E marte, 08.10.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Faleminderit

Milazim Kadriu: Përfundon manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së"

E diele, 07.03.2010, 09:11 PM


Përfundon manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së"

SHËMBËLLTYRA E FAMILJES JASHARI ËSHTË UNIKATE PËR BREZAT E ARDHSHME

Nga Milazim KADRIU

Sakrifica e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe më shumë se 50 anëtarëve të familjes së tij, të vrarë nga forcat kriminale serbe, është njëra ndër pikat më sublime e cila i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për lirinë nga sundimi i huaj, pavarësisht çmimit të lartë që duhej paguar.

Në kuadër të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së”, u bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, ndërsa në  Sallën e Kuqe  të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve u mbajt Akademia Përkujtimore. Në këtë akademi morën pjesë familjarë të legjendarit,  familjarë të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës dhe personalitete shoqërore e kulturore. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Një fjalë për Legjendarin dhe luftën e qëndresën e tij e paraqiti edhe akademiku, Rexhep Qosja. Të pranishmit, në emër të familjes i përshëndeti Rifat Jashari. Në përmbyllje të manifestimit sot në orën 18:00, në Prekaz mbahet manifestimi kulturor tradicional “Nata e Zjarreve”. Po sonte ndizen zjarre në të gjitha vendet  ku janë zhvilluar beteja të luftëtarëve të UÇK-së kundër forcave okupatore serbe.

Prekazi, vendlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, gjatë këtyre tri ditëve u vizitua  nga qytetarët shqiptarë  prej të gjitha viseve të Shqipërisë etnike. Homazhe pranë varreve të familjes Jashari  kanë bërë edhe autoritetet më të larta të vendit, kryetari, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryekuvendari, Jakup Krasniqi, zyrtarë të kabinetit qeveritar, personalitete nga jeta politike e kulturore dhe qindra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë. Duke folur për aktivitetin çlirimtar të kryetrimit që lindi epokën, kryeministri i Qeverisë së Kosovës  Hashim Thaçi tha se vepra e komandantit Adem Jashari ka qenë, është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe në të ardhmen për gjithë popullin e Kosovës, i cili asnjëherë nuk do të harrojë sakrificën sublime të familjes Jashari në luftën për liri.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se shëmbëlltyra e familjes Jashari është unikate për brezat e ardhshme, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzit e tjerë të botës që e duan lirinë.

"Për ne mbetet borxh i vazhdueshëm që amaneti i tyre si vizion, si qasje për lirinë e vendit dhe ndërtimin e tij mbi bazë të zhvillimeve të mira, ta ecim përpara dhe natyrisht Kosovën ta bëjmë ashtu siç e kanë dashur të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e saj”, ka thënë Sejdiu.

Kryeministri Thaçi ka thënë se vepra e komandant Adem Jasharit ka qenë është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe në të ardhmen për gjithë popullin e Kosovës, i cili asnjëherë nuk do të harrojë sakrificën sublime të familjes Jasahri në luftën për liri.

“Sakrifica sublime e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ka qenë, është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe në të ardhmen. Ky është vendi edhe i lavdisë edhe krenarisë, por edhe i marrjes së përgjegjësive të reja në angazhimet tona demokratike kombëtare dhe euroatlantike”, ka thënë Thaçi.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka vlerësuar se Prekazi legjendar është vendi i cili i bashkon të gjithë shqiptarët për të shënuar Epopenë e madhërishme të UÇK-së, falë luftës të të cilës sot ne gëzojmë lirinë.

“Këtu nga ku jemi sot janë shpërndarë rrezet e dritës, rrezet e lirisë. Sot pas 12 vjetësh të gjitha rrugët e Kosovës vijnë në Prekaz për të nderuar dhe për t’u përkulur para atyre që gjithçka që patën e patën për lirinë dhe ardhmërinë e vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.

Me manifestimin kulturor tradicional “Nata e zjarreve” në Prekaz, do të përmbyllen ditët e “Epopesë së UÇK”-së, kushtuar 12-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, të më shumë se 50 anëtarëve të familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në shenjë nderimi të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së” anembanë Kosovës në pikat ku u zhvilluan betejat më të njohura të UÇK-së për liri u ndezën zjarre dhe u mbajtën programe kulturore.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora