Faleminderit
Milazim Kadriu: Jasharët simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës
E shtune, 06.03.2010, 08:00 PM
Manifestimi ''Epopeja e UÇK - së''
Jasharët simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës
Nga Milazim KADRIU
Republika e Kosovës do të jetë e integruar në Bashkimin Evropian dhe e anëtarësuar në NATO, thanë të premten presidenti dhe kryeministri i Kosovës. Këto komente ata i bënë në kuadër të fillimit të manifestimit tradicional ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, që organizohet në përvjetorin e rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe sakrificës së familjes Jashari për lirinë e Kosovës.
Në kuadër të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së”, në Sheshin ‘’Skënderbeu’’, në Prishtinë, Garda e Nderit e FSK-së nderoi këtë manifestim në praninë e personaliteteve të larta shtetërore.
Sakrifica e familjes Jashari me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, hapi një kapitull të ri të historisë së Kosovës, kapitullin e vendosmërisë për t’u çliruar nga sundimi shekullor, u tha në hapjen e manifestimit treditor “Epopeja e UÇK-së”.Me këtë rast presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi parakaluan pranë Togës Ceremoniale të Nderit, ndërkaq përveç himnit shtetëror të Kosovës, u intonua edhe himni kombëtar. Fatmir Sejdiu, duke folur në këtë manifestim, tha se dymbëdhjetë vjet më parë, Kosova përjetoi njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj më të re. Pikërisht më 5 mars 1998, tha ai, në Prekaz të Ulët të Drenicës, ra në altarin e lirisë Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me babanë Shabanin dhe me vëllanë Hamzën. "Atë ditë, përveç këtyre tre martirëve iu shua jeta edhe shumë njomakëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes Jashari". Por, me flijimin e tyre unikat, tha Presidenti Sejdiu, ata u stolisën me kurorën më të praruar të historisë së luftës sonë të gjatë për liri e pavarësi, ata u shndërruan në një simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës për të mirën e atdheut. Por dymbëdhjetë vjet pas asaj sakrifice të paimagjinueshme, vijoi Presdenti, trungu i familjes Jashari është ripërtërirë me fëmijët e lindur pas mbarimit të luftës, me fëmijët që kanë trashëguar emrat e të parëve martirë, si për të pohuar fuqishëm se liria e një populli nuk mund të shuhet me asnjë lloj makinerie, me asnjë lloj krimi.
Ndërkaq në fjalën e tij kryeministri Hashim Thaçi tha se "epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rezistenca më vigane, më origjinale dhe e papërsëritshme në historinë e çlirimit të një kombi", ndërsa për sakrificën e Komandantit legjendar Adem Jashari tha se "është akti sublimues i gjithë përpjekjeve dhe sakrificave shekullore për lirinë e Kosovës". Thaçi gjithashtu theksoi se "epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 është historia moderne e lirisë sonë". Kryeministri Thaçi tha se Kosova ka hyrë në vitin e 11-të të lirisë, në vitin e tretë të pavarësisë, "gjithnjë e sigurt dhe e vendosur për të qenë pjesë e botës euroatlantike". Në vazhdim ai tha: "Çdo vit që kalon i thellon themelet e lirisë së Kosovës. Rrit dhe zgjeron perspektivën euroatlantike të saj. Çdo vit që kalon rrit madhështinë e sakrificës madhore për lirinë e vendit tonë, thellon peshën historike të kujtesës sonë rrit krenarinë e brezave tanë dhe të pasardhësve tanë". Në emër të familjes Jashari manifestimin e sotëm e përshëndeti Bekim Jashari, i biri i heroit Hamzë Jashari.
Ndërsa në orët e mbrëmjes ka filluar turneu ndërkombëtar i futbollit të vogël “Adem Jashari” në Pallatin e Rinisë, ku marrin pjesë reprezentacione dhe ekipe nga rajoni dhe më gjerë. Nesër, duke filluar prej orës 10:00 do të bëhen homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, ndërsa në orën 18.00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet Akademia Përkujtimore. Në përmbyllje të manifestimit ditën e diel, më 7 mars, në orën 18:00, mbahet manifestimi kulturor tradicional “Nata e Zjarreve”. Me rasin e kësaj dite të rëndësishme të historisë tonë më të re, të gjithë mësuesit e arsimtarët, orën e parë të mësimit ia kanë kushtuar komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe vlerave të luftës sonë çlirimtare e fitimtare.
DRENICË
Drenicë,
Zemër e Dardanisë
Dy mijë vjet beteja
Për tokën e Arbërisë.
Drenicë,
Dy mijë vjet gjakim
Për liri e mbijetesë
Me barbarët e pabesë.
Drenicë,
E Ahmet Delisë
Shotës e Azem Galicës
Drenicë e Hasan Prishtinës.
Drenicë,
Rrite trima ndër brezni
Çdo herë qe djep i trimërisë
Por edhe varr i barbarisë.
Drenicë,
Edhe për ty agoi ditë e bardhë
Adem Jashari me shokë
Ta ktheu krenarinë që ke pas.
Drenicë,
Në Prekaz ke Tempullin e Trimërisë
Aty ku u thur Epopeja
Që ia ndërroi rrjedhën historisë.
(M.K.)
Komentoni
Artikuj te tjere
Dibran Demaku: Jasharajt
Neki Lulaj: Ademit dhe Shaban Jasharit
Agim Gashi - Drenica: Te varri i komandantit
Gani Qarri: Familjes Heroike-Jashari
Eduard M. Dilo: Burhan M. Juka
Shaban Doçi: Si e varrosa Musine Kokalarin
Xhafer Leci: Enver Hadri është Hero i Kosovës
Murat Gecaj: ''Ejani, këtu, në vendlindjen time''
Gjon Kamsi dhe rrënjët e familjes së tij mesjetare
Fritz Radovani: ''Imzot Luigj Bumçi, ti nuk vdiqe...por plase..''!
Vehbi Klaiqi: Demir Krasniqi
Sabile Keçmezi - Basha: Portreti i nënës së Isa Boletinit
Halit Bogaj: Bujar Asqeriu
Bedri Tahiri: Lisi gjashtënjakë - Kushtrimtar lirie
Daut Arifi: Jetoi për këngën , për të ngelur në këngë
Qazim Bej Vlora, Fundi tragjik i djalit të Ismail Qemalit në Strugë
Gani Qarri: Gjeneralin nuk ka kush ta kujtoj?!
Kalosh Çeliku: Personalitete q? rrin? krah p?r krahu me Bajram Currin dhe Shot? Galic?n
Tefik Geci & Kadri Mani: Në përkujtim të dr. Milan Sufflay-t me rastin e 79-vjetorit të vrasjes
Milazim Kadriu: Shaban Shala u flijua për Flamur, Gjuhë e Liri Kombëtare