Intervista » Entela
Entela Binjaku: Intervistë me politologun Kristjan Dukaj
E premte, 04.09.2020, 08:28 PM
Politologu Kristjan Dukaj: Shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, do të kontribuojë në njohjen e vlerave të përbashkëta kombëtare dhe krijimin e vlerave të reja
Nga
Entela Binjaku
Politologu shqiptar nga Mali i Zi Kristjan Dukaj
është diplomuar në Universitetin e Universitetin e Sarajevës. Ai kreu studimet
e thelluara master në fushën e marrëdhenieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë në
Podogoricë. Kontributet e tij në opinionbërje lidhen edhe me aktivitetin në
media përmes analizave, intervistave dhe shkrimeve të ndryshme të botuara
brenda dhe jashtë Malit të Zi. Dukaj është themelues i faqes informatiove“DukajPress”.
Aftësitë e tij në mendimin e shkruar janë të shprehura edhe në letërsi përmes
shkrimeve në prozë dhe poezi. Kristjan Dukaj është fitues i disa çmimeve dhe
autor i përmbledhjes publicistike me titull: "Dora e parë".
Aktualisht punon si zëdhënës në Komunën e Tuzit.
Z. Dukaj, ju i jeni
drejtuar në javët e fundit disa herë opinionit përmes mediave të Shqipërisë
lidhur me situatën zgjedhore në Mal të Zi. Sipas mendimit tuaj, sa qasje kanë
analistët shqiptarë në rajonin tonë në mediat e Shqipërisë?
K. DUKAJ: Po, e vërtetë! Unë,
pata disa lidhje të drejtëpërdrejta me mediat në Shqipëri gjë për të cilën u
jam mirënjohës, pasi ne kemi nevojë për paraqitje të tilla. Jo vetëm si
komunitet por edhe si individ që veprojmë publikisht duke reaguar ndaj dukurive
të shumta por që reflektojnë në rrjedhat e përgjithshme shqiptare në këtë vend.
Dua të jem i sinqertë dhe të shpreh mirënjohjen time pasi unë, mjaft shpesh, në
raste të ndryshme kamë qenë i pranishëm në mediat elektronike dhe të shkruara
në rajon, jo vetëm në gjuhën shqipe. Mendoj se paraqitja e tillë i kontribuon
jo vetëm përparimit të çështjeve me interes për opinionin shqiptar në Mal të
Zi, por, njëkohësisht, për të prezantuar çështje të shumta të cilat meritojnë
njohje më të thelluar nga opinioni mbarëshqiptar. Mendoj se kjo mund të jetë
edhe më intensive pasi, ne, kemi nevojë të debatojmë çështje dhe dukuri të
shumta nga e përditshmja jonë.
Si mendoni ju, sa njihen
shqiptarët në rajon me njeri-tjetrin dhe ku qëndrojnë të rinjtë tanë sa i takon
ndjenjës kombëtare shqiptare? Si kanë ndikuar politikëbërësit shqiptarë në këtë
drejtim?
K. DUKAJ: Unë, si pjestar i brezit të ri dëshiroj që
njohja ime me bashkëmoshatarët shqiptarë të jetë shumë më e gjerë. Nga
kontaktet që i kam, të drejtëpërdrejta apo përmes rrjeteve sociale, jam në
dijeni se mendim të njëjtë kanë edhe shumë moshatarë të mijë nga hapësira
mbarëshqiptare. Do të ishte mirë krijimi i një asociacioni të gjerë nga individë
të profileve të ndryshme, por të cilët përmes mendimit kritik brenda nivelit të
vet arsimor dhe profesional, mund të kontribuojnë pëërparimin e rrjedhave të
ndryshme shoqërore. Mendoj se politikëbërësit shqiptarë duhet të veprojnë në
institucionalizimin e bashkëpunimit të brezit të ri nga rajoni. Në këtë mënyrë,
përmes shkëmbimit të përvojave dhe bashëpunimit të ndërsjellë, do të
kontribuohet në njohjen e vlerave të përbashkëta kombëtare dhe, njëkohësisht,
në avancimin dhe krijimin e vlerave të reja.
“Arratisja” e të rinjve
nga trojet tona vazhdon dhe nuk ka njohur ndalje. Cfarë mund të bëhej më mirë
që sidomos tek të rinjtë dhe të vegjlit të përcillej ndjenja e përkatësisë
kombëtare shqiptare?
K. DUKAJ: Braktisja e trojeve të veta, tashmë, është
dukuri e njohur në trevat tona. Kjo, ka shkaktuar pasoja afatëgjata për të
ardhmen e hapësirës mbarëshqiptare. Edhe pse, gjithnjë, politikbërësit në
programet e veta partiake-politike, kanë proklamuar zbutjen e kësaj dukurie,
kjo, për fat të keq, nuk ka ndodhur. Shkaqet janë të shumta, por duke u nisur
nga mjediset ku jetoj unë, të rinjtë tonë të përballur me pasojat e pasigurisë
shoqërore, paunësia dhe mosekzistimi i kushteve për të krijuar familjet e veta,
pastaj neglizhenca e shoqërisë për të zgjidhur çështjet jetike për brezin e ri,
ka pasuar me emigrimin masiv të rinjve në vende të ndryshme, në kërkim të një
jete më të mirë. Kombi ka nevojë për energji të re, për potencial të arsimuar
në zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme në rrafshin kombëtar. Të rinjtë,
kanë nevojë të marrin pjesë në vendimmarrje dhe të jenë pjesëtarë aktivë të
shoqërisë, siodomos në rrjedhat e sotme bashkëkohore të shoqërisë. Duhet
biseduar dhe dëgjuar fjalën e të rinjve, nevojat dhe kërkesat e tyre. Idetë dhe
vizionin e tyre për të ardhmen e shoqërisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të
shpresojmë në një të ardhme më të mirë.
Sa i takon zgjedhjeve të
fundit, si mendoni se u prit në opinionin shqiptar mesazhi që vinte nga
Shqipëria dhe Prishtina? A mendoni se ka ndikuar në rezultatin e përftuar?
K. DUKAJ: Kuptohet se mesazhet dërguar nga kryeqendrat
shqiptare, janë të mirëpritura kudo nga shqiptarët në vendet e rajonit dhe më
gjerë. Aq më parë, pasi opinioni shqiptar jashtë shtetit amë, Shqipërisë, është
gjithëherë në pritje të mendimit dhe sugjerimeve nga politikbërësit shqiptarë
për të përparuar proceset shoqërore në të mirë të përgjithshme. Mirëpo, ajo që
duhet të kihet parasysh nga të gjithë ata, është fakti i unifikimit të spektrit
politik shqiptar sidomos në vendet ku ata janë popull pakicë. Mirëpo, duhet pas
parasysh se pluralizmi politik në mjediset shqiptaree kudo, është i
domosodoshëm për një veprim sa më të mirëfilltë të përfaqësuesve shqiptarë.
Andaj, konsideroj se baraspesha në mbështetjen e proceseve të tilla, është
kontributi më i mirë në mbarëvajtjen e proceseve politike në rajon. Kuptohet,
gjithherë me një vështrim konstruktiv për mendimin ndryshe pasi çështja
shqiptare në rajon, është shumë e ndjeshme. Në njërën anë, kemi individë të
arsimuar në qendra të ndryshme universitare të cilët kanë qasje pragmatike ndaj
proceseve të domosodshme kombëtare kudo, kurse, në anën tjetër, individët e
konsumuar politikë të cilët duan të mbijetojnë në skenën politike, pavarësisht
rezultateve të arritura. Konsideroj se institucionet shqiptare, ashtu siç
insistojnë në mbështetjen e proceseve gjithëpërfshirëse demokratike, duhet të
vlerësojnë arritjen ose jo të synimeve të parashtruara në interesin më të
gjerë. Mendoj se politikbërësit nga kryqendrat shqiptare, kanë nevojë për më
shumë informacione nga strukturat më të gjëra, jo vetëm politike. Nga
opinionistë dhe veprimtarë të ndryshëm të cilët janë në pritje të rezultateve
më të mira, sidomos nga proceset zgjedhore. Mesazhet e këtilla, pak a
shumë, ndikojnë në rezultatin zgjedhor por, jam i sigurt se
informimi më i mirë, shkëmbimi i mendimeve dhe analizave të ndryshme
me veprimtarë dhe intelektualë të pavarur, do të ishte kontributi më i
mirë në arritjen e suksesve më të larta në çdo fushë.
Nëse ju do të ishit pedagog
i shkencave politike në një nga Universitetet tona, si do t´jua shpjegonit
studentëve situatën post-zgjedhore në Mal Të Zi?
K. DUKAJ: Të flasim pakëz në mënyrë hipotetike. Sikur
të isha një pedagog, do të tentoja një shpjegim objektiv të situatës, sidmos të
asaj paszgjedhore. Vlerësoj se kjo nuk është tepër e komplikuar, pasi unë në
paraqitjet e mia në media gjatë fushatës parazgjedhore, kam parashtruar disa
nga çështjet e ndodhura në zgjedhje. Pa ndonjë shpikje të re por kryesisht, në
bazë të situatës ekzistuese, të përcjellë me polarizime të shumta dhe me një
retorikë që, për momentin, nuk ishte e favorshme për elitën politike në
pushtet. Ndërkohë, mjedisi i krijuar, ka reflektuar një rezultat befasues,
sidomos për ata që nuk janë mjaftueshëm në rrjedhën e ngjarjeve në vend.
Aq më parë pasi, strukturat fituese në zgjedhjet paralamentare, kanë dallime të
mëdha programore në çështje të shumta por strategjike për të ardhmen e vendit.
Besoj se ekzekutivi i ardhshëm i dalë nga rezultati i ngushtë zgjedhor, do të
përballet me sfida të shumta jo lehtë të kapërcyeshme. Në radhë të parë, të
tranzicionit të qetë të pushtetit por edhe në ruajtjen e vazhdimësisë së proceseve
të integrimeve Euroatlantike, ruajtjen e vlerave multietnike dhe
multikonfesionale të shoqërisë në Mal të Zi, që do të jetë njëra ndër sfidat
parësore të përbërjes aktuale të bllokut opozitar në Mal të Zi.
Sërish në të njëjtin
pozicion, si do t´jua shpjegonit pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi? Ku janë
ata me perspektivën evropiane të integrimit?
K. DUKAJ: Pavarësisht përbërjes së ardhshme të
shumicës parlamentare, konsideroj se spektri politik shqiptar, duhet
mirëmenduar kahjen e mëtejme të veprimit politik. Është koha për veprime
pragmatike në përparimin e çështjes shqiptare, në drejtim të integrimeve të
brendshme, njëjtë integrimeve në familjen e gjerë Evropiane. Nuk është
kontestues kontributi i popullatës shqiptare dhe i subjekteve politike të tyre,
në procesin e deritashëm të negociatave dhe të integrimeve të përgjithshme të
Malit të Zi në rrjedhat evropiane. Tashmë, është e njohur se populli shqiptar
në rajon, është populli më proevropian në rajon. Popull propërendimor, ashtu
siç është në traditën tonë të lashtë. Nuk do mend se nga ky pozicion,
komuniteti shqiptar në Mal të Zi, është i mirëpritur në çfarëdo përbërje të
qeverisë së ardshme të Malit të Zi. Ndërkohë, marrëdhëniet e mira fqinjësore të
Malit të Zi, me dy shtetet shqiptare në rajon, janë favorizuese për
përmirësimin e pozitës së përgjithshme të komunitetit shqiptar në Mal të
Zi e që është vlerësuar në vazhdimësi nga autoritet shtetërore në të gjitha
nivelet. Sigurisht që kjo do t’i kontribuojë përmirësimit të
gjendjes së përgjithshme, sidomos në fushën e arsimit, kulturës, krijimtarisë e
kështu me radhë.