zbritë në rangun e nji shteti vasal. Me fitoret e reja, perandoria osmane hodhi faren e nji shoqnie shumëkombëshe, me besime të ndryshme dhe me nji numër të madh gjuhësh. Njohës i mirë i psikologjisë ballkanase, Sulltan Murati pushoi persekutimin e të krishtenëve dhe konvertimin me forcë të popullsisë në islamizëm. Patriarku serb ruejti prerogativat themelore në kryemjen e funksionit të tij - ashtu siç kishte ba Sulltani me Patrikun grek mbas ramjes së Konstantinopojës, i cili, "… në nji letër drejtue Papës, më l485, pohonte se Sulltani i kishte lanë Kishës liri të plotë veprimi." (Kinross,59)
Ky trajtim mundësoi të krishtenët e perandorisë osmane të ngrihen në pozitat ma të nalta shtetnore. Por, me drejtuesit ma të naltë të Kishave greke e serbe si aleate të privilegjueme të Sulltanit, Papa i Romës mbetej vetëm në skenë si anmik kryesor i osmanëve dhe si organizator i rezistencës efektive kundër turqëve në Ballkan. Ndërkaq, demografia e Ballkanit filloi të ndryshojë me ardhjen e kolonive myslimane në gadishull dhe vendosjen e tyne në shum qendra banimi të tokës së okupueme. Nji humbje e dytë dhe e randë e mbretit hungarez Sigismund në Nikopojë, shënoi triumfin e plotë të osmanëve në Ballkan, pjesërisht me ndihmen e serbëve.
Kisha ortodokse serbe shikonte vetën përherë si nji institucion kombetar, si qendra shpirtnore e popullsisë, që fliste serbisht dhe ruente besimin ortodoks. Edhe vetë ekzistenca e saj, që në vjetin l557, u konfirmue me dekretet e Portës së Naltë Otomane, e cila rivendosi Patriarkatin serb, si nji kompromis të arritun në mes të dy vëllazënve: kryeviziri Mehmet Sokollu ishte nji serb i konvertuem që arriti të bahej kryeministër i perandorise turke, ndërsa vëllai i tij, Makarije Sokoloviq, i cili kishte ruejtë ortodoksizmin, u kunorëzue si Patriarku i Serbisë.
Mbas vdekjes së perandorit gjerman e hungarez Sigismund, më l437, u rindez tek hungarezët dëshira për hakmarrje kundër osmanëve. Nga rradhët hungareze doli nji fisnik, Gjon Huniadi, i destinuem me u ba hero kombëtar. Për mungesë ndihme nga Europa, Huniadi u mbeshtet në përkrahjen që gjeti tek Papa i Romës, tek serbët, shqiptarët, boshnjakët, e bullgarët. Më l443, forcat e koalicionit hungarez munden ushtrinë turke, e pushtuen Nishin. Kjo humbje turke i atribuohet, pjesërisht, largimit të shqiptarit Gjergj Kastrioti Skenderbeu nga fusha e betejës, e kthimit të tij në Krujë. Ma vonë, hungarezët u mundën e Sulltan Murati I nënshkroi paqen në Szeged (Hungari), ku njihte në mes tjerash, nji autonomi të gjanë jashtë sundimit turk për Serbinë e Vllahinë. Turqit kishin tashti dorë të lirë me veprue në Shqipni, Greqi e Bullgari. Më l444, Murati abdikoi në favor të djalit, Bajazit.
Në këtë atmosferë zjarri, lindi, u rrit, dhe luftoi Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Në betejën e vitit l082, normanët fituen Durrësin dhe u shpërndanë në mbrendësi të vendit. Asht koha e kryqëzatave që dobësuen Bizantin. Në ketë situatë të re linden dy shtetet arbnore: Arbnia dhe Epiri. Më l272, ushtritë e mbretit të Anxhuinëve invaduen Shqipninë, e quejten atë "Mbretnia e Shqipnisë" dhe mbreti Karl u quejt "Mbret i Shqipnisë". Asht ai që u dha titujt e fisnikëve feudalëve shqiptarë: Topia, Skuraj, Gropa, Arianiti, Jonima e të tjerë. Bashkë me anxhuinët erdhi edhe nji numër i madh klerikësh katolikë. Ishte vendosë që Shqipnia të mbetej e lidhun me Romen.
Pa kalue shum kohë, princët shqiptarë të lodhun nga pushtimi ngritën kokë dhe me ndihmen e Bizantit, nxorën anxhuinët jashtë. Kleri katolik u largue gjithashtu dhe u zëvendësue me peshkopët ortodoksë. Nji princ i ri, Tanush Topia, u revoltue përsëri në Shqipninë e Mesme. Ndërkaq, u formue Principata e Shkodrës në Veri, nën drejtimin e familjes Balsha, dhe në Jug Principata e Artës, nën drejtimin e familjes Shpata.
Familja Balsha u konvertue në katolicizëm, kërkoi dhe mori ndihmen e Papës dhe të Venedikut. Me forcat e reja ata munden ortodoksin Tanush Topia, dhe u banë zot të pjesës ma të madhe të Shqipnisë. Princi T.Topia u bani thirrje osmanëve për ndihmë. Paraqitja e osmanëve në Ballkan krijoi nji situate të re dhe shumë të rrezikshme. Me humbjen e luftës në Fushë Dardani, l389, princat shqiptarë mbeten pa mbrojtje. Më l430, princi i Krujës, Gjon Kastrioti u mund, por rezistenca kundër turqve osmanë vazhdoi e pandërpreme për të gjithë shekullin XV.
Kjo rezistencë u mbështet edhe nga faktori i ri: katolicizimi i Shqipnisë së Veriut, me l8 qendra ipeshkvnore, disa prej tyne, si ajo e Durrësit, me nji histori të pandërpreme që nga ditët e para të ungjillzimit nga apostujt Pal dhe Andre. Organizimi i Kishës Katolike përbani strukturen gati-shtetnore që mungonte. Çdo ipeshkëv ishte nji mbledhës ndihmash për luftëtarët, e sidomos për Skenderbeun. Çdo prift e çdo murg ishte nji qendër propagande. Si katolikë, ata ishin në gjendje me u lidhë me Perëndimin - me të cilin ndajshin gjuhen e shkrueme të përbashket, latinishten- dhe me kërkue ndihmë nga Perëndimi, sidomos nga Papa, Venediku dhe Mbretnia e Napolit.
Për ma tepër, nga pikpamja e strukturës shoqnore, Shqipnia ishte nji vend bujqësh të vegjël, por të lirë, e jo bujkrobësh, siç ishte rasti në tokat e dominueme nga Bizanti. Këta fshatarë e malësorë të lirë e guximtarë mbronin tokën e tyne (si krahinë dhe si pronë private), lirinë e tyne dhe ishin në gjendje me ushqye nji resistencë afatgjatë. Duke citue V. Makushev, F.S.Noli shkruen: "Nji shqiptar nuk mund të jetonte si nji skllav."(f. 8)
Më 1431-32, kryengritjet shqiptare të Gjergj Arianitit u filluen me përkrahjen e Selisë së Shenjtë. Fitorja e dytë e vitit l435, u përshëndet nga Papa Eugjeni IV dhe perandori gjerman Sigismund, si "fitore e krishtenimit". Historia tregon se në jetën kishtare e politike të vendit, vendimet e Koncilit të Ferraras-Itali (l438-39) paten nji efekt pozitiv në Shqipni. Prania e vetë Papës, Perandorit të Bizantit, e Patriarkut të Konstantinopojës dhe e shumë peshkopëve bizantinë e sllavë, si dhe nënshkrimi në korrik të vjetit 1439 "…i tekstit të bashkimit shpirtnor të dy kishave nën supremacinë e Papatit." (Historia, 395) tregoi randësinë e Koncilit dhe sidomos të afrimit në mes të dy kishave edhe në Shqipni. Në këtë Koncil "…lufta (kundër osmanëve) propagandohej si nji kryqëzatë e të krishtenëve kundër pushtuesit aziatik e besimit të tyne islam." (ibidem)
28 nandor 1443. Hymja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut në Krujë!
Kryengritja që u shkaktue si rrjedhim i ardhjes së Skenderbeut, "…hapi udhen e zhvillimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtnor të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare." (Historia, 404) Ndërsa pritej që osmanët të drejtoheshin kundër Shqipnisë, mbas nënshkrimit të Traktatit të Paqes në Szeged (Hungari,l444), në mes të Sulltan Orhanit dhe mbretit Ladislav të Polonisë dhe Hungarisë katolike "…me inkurajimin e Papes dhe forcave të tjera anti-osmane, mbreti Ladislav e shkeli këtë traktat" (Historia, 406). Çdo gja tregonte ardhjen e nji ballafaqimi me osmanët. Kleri katolik u aktivizue. Garnizoni i Sopotnicës (Sfetigradit) drejtohej nga "prifti matjan Pjetër Perlati," (Historia, 411) Argjipeshkevi i Durrësit, Pal Engjëlli u ba krahu i djathtë i Skenderbeut.
Në ketë atmosferë të elektrifikueme nga zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve dhe i rrezikut që kërcënohej, më 1444, u mblodh në Katedralen e Shën Gjergjit, Kuvendi i Lezhës, që u njoh edhe si "Kuvendi i Fisnikëve", dhe "…realizoi të parin bashkim të gjanë politik e ushtarak të vendit, në formen e nji aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë të aristokracisë shqiptare." (Historia, 425) Të gjithë (këta fisnikë shqiptarë para Skenderbeut), pa përjashtim, iu drejtuen Papës tue kërkue mbrojtjen e tij, "… dhe Papët kanë qenë gjithëherë të lumtun me u ofrue atyne ndihmë." (Noli, 9) Noli shkon edhe nji hap ma larg: "Sukseset (e familjes Balsha) spjegohen në radhë të parë me faktin se ata këputen lidhjet e tyne me Kishen Ortodokse Greke dhe u bashkuen me Kishen Katolike Romake, më 1368, tue percaktue kështu identitetin e tyne me Shqipninë katolike romake."(ibidem)
Kështu që në shekullin XV, Skënderbeu u ba udhëheqës i nji Shqipnie pothuejse tanësisht katolike romake. Si rrjedhim, administrata e Skenderbeut filloi me kambë të mbarë, sepse pothuejse e gjithe Europa ishte katolike - me përjashtim të Rusisë dhe Ballkanit lindor e jugor - dhe qendrimi i vendosun i Skenderbeut kundër turqve tërhoqi vëmendjen europiane. Për ma tepër, Skenderbeu ishte nji aleat i vjetër i hungarezëve, nji tjetër qendër rezistencë katolike kundër turqëve.
Tue citue Johann Ph. Fallmerayer, Noli ofron këtë spjegim të pakonfirmuem nga historianët shqiptarë: "…Skenderbeu u revoltue haptas kundër Sulltanit…pushtoi Krujën, Sfetigradin dhe fortesat tjera (që i ishin mohue Skenderbeut nga Sulltani, S.R.) vrau myslimanët (e konvertuem) të vendit, sulmoi krahinat përqark që i mbante ende Sulltani dhe vjehrri i tij serb dhe u bashkue kështu me Kryqezaten kunder Islamit…" Kështu, Noli arrin në përfundimin se: "…nuk kishte asnji mundësi për nji kompromis me nji kryqtar të vendosun dhe fanatik si Skenderbeu." (Noli,42)
Për arritjen e nji marrëveshjeje, sidomos me familjen fisnike Dukagjini, punoi shumë ipeshkvi i Drishtit, simbas udhëzimeve të Papës, (Noli,50), ndërsa Papa Kalisti III u ba propagandisti ma i madh dhe përkrahësi ma i fortë i Skenderbeut. Për këtë, ai dërgoi Abatin e Santa Maria di Rotezo pranë Skenderbeut që të arrihej nji marrëveshje me Venedikun. Papa i ri, Piu II, kërcënoi me ekskomunikim të gjithë princët shqiptarë që nuk u bindeshin urdhnave të Skenderbeut. Dhe ma në fund, Argjipeshkevi i Durrësit, Pal Engjëlli, ndërhyni me sukses disa herë dhe pengoi luften civile në mes fisnikëve të Shqipnisë. Ndërkaq, Republika e Raguzës (sot Dubrovniku), me ndërhymjen e Vatikanit i siguroi Skënderbeut nji ndihmë për luftën e tij nga fondet e mbledhuna për kryqezaten e re në përgatitje.
Edhe Traktati i Paqes me Turqinë (27 prill 1463), nuk preku interesat e "…sovranitetit të Papës mbi Shqipninë" (Noli, 66) (Theksi im, S.R.), dhe Skenderbeu pranoi gatishmëninë e tij me i deklarue luftë Sulltanit, kurdoherë që Papa do të urdhnonte, dhe ashtu ngjau. Në nandor 1463, Papa deklaroi kryqezatën kundër otomanëve. Princat shqiptarë ngurruen me u bashkue, por Argjipeshkevi i Durrësit i bindi ata të bashkoheshin me kryqëzaten. Si rrjedhim i nji marrëdhanieje të këtillë, "…Skenderbeu u prit në Romë me madhështi nga nji numër i madh ipeshkëvijsh dhe funksionarësh të Kishës së Romës." (Noli, 68) dhe më l464, do të kunorëzohej mbret i Shqipnisë nga Papa Pius II , që vdiq papritmas, nji e drejtë ekskluzive e kreut të Kishës Katolike Romane.
Pretendimi se "…shpartallimi prej Skenderbeut i lekundjeve dhe prirjeve separatiste…u ba faktor i randësishëm për ruejtjen dhe forcimin e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe krijimin e nji shteti të vetëm shqiptar", (Historia, 427) tingëllon ma shumë si nji gjykim i fenomeve të mesjetës në Shqipni me ngjyra dogmatike totalitare të ditëve tona. Asht krejt e mundshme që, "…aparati shtetëror (!) (qe) ishte i shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte, sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat si kudo në mesjetë (theksi im, S.R.) ishin tradicionale si ndarje krahinore (princë dhe bajraktarë, S.R.) e kishtare (dioçezë dhe famulli, S.R.)," (Historia, 429) ka qenë i përbamë nga dhe nën kontrollin e plotë të hierarkisë kishtare katolike romane, ku çdo rreth kishte ipeshkvin dhe çdo katund priftin si autoritet kishtar e civil. Si shembull kemi afirmimin e Nolit, "…popullsia ishte e terrorizueme nga frika (e sulmit turk). Skenderbeu u detyrue të kërkojë ndihmën e të gjithë ipeshkvijve për frymëzimin e popullsisë me guxim dhe shpresë." (Noli, 43)
Me vdekjen e Skenderbeut, mundësia e invadimit të Italisë u rrit shumë. Në rrethimin e kështjellës së Rozafës (Shkodër 1474), thirrja e ushtarëve turq ishte "Roma! Roma!", thirrje që tregonte synimin e tyne. Mbas ramjes së Konstantinopojës, Roma, qendra e katoliçizmit botnor, mbetej anmiku i pareduktueshem. Si rrjedhim, interesimi i Romës për Shqipninë vazhdoi për nji kohë të gjatë. "Shqipnia vazhdoi me mbijetue me burrni, si bedeni i fundit në mes turqëve invadues dhe brigjeve të Dalmacisë e ishujve italianë." (Kinross,132) Kinross shkruen se simbas nji legjende, me vdekjen e Skenderbeut, Sulltan Mehmeti thirri: "Ma në fund Europa e Azia janë të miat tani. I mjeri krishtenim! Sot ka humbë shpaten dhe mburojen e tij."(f.133)
Menjihere mbas vdekjes së Skenderbeut, oferta e Senatit venedikas - e bame me ndërmjetësinë e Argjipeshkvit të Durrësit - me marrë përsipër të drejtën e mbrojtjes së kështjellave shqiptare, kishte kusht kryesor luftën e pandërpreme kundër osmanëve, luftë që do të siguronte përkrahjen e Romës, përsa kohë që shqiptarët do të mbeteshin besimtarë të Kishës Katolike Romake.
Përfundimi se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu personifikon nji epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, "…për mbrojtjen e tokës, të pasurisë dhe të lirisë, "(Historia, 490) asht i thjeshtësuem dhe jo i plotë, sepse lë jashtë elementin thelbësor, mbrojtjen e fesë. Noli asht ma kambëngulës: " ‘Kampioni i Krishtenimit', ai luftoi kryesisht nën urdhërat direktë të Papëve të ndryshëm dhe vetëm rastësisht nën urdhnat e Fuqive të tjera, edhe këtê vetëm kur kishte autorizimin e Papëve për nji qendrim të këtillë. Vetë Papa Piu II shkruen: "Ai (Skenderbeu) konsumoi gjithë jetën e vet tue luftue për kauzen e krishtenë."(Noli,74) (Georgius Scanderbechius…qui aetatem paene omnem in armis pro Christi nomine consumpsit…" Pius II. Europe and Asia, ch.xv, p.338). Shton Lord Kinross: "Skenderbeu shihej si nji hero pothuejse legjendar nga Perëndimi i krishtenë".(32)
Gjergj Kastrioti Skenderbeu njihet si "burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar,…i pari themelues i shtetit të pavarur shqiptar." (Historia, 491) që nga ditët e lavdishme të mbretnive iliriane të shekujve III dhe II p.K.. Por "shteti i pavarur shqiptar" i Skenderbeut, ashtu siç ka qenë rasti edhe me Ladislavin e Polonisë dhe Huniadin e Hungarisë katolike, që jetuen në të njëjten epokë, ka qenë i mbeshtetun nga e gjithë bota katolike e asaj kohe dhe ka shërbye interesat e asaj bote - ashtu siç janë projektue nga Papa i Romës - në nji përpjekje vigane me pengue përparimin e osmanëve në Europë. "Ushtar i Krishtit", "Mbrojtës i Europës", në nji Shqipni që në shekulin XV ishte pothuejse e gjitha katolike, Gjergj Kastrioti Skenderbeu ka gjetë në katolicizëm unitetin që mungonte në shoqninë shqiptare për me formue nji "shtet". Noli e përcakton me mjeshtri faktin se "Feja (katolike) shërbeu gjithashtu edhe si nji hallkë për lidhjen me botën e Perëndimit."(8) Në ato vite të devocionit të thellë fetar, "Feja ishte vetë qëllimi i jetës!" (J.M.Roberts, l77)
Bashkimi politik i Arbnisë mesjetare nga nji varg zotnimesh të princëve rivalë - ndoshta merita ma e madhe e Skenderbeut! - u arrit, për mendimin tonë, në sajë të gjuhës së folun e të përbashkët shqipe, që dalloi shqiptarët nga fqinjët, të devocionit fetar kristian (katolik e ortodoks) të popullsisë vendase, dhe sidomos në sajë të dashunisë proverbiale të shqiptarëve për "nji atdhe të lirë", koncept i papërcaktuem mirë, por që padyshim nënkupton "krahinë e lirë për të gjithë, dhe pronë e lirë për secilin", nji karakteristikë që ruhet ende edhe në ditët tona.
Për ne, breznitë e mavonëshme, trashëgimia ma e madhe e heroit tonë, asht ajo që prof. S. Skendi e përcaktonte: "Nji nxitje për ringjalljen kombëtare të shqiptarëve ka qenë glorifikimi i Skenderbeut dhe kohëve të tij…Tek Skenderbeu ata panë heroin e tyne kombëtar. Muslimanët harruen qe ai kishte luftue kundër turqëve si nji i krishtenë. Ajo që kishte randesi ishte se ai kishte qenë prej gjaku shqiptar dhe kishte mbrojtë vendin e vet…Skenderbeu u ba simboli i bashkimit, pavarësisht nga besimi fetar, dhe u krijue kështu legjenda e Skenderbeut…"(471) "Në shekullin XVI, atëherë kur Francën po e shkretonin luftrat fetare, Skenderbeu merret si shembull i bashkimit kombëtar." (Jaka,313)
Legjenda e Skenderbeut shërben edhe sot si trashëgim për themelimin e nji shoqnie tolerante fetare tradicionale, që karakterizon shqiptarët edhe në këto ditë të pasioneve të shfrenueme e shkatërrimtare fetare.
________________
Bibliografi:
1. Akademia e Shkencave e Shqiperise. Instituti i Historise, Historia e Popullit Shqiptar, I, Botime toena:Tirane, 2002.
2 . Bishop Fan Stylian Noli: George Castrioti Scanderbeg (1404-1468). International Universities Press, New York: N.Y., l947.
3. Ymer Jaka: Skenderbeu ne historiografinë frenge. Istituti Albanologjik i Prishtines: Prishtinë, 2001.
4. Lord Kinross: The Ottoman Centuries. The Rise and Fall of the Turkish Empire. William Morrow.Co. Inc: New York, 1977.
5. J.M.Roberts: A Concise History of the World. New York: Oxford Univers.Press, 1995.
Komentoni
Artikuj te tjere
Vebi Xhemaili: Xhemë Hasa, ky kolos shqiptar e ka vëndin përmbi Urën e Gurit në Shkup...
Milazim Kadriu: Në tre vjetorin e rënjes u përkujtuan Mon Balaj dhe Arben Xheladini
Agim Gashi: Dëshmorëve të Feronikelit
Luan Topçiu: In memoriam - Ibrahim Kodra
Xhevat Rexhaj: Istogasi Ibish Rugova
Uran Butka: Pjetër Arbnori si simbol i qëndresës
Vladimir Shyte: Pishtarë që kurrë nuk shuhen
Poezi për Dëshmorët e Kombit nga Dibran Demaku
Origjina e Skënderbeut, Dokument i rrallë i 1368 përmend Kastriotët nga Kanina e Vlorës
Halit Bogaj: Fatma Zyberi
Ramazan Ilnica: Rifat Manjani - Dëshmori i Lirisë
Baki Ymeri: Shembuj të shenjtë të atdhedashurisë
LDD në Suedi: Mbledhje komemorative me rastin e ndërrimit jetë të nderit Fadil Ferati
Kujtim Mateli: Hasan Pacani i Mazhanit - shëmbëlltyra e vlerave përmetare
Kastriot Shkreli: Ndue Jaku (1896-1948)
Hajro Hajra: Nëna Tereze në Feniks të Arizonës
Ylli M. Dilo: Pano Xhamballo
Milazim Kadriu: U shënua 20 vjetori i vrasjes së dëshmorit Fadil Talla nga forcat e ish APJ-së
Neki Lulaj: Dy Burimet e Istogut
Xhevat Rexhaj: Sot Istogu dhe Kosova filluan ditën me lot dhe pikëllim