E shtune, 05.10.2024, 10:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Shejh Ali Kruja (1884 -1976)

E merkure, 10.03.2010, 11:55 PM


SHEJH ALI KRUJA (1884 -1976)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

         Shejh Ali Kruja ishte hoxhë, haxhi, hafiz, shejh, dijetar, besimtar, atdhetar, luftëtar....

Shejh Idriz Ali Kruja, djali i Shejh Ali Krujës, në mes të dy hoxhallarëve,
Imam Muhametd Sytari dhe Didmar Faja, Imam në Qendrën Islame në Arizona, SHBA, në vizitë, Ditën e Ashuresë, me 7 janar 2009, në Teqenë e Rifa’ive në Shkodër...

     Shejh Ali Kruja lindi më 30 Mars 1884 në Shkodër. Është djali i Mulla Bejto Krujës, që ka shërbye në fillim si myezin, ndërsa më vonë si imam në Xhaminë e Pazarit të Vjetër në Shkodër.
    Mësimet fillestare  i kreu në  mejtepin e Xhamisë të lagjës “Ndocej” në Shkodër, ku dallohej për zgjuartësi përherë, në mes të nxënësve tjerë. 
    Në moshën 14 vjeçare u regjistrue në Medresenë e Pazarit në Shkodër, ku myderrizi kryesor ishte Haxhi Jusuf Kelmendi, njëri prej dijetarëve më të shquar të Shkodrës.
     Në këtë medrese, përveç mësimeve të rregullta, Ali Kruja e mësoi përmendësh  Librin e Shenjtë, Kur’anin e madhnueshëm dhe kështu e përfitoi titullin e nderuar hafiz.
     Në vitin 1907, pasi diplomoi, Hafiz Ali Kruja e filloi shërbimin e tij si imam në disa xhami, si në Xhaminë e Pazarit, në Xhaminë e Selvisë dhe në xhami të tjera në Shkodër. Kështu, hoxha i ri, Hafiz Ali Kruja, 23 vjeçar, e zhvilloi veprimtarinë e tij me devotshmëri deri në fund të vitit 1912...
      Në fund të vitit 1912 e ndërpreu shërbimin si imam në xhami, për arsye se po rrethohej Shkodra, po rrezikohej Nana Shqipni...
      Me 8 tetor 1912 filloi Rrethimi i Shkodrës, nga forcat pushtuese malazeze dhe serbe, i cili zgjati 183 ditë, deri më 13 Maj 1913....
      Në komandën e gjeneralit Hasan Riza Pashës, i cili ishte edhe Valiu i Shkodrës, filloi mbrojta e Shkodrës...Në pragun e betejës, Hasan Riza Pasha, i mblodhi të gjithë komandantët e tij e, ndër të tjera, iu tha: 
“Ky qytet nuk do të bier në dorën e malazezëve. Shkodra është fati ynë ose varri ynë, por jo turpi ynë. Sot kemi 5 mijë trupa ushtarake, por mbi 20 mijë të tjerë janë duke ardhur në ndihmën tonë. Që sot fillon një betejë e vështirë, që asnjë nga ne nuk e di se sa do të zgjasë." 
  Ndër mijëra vullnetarë në mbrojtje të Shkodrës, thirrjes së tellallit: “Kush don me luftue për Fe e Atdhe”, iu përgjigjën edhe hoxhallarë, ndër ta, Hafiz Ali Kruja,  ishte ndër të parët...
   Hafiz Ali Kruja, la gruan e fëmijët, e me armët e veta doli përball armikut në frontin e Taroboshit, ku luftoi me trimëri për gjashtë muaj, derisa Shkodra u lirue...” 
    Në Shkodrën e lirë, Hafiz Ali Kruja e vazhdoi detyrën e imamit në xhami, të mësuesit e predikuesit deri në vitin 1920. Por, në vitin 1920, sërish e la detyrën e hoxhës, e la xhaminë, e la familjen, e la shtëpinë, për të luftue si vullnetar, në frontin e Koplikut, për të mbrojtur Shqipninë...Shqipnija, n’atë kohë, ishte në rrezik, sulmohej, nga Sërbia...Gjatë një beteje kundër Sërbisë, u plagosë rëndë në kokë, humbi syrin e majtë, ia fali dritën e synit Shqipnisë...
     Pas luftës së Koplikut, Hafiz Ali Kruja, tani me një sy, iu përkushtue me shumë devotshmëri, rrugës shpirtërore, tarikatit Rifa’i...Në fillim ishte murid, pastaj dervish e më vonë shejh, i graduem nga Shejh Ademi nga Gjakova... 

Kush ishte Shejh Ademi?
    
       Shejh Adem Nuri Gjakova është një nga personalitetet më të çmuara, më të vlerësuara që ka nxjerrë jo vetëm Gjakova, por edhe Kosova…
       Lindi në Gjakovë në vitin 1896. ËShtë djali i Shejh Haxhi Musasë, themelues, përfaqësues i rrugës mistike Islame, i Tarikatit Rifa’i, ku flitet shqip, ku i thonë Shqipni.                
       Haxhi Shejh Musaja (1855-1917) ishte një burrë i ditur, i ndritur, kishte studiuar në Stamboll, prej atyhit nga Shejh Ibrahimit, i Teqesë së Rifa’i-ve të Stambollit, kishte marrë Hilafetnamenë dhe ishte dërguar misionar në Gjakovë, në vitin 1875, ku ishte pritur me dashamirësi… 
       Në vitin 1882, Haxhi Shej Musaja, me ndihmën e disa ylemave të Gjakovës e të popullit, e ndërtoj një teqe madhështore, e cila është “Asetane” “Nana e Teqeve” e Tarikatit Rifa’i, për Kosovë dhe Shqipni…
       Adem Nuri Gjakova mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Gjakovë, pranë babait, Haxhi Shejh Musasë, po në Gjakovë e kreu edhe “Ruzhdijen”, ndërsa studimet e larta në Stamboll, gjatë vitëve 1911-1916).
       Gjatë studimeve në Stamboll, Adem Nuriu takohej shpesh me dijetarin sufi, Shejh Xhemaluddin Efendi er-Rifa’i, i cili e frymëzoi, e ndriçoi me njohuri, siç dinë mjeshtërit sufi dhe atij i dha besën, iu betue se këtë rrugë ka me vazhdue…
      Shejh Adem Gjakova këtë rrugë e vazhdoj, e përhapi, nga Gjakova në Shkodër, në Veri, nga Shkodra deri në Vlorë, nëpër Shqipni…
     Jeta e tij në këtë botë ishte e shkurtër, por veprimtaria e tij ishte e gjatë, sepse punoi ditë e natë…
     Kam pasë rastin me u takue me myhybë të tij, burra, pleqë të mençur të Malësisë së Gjakovës, në Shqipni, të cilët më flisnin për Shejh Ademin me shumë dashamirësi, por edhe me lotë në sy…! 
     Shejh Ademi ndrroi jetë në vitin 1938, në Malësinë e Gjakovës, afër qytetit Bajram Curri, pranë lumit të Valbonës, pushon trupi i këtij burri…
     Kur ndrroi jetë në Shkodër, Shejh Ahmed Shkodra (1881-1927), shejh i tarikati Rifa’i, në vend të tij erdhi Shejh Ali Kruja... 
     Shejh Ali Kruja, një burrë i ditur, i ndritur, atdhetar, luftëtar, besimtar, e zhvilloi veprimtarinë e tij, përmes tarikatit Rifa’i, sipas Porosive Hyjnore, të shpallura në ajetet Kur’anore, sipas mësimeve të Pejgamberit (a.s.), për t’u larguar prej territ...
     Qysh në vitin 1928, kur Shqipnija u shpallë Mbretni, Shejh Ali Kruja kishte kishte vizitue vendet e shenjta Mekken e Medinen, ishte ba haxhi...
     Me titujt që gëzonte, si haxhi, hoxhë, hafiz, shejh, me sjelljet e tij, me veprimtari përplotë devotshmëri,  Shejh Ali Kruja kishte arritur t’i gradonte mbi 2000 dervishë-besimtarë, të cilët në gjithë Shqipninë, kudo, ishin shpërndarë... 
     Çfarë iu predikonte Shejh Ali Kruja në teqe dervishëve të tij?
Këtë e thotë Jonuz Metani, zëvendës i tij, në këtë poezi:
"Bismil-lah ma përpara se të fillojmë
T'madhin Zot e Pejgamberin vërtetojmë
Besojmë Melektë, Zoti i krijoi si ne
Ashtu të gjithë Pejgambert qi qenë mbi dhe.
Zoti ata i ka dërguemun n'kët jetë
Me qitabe t'gjithve i'u besova vetë
Edhe prap qi do t'ngjallemi s’kem dyshim 
Mirë e keq qi asht prej Zotit kem besim.
N'udhë të naltit Sej-jid Ahmet Rifai
Këta pika duhen besue mandej me hi." 
Besimtarët e tarikatit "Rifa’i", si çdo musliman veprojnë në bazë të Sheriatit, dispozitave Islame, burimi kryesor i të cilit është Kur'ani dhe Hadithi. Çdo besimtar i mençur, (i shëndoshë nga ana mendore) dhe që ka arritur moshën e pjekurisë e ka për detyrë (farz) të kryejë pa mëdyshje vepra të cilat Allahu i ka urdhëruar. Këta janë: falja e namazeve, agjërimi në muajin e Ramazanit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit (kur i ka kushtet ekonomike dhe shëndetësore) një herë në jetë. 
Përveç se  "të madhin Zot e Pejgamberin vërtetojmë" edhe katër kondita 
duhen t’plotësojmë: 
"Njena m'u falë, sikur thotë ligja e vërtetë
E kem detyrë nji muej në vjetë me ninue
Për me njoftun Zotin, vedin me mundue
Edhe zeqatë për me dhanë detyrë e ke
N'qoftë se e danë dije prap Zotit ia dhe.
N'qoftë zenjin n'Qabe me shkue e ka detyrë
shumë kupton dhe zemra i bahet pasqyrë..." 
     Shejh Ali Kruja ndrroi jetë në Shkodër, në vitin 1976, ku në kohën e komunizmit kishte jetuar i izoluar. Ndrroi jetë në moshën 90 vjeçare, duke mbetur në historinë shqiptare një figurë e shquar fetare dhe atdhetare...
     Sot, në Shkodër, në Shqipni, fryma e tij, si sufi, ende gjallëron dhe atë e drejton djali i tij, Shejh Idriz Ali Kruja, Shejh i tarikatit Rifa’i....


(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora