E hene, 07.10.2024, 09:08 AM (GMT+1)

Faleminderit

Murat Gecaj: ''Ejani, këtu, në vendlindjen time''

E diele, 28.02.2010, 10:12 PM


“EJANI, KËTU, NË VENDLINDJEN TIME”!

(Pak radhë për poetin e talentuar të bukurive alpine, Gjon Bafti Neçaj)

Nga: Prof.as,Dr. MURAT GECAJ
publicist e studiues-Tiranë

1.
Në jetën e njeriut, shpesh  ka raste, kur i rikthesh një kujtimi a një fakti të së shkuarës. Kështu ndodhi dhe me mua këto ditë. Duke bashkëpunuar me kolegun e shkrimtarin Skënder Hasko, për të përgatitur botimin e rëndësishëm “Fjalor i botuesve shqiptarë”, iu drejtova me kërkesë edhe poetit nga Malësia e Gjakovës (Tropojë), Gjon Bafti Neçaj. Sipas të dhënave të kërkuara, ai u përgjigj menjehërë dhe me korrektësi. Mirëpo, ai gjeti aty rastin dhe të më falënderojë e të japë vlerësime për jetën e punën time. Sigurisht, për këto mua më erdhi mirë, megjithëse  aty kishte ndopak “shtesa”, për ato që thoshte në adresën time. Sigurisht, e falënderoj nga zemra. Ndër të tjera, ai  shkruante: 
 “I nderuar Profesor Gecaj,
Është kënaqësi e madhe për mua që m’u dha rasti të komunikoj me një nga personalitetet më të spikatura , jo vetëm të Nikaj-Mërturit eTropojës, por mbarë trojeve shqiptare e më gjerë.
Uroj të jeni mirë me shëndet dhe me krijimtari.
Z.Murat, nga afër njihemi pak,por ju jeni i njohur me veprat tuaja dhe publicistikën 50-vjeçare në shtypin e shkruar.
Unë jetoj dhe punoj në  qytetin“B.Curri”.  Jam financier në profesion. Punoj, aktualisht, në Agjencinë Elektrike të Tropojës dhe merrem edhe me veprimtari letrare. Besoj se diçka kam bërë në artin e të  shkruarit.
Po ju dergoj te dhënat e kërkuara (për ‘Fjalorin e autorëve shqiptarë”,-shënimi im, M.G.), për të cilat më ka venë ne dijeni edhe Ramiz Lushaj. Ju falënderoj shumë.
Duke ju dëshiruar çdo të mirë në jetë dhe krijimtari,  ju dhe familjes suaj të nderuar, ju përshëndes, me shpresën se, tani e mbrapa, do të komunikojmë  sa më shpesh.
Përshëndetje, Gjon Neçaj, “B.Curri”-Tropojë, 20 shkurt 2010”
Por , as më parë, Gjoni nuk ishte për mua i panjohur. Përveçse është nga vendi im i origjinës, pra nga krahina e Nikaj-Mërturit, ai më solli ndërmend  vitin 2000. Asokohe, pata vizituar Kosovën e pasluftës e fitores mbi serbët dhe publikova librin “Si e pashë unë Kosovën”. Në një pjesë të saj, kur shprehesha për figurën e nderuar të intelektualit të njohur, Prof.Rexhep Qosja-Akademik, ndër të tjera, riprodhoja ato, që Gjon Neçaj kishte shkruar në një skicë për të. Një pjesë e saj, është dhe kjo e mëposhtmja:
“Në studion e tij, për qyshë më kanë thënë, drita rri ndezur tërë natën. Kështu më ka treguar fqinji im, që e ka takuar personalisht atë. Ka biseduar me të, bile, ka shkuar edhe në Vuthaj. Mosozot, se pushon. Ai ka një plagë të kahershme e natën mundohet ta shërojë, me melhemin e shpirtit të tij-mjaltë. Ajo plagë është e vjetër, siç e ceka dhe më sipër. Plagë e dhimbshme, por e shërueshme. 
-Ajo plagë është në shtatin e Nënës (lexo: Kosovës,-shënimi im, M.G.) së tij,-më tha pastaj fqinji im, ndërsa më tregonte një fotografi nga albumi, dalë me “mjekërbardhin”, mu në Vuthaj.
-Hëm, plagë në shtatin e Nënës...Kanë filluar të  shërohen tash një vit. Po, po, bash në trupin e Nënës së tij. Ajo plagë, bile, e ka mplakur e lodhur parakohe. Shikoja Akademikun, meditoja...”.
2.
Megjithëse ka mbaruar studimet e larta për  financë dhe në moshën afër 60-vjeçare, Gjoni e ka shpirtin e butë e të ndjeshëm, si të ishte 20-vjeçar, të pushtuar nga frymëzime e ndjenja mirësie. Se, siç dihet, ai që hyn në këtë fushë të jetës, atë “kostum mban veshur”.
          Po të lexosh, vetëm përmbledhurazi, të dhënat nga krijimtaria e tij poetike ose jo, bindesh menjëherë se sa bukur e me frymëzim shkruan. Të bien në sy gjuha e tij e goditur, fjalët e rralla që përdor, vjelur nga fjalori i pasur leksikor  i krahinës. Është natyra magjepëse e Nikaj-Mërturit që e frymëzon, janë bukuritë alpine që e joshin, janë zanat e shtojzovallet , rapspdotë e  Mujit e Halilit, nga “Cikli i Kreshnikëve”, që e tërheqin dhe e pushtojnë të tërin.
           Prandaj, ka të drejtë M.Kallupi, kur shprehet për poetin Gjon Neçaj:
“Poezia, ashtu si vetë jeta e tij, është e lidhur fort bukur me vendlindjen, Peraj i Nikaj Merturit, me qytetin “Bajram Curri”, me Tropojën e agimeve e muzgjeve alpine, me ujërat e cemta e të kulluara, me borërat e thella, me hijet e mrizave e lulimin e qershijave, me... Poezia e tij sa është meditative e reflektive, është po aq e thjeshtë, e ngrohtë, e ndjerë, pa ngarkesa metaforike, emocionale. Gjoni sikur ka lindur enkas për poezinë dhe s'mund të jetojë asnjë çast pa të…”.
Deri tani, Gjoni ka publikuar katër libra me poezi. Titujt e tyre janë të bukur, si dhe vetë përmbajtja e tërë poezive: "Nën hijen e mrizave","Në folezë të këngës","Ju, që më shihni çdo ditë" dhe "Hëna pikon mbi Alpet e mia". Ndëra, nën kujdesin e Klub-Haikut Shqiptar, ka botuar vëllimin bilingual me haiku, me titull "Pezull". Duke u përfshirë në fushën e krijimit, ka botuar dhe novelën interesante "Hijet e shpirtit". Është bashkautor  në librin mësimor "Tropoja-vendlindja ime". Por ai shkruan e shkruan dhe, me siguri, përsëri nga shpirti e dora e tij do të lexojmë krijime të reja.
Gjon Neçaj është  anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve të degës në Tropojë, sekretar i “Klubit Letrar”, anëtar i “Haik-Klubit Shqiptar”, anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohore (Ë.P.S.), anëtar i disa klubeve letrare, në Shqipëri dhe Kosovë.

           Lexuesi dëshiron të shijojë diçka nga krijimet e tij. Në pamundësi për të riprodhuar shumë, po jap vetëm dy vjersha të bukura, kushtuar vendlindjes:

 POETË,  EJANI NE VENDLINDJEN TIME!

Poetë, ejani në vendlindjen time,
Ju ftoj me bujarinë e zemrës së malësorëve të mi:
Do u presim si mysafirë të urtë
ne sofren e krenarisë,
me besë,
me mikpritje,
trimëri.

Ejani,
bora është përvjelë deri lart në Majën e Hekurave;
kokrra e grurit është mufatur nën dhe,
njomza e ahut ka dalë në ashtën e Ndërmanjës,
e sythi i zemrës së malësorëve të mi
çelë në ëdo stinë…

Ejani,
këtu në vendlindjen time,
me adresë të plotë:
“Rrëzë Majës së Hekurave e buzë Drinit,
ku rrinë kurorë malet kreshtëbardha
e shqipet n’çatitë e kullave ngrenë foletë.
Ose, me sakte:
këtu ,ne skajin më të largët
të Atdheut…

HAIKU I BJESHKËVE

Nikaj-Mërtur,
këtu më lindi nëna,
një ditë mesqershori.

U çel syri i diellit,
krahina
zgjohet nga gjumi letargjik.

Akujt
në bjeshkët e Currajve
janë ngrirë hej.

Si ta pershkruaj?
Nikaj-Mërturi,
pjesë e zemrës sime...

Verë në vendlindje,
bjeshkët piskasin,
vetmi...

Gurra e kronit,
ujëakull bore,
në bjeshkët e Nikaj-Mërturit.

`              X   X  X
Në mbyllje të këtyre pak radhëve për bashkëkrahinasin dhe krijuesin e talentuar, Gjon Neçaj, uroj: “Të këndoftë zemra e bardhë e pena t’u bëftë “bisturi”, për të depërtuar në  thellësitë e shpirtit të lexuesve tu!
          Tungjatëjeta!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora