Intervista
Rigesa Hoxha: Juri Andoni - Kulturën dhe gjuhën, arumanishten, i kam amanet nga gjyshi
E diele, 21.04.2024, 07:59 PM
“Kulturën dhe gjuhën, arumanishten, i kam amanet nga gjyshi”
Janë këto fjalët e një të riu 18-vjeçar në
Tiranë, duke na treguar rrënjët e origjinës së tij arumune.
Në intervistën më poshtë Juri tregon fillimet në
të kuptuarit për origjinën e tij dhe nuk ngurron të ndaj mesazhin se sa e
rëndësishme është të vlerësosh dhe mbi të gjitha të trashëgosh elementë të
origjinës sonë.
Ndiqeni bashkëbisedimin e Jurit me Rigesa
Hoxhën!
R. Hoxha- Përshëndetje Juri dhe faleminderit që jeni sot këtu!
J. Andoni - Përshëndetje,
faleminderit juve.
R. Hoxha - Për të filluar me pyetjen e parë, ju i keni të dy prindërit me origjinë arumune?
J. Andoni - Jo, vetëm gjyshi nga ana e mamit, nga fisi Bare në Fier. Pjesa tjetër e familjes
janë shqiptarë.
R. Hoxha - Sa i lidhur jeni me
origjinën arumune?
J. Andoni - Gjyshi më ka mbajtur afër dhe më ka treguar për
origjinën, më thoshte- Jemi Çobanë,
je si unë dhe ti, kemi lidhje me Rumaninë. E mora si amanet nga
gjyshi, pasi ai ka ndërruar jetë, për t’u lidhur edhe më shumë me kulturën arumune
përkrah asaj shqiptare. Kur kam shkuar në shtëpinë e gjyshit kam gjetur aty
abetaren e ‘Thoma Binjakut’ përmes abetares krijova kontakt me znj. Entela dhe
i them se jam i interesuar të mesojë më shumë rreth gjuhës . Ajo më ndihmoi të
futesha në një kurs ku mesoja paralelisht rumanisht dhe arumanisht.
R. Hoxha - Gjuhët kanë
ngjashmëri apo jo?
J. Andoni - Po
sigurisht, por për shkak të asimilimit, sepse sot minoriteti arumun jeton në
Shqipëri, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut duke jetuar së bashku me këto popuj
është bërë ndërthurja mes gjuhëve, shumë fjalë shqipe kanë hyr në arumanisht.
R. Hoxha - Si u ndjetë kur mësuat për origjinën nga gjyshi?
J. Andoni - Në ato caste
ishin vitet e fundit të gjyshit pranë nesh, që unë fillova të mësoja më shumë
dhe gjithmonë e pyesja për gjëra të tilla si: nga vini, çfarë flisni, fisi
juaj…?! Pas vdekjes së gjyshit aq shumë m’u rrit kureshtja saqë pendohesha sesi
nuk e pyeta gjyshin më herët. Përpos gjyshit edhe nga interneti mësoja, në fakt
me rumanishten isha angazhuar që 14 vjeç, por znj. Entela më shtyu për më
shumë.
R. Hoxha - Si arritët të gjenit një mësues të gjuhës?
J. Andoni - Mësuesi i parë ka qenë vëllai i znj. Entela dhe mësimi
është zhvilluar online në Zoom.
R. Hoxha - A të mbështet familja juaj?
J. Andoni - Po mësoj një gjuhë që kohët e fundit nuk është
folur shumë, megjithatë familja ime më mbështet mua në çdo vendim timin. Duke
qenë se kam një arsye pas asaj që bëj dhe për këtë gjithmonë e kam patur
mbështetjen e tyre.
R. Hoxha - A e flisni në shtëpi gjuhën?
J. Andoni - Herë-herë me mamin e themi ndonjë fjalë por më e rëndësishme për mua
është të kuptosh vlerën e madhe që ka gjuha.
R. Hoxha - Mendon
se do donit ta trashëgonit kulturën dhe gjuhën arumune?
J. Andoni - Po, pikërisht dua që gjuha të trashëgohet.
R. Hoxha - Sa
e rëndësishme është për ju që të ruani prejardhjen tuaj, ADN-në po themi?
J. Andoni- Për sa i përket martesave me shqiptare apo rumune
nuk është problem. Sidoqoftë kulturën e ruaj, ADN-në e mbaj, por unë nuk e shoh
shumë këtë pjesë, fokusi im është interesi që tregohet për këtë gjuhë e
kulturë, në qoftë se ke dikë në familje, të paktën një person që e di dhe e
ruan.
R. Hoxha - A
mendoni se të kanë ndihmuar projektet me Fondacionin?
J. Andoni - Po, më kanë ndihmuar, pasi janë aktivitete
kulturore për të mësuar rreth prejardhjes sonë, gjuhës etj. Gjithashtu formohen
edhe korrespondenca, jam njohur me shumë njerëz si rumunë, shqiptarë dhe
arumunë. Kam shkuar në Ambasadën e Rumanisë, jam takuar edhe me z. Ambasador
kemi folur me Të rumanisht. Ai ishte shumë këmbëngulës që të mësoja edhe arumanisht
krahas gjuhës rumune.
R. Hoxha - A keni përjetuar bullizëm për shkak të origjinës suaj?
J. Andoni - Bullizëm jo, por ka nga ata që habiten sa herë u
tregoj. Minoriteti arumun nuk ka
përjetuar asapk bullizëm nga shqiptarët për arsye se ne thuajse jemi si shqiptarët kulturalisht.
R. Hoxha - Çfarë mendoni se duhet bërë për të ndihmuar etninë arumune të vazhdojë ?
J. Andoni- Hapja e shkollave, zyrtarizimi i kurseve që
fëmijëve t’u jepet mundësia për t’u trashëguar gjuha. Të përdoret metodologjia
e duhur e mësim dhënies, sepse, në këtë mënyrë nëse, nuk e mësojnë fëmijët
gjuha mund të harrohet. Në historinë tonë kemi patur mësues, figura të shquara
arumune siç mund të jenë ‘Thoma Binjaku’ drejtor në shumë shkolla të Fierit,
por edhe të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre në mësim dhënie, shkenca,
arte sidomos. Nuk jam i vetmi që po ndjek këtë rrugë.
R. Hoxha - Çfarë meszhi do t’u jepje bashkëmoshatarëve të tu?
J. Andoni- Ta vlerësosh
atë origjinë që ke, kulturat e zonave prej nga vijnë, traditat që kanë
trashëguar nga të parët e tyre. E shoh si privilegj origjinën arumune është
gjuhë e kulturë e veçantë dhe ka ende shumë që unë të mesoj për prejardhjen
time.