Faleminderit
Sabile Keçmezi - Basha: Portreti i nënës së Isa Boletinit
E premte, 26.02.2010, 11:00 PM
HEROINAT-NËNAT TONA
Për nënën
dhe portretin e saj në përgjithësi kanë shkruar shumë poetë, piktorë, psikolog
e krijuesish zhanresh të ndryshme. Por do të shtoja se të gjithë ata që
tentuan, apo bënë portretin e saj, në fund ngelën të pa kënaqur për hir se ajo,
nëna meritonte më mirë, më shumë dhe më tepër. Krijuesit jo që nuk deshën e nuk
mundën ta bënin këtë, por çdo fjalë e vepër e krijuar në krahasim me nënën, me
atë emër të madh iu dukej i vogël.
Edhe unë
që në nismë, pata një droje se sa do t’ia arrijë këtij qëllimi që të bëjë diç për
portretin e nënës së Isa Boletinit, respektivisht portretin e nënës Ajshe. Se të
shkruash për nënën Ajshe do të thotë të shkruash për nënën e Isa Boletinit në
veçanti, dhe për të gjitha nënat shqiptare në përgjithësi. Të shkruash për të,
do të thotë të shkruash për të gjitha nënat e shumë trimave të historisë sonë
kombëtare që gjatë tërë kësaj rruge ishin dhe mbetën pjesë e pandashme e
burrit, e djalit, e vëllait në rrugën e lirisë. Nëna Ajshe ishte pjesë e këtij
nënqielli, andaj ishte shumë e natyrshme që edhe kjo pati të njëjtin fat me
gratë tjera shqiptare që krahas punës që bënin si nëna e bashkëshorte të mira,
ato mbi supet e tyre të forta e krenare, para armiqve të shumtë njësoj bartën
tempullin e shenjtë dhe të fortë – çështjen e atdheut. Nga kjo del se gruaja
shqiptare ishte aktive edhe atëherë kur nuk dilte në fushën e betejës, por në
një mënyrë tjetër e luftonte armikun me armën e kurajës që ajo iu jepte luftëtarëve.
Duke shfletuar historinë, vijmë në të dhëna shumë interesante se në kohën kur jetoi e veproi nëna e Isa Boletinit ishte një kohë kur tokave shqiptare iu kërcënohej rreziku në çdo anë. Ishte kohë lufte për liri dhe pavarësi, për vdekje o jetë të lirë në trojet tona. Kohë kur në truallin e Ballkanit u formonin shtete të reja, të lira e të pavarura. Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila shënon një kthesë të rëndësishme në procesin e gjatë të luftës çlirimtare kundër sunduesit otomanë dhe që vuri në ballë të programit të saj jo vetëm çlirimin e atdheut nga çdo zgjedhë e huaj, por edhe formimin e një shteti kombëtarë të pavarur ku aktiviteti i gruas ishte i shumëllojshëm, por që të gjitha të mbrojtura me tradita të larta heroizmi e patriotizmi. Por, Rilindja Kombëtare Shqiptare si një lëvizje çlirimtare me përmbajtje demokratike, kishte nevojë të bëhej një lëvizje masovike, gjë që kërkonte në mënyrë të domosdoshme pjesëmarrjen aktive të gruas shqiptare. Përmes vështirësish të mëdha gruaja shqiptare e çan rrugën përpara dhe i përgjigjet në mënyrë pozitive kërkesave themelore të Rilindjes, për të luftuar jo vetëm me armë por edhe me pendë, jo vetëm në fushën e betejës por edhe në bankat e shkollës. Në këtë periudhë vlen për tu cekur se, edhe gruaja shqiptare me armë në dorë merr pjesë në luftërat për liri dhe pavarësi. Ishin shumë arsye që e shtynin atë në fushën e betejës. Ishin traditat e lashta të luftës për lirinë e vendit, të kultit për nderin e familjes, të shpirtit të lartë të vetë sakrificës, virtyte këto të vëna në dukje nga shumë njohës të mirë të traditës së popullit shqiptar. [1] Ndjenja e sakrificës për gruan shqiptare shpesh gjente shprehje e sidomos kundër sulmeve të egra otomane. Në periudhat e ndryshme historike edhe statusi i gruas shqiptare ndryshon në shoqëri, rrethe e familje. Ajo në rrethanat më të përshtatshme historike inkuadrohet në rrjedhat që imponoheshin nga vetë faktori kohë.
KULLAT E BOLETINVE
Është një
kullë në Boletin, që gjatë luftërave të pa ndërprera me pushtuesit osmanë, gjashtë
(6 )herë me radhë u bë shkrumb e hi, por që gjashtë (6 ) herë me radhë u ngritë
më e fortë dhe më kryengritëse. Në atë kullë, u rritën burra trima e gra trimëresha
e fisnike, të cilët përballuan me guxim të gjitha dallgët që u përplasën pa reshtur
mbi ta.[2]
Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nënat trimëresha, thotë një fjalë e
popullit. Gruaja shqiptare i ka përbuzur kurdoherë frikacakun, ajo e ka përbuzur
dhe e ka mallkuar edhe birin e sajë kur plogështohej përpara vdekjes. Andaj Isën
e lindi një grua trime. Nëna Ajshe që në të njëjtën kohë ishte nënë dhe
bashkëpunëtore e djalit Isa. Nëna Ajshe, ishte grua bujare, trime e zemërgjerë.
Përherë me kobure në brez priste e përcillte mysafirët e miqtë në kullë. Bisedonte
me ta punë burrash. Atë, luftë nuk e bezdiste kur zbrazeshin e ndiheshin gjylet
përmbi kullë, u jepte zemër bijve, duke iu thënë “Bini djema”, u thoshte “e mos
u koritni, se njëherë jena le e njëherë kena me dek”, dhe u sillte bukë e ujë
luftëtarëve, u mjekonte plagët të plagosurve.[3]
Kontributin
e madh që dha gruaja shqiptare në luftë për çlirim kombëtar të atdheut, është
pjesëmarrja e saj aktive në kryengritjet e vitit 1910-1912. Vlen për të cekur
se në këtë vazhdë të aktivitetit të gruas në lufta për liri, gratë e Kosovës i
dolën me armë në dorë në Grykën e Kaçanikut, ballë për ballë ushtarëve turq të
Shefqet Turkut Pashës. Shembullin e tyre
e ndoqën gratë e Malësisë së mbi Shkodrës e të Dibrës. Gazeta turke “Sabah”,
shkruante me 16 prill 1911 “Ndërmjet kryengritësve shqiptar kishte edhe gra të
veshura me rroba burrash. Në ndeshjet e sipër përmendura kanë marrë pjesë edhe
gratë e malësive, të cilat qysh kur kanë qenë të vogla janë mësuar të marrin
pjesë ndër lufta, bile disa nga këto gra kanë dëftuar trimërinë e tyre, aq sa të
kalojnë në radhën e parë të luftës. Aty nga fundi dhe fillimi i shekullit XIX,
me kontributin e vet të çmuar që dha gruaja shqiptare si në jetë e në luftë
meriton një vend të lavdëruar në histori. Një nga njohësit e mirë të popullit
shqiptarë, Jasint Hekard (Hyasin Hecquard), për gruan shqiptare shkruan se,
“Gruaja shqiptare qoftë myslimane o e krishterë, edhe pse është e nënshtruar
ndaj burrit, ai këshillohet me të, jo vetëm për punët e familjes por edhe për çështje
të vendit” për të vazhduar më vonë se “Gratë shqiptare dinë ti mbajnë lotët e
dhimbjes edhe kur janë për para njerëzve të tyre më të dashur të shtrirë për
dhe. Shpeshherë duke i mbajtur nëpër duar kufomat e tyre i kanë shpënë ata në
mes të luftëtarëve për ti nxitur që të hakmerren kundër armikut”.[4]
Në kujtimet e veta, miku dhe bashkëkohaniku i Isa Boletinit, Ismail Qemali duke e vlerësuar rolin dhe rëndësinë e gruas në lëvizjen për çlirim kombëtar shton se “si grua, qenia e saj lidhet tërësisht pas fuqisë së burrit, megjithëse në veprimet e hapta publike ajo nuk del në shesh. Në çështjet e brendshme familjare dhe që kanë të bëjnë me vendin ajo merr pjesë dhe mendimi i saj peshon”.[5] Ndërsa për modestinë e saj përdorë shprehjet më të mira, duke theksuar se “ajo (Gruaja) nuk është aq kryelartë për bukurinë e sajë, derën e babës ose pasurinë, sesa për numrin e fëmijëve që ka rritur dhe zotësinë e tyre që e quan për kryelartësi të vetës se rrjedhë nga ajo. Mëma e një numri fëmijësh është shenjë nderimi”. Ajo ka një respekt aq të madh ndaj të tjerëve si ndaj vjehrrit, kunatit e djalit sa edhe “kur niset për në luftë atë nuk e përcjellë”, vetëm e vetëm për të mos treguar shenja dhembjeje ndaj tij. Mirëpo, vazhdon më vonë plaku i urtë i Vlorës se “po sikur vendi të jetë në rrezik, qoftë nga ndonjë pushtues, ose për shkak të ndonjë vepre të njëanshme të qeverisë, gratë janë ato që ngrenë zërin të parat dhe nxisin burrat të mbrojnë vendin ose të ngrenë krye”.[6]
NËNË AJSHJA
Nëna
Ajshe ishte shembulli më tipik i gruas shqiptare. Sipas kujtimeve të Tafil
Boletinit, nip dhe bashkëluftëtarë i ngushtë i Isa Boletinit, në edukimin e
Isajit thotë se “një rol të madh e ka luajtur nëna e tij, Ajshja. Ajo ishte një
grua malësore e thjeshtë, trime dhe e mençur”.[7]
Si shumë nëna shqiptare ajo i kishte mëkuar fëmijët e saj me dashurinë për
vendin, për popullin dhe urrejtjen për pushtuesit si dhe me shumë veti të tjera
të larta të popullit tonë. Ajo ishte një grua që në çdo momente ishte pranë
djalit dhe luftëtarëve. Për konsultimin, përkrahjen dhe dashurinë e nënës që
kishte ndaj të birit më së miri na flasin vargjet e një këngëtari popullor:
Isa Begu rrinë n’krevat,
Mirë po i flet nëna e vet,
Po vin
topat me katana,
Tre sahat
po i ndihet gjama,
Rri moj
nanë mos ki dert,
Do ta bajë
një luftë me mbret,
Kam ba
kulla për dovlet,
Topi
muret nuk po ia çet,
Kapi
arkat me fyshek,
Merrni
djem sa të doni vet.[8]
Ose kënga
tjetër popullore që u këndua në anën e Lumës e që edhe kjo i kushtohet dialogut
të nënës me të birin:
Isa Begu
del në kep,
Si
rrufeja po pisket,
Hej moj
loke, mos ki dert,
Çëndro
loke e banë gajret,
Kena le
na për me dek.
.....................................
Isa Beg të
past ty nana,
Tek vin
topat me katana,
Tre sahat
larg u ndihet xhama.[9]
Samin Visoka
bënë një portret për nënën kosovare, dhe ke përshtypjen se mu ky portret i
dedikohet vetë nënës Ajshe, dhe grave shqiptare në përgjithësi: “Gruaja
shqiptare veçanërisht nënat kosovare, që janë burimet kryesore për jetën tonë
kombëtare, kanë ditur fare mirë përtej shekujsh të ruajnë gjakun e kombit, kështu
mbase këndej duhet të fitojnë edhe lirinë shoqërore edhe lirinë kulturore. Një
grua e përgatitur me këto kushte do të ndryshojë krejtësisht shoqërinë tonë,
dhe do të jetë e zonja të shembi robërinë të trashëguar prej Azisë e Orientit.
Nëna, gruaja, mëmëdheu janë një“ thotë atdhetari. Sipas tij nëna kosovare mund
të quhet lirisht nënë e kombit, ajo është e thjeshtë, e qartë dhe e sinqertë.
Ajo është bashkatdhetaria që krijon brezat e ardhshëm për sigurimin e qenies
kombëtare e jetës së kombit”,[10]
e këtë vërtetë më së miri e dëshmuan gratë e Boletinëve në luftëra të pa ndërprera.
Kulla e
Boletinëve ishte e kthyer në seli kuvendesh ku luftëtarët nga Boletini dhe
fshatrat fqinje, mblidheshin dhe diskutonin për fatet e atdheut dhe për masat që
duhet marrë. Nëna Ajshja edhe në këto kuvende ishte e pa ndashme. Për rezistencën
e saj ndaj pushtuesve tregojnë shumë ngjarje që lidhen me të. Më 1895 vetë
Valiu kishte ardhur në Mitrovicë për të drejtuar operacionin kundër Kosovës së
panënshtruar. Bimbashi i ngarkuar për të bërë operacionin, i cili kishte qenë
edhe herë tjera në Boletin, llogaritët për sulme ditën e Bajramit, duke menduar
se Isa Boletini do ta befasoi dhe do ta gjejë të pa përgatitur. Ai duke u
shtirur si mikë i familjes, vije në kullë dhe fillon bisedën dhe e gostitin
mysafirin, por në ndërkohë nga jashtë dëgjohen krisma pushkësh, dhe çdo gjë u bë
e qartë. Nëna Ajshe si pa të keq i tha bimbashit – Mehmet Efendiut se “kësaj
herë për bajram na paske ardhur me dajre e borie”, - “E çka ti bësh detyrës,
zonjë”[11],
u gjegjë mysafiri dinak, e preu në mes muhabetin i hipi kalit dhe u kthye me
vrap në ushtri. Në të ngrysur beteja mbaroi. Në mes ushtarëve u gjend i vrarë
edhe bimbashi turk. Gjithë ditën vazhdoi lufta, nëna Ajshe me patllake në brez
nuk e zinte vendi vend. Shkonte e vinte gjatë murit të oborrit dhe me një
kujdes të madh përcillte betejën dhe në çdo moment ishte e gatshme për t’iu dhënë
ndihmë luftëtarëve. Ajo në çdo çast ishte e gatshme të vërsulej për tu zënë
atyre vendet për të marr hakun e djalit, po qese atij apo ndonjë luftëtari tjetër
i ndodhte diçka. Gëzimi i nënës ishte i pa kufij kur shihte djalin si iu bënte
ballë sulmeve, e ishte gjithnjë në krye të shokëve e i thërriste ajo “Qëndro i
fortë, biro, se të ka ba nana djalë, të luftosh me pashallarë”.[12]
Pas
vrasjes së bimbashit dhe humbjeve të mëdha që pësuan turqit, ndihma të mëdha
ushtarësh erdhën gjatë tërë natës në Boletin për ta djegur e shkatërruar. Isa
si strateg që ishte, ai s’bashku me luftëtarët, burra e gra të Boletinit lëshoi
kullat, në dalje nga fshati, panë tymin që dilte nga ato. Përsëri nëna Ajshe
ishte ajo që e përkrahte dhe me mençuri të stërholluar e ngushëllonte – “Le ti
djegin, biro, ato janë vjetrua e ke me i ba edhe më të mira”,[13]
i tha ajo dhe vërtetë ndodhi ashtu kullat e Boletinëve u bën edhe më të forta
edhe më krenare.
Që nga ajo natë qershori filluan peripecitë e pa numërta të grave e të fëmijëve të kësaj kulle, të cilat kush e di sa e sa herë kanë dalë prej sajë vetëm me rroba trupi, e kush e di sa e sa herë të tjera janë djegur e plaçkitur nga të huajt. Nëna Ajshe, jo që ishte vetëm trime, por ajo njihej edhe si një grua e përparuar, e përgatitur, e plotë me një personalitet, dinjitet e sedër, me një fisnikëri të jashtëzakonshme, po kjo grua ishte e zonja që përgjithmonë të mbajë lartë flamurin e nderit, të familjes e kombit.[14]
Tregojnë
për këtë grua, me rastin e vrasjes së djalit të vëllait të Isës, Ahmetit, (gjysma e marsit
1894), Tafil Boletini e përshkruan kështu nënën Ajshe “Ajo rrinte te kryet e
djalit të vetëm të vrarë, pa derdhë një pikë loti”.Po të mos ishte Beqir Voca,
plaku i Shalës, që ishte mikë i shtëpisë, ekzistonte mundësia që familja e
Boletinëve të zhdukej, pasi se pas kësaj vrasjeje qëndronte pushteti turk. Ai
shkoi te nëna Ajshe dhe iu drejtua me këto fjalë: “Loke, djali deri tash tri
herë tu shpagua. E keqja s’ka skaj, Isa s’po ju ndahet. Në vrull të luftës shtëpitë
kërcënohen me i kapë flaka. Aty ka edhe gra e fëmijë, vetëm ti mundesh me e ndalua
Isën dhe me evitua atë rrezik”.[15]
Plaku i Shalës e dinte peshën e fjalës që e kishte nëna Ajshe tek i biri. Ajo
me shkopin në dorë drejtohej për në Zhazhë, që nuk ishte larg. Në momentin më
kritik e kërkon djalin por ky e kupton qëllimin e saj e nuk i del para. Atëherë
ajo thërret më za të naltë. “Ndaleni pushkën se kamë ra ndërmjet”. Të dy palët
posa dëgjuan zërin e nënës e ndërprenë luftën.[16]
Se nënë Ajshen e njihnin dhe e respektonin që të gjithë flet edhe kjo e dhënë,
Isa Boletini duke parë nënën në mes të zjarrit i afrohet, e kap për krahësh
duke iu drejtuar “Loke për riza të zotit shko në shpi”, “Qe besa pa ty jo”, ia kthen
nëna. E kapë për krahu djalin dhe përsëri me za të naltë thërret “Dëgjoni të dy
palët, deri sot një muaj ju kamë dhënë besën, mundeni me dalë lirishtë” dhe me
këtë gjest shpëtoi një fshatë nga një tragjedi e sigurt.[17]
Ja, pra, edhe kjo dëshmon se nënë Ajshja ishte grua që falte mikun dhe dënonte
armikun në të njëjtën kohë.
Por, edhe
pas vrasjes së djalit – Ahmetit, armiku nuk u kënaqë me aq, qëllimi ishte që në
një mënyrë më perfide të likuidohet edhe Isaj, se nga ai kishin një frikë më të
madhe. Me ndihmën e dy bashkëkombësve, që i kishte blerë hyçmeti, vijnë në
Boletin për ta vrarë edhe vetë Isën nga prita. Mirëpo kulla e Boletinëve asnjëherë
nuk kishte qenë pa qenë rojës të kullës. Qentë e kullës i hetuan ata, dhe i
sulmuan, ata shpirtshiturit, hipën në një pemë. Qëndruan burracakët tërë natën.
Ti vrisnin qenët nuk guxonin, se kishin frikë se do të zbulohen. Dielli i zuri
maje peme. E para që doli nga kulla atë mëngjes qe nëna Ajshja, që shkonte te
një fqinjë për një punë. Tradhtarët posa e panë nënë loken u gëzuan, dhe nga larg
e thirrën “Oj, nona Ajshe, pashë zotin na i largo qentë se s’na lanë me zbrit e
me udhtue”.
-
“Po që keqe ju ka pru këtu” pyeti
ajo me kureshtje.
-
“Taksirati ynë o nënë. Por në dorën
tënde po biem teslim”.[18]
Me të
dëgjuar këto fjalë, ajo i largoi qentë, i la ata që të
zbresin, dhe duke i përcjellë iu tha: “Dëgjoni or burra. Kjo punë njëherë u bë,
tjetër herë mos t’iu rrejë mendja se qentë iu zënë rob, me ju pas marrë vesh
burrat medet për juve”. Vetvetiu shtrohet pyetja, pse nëna Ajshe veproi kështu:
Nga shpirtmadhësia apo më shumë nga urtësia. Ajo e dinte pse kishin ardhur ata
njerëz, por nga shkaku se Isa qe i vetmi birë që i pat mbetur dhe me gjasë nuk deshi
ta rëndonte gjendjen e saj, e të jetë shkak për zënka, grindje e vrasje të
tjera. Ajo me këtë dëshmoi edhe njëherë se sa e mirë dhe e mençur qe. Mirësjellja
e saj ishte tepër indikativë për të kuptuar mërzinë e saj për të birin, shqetësimet
e kohës dhe të jetës së nënave shqiptare, dhe gjithsesi ndikimin e ngjarjeve të
stuhishme që e vërshonin Kosovën. Në këto rrethana të robërisë plagët e atdheut
do të zgjerohen, vuajtjet do të thellohen me një ritëm të pa parë, ndërsa pezmi
te masat e gjëra popullore po i afrohej pikës së vlimit. Secila heshtje dhe
secili veprim në atë kohë lente përshtypjen e thellë të pa sigurisë të
okupuesit dhe të halleve të mëdha të qeverise.
Vajza e
Isës, Ajete Boletini në kujtimet e veta rrëfen se i mbanë mirë në mend ngjarjet
e asaj kohe kur i ati përgatitej të fillonte luftën më të madhe e më të
organizuar, kryengritjen e vitit 1909, të cilën e pasuan me radhë vitet 1910,
1911, 1912. Ka qenë një dimër i egër me borë e llohë dhe lufta ishte ndezur e rreptë,
burrat luftuan e thuajse u ndeshën trup me trup me armikun.[19]
Qëndronte Isa me djem brenda në kullë i plagosur. I kishin mësuar çikat e grat
e Boletinëve të shtinin me mauzerë, kur trimat ishin larg, po kur luftonin në
kullë, gratë ishin ndihma e parë e të plagosurve, të cilat pastaj largonin
menjëherë nga kulla, që të mos binin në dorë të armikut. Ndërsa Tafili shton
“Se kur u plagos axha Isa, aq shumë u dëshpërova sa që më ngjau se u rrëzua
kulmi i shtëpisë e më shtypi. Atëherë ra në kullë gjyshja (nëna Ajshe), i vuri
djathë të kripur e ia lidhi varrën me shami. Pas kësaj Xhemën që e mbronte kullën
me Halilin, axha i qon te na në Koritë të Gurit, e vetë e vënë mauzerin në
pengjere dhe e vazhdon luftën”.[20]
Nëna pranë
djalit të plagosur vepronte si një faktorë pozitiv e stimulues – konstruktivë.
Ajo ishte një shkëmb i pa thyeshëm në themelet e kombit. Inteligjencën,
shpirtin, zemrën dhe energjinë që posedonte, ajo ishte në gjendje që ta jap,
atje ku ju ofronte mundësia. Ajo dëftonte një sakrificë të jashtëzakonshme duke
qëndruar pranë djalit dhe me djalin në frontin e luftës.
Nëna
Ajshe, gratë e Boletinëve, bijat e Kosovës e të Shqipërisë, nuk u ankuan, e nuk
u mërzitën por qëndruan në çastet më të thella e të humbjeve të mëdha, ashtu si
u kishte hije grave të një fisi luftëtarësh të pa përkulur. Qëndronin ato, edhe
atëherë kur armiku i ndiqte hap pas hapi, ato iknin nëpër borë me djepa në
krah, me fëmijë të vegjël, të sëmurë nga fruthi. Iknin veshur hollë, sepse i
ndiqnin plumbat, i ndiqnin xhelatët, koha e keqe e mjerimet, uria e vdekja. Po
në atë kohë për të qenë e keqja edhe më e madhe Xhavit Pasha kishte lëshuar urdhrin
“Kush mban në shtëpi robët e Isa Boletinit do të digjet me çka ka”,[21]
por fshatarët, njerëzit e thjeshtë që ishin ngritur në luftë kundër turkut, i
mbajtën e i strehuan gratë dhe fëmijët. “Ku të jemi ne të gjithë, do të qëndroni
edhe ju”,[22]
thoshin fshatarë. Gratë e Boletinëve, nuk donin që me strehimin e tyre të dëmtonin
ata, tërë ditën iknin nga shtëpitë duke u strehuar në ndonjë vend më të sigurt
në mal a përrua, në mbrëmje ktheheshin në shtëpia të mikpritësve të vet. Por
syrit të turqve nuk i shpëtonte se ku ishin strehuar njerëzit e Isës. Pasi
zbulonin familjet mirëpritëse, i ndëshkonin ata, duke iu kallur shtëpitë. Mirëpo,
edhe kjo nuk i frikonte fshatarët, ata përkundrazi iu ofronin mikpritje me ate
që kishin e mundnin.
Për gratë
e Boletinëve, ndjekjet, krismat e pushkëve dhe vdekjet ishin vetë jeta e tyre.
Andaj i kujtohet bijës së Isasë- Ajetes “se kur filloi beteja me Xhavit Pashën
ishte një kohë e vështirë, babai u plagos rëndë, nëna Ajshe i mjekonte plagën
me djathë të kripur, dhe sa mundte i epte zemër “Mos u mërzit biri im se lufta
kështu e ka” i thoshte ajo. Gratë e fëmijët i lëshuan kullat. Ishte aq e shpejtë
dhe aq e vështirë ikja, sa njëra nga nuset e Boletinëve nuk kishte më forcë me
qa borën e të mbante djalin në djep në krah. Ish gati ta mbulonte bora djalin,
kur njëra nga kunatat që e mbante manxerrën të gatshme në krah e që shtinte me
të sa herë që i vinte ndonjë rrezik i ri kullës, u kthye e rrëmbeu fëmijën që
po e mbulonte bora, i dha kuraje nuses së re, dhe kështu shpëtuan nga rreziku i
kohës dhe i armikut.
Turqit
nuk u kënaqën vetëm me ndjekje të anëtarëve të familjes së Isa Boletinit, por
ata persekutonin të gjithë ata që iu bashkonin atij dhe e mbronin familjen e
tij. Kështu në një rast kur turqit i djegën kullën një malësori, ata me përbuzje
e pyetën se a do ta strehonte përsëri familjen e Isasë. Ai po në të njëjtën mënyrë
ia ktheu përgjigjen duke i përbuzur deri në
skajshmëri “pse paskeni aq shumë nge, sa me më ardhë çdo herë me ma djeg
kullën sa herë që pres Isa Boletinin”.[23]
Sa më i madh u bënte zullumi mbi fshatarët
ata çdo herë u bënin më të fortë dhe më të bindur në fitoren e tyre. Përgjigja
e fshatarit se do ta mbajë përsëri Isën ata i tërboi fare. Atij iu kërcënuan se
herën tjetër do t’i djegin edhe robët e shtëpisë dhe çdo gjë tjetër. Nga kërcënimet
malësori nuk i frikësonte, por me krenari iu përgjigj “poqese edhe sot një muaj
vini, do të ma gjeni një kullë edhe më të madhe edhe më të bukur, se edhe ashtu
pata menduar t’ia shkundi pluhurin kësaj të vjetrës”, tha fshatari.
Në Kosovë
lëvizjet çlirimtare nuk pushonin. Sa shuheshin në një krah fillonin në krahun
tjetër. Më 1892 autoritetet të informuara mirë se Isa Boletini merrte pjesë në
luftë që u bënte në anën e Llapit, ata e sulmojnë Boletinin me një fuqi të
madhe ushtarësh të ardhur nga Mitrovica. Familja e Boletinëve posa e vërejtën
ushtrinë, me gra e fëmijë u strehuan në një lagje tjetër. Edhe kësaj radhe në
mungesë të njerëzve të shtëpisë i dogjën kullat dhe plaçkitën çdo gjë që gjetën
në të. Gratë e fëmijët të strehuar nga larg shikonin flakën që dilte nga kullat
dhe turqit e tërbuar se si nëpër livadhe e ara i mblidhnin bagëtinë për nevojat
e tyre.
Djegia e
kullave nuk u bë për herë të parë më 1892. Ato u djegën 6 herë me radhë duke
filluar që nga viti 1750 – djegia e parë, djegia e dytë u bë rreth viteve 1830,
djegia e tretë u bë më 1892, më 1895 u bë djegia e katërt, djegia e pestë u bë
më 1908 në lufta me Xhavit Pashën dhe djegia e gjashtë u bë më 1912 gjatë
revolucionit. Nga të gjitha këto që u cekën më lartë vijmë në përfundim se
familja e Boletinëve ishte një familje që asnjëherë nuk u pajtua nën zgjedhë të
huaj duke filluar që nga viti 1750. Vetëm veprimtaria patriotike e Isa
Boletinit sipas të dhënave që disponojmë mund të përfshihet nga viti 1886 kur u
bë lufta e Ahmet Boletinit në saraje me Rexhep Pashë Matin, dhe ka vazhduar
deri më 1916, çka do të thotë se Isa Boletini 30 vjet ka bërë luftë me turq dhe
armiq të tjerë të tokave shqiptare.
Patjetër duhet cekur të dhënën se Isa Boletini ka qenë arsimdashës i madh. Më 1899 me iniciativën e tij u ngrit shkolla në Boletin, afër kullave të Boletinëve ku në të punonte një mësues privat. Në këtë shkollë mësimet i ndiqnin fëmijët e kullës dhe të lagjeve të tjera për rreth. Mësuesi përveç rrogës ushqimin e kishte falas në konak, ndërsa familja e tij që jetonte jashtë fshatit i kishte të siguruar drutë për dimër dhe drithin për tërë vitin. Veç kësaj shkolle Isa Boletini ngriti edhe një shkollë në fshatin Koshutovë, afër Mitrovicës që kishte 70 shtëpi me shpenzime të veta.[24] Sa ishte për shkollimin e fëmijëve më së miri dëshmon e dhëna se deri sa Isa ndodhej në Stamboll ai i mori edhe djemtë me vete për t’i shkolluar si Tafilin, Halilin, Mujën e Ademin. Sipas kujtimeve të Tafilit, ai dëshmon : “Axha na vendosi në shkollën Ashiret. Nga Mitrovica për në Stamboll na përcolli Ibrahim Deva me mësuesin Imer Efendiun, edhe nëna gjyshe (nëna Ajshe) erdhi me ne në Stamboll duke thënë se “po ia qoi djemtë që të çmallet se nuk ia la në Stamboll me mi que në mejtep e me mi ba memurë (nëpunës), se memur kemi boll”. Në stacion të Stambollit po na priste axha Isa meqë nuk e kishte pa një vjet, para se të përqafohej me të i tha “Ah qafir qafiri, lëre se vet humbe po edhe djemtë do t’mi qosh në mejtep. Nuk t’i la, prapë do t’i marr me vete”.[25] A thua vallë që shtyri këtë grua të ngritur të veproi në këtë mënyrë pasi se edhe në Boletinë vepronte shkolla dhe vetë ajo ishte shkaktare e hapjes së shkollës, apo ishte diçka tjetër që i pengonte asaj. Nëna Ajshe kishte vetëm një arsye që të sillej në këtë mënyrë, ishte frika dhe droja e saj se ajo do t’i humbë edhe nipërit e vet me shkuarjen në Stamboll, se kthimi i Isait nuk ishte edhe i sigurt nga atje. Nëna Ajshe ishte mbi të gjitha nënë, që i donte fëmijët e saj në kullën e vet. Në kujtimet e veta Ajete Boletini për nisjen e burrave për Shqipëri, për të shpallur pavarësinë tregon “Burrat ishin veshur me tirq të zinj e xhamadan të kuq, dhe ishin shumë të gëzuar”.[26] Vinin burrat e Boletinit në Shqipërinë e lirë. Kishin një gëzim, po edhe një droje si do të vente filli i tyre. Kishin filluar turbullirat e luftës ballkanike e po dilnin më të qarta lakmitë të pa ngopura të shovinistëve serb. Gratë e Boletinëve në kullat e veta prisnin burrat dhe me shpresat më të mëdha prisnin ditët më të mira për Kosovën, por ato nuk erdhën kurrë për Kosovën kryengritëse. Fuqitë e mëdha morën nëpër këmbë gjakun dhe jetën e një populli të vogël dhe caktuan kufijtë e vitit 1913.
Gjatë kohës
derisa Isai ndodhej në Shqipëri, më 1912, shovinistët serb, jo pa qëllim, ata
mbajtën familjen e Isës në Mitrovicë, e nuk e dëbuan siç bënë me qindra familje
kosovare. Nga ai qëndrim “dashamirëse” dhe i “kujdesshëm” që u mbajt ndaj
familjes Boletini në fund të vitit 1912 kur Isai u largua për në Vlorë, mbas
shtypjes së kryengritjes së shtatorit më 1913, u kalua në presion të hapur dhe
nënës së Isait iu kërkua që ta tërhiqte atë në Mitrovicë, madje, serbët edhe e
kërcënuan se do ta largonin me të gjithë të afërmit nga Kosova. Por edhe këto përpjekje
të serbëve përfunduan pa suksese. Ata nuk mundën t’i diktonin vullnetin e tyre
Ajshe Boletinit.[27]
Sipas konsullit Austro – Hungarezë në Mitrovicë, nëna e Isait i dha këtë përgjigje
nëpunësit të Serbisë “Nuk e di ku ndodhej djali im, prandaj s’kam për të bërë
asgjë për ta bindur që të kthehet. Dijeni se unë jam nëna e Isa Boletinit e ju
deklaroi se askush nuk mund të na detyrojë të lëmë shtëpinë tonë, jeni të lirë
të na vrisni, ose të vini zjarrin shtëpisë mbi kokat tona, por të gjallë ju nuk
mundeni të na nxirrni nga shtëpia”.[28]
Meqenëse Qeveria Serbe nuk arriti të shtinte në dorë edhe me këtë presion Isa
Boletinin, ajo urdhëroi Komandën Supreme që të kapej Isa Boletini, Bajram Curri
e atdhetarë të tjerë që të vriteshin gjë që komanda e lartë ushtarake serbe nuk
mundi t’ia arrinte.
Ndërsa në
kujtimet e Tafil Boletinit thuhet se “Qeveria serbe për t’i pre hovin luftës,
kishte vendosur internimin e familjeve të të gjithë atyre që ishin larguar prej
shtëpive e që u quajtshin kaçak. Vendosën edhe internimin e familjes sonë,
sikur ishte pakë që e mbanin nën roje me xhandarë te dera, vijnë te dera me
pleqësi të lagjes, thërrasin gjyshen e nënën time dhe i urdhërojnë që të dilnin
të gjithë për me shkua në internim. Nëna thotë “Fëmijë e gra jo e unë ku të
doni”, me të dëgjuar fjalën internim, robët alarmohen. Gruaja e axhës Isa –
Qamilja, në moment e kap një bidon vajguri dhe e venë në derë e me shkrepës në
dorë ju thotë “Sa me dek me 30 shpirta, gra e fëmijë rrugëve të Serbisë e me u
bë horë, shumë më mirë po përvëlohemi në shpinë tonë”. Çështja alarmohet,
autoritetet vrapojnë e përpiqen për me e bindë, por pa dobi. Nga frika e ndonjë
skandali që mund të bëhej nga vendosmëria e Qamiles, meqenëse shtëpia ndodhej për
karshi Konsullatës Austriake, autoritetet u larguan dhe në këtë mënyrë shpëtuam
nga internimi.[29]
Autoritetet e panë se nuk bëhej shaka me gruan e Isa Boletinit. Po ata kishin
edhe njëmijë plane e intriga për ta likuiduar Isën. Me ndihmën e Malit të Zi
dhe të konsullit francez më 16 janar të vitit 1916 në Podgoricë u vra me
tradhti Isa Boletini me shtat veta.
1. Isa Boletini, 51 vjeçar.
2. Halil Boletini, i biri i Isait, 24 vjeçar.
3. Seid Boletini, i biri i Isait, student i Vjenës, 18 vjeçar.
4. Januz Boletini, i nipi i Isait, 26 vjeçar.
5. Halit Boletini, i nipi i Isait, 24 vjeçar.
6. Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait dhe dhëndër, 30 vjeçar.
7. Idriz Bislimi, djali i vëllait Hajdari, 18 vjeçar.
8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri i Isait 26 vjeçar.[30]
Gratë e Boletinëve edhe kësaj tragjedie i
qëndruan të forta e krenare. I kishin përcjell djemtë e burrat në lulen e moshës,
trima të rrallë që iu kishin bërë ballë aq shumë luftëtarëve të rrepta, i
kishin përcjell me shpresa të mëdha e me ëndrra të bukura e nuk i pan më kurrë.
Nënë Ajshe Boletini, do ta godiste pa masë
humbje e djalit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, por ajo si përherë do të
dijë të qëndroi e fortë dhe me dinjitet, por çka do të fitojë edhe admirimin e
mbar kombit, bile edhe të armiqve të popullit të saj.
Ajo priti dhe i përcolli me patllake në
brez të gjithë ata që erdhën për ngushëllim. Ajo nuk qau, por e pati shumë të vështirë
kthimin e kuajve pa të zotët e tyre.
Nga e tërë kjo që u tha më lartë për nënën
Ajshe, për Ajshe Boletinin për nënën e Isa Boletinit, më imponohet thënia e
Ismail Qemalit, e rilindësit tonë të shquar kur thotë se: “Në asnjë vend të botës
gruaja nuk gëzon atë nderin, që ka në vendin tim”,[31]
dhe vërtet kjo biografi e shkurtër e nënës Ajshe dhe veprimtaria e saj na
detyron ta nderojmë dhe ta respektojmë atë NËNË TË MADHE të kombit.
[1] Mediha
Shuteriqi, Gruaja shqiptare në luftë për çlirimin kombëtar, Simpoziumi për Skënderbeun
(9-12 maj, 1968), Prishtinë, 1969, Fq. 406.
[2] Skënder
Luarasi, Isa Boletini, Prishtinë, 1972, fq. 11.
[3]
[4] Dr. Sabile Keçmezi
– Basha, Gruaja shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare, Bujku, 24-30 janar,
1996.
[5] Skënder
Luarasi, Ismail Qemali, Rilindja 1971, fq. 107.
[6]
[7] AQSH, nr. 74,
dos. Nr. 4.
[8] Dr. Fatmira
Musa, Isa Boletini, Tiranë 1987, fq. 14.
[9] Skënder
Luarasi, vepër e cituar, fq. 83.
[10] Samim Visoka,
Nëna Kosovë, Tiranë 1995, fq. 69.
[11] Skënder
Luarasi, Isa Boletini, Prishtinë 1972, fq. 14.
[12] Eglantina
Mandia, Gra qëlidhen epoka, “Shqipëria e Re”, nr. 2, 1979, Tiranë.
[13] Skender
Luarasi, v.c.fq.13.
[14] Samim Visoka,
Nëna Kosovë, Tiranë 1995, fq. 69.
[15] Tafil
Boletini, Pran Isa Boletinit, Tetovë 1996, fq. 24.
[16]
[17]
[18] Tafil
Boletini, Pran Isa Boletinit, fq. 24.
[19] Englantina Mandia,
Gra që lidhen epoka, ‘Shqipëria e Re”, nr. 2, 1979, Tiranë.
[20] Tafil
Boletini, v.p. fq. 76.
[21] Skender
Luarasi, v.p.
[22] Eglantina
Mandina, v.p.
[23]
[24] Tafil
Boletini, v.c fdq. 220.
[25] Tafil
Boletini, v.c. fq. 220.
[26] Englantina
Mandia, v.c.
[27] Dr. Fatmira
Musa, v.c. fq. 189.
[28] Raporti i
konsullit Austro – Hungares në Mitrovicë, 24 tetor, 1913.
[29] Tafil
Boletini, Pran Isa Boletinit, Tetovë 1996, fq. 168.
[30] Tafil
Boletini, vp.c. fq. 168.
[31] Skënder
Luarasi, Ismail Qemali, Rilindja 1971, fq. 107.