Editorial
Nikë Gashaj: Kosova dhe Këshilli i Europës
E hene, 29.04.2024, 08:00 PM
KOSOVA DHE KËSHILLI I EVROPËS
NGA
NIKË GASHAJ
Në
Strazburg, më 16. Prill 2024. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka
pranuar rekomandimin që Kosova të marrë dritën jeshile për anëtarsimin në
Këshillin e Evropës, më 16 maj, kur do të duhej që përfundimisht të vendosi
Komiteti i Ministrave, nëse mbledhja nuk shtyhet.
Dhe
përkundër lobimit të Serbisë e cila pati formuar një grup special kundër
Kosovës, nga 171 deputetë që morën pjesë në Seancën plenare, 131 ishin pro, 29
kundër dhe 11 abstenuan nga 46 shtetet anëtare. Para fillimit të seancës plenare
Komisioni politik i PSSE-së hodhi poshtë të gjitha amendamentet e delegacionit
Serb i cili kundërshtoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Raportuesja
kryesore për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës, deputetja greke dhe
ish-ministre e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bokojani, duke iu drejtuar
Kuvendit të Këshillit të Evropës në
prezantimin e saj, ndër të tjerat theksoi: “Kosova është demokraci
funksionale dhe funksionon në përputhje me parimet e respektimit të të drejtave
të njeriut dhe të pakicave nacionale. Pra, në atë drejtim është bërë një
përparim i vërtet. Prandaj, Kosova i plotëson të gjitha kushtet dhe standardet
për pranim në Këshillin e Evropës, si dhe një qëndrim të tillë e kanë
konfirmuar dhe ekspertët juridik.
Megjithatë,
dy delegatë nga shumica parlamentare e Malit të Zi: Maja Vukiqeviq, nga Partia
Popullore Demokratike( konsiderohet si parti pro-serbe e pro-ruse) dhe Vasilije
Çarapiq, nga “Europa tani” nuk u pajtuan me arsyetimin e shpjegimin e
Kryeraportueses, Dora Bokojani, dhe nuk votuan pro -pranimit të Kosovës në
Këshillin e Evropës, edhe pse Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të
pavarur, qysh në vitin 2008. dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike.
Prandaj,
fatkeqësisht, delegatët e lartpermendur devijuan nga politika e përcaktuar
proevropiane e Malit të Zi dhe njëkosisht u solidarizuan me politikën e “Botës
serbe”të Serbisë, d.m.th. mbrojtën politikën e një shteti të tjetër dhe shkelën
“Marrëveshjen” e koalicionit që ata e patën nënshkruar se do të jenë “lojal” ndaj
politikës së shtetit të Malit të Zi. Ndërsa, delegati i tretë, Boris Mugosha,
nga partia opozitare, Socialdemokrate, votoi pro-pranimit të Kosovës në
Këshillin e Evropës.
Po
ashtu, ndër të tjerë dhe dy delegatë nga Bosnja dhe Hercegovina votuan kundër
pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës: Snezhana Novakoviq dhe Branisllav
Barenoviq. Prandaj mund të thuhet se dy të tretat e delegatëve evropian me ide,
vizione dhe qëndrime progresive votuan për pranimin e Kosovës në Këshillin e
Evropës, ndërsa në anën tjetër ata
delegatë që i përkasin ideologjisë dhe politikës konservatore europiane, si dhe
ata delegatë që janë ithtarë të
ideologjisë mitologjike ballkanike dhe politikës të bazuar në religjion
apo në fundamentalizmin fetar, votuan kundra ose abstenuan. Mirëpo, një
ideologji dhe politikë e tillë nuk ka
sjell as nuk i sjell asgjë të mirë për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Përkundrazi, ajo është anakronike në epokën bashkëkohore të kulturës
demokratike evropiane.
Prandaj,
mundë të konstatohet se të gjitha partitë proserbe dhe proruse në pushtetin
aktual politik në Mal të Zi janë kundra Kosovet si shtet të pavarur.
Perkundrazi ato Kosovën e quajën “pjesë” të Serbisë; shtet të “rrejshëm”;
territor përkohësisht të “pushtuar” dhe kërkojnë tërheqjen e njohjes së
Kosovës.
Anëtarsimi
i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi më i madh i Kosovës deri me
tani në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Përfitimet e Kosovës me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, priten të jenë
politike, sociale dhe juridike. Për Kosovën është i rëndësishëm edhe për
arësye, se ai organ shpesh quhet “parahyrje” në Bashkimin Evropian. Andaj ai
është kusht i domosdoshëm për integrimin e Kosovës në BE. Anëtarsimi i Kosovës
në Këshillin e Evropës rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të
cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme
Përmes
anëtarsimit në Këshillin e Evropës, Kosova si shtet dhe qytetarët e saj, do të
kishin Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg, si instancë
shtesë dhe efektive, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në rast të shkeljeve të tyre nga
shtetet anëtare, pra dhe të Serbisë.
Gjykata
Evropiane për të drejtat e njeriut mund t’i pranojë ankesat nga çdo individ,
organizat joqeveritare ose grup personash të cilët pohojnë se janë viktimë e
cenimit të të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventë Evropiane për
mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose në protokolle pranë Konventës, të bëra
nga ndonjë prej palëve të larta
kontraktuese, e që kjo do të thotë dhe nga vetë organet e shtetit të Kosovës,
kur ata t’i shterrin mjetet juridike nga organet përkatëse të Kosovës. Prandaj,
është me rëndësi të nënvizohet se këtu individi bëhet palë në proces/procedurë
para një gjykate ndërkombëtar.
Institucionet
europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë karakter subsidar apo
ndihmës në raport me sistemin shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në qoftë se shteti nuk ka procedurë dhe ilaçë juridik efektiv, ose nëse shteti
nuk e siguron ilaçin juridik adekuat dhe efektiv, ose nëse procedura e
medikamentit juridik në sistemin kombëtar nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme,
atëherë ia fillon punën e vet gjykata
europiane për të drejtat e njeriut si dhe mekanizmat e tjerë.
Prandaj,
qëllimi i mekanizmave mbrojtës europianë nuk është në aspektin e marrjeve të
vendimeve të vend të shtetit, ato vetëm mënjanojnë lëshimet e bëra të shteteve,
nëse deri te ato mangësi vihet në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut,
e cila është punë dhe detyrë kryesore e organeve shtetërore.
Mbrojtja
e të drejtave të njeriut – sikurse e nënvizon J. H. H. Weiler – është bërë
imperativ i përbaskët juridik dhe
politik. Ajo qasje e re e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, është bërë
sinjal i bindjes se standardi adekuat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në
rajonin europian nuk do të mund të
realizohet në mënyrë konsekuente pa u vendosur mekanizmat mbikombëtarë. Ndërsa, respektimi, zbatimi dhe promovimi i
të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare janë si kusht të
integrimeve europiane.
Domethënë,
qasja e re nënkupton mundësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga
institucionet mbikombëtare. Nga ajo rrjedh – sikurse e thekson J. Frowein – se
qëllimi i Konventës Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është
pikërisht integrimi i shteteve europiane.
Mund
të konstatohet se në kuadër të Sistemit Europian të mbrojtjes të të drejtave të
njeriut, më e rëndësishme është Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut. Ajo
Gjykatë, sikurse thotë M.P. Margulnaud, është :”Rrota kryesore e një mekanizmi
të rëndësishëm të zbatimit mbinacional Europiane për mbrojtjen e të drejtave të
njeriut...” Shikuar në përgjithësi, Gykata ka për detyrë për të siguruar
respektimin e detyrave për të cilat në pikëpamje të mbrojtjes së të drejtave të
njeriut i kanë marrë përsipër shtetet përkatëse.
Vendimet
e Gjykatës janë të prera dhe kanë karakter detyrues. Shteti detyrohet që të
marrë masa për kënaqjen e viktimave, kurse aktgjykimi dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili e
bën mbikëyrjen e zbatimit të tij. Shteti është i detyruar të zbatojë vendimin e
Gjykatës në bazë të nenit 46 të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave
të njeriut. Refuzimi i vendimit të Gjykatës e shpie shtetin në situatë
konfrontimi me Komitetin e Ministrave, i cili është i detyruar të mbikëqyrë
zbatimin e vendimit Gjyqësor. Gjithashtu, me Statutin e Këshillit të Evropës
parashihet dhe mundësia e pezullimit ose të përjashtimit nga anëtarsia nëse nuk
respekton parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut.
Së
fundi, si anëtar i delegacionit studimor i Avokatit të Popullit të Malit të Zi,
kam qendruar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg( nga
11 deri më 14 nëntor 2014), ku ndër të tjera kam monitoruar punën e Dhomës së
Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen Gherghina
kundër shtetit të Rumunisë mbi diskriminimin në bazë të aftësisë së kufizuar.
Në atë drejtim, me kënaqësi e ndoqa atë gjykim, ku pata mundësi të vërtetoj se
si të drejtat e njeriut mbrohen në mënyrë kompetente në atë gjykatë.