Intervista
Vahit Nasufi: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Lumturie Axhami - Sejdini
E premte, 25.11.2022, 08:00 PM
KËNDOI PARA SE FILLOJË TË FLASË
EKSKLUZIVE NGA VAHIT NASUFI
Për Kërçovën, sa do që të
flitet apo shkruhet është pak. Kërçova e sotme, (Uskana e lashtë), është
një qytet sa me histori, aq dhe me bukuri të rralla natyrore. Këtë qytet, mund
ta quajmë edhe kanion i këngës, i cili si me magji tërhjek artdashësit. Po ta
vizitosh Kërçovën, përveç se merr dashuri të madhe që ta japin kërçovarët, me
dialektin e tyre karakteristik, që pa dyshim është pasuri kombëtare,
dashurohesh edhe në këngën e saj polifonike shumë të vjetër.
Kjo trevë meriton vëmendje të
veçantë, pasi njihet si një tempull qëndrese, diturie, bujarije… që trashëgohet
ndër breza, e cila në arkivat e saj, ruan edhe shumë gjëra retrospektive.
Artit këçovar i cili është
shumë i pasur, me këngëtarë, valltarë, humoristë aktorë, por, jo vetëm, i
bashkohet edhe një artiste e madhe, e cila nga Shkupi vjen në Kërçovë, për të
hjekur duvakun e nusërisë, ajo është këngëtarja shumë e famshme dhe e dashur
për publikun - Lumturie Axhami - Sejdini.
Për të zhvilluar këtë
intervistë, ne shkuam në shtëpinë e saj, e cila na priti si një nikoqire e
vërtëtë, duke na dëshiruar mirëseardhje dhe akomodim si në shtëpinë tone. Një
tavolinë e stërmbushur me lloj - lloj pijesh të freskëta dhe me frytore të
ndryshme.
VAHIT
NASUFI: Z. Axhami, faleminderit shumë që pranuat ftesën tonë dhe që gjetët kohë
të jeni bashkëbiseduesja jonë, kërkojmë falje për shqetësimin, por, me që jeni
një këngëtare e mrekullueshme, e pamë të arsyeshme të zhvillojmë një intervistë
rreth karrierës suaj të begatshme.
LUMTURIE AXHAMI - SEJDINI:
Me shumë kënaqësi. Sinqerisht ua them, se nuk më keni shqetësuar fare,
përkundrazi, u falënderoj nga zemra, që më keni zgjedhur mua të jem
bashkëbiseduasja juaj dhe ndjehem shumë e priviligjuar të intervistohem nga
Zemra Shqiptare, pasi jam lexuese e rregullt e saj. Ndërgjegjja nuk më lejon të
mos përshëndes stafin realizues, bashkëpuntorët dhe lexuesit e saj. Kurse juve
z. Nasufi, u përgëzoj për punën e palodhëshme që jeni duke bërë për të mirën e
artit, por, jo vetëm. Unë kam lexuar shumë poezi, ese dhe intervista me shumë
vlerë, që i ka shkruar dora dhe penda juaj e artë.
VN:
Faleminderit shumë. Edhe pse Ju jeni një këngëtare shumë e njohur për publikun
shqiptar, por, megjithëate ne do të donim që për lexuesit e Zemrës Shqiptare,
shkurtimisht të na thoni diçka rreth biografisë suaj.
LA: Patjetër, pse jo? Unë jam
e lindur më 17 nëntor 1969, në Han të Elezit. Jam fëmiu i dytë i prindërve të
mi, të babait Xhavitit dhe nënës Xhevrijes. Ne jemi tri motëra dhe një vëlla.
Rrjedh nga një familje shumë bujare dhe atrdashëse. Që kur isha 12 vjeçare,
familja jonë shpërngulet nga vendlindja dhe vendoset në Shkup. Pastaj prej
Shkupi, fati deshti të martohem në Kërçovë, për çka e falënderoj Zotin që më
solli këtu ku jam sot. Jam nënë e dy fëmijëve, të vajzës Aidanës dhe djalit
Engjëllit.
VN: Të
fillojmë nga vitet e para të jetës, si ishte fëmijërija juaj?
LA: Fëmijëria ime ishte shumë
e bukur, që nuk e harroj kurrë. Kam qenë një fëmijë shumë i lumtur, një vajzë
pak çapkëne, por, jo dhe problematike. Isha shumë e shoqërueshme, komunitative
dhe e dashur në rrethin shoqëror. Nga fëmijëria ime unë me nostalgji ruaj shumë
kujtime të bukura .
VN: Karriera
e këngëtarëve fillon që në vietet e adoleshencës, po Ju z. Axhami, sa vjeçare
ishit, kur u ngjitët në skenë për herë të parë para publikut?
LA: (Qesh), Unë karrierën
time e kam filluar që në moshën tetëvjeçare, pasi në atë moshë unë kam inçizuar
këngën e parë në Radio -Televizion, pa e ditur fare se ç`do
të ndodhë me
mua në të ardhmen, pasi kënga për mua ka qenë vetëm një pasion. As që kam
menduar se një ditë unë do të bëhem këngëtare e famshme, se qyteti do të
stoliset me fptografitë e mia, se do të mbushen sallat plot, aty ku do të
këndoja unë!
VN: Z.
Axhami, Ju këngën e keni trashëguar, apo shfrytëzoni zërin e bukur melankolik që ua ka falë Perëndia?
LA: Edhe pse unë rrjedh prej
një familje artistësh, unë prapëseprapë kisha thënë se zërin që e kam, e kam
dhuratë nga Perëndia, për të cilin jam munduar që ta shfrytëzoj maksimalisht,
dhe besoj se ia kam arritë qëllimit, pasi në fushën e muzikës kam korrë suksese
të një pas njëshme.
VN: Në disa
familje ndodh që këngëtarët apo këngëtaret të tashëgohen, ka gjasa që edhe Ju
në cilësinë e këngëtares të trashëgoheni?
LA: Shiqoni, të dy fëmijët e
mi si vajza ashtu dhe djali, i kanë zërat shumë të bukur, të kristaltë, unë jam
munduar që t`i edukoj në një frymë muzikore, por, nuk kam dashur që me çdo
kusht të ua imponoj skenën, pasi skena nuk donë imponim, por, i kam lënë që të
bëjnë vetë zgjedhjet e tyre dhe ashtu ndodhi. Vajza zgjodhi juridikun dhe u bë
juriste, kurse djali u përcaktua për ekonomikun dhe u bë ekonomist.
VN: Shumë
këngëtarë apo këngëtare, disa tekste të këngëve tyre i shkruajnë vetë, po Ju z.
Axhami, jeni autore e ndonjë teksti të këngëve tua?
LA: Po, po, unë përveç se jam
këngëtare, jam edhe kantautore. Pasi vargjet janë të shenjtë, unë shumë tekste
të këngëve që unë i kam kënduar, i kam shkruar vetë, por, kam edhe shumë këngë
që i kanë shkruar kompozitorë të ndryshëm.
VN: Nga një
karrierë dyzetvjeçare, kuptohet qartë, se sa shumë i jeni përkushtuar këngës,
por, na thoni se çka u dha kënga juve?
LA: Shumëçka. Në radhë të parë
falë këngës un kam krijuar shumë miq, shumë shokë, kam njohur personalitete të
njohur të sferave të ndryshme, kuptohet të dy gjinive. Gëzoj respekt prej
qytetarëve, që për mua këto që përmenda janë shumë të vlefshme.
VN: Na
thuani diçka rreth veprës së madhe artistike, sa albume keni edituar deri tash?
LA: Unë deri tash kam edituar
tetë albume, por, kam edhe shumë këngë që i kam kënduar nëpër koncerte,
festivale apo ahengje të ndryshëm, pasi në kohën që jetojmë aktualisht, çdo
këngë publikohet nëpër rrjetet sociale, po t`i kisha edituar në albume, numri
tyre sigurisht s do të ishte shumë më i lartë.
VN: Ai që
punon edhe gabon! Shumë këngëtarëve u ka ndodhour që duke kënduar të ngatrrojë
tekstin e këngës, kjo z. Axhami, u ka ndodhë juve ndonjëherë?
LA: (I shkoi buza në gaz, është
shumë e sinqertë). Po, po, më ka
ndodhur edhe mua diçka e tillë, por, me që jam një këngëtare me përvojë
shumëvjeçare, ia kam dalë që të shkatërroj ngatrresën pa e hetuar publiku fare,
as që jam hamendur, por, kam vazhduar të këndoj thuaj se nuk ka ndodhur asgjë!
VN: Z.
Axhami, na thuani si ia arritët që kënga juaj të hapi kufinjtë shqiptaro -
shqiptar dhe të jehojë aq fuqishëm mbi trojet shqiptare?
LA: Me punë dhe vetëm me punë,
me profesionalizëm. Jam munduar që këngët e mia të dëgjohen dhe të pëlqehen
kudo në botën shqiptare, por, këtë më së miri e dëshmon dhe e vlerëson publiku.
VN: Gjatë
karrierës suaj shumë të suksesshme, keni mbushur një thesar me vapra
madhështore, jemi të bindur se keni marrë çmime dhe shpërblime, cilat janë ata?
LA: Shiqoni, unë kam marrë
shumë çmime, shpërblime dhe shumë mirënjohje nga juri të ndryshme, që pa dyshim
i vlerësoj jashtë mase, ja ku i kam këtu në rekuizitën time muzikore, mund t`i
shihni edhe vetë, por, unë do të veçoj një çmim apo shpërblim madhështor që e
kam gjithmonë me vete, kush tjetër, përveç duartrokitjet frenetike të publikut,
që më ka dhuruar në çdo paraqitje përpara tij, kur e kam mbaruar këngën, me
brohoritje më kanë këthyer disa herë në skenë, që unë e kam bërë dhe e bëj me
shumë kënaqësi pasi pa adhuruesit e mi nuk do të isha kjo që jam sot: Unë i
falënderoj nga zemra dhe jam shumë mirënjohëse ndaj tyre.
VN: Me të
vërtetë qenkan shumë çmime, shpërblime dhe mirënjohje, keni plotësisht të
drejtë! Z. Axhami, këngët tua pa dyshim janë të gjitha shumë të bukura, por,
cilat janë ato që juve u flejnë në shpirtë më së shumti nga repertori juaj?
LA: Kjo pytje është e njejtë
sikur të pyesni një nënë, se cilin nga fëmijët e doni më shumë? Unë të gjitha
këngët e mia i dua dhe i vlerësoj shumë dhe nuk mund të them se kjo është e
mirë, apo kjo duhet të ishte pak më ndryshe, ose kështu diçka të ngjajshme.
VN: Sa
përgjigje e bukur, kjo është sublim i kësaj interviste! Z. Axhami, si ia dilni
që me orë të tëra të këndoni drejtpërdrejtë nëpër dasma, apo ahengje të ndryshëm, pasi lodhja te Ju
nuk vërehet fare?
LA: Kur dikush të ka zgjedhur
dhe të ka besuar një ditë të shenjtë të jetës së tij, si këngëtare e preferuar
të dasmës, atëhere ke një përgjegjësi shumë të madhe, që t`ia plotësosh
dëshirën, që dasmorët të ndahen të kënaqur. Unë kur pranoj diçka të tillë,
përveç përgjegjësisë, kam edhe vullnet shum të madh, që të argëtoj dasmorët dhe
kujdesem që atmosfera të jetë impozante,
VN: Kuptohet
se janë shumë, por na thuani disa këngëtarë apo këngëtare që Ju i keni adhuruar
dhe dëgjuar më së shumti?
LA: (Është shumë modeste).
Estrada shqiptare, ka pasë, ka dhe do të ketë këngëtarë dhe këngëtare shumë të
mirë. Unë i kam adhuruar dhe i kam dëgjuar të gjithë këngëtarët e mëdhenj, që
kanë prodhuar art të mirëfilltë. Nuk do të përmendi emra pasi janë shumë, ndodh
që të mos ia them emrin dikujt, që nuk është aspak e pëlqyeshme.
VN: Ju si
një artiste e madhe, a ka diçka që u lëndon në fushën e muzikës?
LA: Po ç`të them tani, më vjen
shumë keq që festivalet dhe koncertet e dikurshëm nuk mbahen më, me atë
intenzitet, siç organizoheshin më parë. Është zvogluar ndjeshëm numri i
shoqërive kulturo - artistike, aty ku, zbulohen dhe zhvillohen talentë të rinj.
Më së shumti më lëndon bastardimi i shumë këngëve tradicionale, por, jo vetëm,
nuk më pëlqen fare as plagjiatura autoriale, që fatkeqësisht ka ndodhur dhe
vazhdon të ndodhë akoma!
VN: Shumë
këngëtarë përveç se këndojnë, kanë prirje edhe për humor, JU z. Axhami, e keni
këtë prirje?
LA: Unë humorin e dua shumë,
humori është pjesë e jetës sonë pa dyshim, i cili për një kohë të caktuar të
largon nga brengat apo stresi që të kaplon, por, unë nuk e kam këtë prirje që
t`i bëj tjerit të qeshin!
VN: Ju këtë
vit organizuat një event jubilar për karrierën tuaj 45 -së vjeçare shumë të suksesshme,
na thoni diçka rreth këtij eventi.
LA: Një karrierë 45 -së
vjeçare, është një ndjenjë dhe një emocion i pa përshkruar, një rrugëtim kaq të
gjatë ta kurorëzoj me një mbrëmje festive, të cilën ka kohë që e pregadis, pasi
kisha dëshirë që këtë emocion ta ndaj sëbashku me miqt dhe dashamirët e këngës
sime. Vendosa që ta bëj këtu në Kërçovë pasi plot tridhjetë vite jetoj në këtë
qytet, i cili është një burim këngësh i pashtershëm. Një koncert madhështor,
besoj të shumëpritur nga të gjithë, pasi një karrieë kaq e gjatë, sigurisht se
në vete bart shumë momente sfiduese, duke pasur para syshë se vitet e para të
punës si artiste, kanë qenë shumë të vështira.
VN: Cila
është këshilla juaj për aspiruesit e këngës, që të arrijnë në nivel ndërkombëtar?
LA: Unë si një këngëtare me
një karrierë bukur të gjatë, të gjithë këngëtarët e rinj, që kanë zgjedhur këtë
rrugë, ta dinë se nuk është fare e lehtë, të punojnë me shumë sinqeritet, me
një përkushtim maksimal, t`i ofrojnë publikut më të mirën, por, kurrë mos ta lënë
anësh rrugën e dijes, të mësojnë sa më shumë. Populli nuk thotë kot, se arma më
e fortë për njeriun është dija!
VN: Z.
Axhami, një karrierë gati gjysëm shekullore, është e pa mundur të përfshihet
vetëm me një intervistë, sigurisht që ka mbet edhe shumëçka pa u thënë, keni
diçka të shtoni që ne nuk u pyetëm?
LA: Kuptohet, se ka edhe
shumëçka për të thënë, por, besoj se edhe kjo që u tha në këtë intervistë nuk
është pak. Unë kam dhënë shumë intervista nëpër portale dhe Radio - Televizione
të ndryshëm, kështuqë rreth karrierës sime dhe
jetës individuale, të interesuarit kanë pasë mundësi të dijnë shumëçka
rreth karrierës dhe jetës sime.
VN:
Zakonisht ëmbëlsira është e fundit, që i bie të dëgjojmë një këngë prej teje,
drejtëpërsëdrejti.
LA: Patjetër, me shumë kënaqsi
do t`ua plotësoj dëshirën dhe ate jo vetëm me një këngë. Unë kam
dëshirë qe edhe Ju të ndaheni të kënaqur, me përgjigjet e mia, shumë të
sinqerta, kurse këngët ua dhuroj shpirtërisht, pasi jam e bindur se jeni njëri
ndër adhuruesit e mi që kur u bëra e famshme.
VN: Është e
vërtetë. Lumturia për dëshirën tonë i këndoi tri këngë shumë të bukura për çka
e falenderojmë nga zemra. Z. Lumturie, faleminderit shumë, për mikpritjen e
ngrohtë shqiptare, tipike kërçovare.
LA: Shumë faleminderit edhe
prej jush, ishte një kënaqsi e veçantë, ua them të drejtën u ndjeva shumë mirë,
pasi biseduam edhe shumëçka jashtë intervistës. Gëzoni respekt pa fund nga ana
ime.
VN:
Faleminderit shumë, respekti është reciprok. U dëshiroj punë të mbarë dhe shumë
suksese në projektet e radhës në fushën artistike dhe në jetën private.
Kërçovë,
nëntor 2022