Nderohet Kujtim Majaci, legjenda e futbollit fierak
| E Hene, 10.08.2009, 06:06 PM |

Nga Bujar Rama, Shekulli

Dje, në Fier, u zhvillua kupa "Kujtim Majaci", ku morën pjesë Tirana, Dinamo, Teuta dhe Apolonia. Bardheblutë ngritën lart trofeun

Me iniciativën e klubit të Apolonisë, Bashkisë së Fierit dhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, është zhvilluar për të parën herë kupa "Majaci", në nderim të ish-futbollistit legjendar të Apolonisë së Fierit, Kujtim Majaci, i ndarë nga jeta në mesin e muajti korrik të këtij viti.

Ka qenë tepër emocionues momenti i startimit të ndeshjes së parë të këtij turneu, teksa i biri 13 vjeçar i të madhit Kujtim Majaci, Albioni, me fanelën me numër 11 në shpinë sikurse e mbante i ati, do të shkelmonte topin e parë dhe më pas do të vraponte drejt posterit të babait të tij, për t'i dhuruar buqetën me lule dhe për ta puthur.

Dhe Majaci i ri është sulmues në skuadrat e moshave të Apolonisë, duke paralajmëruar "rilindjen" e Kujtimit pas jo shumë vitesh. Ka qenë një moment emocionues, që i ka prekur të gjithë të pranishmit.

Më pas do të niste turneu. Ka rënë në sy tribuna VIP, që ka qenë e mbipopulluar me shumë figura të njohura nga fusha e sportit dhe politikës. Kështu, kanë qenë të pranishëm katër presidentët e skuadrave pjesëmarrëse: Refik Halili, Edmond Hasanbelliu, Besnik Sula dhe Endri Puka, president i nderit të Apolonisë së Fierit Koço Kokëdhima, kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, Zëvendëspresidenti i FSHF së, Bujar Kasmi, presidenti i Federatës së Gjyqtarëve dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv tëe FSHF së, Tahir Kastrati, trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu etj.

Në përfundim të turneut, para se të jepej kupa për skuadrën fituese, anëtari i komitetit ekzekutiv të FSHF së, Tahir Kastrati, i ka dorëzuar djalit të Kujtim Majacit medaljen e mirënjohjes, ndërsa më pas, ka qen zv/presidenti i FSHF së, Bujar Kasmi, ai që i ka dhuruar kapitenit të Tiranës, Blendi Nallbani, kupën "Kujtim Majaci 2009". Një tjetër moment emocionues, kur presidenti i Tiranës, Refik Halili, e ka marrë djalin e Majacit dhe e ka futur në mes të fanelave bardhheblu. Sipari nuk kishte se si të binte pa dhënë dhe vlerësime jo vetëm për këtë kupë, por mbi të gjitha për figurën e paharruar dhe mitike të Kujtim Majacit.

Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos: "Turne shumë i bukur. Eshtë një gjë shumë e mirë organizimi i një turneu të tillë për nder të Kujitim Majacit. Ai ka qenë një futbollist i kohës sonë, një njeri që ka lënë gjurmë në futboll. E kujtojmë me shumë dëshirë, me shumë dashuri, ndërsa përsa i përket lojës, mendoj se ka qenë një ndeshje në planin stërvitor, por pa dyshim që Dinamo do të jetë gati për ndeshjet e kampionatit".

Bujar Xhihani, sot gjyqtar në Greqi: "Kujtim Majaci ishte një nga ata lojtarë që e kishim vështirë për ta krahasuar me të tjerë. Ai e ngjiti Apolopnië nga kategoria e dytë në të parën (superliga sot) dhe ka lënë mbresa të veçanta gjatë gjithë karrierës së tij sportive. Duhet falënderuar bashkia e qytetit të Fierit dhe FSHF ja për organizimin e kësaj kupe, sepse Majaci e meritonte një vlerësim të tillë. Unë kam ardhur nga Greqia për ta ndjekur nga afër një aktivitet të tillë".

Mirel Josa, trajner i Teutës: "Jemi akoma në fazën përgatitore, pasi duhen edhe dy javë për të filluar kampionati. Teuta tregoi gjendje të mirë si nga ana taktike, ashtu dhe nga ajo fizike. Jam i kënaqur me skuadrën. Përsa i përket turneut, më duhet të vlerësoj organizimin në nderim të Majacit të paharruar, që humbi jetën në mënyrë të papritur. Ishim të detyruar që të vinim ta nderonim këtë figurë të shquar të futbollit shqiptar. Dua të përfitoj nga rasti për t'i uruar të gjitha ekipet, që ta nisin me këmbën e mbarë".

Bujar Kasmi, zv/president i FSHF së: "Ishte kënaqësi e veçantë të organizimi i një promemorie të tillë dhe kushtimi i kupës së parë një figure të mirënjohur si Kujtim Majaci. Pata privilegjin të jem i pranishëm në këtë kupë. Natyrisht kjo ka qenë kupa e parë dhe në vitet e ardhshme Apolonia do të dijë gjithmonë ta përkujtojë me madhështi të paharruarin e futbollit tonë, Kujtim Majacin".

Tahir Kastrati: "Ishte një aktivitet që çeli sezonin futbollistik 2009 2010 të FSHF së, pas një bashkëpunimi të mirë të klubit të Apolonisë, Bashkisë së Fierit, FSHF së për aktivitete të tilla shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për emrat e njohur të futbollit shqiptar, siç ishte Kujtim Majaci, një nga sulmuesit më me emër të futbollit shqiptar dhe një legjendë e futbollit fierak.

Ai kishte fituar simpatinë jo vetëm të sportdashësve, por të të gjithë qyetetarëve të Fierit. Ishte dhe do të mbetet figura më e dashur e qytetarëve fierakë. Nuk ka qenë vetëm me këmbartë, por edhe shembull i njeriut modest. Mendoj se figura të tilla duhet të vlerësohen në mënyrë sistematike dhe jo vetëm pas humbjes së tyre, qoftë nga pushteti vendor, qoftë nga klubet e futbollit, qoftë nga FSHF ja".

Pandeli Tole, ish shok skuadre me Majacin: "Në radhë të parë, dua të falënderoj FSHF në për organizimin e këtij turneu dhe shpresoj që ky turne të vazhdojë për çdo vit, sepse Majaci me të vërtetë e meriton. Ka qenë dhe do të mbetet një figurë lapidar për të gjitha kohërat në futbollin fierak".

Refik Halili, president i Tiranës: "Mendoj se ky vlerësim duhej bërë patjetër për një figurë të tillë. Organizimi ishte shumë i mirë. Unë, personalisht, bashkë me një pjesë të stafit dhe të ekipit, brenda javës së ardhshme do të vijmë për një vizitë kortezie në familjen Majaci".


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: