Intervista » Entela
Entela Binjaku: Carrie Hooper - E dua Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe shqiptarët me gjithë shpirtin tim!
E hene, 24.02.2020, 09:00 PM
Carrie Hooper: E dua Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe shqiptarët me gjithë shpirtin tim!
Nga Entela
Binjaku
Znj.
Carrie shqipja juaj është befasuese! Si jeni njohur me gjuhën shqipe dhe si
keni arritur ta mësoni kaq mirë?
Carrie Hooper: Në vitin 2008, jepja
gjermanisht dhe italisht te një universitet i vogël në Elmira, qytetin tim të
lindjes, që ndodhet në shtetin e Nju Jorkut. Atë vit, kisha një student nga Shqipëria në
kursin tim të italishtes. Kur mësova se ishte nga Shqipëria, u lind dëshira ta
mësoja gjuhën shqipe. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja. Meqenëse jam
krejtsisht e verbër, duhej të gjeja një libër në një format të aksesshëm. Më në
fund, gjeta një libër në Brail për të mësuar shqip te Biblioteka për të
verbërit në Angli. Më tej, studenti im shqiptar më
ndihmonte me shqiptimin e fjalëve. Më vonë gjeta një kaset me përralla në shqip
te biblioteka për të verbërit në Stockholm të Suedisë. Përveç kësaj, shoku im,
Timi, edhe ai i verbër, bëri kontributin e vet. Edhepse nuk e di shqip, duke
qenë se ai ka mësuar shumë gjuhë të huaja dhe ka qenë profesor i gjuhëve të
huaja, kupton rëndësinë e dëgjimit të gjuhëve në procesin e mësimit të tyre.
Prandaj më inçizonte emisione radiofonike në shqip nga Radio Tirana, Radio
Vatikani, Radio Maria, Zëri i Amerikës, Radio Imigranti, Radio Top Albania, dhe
Radio Bulgaria. Inçizonte herë pas here edhe programin Radio e diela që
transmetohet në valët e CHIN AM 1540 nga Torontoja e Kanadasë. Shumicën e programeve i mori
Timi nga Interneti, por nganjëherë, inçonte Radio Tirana në valë të shkurtra.
Për ta marrë sa më mirë, shkonte te një park afër apartamentit të tij, ngrinte
antenën e tij, dhe inçizonte programin. Timi m'i dërgonte inçizimet në kaset me
postën, dhe duke dëgjuar gjuhën, e kuptoja më mirë. I jam shumë mirënjohëse
Timit për këtë punë të cilën e bënte me përkushtim dhe dashuri. Sot nuk ka
nevojë që Timi të më inçizojë emisione sepse mund t'i dëgjoj duke përdorur
aparatin Echo të Amazonit. Në verat e viteve 2009 dhe 2010, ndoqa kurse të
gjuhës shqipe tek universiteti shtetëror i Arizonës në Tempe.
Shkruaj poezi në shqip dhe në vitin 2018, u botua libri
im dygjuhësor, "Piktura në fjalë" i cili mban poezi të cilat i
shkruajta në shqip. I përktheva pastaj në anglisht. Libri u botua te Shtëpia
Botuese Buzuku në Prishtinë. Më tej kam përkthyer artikuj, tregime të shkurtra,
dhe një libër nga shqipja në anglisht. Madje, përktheva një artikull nga
anglishtja në shqip. Kam mësuar shumë këngë shqiptare duke përfshirë
"Luleborë", "Për ty, atdhe", dhe himnin kombëtar shqiptar.
Po
lidhja me Shqipërinë si ka nisur, a e keni vizituar vendin dhe nëse po cila
është përshtypja juaj? Nëse jo, a janë hapësirat shqiptare në planet tuaja?
Carrie Hooper: Kam
mësuar shumë për Shqipërinë duke dëgjuar radio dhe duke lexuar materiale me
kompjuterin tim Braili. Kam
lexuar artikuj nga gazeta shqiptare. Më tej, lexova një libër për Kosovën, një
libër për historinë e Shqipërisë, dhe një libër për letërsinë shqipe, të gjitha
të shkruara në gjuhën shqipe.
U
lidha me shqiptarë në Amerikë pasi që fillova të mësoja shqip. I shkruajta një
email At Artur Liolinit, priftit të Kishës Ortodoxe të Shën Gjergjit në Boston
të Massachusettsit dhe i shpjegova se po mësoja shqip dhe se doja të flisja me
shqiptarë për ta ushtruar gjuhën. At Arturi më lidhi me shqiptarë në
Pensilvania, Virginia, dhe Massachusetts, dhe i mora në telefon për të folur shqip.
Më vonë erdha në kontakt me bashkësitë shqiptare të Nju Jorkut dhe të Torontos.
Në
shtator 2010, dhashë një koncert në Kishën e Shën Elias në Jamestown të Nju
Jorkut. Në tetor 2010, këndova në Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Në qershor
2011, këndova gjatë festimeve të fundvitit shkollor në Shkollën shqipe të
Torontos. Në prill 2012, këndova në festën e 100-vjetorit të Vatrës në Nju
Jork. Në tetor 2012, dhashë një prezantim për përvojën time duke mësuar shqip
dhe këndova për prindër dhe nxënësë në shkollën shqipe në Bronx të Nju Jorkut.
Në qershor 2013, këndova gjatë festës së fundvitit shkollor të shkollës shqipe
në Bronx të Nju Jorkut. Në atë kohë, u bëra anëtare e ansamblit Bashkimi
kombëtar drejtuar nga Gjergj Dedvukaj me seli në Nju Jork, dhe mësova t'i bija
çiftelisë. Në korrik 2013 mora pjesë në një koncert me ansamblin Bashkimi
kombëtar në Kishën e Shën Palit në Detroit të Michiganit.
Jo
vetëm që kam kënduar në bashkësi shqiptare, por kam dhënë edhe disa intervista
për gazetarë dhe programe radiofonike dhe televizive të diasporës shqiptare.
Dhashë intervista për Dalip Grecën, Beqir Sinën, Kozeta Zylon, dhe Zyba Hysën
të cilat u botuan në Gazetën Dielli. Dhashë gjithashtu intervista për Raimonda
Moisiun dhe Qazim Dodën. Më tej dhashë intervista për Radio Kosovën dhe për
emisionin Radio e diela nga Torontoja. Për më tepër, Laura Konda bëri një
kronikë për mua për Zërin e Amerikës.
Prin
Albanian Yellow Pages, u lidha me Adnan Mehmetin, kryetari i Shoqatës së
Shkrimtarëve Shqiptaroamerikanë dhe ai më ndihmoi të botoja librin tim të
lartpërmendur, "Piktura në fjalë." Zoti Mehmeti organizoi një
promovim të librit në tetor të vitit 2018 në Monroe College në Bronx të Nju
Jorkut.
Nuk
kam vizituar Shqipërinë asnjëherë, por do të doja ta vizitoja. Do të kisha nevojë
për vendqëndrime dhe shoqëruesë atje. Do të dëshiroja të këndoja në një koncert
në Shqipëri. Do të dëshiroja t'i vizitoja, ndër të tjera, Kështjelli i Rozafës
në Shkodër, Shkollën për të verbërit në Tiranë, dhe qytetet e Krujës, Durrësit,
dhe Korçës.
Lexuesit tanë do të
dëshironin të dinin më shumë për ju. Ne dimë që ju keni studiuar muzikë në
Suedi. A mund të na bëni një përshkrim të figurës suaj edhe si pianiste e
këngëtare?
Carrie Hooper: U linda dhe u rrita në
Elmira të Nju Jorkut. Është një qytet mesatar që ndodhet afër kufirit me
Pensilvaninë. Jam komplet e verbër që nga lindja. U linda dy muaj e gjysmë para
kohës dhe mushkrinjtë nuk më kishin zhvilluar siç duhej. Prandaj në moshën
8-ditore, u nënshtrova një operacioni për të hequr një pjesë e një mushkrie. U
lidha në respirator për një kohë të shkurtër dhe qëndrova në inkubator për tre
muaj. Mora tepër oksigjen çfarë më dëmtoi retinat dhe më shkaktoi verbërinë.
Por nuk kam asnjë arsye për t'u ankuar. Zoti më dha një familje të dashur, një
jetë të plotë, dhe shëndet të mirë.
Shkova
në shkollën normale me fëmijë që shikonin. Mësova Brail, të shkruarit me
makinën e shkrimit, dhe të shkuarit me bastun. Mora librat në Brail ose audio
dhe nëse nuk ishin të disponueshëm në këto formate, dikush më lexonte
materialin me zë të lartë. Fillova mësime për piano në moshën 4-vjeçare dhe
mësime për kanto në moshën 15-vjeçare. Mësova pjesët duke i dëgjuar ose me nota
në Brail.
Pasi
që mbarova shkollën e mesme, studiova kanto dhe gjermanisht tek Universiteti Mansfield
në Pennsylvani, dhe pastaj vazhdova studimet për kanto dhe gjermanisht tek
Universiteti shtetëror i Nju Jorkut në Buffalo. Pas studimeve universitare,
mora një bursë Fulbright dhe studiova kanto për një vit akademik tek
Universiteti mbretëror i muzikës në Stockholm të Suedisë.
Pasi
që u ktheva nga Suedia, dhashë gjermanisht tek Elmira College për 17 vjet dhe
për nëntë vjet, dhashë edhe italisht atje. Në semestrin e fundit që punoja
atje, dhashë rumanisht. Tani jap mësime për piano dhe për kanto në një studio
në rrethin tim. Gjithashtu i bie pianos dhe organos në një kishë episkopale,
dhe kam një student për gjermanisht. Këndoj në një kor vendor dhe jap koncerte
vokale.
Vazhdoj
të shkruaj poezi dhe jam anëtare e një organizate për shkrimtarë me aftësi të
kufizuara, Behind Our Our Eyes. Poezitë e mia janë
botuar në disa revista në Internet. Në vitin 2018 botova librin tim të parë me
poezi në anglisht, "My Life in My Words", në një faqe të Internetit
të vetëbotimit, Lulu.
Mund të blihet tek: www.lulu.com
Përvec anglishtes, ju
zotëroni shqipen, rumanishten dhe suedishten, si keni arritur të mësoni këto
gjuhë kaq të ndryshme?
Carrie Hooper: Në fakt, zotëroj gjashtë gjuhë të huaja: gjarmanishten,
italishten, spanjishten, rumanishten, suedishten, dhe shqipen. Ndiqja kurse të
gjermanishtes. Mësova italishten në shtëpi dhe ndoqa kurse në Romë të Italisë
gjatë katër javësh në 1998. Mësova suedisht kur studioja gjermanisht tek Universiteti
i Buffalos. Isha njohur me dirigjentin e orkestrës universitare dhe kur mësova
se ishte nga Suedia, doja të flisja suedisht me të. Nuk ndiqja kurse të gjuhës
suedeze por përdorja libra audio, dëgjoja radio, dhe flisja me suedezë për ta
mësuar gjuhën. Në të njëjtën kohë, lexoja literaturë suedezë në Brail dhe
audio.
Fillova
ta mësoja spanjishten në vitin 2013 me nxitjen e shokut tim, Timin. Më sugjeroi
ta mësoja sepse shumë universitete amerikane shkurtojnë kurset e tyre të
gjuhëve të huaja dhe meqenëse spanjishtja është një gjuhë që përdoret shumë,
Timi mendoi se njohja e kësaj gjuhe mund të më siguronte një punë në të
ardhmen. Për ta mësuar spanjishten, përdorja libra audio dhe ndiqja kurse të
gjuhës spanjolle, një kurs për qytetarinë spanjolle, dhe një kurs për letërsinë
spanjolle për fëmijë tek Elmira College ku punoja. Më tej, Timi më inçizonte
emisione radiofonike në spaanjisht nga Zëri i Amerikës, Radio Vatikani, Radio
Havana Cuba, kanale në SHBA, dhe Radio Rumania që të mund ta dëgjoja gjuhën.
Tani lexoj libra në spanjisht dhe abonoj një revistë në spanjisht. Njëherë në
javë, takohem me profesoren e spanjishtes fillestare tek Elmira College për të
biseduar në spanjisht.
Fillova
të mësoja rumanisht ndërsa mësoja spanjisht. Programi spanjisht i Radio
Rumanisë transmeton mësime për gjuhën rumune. Një ditë, ndërsa po vizitoja
Timin, dëgjova një mësim për gjuhën rumune dhe më tërhoq shumë. Pastaj e pyeta
Timin për çfarë se kisha dëgjuar. Timi kishte ndjekur kurse të gjuhës rumune
tek universiteti Columbia në Nju Jork kur studionte për Masterin e tij.
Prandaj, mbante mend gramatikën dhe fjalorin themelor. Më shpjegoi disa
koncepte gramatikore dhe më mësoi disa fjalë në gjuhën rumune. Pastaj kërkoja
më shumë të dhëna për gramatikën rumune dhe gjeta disa mësime për rumanishten
në Internet. Më vonë, fillova të lexoja texte në gjuhën rumune të cilat i gjeta
në Internet me kompjuterin tim të aksesshëm. U lidha me disa rumunë dhe i
merrja në telefon për ta ushtruar gjuhën. Njëri prej tyre më dërgon libra në
gjuhën rumune në një format të aksesshëm. Në fillim, Timi më inçizonte programe
në gjuhën rumune nga Radio Rumania dhe
Radio Vatikani. Më inçizonte edhe mësimet për gjuhën rumune nga programet
spanjisht dhe anglisht të Radio Rumanisë. Çmoj shumë punën që e bënte Timi për
të më ndihmuar t'i mësoja këto gjuhë. Tani dëgjoj programe radiofonike në
gjuhën rumune dhe gjuhë të tjera duke përdorur aparatin tim Echo të Amazonit.
5. Duke qenë se lexuesit
tanë janë shqiptarë cili mund të ishte një mesazh që do të dëshironit të ndanit
me ta?
Carrie Hooper: Duani gjuhën tuaj dhe mos e harroni edhe në mërgim! Gjuha
e një populli mbart identitetin e tij dhe pa gjuhën e tij, rri populli pa
identitetin e tij. Mësojuni fëmijëve tuaj shqip dhe ruani kulturën dhe traditat
tuaja! E dua Shqipërinë, gjuhën shqipe, dhe shqiptarët me gjithë shpirtin tim!