Faleminderit
Remzi Limani: Afirmimi i vlerave shqipe në diasporë
E diele, 07.03.2010, 11:00 PM
AFIRMIMI I VLERAVE SHQIPE NË DIASPORË
Poeti dhe atdhetari ynë Baki Ymeri, pa e kursyer shpirtin që na e fali, mbeti i paluhatshëm në shërbim të artit, të kulturës dhe të kombëtares, ngase të gjitha historitë fillojnë nga arti dhe kultura, si arma më e fuqishme për mbrojtjen dhe njohjen e identitetit kombëtar.
Nga Remzi Limani
Veprimtaria atdhetare në fushën e artit dhe të kulturës - drejt njohjes së identitetit kombëtar të një populli - është një rrugëtim i gjakimit të engjëjve këmbëzbathur, një rrugë e gjatë nëpër egërsitë e kohërave të thinjura të shtruara me jargë ujqërish. Nëpër këto rrugë, si shumë të tjerë, ngarendi edhe shkrimtari ynë - Baki Ymeri, i cili me tërë qenien e vet iu dha kauzës sonë madhore për të sotmen, i mbështjellë me ngrohtësinë e ngjyrave kombëtare si harku i ylberit triumfal mbi rrjedhën e lumit - duke kuptuar se arti dhe kultura, janë substancat kryesore, thelbi dhe shpirti i një kombi a i një etnosi.
Sot, kur mundësitë e avancuara mediale dhe potenciali tjetër krijues i njeriut, është në avantazh të pakrahasueshëm me të kaluarën në kuptimin e sensibilizimit të vlerave kombëtare në të gjitha fushat e kulturës, si imperativ i momentit dhe i kohës sonë, për ta luftuar të keqen, na shtynë që në vazhdimësi t`i mbajmë ndezur fanarët e dritave tona në të gjitha fushat e arteve të bukura. Pra, me fanarin e tij prej krijuesi, iluministi i kohës sonë të re - Baki Ymeri (1949), i lindur në Shipkovicë të Tetovës dhe i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe publicist, tash me vendbanim në Bukuresht të Rumanisë, me veprimtarinë e tij prej një atdhetari të devotshëm dhe krijuesi të mirëfilltë të letrave shqipe, qëmoti u vesh me petkun kombëtar të cilin s’e hoqi kurrë nga mendja dhe shpirti.
Pra, i mbështjellë me ngrohtësinë e atdheut, ky krijues, me shpirt altruisti, vazhdon rrugëtimin e tij drejt rrjedhës së lumit, për ta shuar etjen tonë me imazhin e së vërtetës shqiptare, duke i shtruar vlerat tona kombëtare anëpëranë botës së qytetëruar. Ky njeri i veçantë, kurrë nuk u pajtua me të bëmat e së kaluarës dhe me ato të sotmes, duke e luftuar në vazhdimësi të keqen, e cila akoma shpurdhë me tendencë për t`i njollosur vlerat dhe të arriturat tona, që tashmë janë të padiskutueshme. Këto të bëma djalli, Bakiu qyshkur i hetoi mbi shpatullat e tij, i përndjekur dhe i dënuar me gjashtë vjet burg të rëndë, në një proces të montuar politik nga Gjykata Komuniste e Qarkut të Shkupit, sepse ai rridhte, mendonte, shikonte dhe fliste shqip, duke mos u pajtuar kurrë me trajtimin e identitetit tonë kulturor dhe kombëtar që trumbetohej në atë kohë të ligë e të mbështjellë me suferinë, e cila shumë pak ishte në funksion të kulturës kombëtare e aq më pak në funksion të së vërtetës e të vlerave të mirëfillta artistike dhe asgjë në kërkim të së vërtetës.
Këto padrejtësi dhe insinuata të ndryshme, Bakiut me kohë ia zuri syri dhe mendja e tij, duke e kuptuar thelbin ose pjesën më thelbësore të shoqërisë shqiptare, ku pjesa më e ndjeshme rreth dhe brenda nesh, është pikërisht fryma krijuese e njerëzve të artit dhe të kulturës. Krijuesi ynë, me plot dinjitet njerëzor dhe pa e kursyer shpirtin që na e fali, mbeti i paluhatshëm në shërbim të artit dhe të kulturës, sepse të gjitha historitë fillojnë nga arti dhe nga kultura, si arma më e fuqishme për mbrojtjen dhe njohjen e identitetit tonë kombëtar. Prandaj, me shkrimet e tija të shumta nëpër shumë revista, gazeta dhe në masmediat rumune dhe shqiptare, e vazhdoi luftën e tij prej intelektuali të dëshmuar kundër poligonit qitës, i cili në vazhdimësi rrjedhë nga ujërat e zeza që burojnë nga toka e bajlozit të zi dhe agjenturave të tjera sekrete të orkestruara nën psikozën e shkencës dhe të urrejtjes për të zhvlerësuar çdo vlerë që shkëlqen në gjerdanin e kulturës shqiptare.
Që nga viti 1971, Bakiu përkthen letërsinë tonë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas. Deri më tash ka përkthyer dhjetra vepra të autorëve shqiptarë nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga diaspora shqiptare. Ai është themelues i Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare dhe veprimtar aktiv i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, e cila funksionon me tërë qenien. Poashtu, Baki Ymeri, është autor i qindra artikujve të botuar për Kosovën dhe diasporën shqiptare, si dhe bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit (Shqiptarët e Rumanisë Tetovë, 1994, Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani, Shkup, 2004). Po ashtu, Bakiu është botues i dy revistave: Shqiptari/Albanezul dhe Kosova, të cilat dalin në gjuhën shqipe dhe në atë rumune. Deri më tash ka botuar një numër të konsiderueshëm vëllimesh me poezi, të cilat gjithashtu janë të botuara në gjuhën shqipe dhe në atë rumune. Si anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Rumanisë, është prezent në disa antologji poetike. Për aktivitetin e tij krijues në dobi të shoqërisë, Baki Ymeri, poet, publicist dhe patriot, është nominalizuar Njeriu i Vitit 2001 nga Instituti Biografik Amerikan. Për kontributin e tij të pakontestueshëm në afirmimin e Kosovës dhe vlerave letrare të autorëve tanë në gjuhën rumune, RTK-ës e nderoi me një film dokumentar.
Puna e tij krijuese, gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit, madje, pse jo, edhe të rumanizmit, e stolisi edhe me shumë mirënjohje tjera, nga të cilat po e veçojmë Mirënjohjen nga Kombet e Bashkuara (Qendra për të Drejtat e Njeriut, 1994), atë të laureatit të Urdhrit Kavalier i Mioricës në Fokshan të Rumanisë (2006), çmimin e Mirënjohjes për Kritikë Letrare nga klubi i shkrimtarëve “Drita” dhe drejtoria e revistës letrare “Pelegrin”, Athinë (2006), Mirënjohjen (për donacion dhe bashkëveprim) nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (2007) etj. I vetëdijshëm se e nesërmja jonë kërkon të mos pësojë nga e sotmja, Bakiu vazhdon veprën e tij letrare, publicistike dhe patriotike, duke mos u lodhur kurrë në kërkim të rrënjëve tona, dhe të lashtësisë sonë të lavdishme, plot shkëlqim dhe admirim.
Forcat serbe kane kryer krime lufte kunder shqiptareve etnike ne Kosove (B. Ymeri, 1998) |
Komentoni
Artikuj te tjere
Halit Bogaj: Adem Jashari
Milazim Kadriu: Përfundon manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së"
Julia Gjika: Ata që lënë gjurmë të përhershme në zemrat tona
Milazim Kadriu: Jasharët simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës
Dibran Demaku: Jasharajt
Neki Lulaj: Ademit dhe Shaban Jasharit
Agim Gashi - Drenica: Te varri i komandantit
Gani Qarri: Familjes Heroike-Jashari
Eduard M. Dilo: Burhan M. Juka
Shaban Doçi: Si e varrosa Musine Kokalarin
Xhafer Leci: Enver Hadri është Hero i Kosovës
Murat Gecaj: ''Ejani, këtu, në vendlindjen time''
Gjon Kamsi dhe rrënjët e familjes së tij mesjetare
Fritz Radovani: ''Imzot Luigj Bumçi, ti nuk vdiqe...por plase..''!
Vehbi Klaiqi: Demir Krasniqi
Sabile Keçmezi - Basha: Portreti i nënës së Isa Boletinit
Halit Bogaj: Bujar Asqeriu
Bedri Tahiri: Lisi gjashtënjakë - Kushtrimtar lirie
Daut Arifi: Jetoi për këngën , për të ngelur në këngë
Qazim Bej Vlora, Fundi tragjik i djalit të Ismail Qemalit në Strugë