E shtune, 05.10.2024, 02:21 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: ''Imzot Luigj Bumçi, ti nuk vdiqe...por plase..''!

E shtune, 27.02.2010, 11:00 PM


“IMZOT  LUIGJ  BUMÇI,  TI  NUK  VDIQE... 
POR,  PLASE..!”

Nga Fritz RADOVANI

Me këto fjalë At Pjetër Mëshkalla, me datën 7 Mars 1945, mbylli fjalën e Tij, me rastin e Meshës së Përshpirtëshme që, u tha: “...në kishën famullitare katolike në Tiranë, për ditën e shtatë të vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, ipeshkvit të Lezhës. 
Mirrnin pjesë: Gjen. Major Spiro Mojsiu, Kolonel Ramadan Çitaku, Ministri i financave, Manol Konomi, minister i Drejtësisë, Kolonel Petar Killër i Misionit Ushtarak Jugosllav, Major Wisdorf, shef i Misionit Ushtarak Francez, Ingj. Lazër Treska, kryetar i këshillit të Qarkut, Ali Bakiu, kryetar i këshillit të Qytetit, përfaqësia e kishës Orthodokse dhe përsonalitete e miqë të familjes së Imzot Bumçit...” (Marrë nga gazeta “Bashkimi”, organ i Frontit nacional – çlirimtar, botue me dt. 8 mars 1945, ditë e enjte.Tiranë)
Imzot Luigj Bumçi edhe pse nuk zehët në gojë nga pseudohistorianët e Shqipnisë, mbasi edhe Ky ishte i veshun me petkun e Ipeshkvit Katolik Shqiptar, asht ndër figurat ma të mëdha të Atyne Atdhetarve që, jo vetëm formuen Shtetit Shqiptar, por edhe e ruejtën nga coptimi si dhe asgjësimi prej fqinjve dhe aleatve të tyne rreth e rrotull të kudondodhun deri në kolltukët e flliqta të drejtuesve të shtetit tonë të posalindun...tue fillue nga Esad Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia me pasardhësit e tij, sllavo – komunist. 
Imzot Bumçi asht lindë me 1872...dhe, nuk do të hyj në shenime biografike mbasi qellimi i këtij shkrimi asht tjetër nga përshkrimet e zakonshme të “një jete”... me vepra aq të mëdha...!
Asht ajo periudhë historike kur Populli Shqiptar kishte fillue me u zgjue nga gjumi i sa shekujve të robnisë turke. Rolin kryesor në lëvizjen mbarëkombëtare në kushtet e krijueme në të gjitha trevat e Veriut e ka luejtë Kleri Katolik Shqiptar, tue përfshi Hotin, Gruden, Kelmendin, Dukagjinin, Pukën, Mirditën, Kosoven, Shkupin, Dibren dhe pothuej krejt Shqipninë e Mesme, ku, një rol të madh luenin Prelatët e pakrahasueshëm në zhvillimet tona historike, si: Imzot Lazër Mjedja, Imz. Jakë Serreqi, Imz. Preng Doçi, Abat i Mirditës, Imz. Nikoll Kaçorri në Shqipninë e Mesme, Don Luigj Bumçi në Lezhë, por pranë Dioçezit të Shkodres, At Gjergj Fishta e Don Ndre Mjedja, At Karlo Prennushi e At Mati Prennushi me malësorët e Hotit e të Kastratit, At Lorenc Mitroviq në Bajzë, At Buon Gjeçaj në Grudë, Don Luigj Bushati në Traboin, ndërsa At Sebastian Hila vepronte në Rapshë. Don Ndre Plani dhe Don Nikoll Ashta të kudogjetun në kuvendet e Burrave, pranë Prelatve të Tyne. Të gjithë ishin të vëndosun me luftue në krye të Malësorve me Kryq në gjoks e armë në dorë për Liri të Atdheut dhe Fe. 
Sigurisht, kjo ishte një nisëm e madhe dhe mjaft e rrezikshme për popullsinë katolike të atyne krahinave, mbasi armiku ishte i rrebtë e katil kur vinte puna me u diskutue largimi i tyne nga tokat shqiptare. Nuk duhet injorue edhe qendrimi i mjaft bejlerve e çifligarve të mëdhaj të vendit që nuk pranonin për hirë të lirisë me u shkëputë nga lidhja materiale e shpirtnore prej të vjetrave metastaza me osmanllijtë. Këta ishin edhe ma të këqinjë se zaptuesi, mbasi për hirë të një kolltuku dhe të një copë toke, këta bashpunonin me çdo armik të Popullit Shqiptar. Pikërisht, kur Perandorisë Osmane po i vinte fundi, të gjithë hajdutët e kriminelat rreth Shqipnisë, filluen me u zgjue nga gjumi ma herët për me hy në viset shqiptare dhe me i plaçkitë Malësorët e Veriut, nëse këta nuk pranonin zgjedhën e re të shovenistëve sllav, kjoftë nga Veriu, kjoftë edhe nga Jugu. Këte tragjedi e vërtetojnë dokumentacionet e asaj kohë që pasqyrojnë ngjarjet e mëdha të Vermoshit, Hotit, Grudës, Ohrit, Çamërisë, Janinës, Himarës e, kapaku i vehët mandej, me krahinat tona të Korçës e Gjinokastres. Ndër të gjitha këto ngjarje asht vula e pashlyeshme dhe e patjetërsueshme e punës, sakrificave dhe përpjekjeve të pakompromis të Klerit Katolik Shqiptar. 
Asht pikërisht Ai Kler që diti me trokitë në dyertë e Burrave të Malësisë, asht Ai Kler që me një strajcë në dorë, i zdathun dhe i unshem diti me kapërcye prakun e kullës, me u ulë pranë votres kambkryq, me u ngopë me “bukë e krypë e zemër”, me fjetë me krye në grazhdë të lopve, me u zgjue pa ma të voglen kreni nga i zoti shtëpisë dhe me rrokë edhe armët kur e lypte nëvoja, për me luftue krahpërkrah me te, kur armiku kërkonte me i zanë në befasi dhe me i dhunue. 
Prandej mbeti i shkruem me shkronja të arta në Historinë e Shqipnisë, emni i Trimit me fletë Dedë Gjo’Lulit, Marash Ucit, Dedë Nikës së Grudës, ....Tring Smajlës, Norës së Kelmendit, sëpse, Lufta e Tyne ishte Luftë për Liri dhe Fe, të kultivuem dhe të betuem me dhanë jetën, gjanë e mallin dhe me vdekë me formulën Françeskane në gojë: “Atdhe e Fe”. 
I kësaj plejadë betejash historike asht edhe Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkëv i Kallmetit. 
Ai ishte përkrah Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jakë Serreqit, Ipëshkëvit të Nënshatit Imz. Kolecit, Abatit të Mirditës Imz. Preng Doçit, Ipeshkëvit të Pultit Imz. Bernadin Shllakut dhe Argjipeshkëv i Durrësit Imz. Biankut, përsonalitete të njohtuna dhe përfaqsues të denjë të vullnetit të Popullit që drejtonin në rrugën e pandryshueshme të Lirisë nga çdo zgjedhë e huej. 
Në fillim të muejt Qershor 1911, me datën 10 u nënshkrue Memorandumi i Gerçës, i cili njofton haptas Turgut Pashën se: “Malësorët janë të vendosun për mos me ulë armët derisa, të pranohen nga qeveria turke të 12 pikat e këtij Memorandumi...” (Doc. Public Record Office Foreign Office,  – P.R.O. F.O. 371. 1230. Fq. 450.)
Aktiviteti i Tij Atdhetar fillon para vitit 1911, kur asht pranë Imzot Serreqit në Shkoder,  por, unë jam nisë pikërisht, kur Ky me Imz. Serreqin e At Gjergj Fishtën, shkojnë në Podgoricë me bisedue me një masë të madhe malësorësh që janë aty dhe nuk pranojnë me dorëzue armët, mbasi aty shihet edhe qendrimi i Konsullit të Austro – Hungarisë në Shkoder Zambaur, i cili, duket, se asht edhe i besueshmi i vendëve të interesueme në këte moment delikat. Ai kërkonte që gjendja të qetësohej, por Imz. Serreqi nuk u pajtue me propozimin e tij, prandej në një takim me 4 Korrik 1911 me malësorët në Podgoricë, mbasi mori edhe fjalën e tyne, Ai u nisë për Cetinë bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, për me u takue me një nga ma të fuqishmit e qeverisë turke, që ndodhej pranë Pallatit Mbretnor të Cetinës, Saddredin Beu. Me datën 9 korrik, përfaqësuesi i turqisë u detyrue nga qeveria e tij me u takue me malësorë në Podgoricë, në shtëpinë e Nush Koçit, ku ishin edhe të ftuemit. Kjo ngjante mbas një takimi që Imzot Bumçi, At Mati Prennushi dhe Don Nikoll Ashta kishin ba me malësorët e Triepshit, që ishin ma të vendosunit me luftue nën komandën e Marash Ucit, i cili tha: “Vendet tona i kemi ruejtë na vetë e, nuk asht shkrep e gurë që nuk i kemi la me gjak...” shkruen, Imz. L.Bumçi “Nga kujtimet e mija”, libër i cili asht baza e vërtetë e të gjitha zhvillimeve historike. Aty asht e pasqyrueme burrnia e Malëve, por edhe dredhia e turqve dhe e shtetëve të Evropës, që me të njajtat mjete dhe mënyra kanë veprue gjatë gjithë shekullit XX, tue u mundue pa asnjë dyshim për “shkatrrimin e Shtetit Shqiptar” e për interesat e veta me shtetët fqinjë përrreth nesh.
Nuk do të nisëm nga dokumentat e shkrueme në organët fetare të Shkodres, për me tregue të vërtetën që pasqyrojnë ata në lidhje me qendrimin e premë antiturk dhe antisllav të Klerit të asaj kohë në të gjitha trevat shqiptare, mbasi për fat sot, kjo dokumentohet me qendrimin e zotni Count de Salis, i cili, i tregon zotni Edward Grey, Ministër i Jashtëm britanik, dhe shprehimisht shkruen: “Cetinë, 28 Janar 1913,... Malësorët kanë vendosë me ndërpre dhe mos me pasë ma punë me Malin e Zi” (Doc. 4391, fq. 184. P.R.O.F.O. 371, 1758.).
Takimi i Imzot Bumçit në Podgoricë, kur Ai organizoi krenët e Malësisë nën drejtimin e Dedë Gjo’Lulit me u takue me ministrin turk, mbetët ndër perlat e historisë së pashkrueme të Veriut, ku, posa ministri u thotë malësorëve se kam ardhë me urdhën të mbretit me ju pa, në çast i përgjigjet Deda: “S’na ka pas marrë malli për ty!” E, Imz. Bumçi, shpjegon sesi ju desht me e përkthye se nuk kishte kah me ia mbajtë...Të gjitha këto veprime arrijnë me detyrue Austrinë me deklarue në Konferencë të Ambasadorve, me 7 Janar 1913 për çeshtjen e  madhe të Shkodres, se: “...Banorët e këtij qyteti si përsa i përket origjinës etnike, ashtu edhe nga pikëpamja e besimit nuk kishin asnjë afersi me Malin e Zi.” ( P.R.O.F.O. 371. 1757 fq.222.) 
Në këte moment kritik ashtu si edhe tjera herë asht edhe Miss Mary Edith Durham, që me përkushtimin e Saj ndaj Shqipnisë, do ti bajnë të kjartë qarqeve angleze dhe ndërkombëtare se: “...eksistonte në qarqet katolike austriake vendosmëni për mos me lejue që Shkodra dhe hinterlandi i saj, të bahen respektivisht një qytet apo rajon malazez ose serb.” (po aty 371. 1758, fq. 447. Mr. Nevinson, Podgorica. 26. 02. 1913. M.E.Durham.). 
Në vitin 1919, me vendim të Qeverisë së Durrësit, Imzot Luigj Bumçi emnohet Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris. Materiali i z.Valentina Duka, paraqitë në librin “Krishtërimi ndër Shqiptarë” në vitin 2000, më ndihmon me përcaktue me saktësi një nga ata momente kyqe të historisë, ku, Imzot Bumçi, me aftësitë e një gjeniut arrinë me shpëtue nga kthetrat greke Korçën dhe Gjinokastrën, ndonse, edhe për këte pseudohistorianët “heshtin”...
Imzot Bumçi kishte dy miq besnikë, Bajram Currin dhe Isa Boletinin. Isaja edhe e ka pas shoqnue në Paris, ku, çdo hap i rrinte përkrah me patllake në brez. Këte ngjarje që do të tregoj ma ka konfirmue edhe i nipi i Isa Boletinit, në Tiranë, në vitin 2000, z Enis Boletini, babën e të cilit komunistët e vranë në Shkoder para Kafes së Madhe, sigurisht, pse kështu fillonte zhdukja e Atdhetarve. Kur ishin në Paris me Isanë, një mengjez posa Imz. Bumçi doli prej hotelit me shkue në Pallatin e Lidhjes së Kombëve, kur Ky po zbriste nga shkallat dhe po përshëndetëj me Isanë, i cili, nuk e lente kurr vetëm mikun e vet, Isaja tue i shterngue dorën, i tha: “Pashë të Madhin Zot, sot kur të flitësh në Lidhje të Kombëve Imzot, ma zbërthe atë mallotë e, ma nxjerr Atë Kryq, që ta shohin të gjithë shka janë aty, se mue më duket se, këta kujtojnë se të gjithë Shqiptarët janë myslimanë..!” Dhe, Ai, ashtu bani si i tha miku i besës dhe i gjithë jetës së Tij Isa Boletini. 
Imz. Bumçi takohet me disa përfaqësues shtetësh tue fillue nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës, Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, Serbië, Greqisë dhe sa e sa të tjerë, me të cilët komunikon direkt pa përkthyes, mbasi zotnonte disa gjuhë të hueja dhe arrinë me i bindë ata se, çeshtja Shqiptare nuk asht një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit por, asht problem kryesor për ruejtjen e paqës në mbarë Evropën. 
Imzot Bumçi posa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, asht i pari që protestoi tek Presidenti Willson, për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës. Ai asht i pari politikan Shqiptar që mendoj se trupat amerkane janë ata që mundën me shpejtue çlirimin e Tokave Shqiptare të Kosovës nga Serbia, prandej edhe i kërkoi Presidentit Willson hymjen e trupave amerikane në këte zonë. Imzot Bumçi asht i pari strateg “profetë” që parashikoi pikërisht ate, që do të ngjante në Kosovë gati 80 vjet ma vonë, në vitin 1999. 
 Imz. Bumçi mbasi vërenë një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin u takue me datën 26 tetor 1919, për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me datën 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit, i tha: “Tash pra Shejtni, të  gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për një goje U lutën që, me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme si kur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat, janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” (V. Duka. Fq. 300)
Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë por, do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilve, Ai do Ti kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar...dhe, e mbajti premtimin! 
Me 17 Dhetor 1920, me rastin e pranimit të Shqipnisë në Lidhje të Kombëve, ambasadori i Indisë, tha: “Kur në Botë zhvillohen ende lufta ndërfetare, në Shqipni, myslimanët, katolikët e ortodoksët jetojnë në harmoni dhe, asht fakt i shkelqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane, me pasë këtu Përfaqësues një të krishtenë, madje, dhe një Prift.” 
Ndërsa, Luigj Gurakuqi jep formulën e bazës së bashpunimit ndërmjet elementave fetar të ndryshem, të cilët, duhet të kenë si bazë Njësinë e Atdheut.
Vetëm atëherë, kur, Shqiptarët ditën me ruejtë të pastër dhe të fortë cilësinë e tyne të parë që i dallonte edhe në Ballkan: Tolerancën Fetare, vetëm, atëherë, kishte Unitet Kombëtar!
Jeta e përditëshme e Imzot Bumçit asht historia e përshkueme prej Tij në çdo çast që ka kalue në të gjitha fitorët dhe humbjet e Populli Shqiptar. Ai ishte një dijetar i madh i psikologjisë sonë por, edhe një depërtues i thellë në mbrendinë e shpirtit t’anmiqve të Kombit tonë. Ai njihte Mikun por, dinte edhe sesi me u ruejtë nga anmiku shekullor. Ja, porosia e Tij: 
“Pikë së pari duhet pra, të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njenitjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mënitë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokve tonë e të mos ftohim e të ashpërsojmë mardhanjet në mes të Shqiptarve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të jenë. Për të mirën e Atdheut, duhet sot, që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerve. 
Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht kjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat e kundërshtarve të njenit e të tjetrit e, të përpiqemi, të fitojmë besimin e miqve e nderimin e anmiqve.” (po aty, fq. 301.)
Atëherë, pra, kur, andrrat po realizoheshin dhe Shqipnia po mblidhte në votren e Saj bijtë e bijat e shpërndame, pikërisht, kur, Shqiptarët, po shihnin me sytë e Tyne tue u valvitë ndër të gjitha Trojet e veta, një Flamur që i bashkonte në një gjuhë, një gjak dhe një Komb të vetëm, nën Flamurin e të Madhit Skënderbe, mbas ma shumë se 35 vjet pune, përpjekje, puçesh, betejash por, edhe shumë fitoresh, Imzot Bumçi, bashkë me të gjithë Ata Atdhetarë që ia mërritën asaj dite të zezë e të kobëshme të 29 nandorit 1944, ditës kur Flamuri ynë, jo, vetëm, ra përgjithmonë në gjysëm shtize por, edhe u zhigat me yllin komunist, atëditë kur shovenistët sllavo – komunistë të Jugosllavisë, “klyshët” e Rusisë bolshevike, kapërdinë me gopçdhekun e tyne të pashuem, si t’ishte një copë llokumi mbarë Shqipninë...që i mëkoi Ruzvelti me Stalinin në ato ditë në Jalta, me 1 Mars 1945 Imzot Luigj Bumçi, nuk vdiq...por plasi...!
Kështu, ka thanë At Pjetër Mëshkalla...plot 65 vjet ma parë! 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora