Intervista » Entela
Entela Binjaku: Intervistë me akademikun Kopi Kyçyku
E diele, 26.04.2020, 12:58 PM
Intervistë me akademikun Kopi Kyçyku
Nga
Entela Binjaku
Me Shqipërinë dhe me Rumaninë në zemër, me një potencial të admirueshëm
energjie, dijeje dhe force mendimi, i apasionuar sidomos pas gjuhëve, pas
letërsisë, folklorit, gjeologjisë, muzikës, akademiku Kopi Kyçyku është ndër
njerëzit që mezi ç’pret ta dëgjosh.
Mundësia për ta intervistuar këto ditë ishte një
dhuratë në një kohë të vështirë, si një kujtesë për referencat e tua në jetë,
një udhërrëfyes në një kaos drejtimesh.
Përveç përvojës së drejtëpërdrejtë në aktivitete ku
binte në sy puna e tij e palodhur, jetëshkrimi i pasur profesional ishte dhe
shtysa kryesore për këtë “takim” virtual.
Kopi Kyçyku është nderuar me
çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për veprimtarinë shkencore-didaktike dhe për
përkthime. Ai është pjesëmarrës në shumë
kongrese dhe simpoziume shkencore, të organizuara në shumë vende të botës dhe
ka dhënë mësim, si profesor i ftuar, në universitete të Evropës, Azisë dhe Afrikës
etj.
Është autori i një numri të madh monografish ndër të cilat përmendim:
“Mustafa Qemal Ataturku”, „Turqia e Pasluftës (1945-1985)”, „Kryengritja e
armatosur e Ilindenit, Maqedoni (1903) „Marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë
shekujve”, „Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik”, “Arumunët në optikën
shqiptaro-rumune”, “Historia e Shqipërisë”, „Pater - Emil Conduraqi”, „Historia
e Maqedonisë”, „Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë”, “Dy Evropa - një divorc intelektual?”
(bashkautor Razvan Theodoresku)etj.
Ndër të tjera akademiku Kopi Kyçyku është: Laureat i Medaljes
“Mihai Eminesku”, akorduar me Dekretin e Presidentit të Republikës së Moldavisë
(2012), anëtar themelues i Fondacionit Evropian “Nikolae Titulesku”, anëtar
themelues dhe anëtar i Komitetit Drejtues Ndërkombëtar i Qëndrës Evropiane të
Studimeve Ndëretnike dhe të Komunikimit pranë Akademisë Rumune, anëtar
themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës Qëndrore, anëtar
titullar i Akademisë Evropiane të Arteve (Belgjikë), anëtar i Shoqatës së
Ballkanistikës dhe të Sllavistikës, anëtar titullar dhe anëtar nderi i shumë
akademive dhe forumeve shkencore ndërkombëtare, etj.
Ndiqeni në vijim intervistën me akademikun Kopi Kyçykun.
Bukureshti, cili
është vendi që zë ky qytet në jetën tuaj?
Kopi Kyçyku: Në zemër. Pranë Pogradecit e Tiranës.
Si e ndani kohën mes
Shqipërisë dhe Rumanisë, çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria kur jeni në
Rumani?
Kopi Kyçyku: Afërsisht përgjysëm. Kur jam në Rumani, më mungon Shqipëria. Kur jam në
Shqipëri, më mungon Rumania.
Mund të na flisni
pak për familjen tuaj? Ardiani, djali juaj, shkrimtar i njohur dhe ai akademik,
zgjedhur rektor i një universiteti në Bukuresht. Si ju bën të ndjeheni ky fakt?
Çfarë cilësisht do të veçonit tek fëmijët tuaj?
Kopi Kyçyku: Familja ime, përveç meje, ka në përbërje Marthën (bashkëshorten) dhe dy
djem, Ardianin e Gentianin. Ardiani është, siç e thatë, shkrimtar dygjuhësh,
akademik e rektor universiteti në Bukuresht. Gentiani - jurist. Të dy janë
korrektë e të matur. Në jetë nuk më kanë shkaktuar asnjë telash, sado të vogël.
Ju keni një raport
shumë të mirë me gjuhët e huaja. Si ia keni arritur t´i mësoni dhe kur ka
filluar të shfaqet kjo aftësi tek ju?
Kopi Kyçyku: Falë kujtesës që nuk më ka tradhtuar asnjëherë deri tani, kam mësuar disa
gjuhë të huaja. Fillimisht iu futa italishtes, qysh kur isha 12 vjeç. Rusishten
e mësova në shkollë, ndërsa gjuhët e tjera në mënyrë autodidakte.
Ju jeni anëtar i
Shoqatës së Përgjithshme të Inxhinierëve të Rumanisë (AGIR), mbani Urdhërin e
Kavalierit të Shën Silvestrit, jeni prej më shumë se dy dekadash Akademik Nderi
në Indi, zëvendëspresident i Kongresit të Botës Shpirtërore Rumune. Çfarë
kuptimi kanë këto angazhime për ju?
Kopi Kyçyku: Janë si puna e llotarisë, pra duhet të kesh fat që të të bjerë numuri
fitues. Thënë ndryshe, këto ndere, - që përpiqem t'i meritoj me punë e
përkushtim, - mund t’u bëheshin edhe të tjerëve. Megjithatë është
"llotari" që nuk mund ta heqë kushdo, por vetëm ata që e meritojnë.
Ndër ta, me sa duket, jam edhe unë.
Cili është
aktiviteti sot i revistës "Haemus”, bashkëthemelues i së cilës ju jeni?
Kopi Kyçyku: Revista “Haemus”, e themeluar nga Ardiani dhe unë, qysh nga 28 nëntori
1998, del në shqip e rumanisht, mesatarisht me 200 faqe çdo tre muaj. Ka edhe
raste kur periodiciteti nuk respektohet për shkaqe kryekëput financiare. Në
mijëra faqe që numuron deri tani, ka zhvilluar pa ndërprerje një veprimtari të
gjerë e të gjithanshme për të bërë të njohura kulturën mbarëshqiptare dhe atë
rumune, por edhe të popujve të tjerë. “Haemus”-i, që nuk “ngatërrohet” në
politikë, njihet nga Bashkimi Evropian dhe ka një rrjet bashkëpunëtorësh të
nivelit të lartë në të gjitha fushat.
Çfarë mendimi keni
për arumunët e Shqipërisë? Cili është roli i kësaj pakice kombëtare në vendin
tonë? Në cilën fazë ndodhen ata sot?
Kopi Kyçyku: Arumunët, trima e të mënçur, në Shqipëri, ashtu si kudo gjetiu, janë
element stabiliteti, mirëkuptimi dhe mbartës të progresit të gjithanshëm. Qysh
më 1991, në një letrër drejtuar Presidentit dhe ministrit të Jashtëm të
Republikës së Shqipërisë, kam kërkuar që, ashtu si pakicës greke, t’u jepej
edhe arumunëve statusi i pakicës kombëtare, jo thjesht gjuhësore apo kulturore,
pra edhe e drejta e përfaqësimit në Parlamentin e vendit tonë. Qysh nga viti
1998 e këtej, për arumunët kam shkruar disa libra, në shqip e në rumanisht.
Cili është sipas
jush roli i komunitetit shqiptar në Bukuresht? Pse në Shqipëri dihet më pak për
shqiptarët që jetojnë në zona të tjera të Rumanisë?
Kopi Kyçyku: Dikur Kolonia e Bukureshtit ishte më e fuqishmja dhe më e ngritura
kulturalisht ndër simotrat e saj në Turqi, Bullgari, Egjipt, SHBA etj.
Megjithëse tradicionalisht, pra edhe sot, gëzon përkrahjen e fuqishme të
shtetit dhe simpatinë e popullit rumun, gjatë regjistrimit të fundit të
popullsisë, vetëm 520 vetë janë deklaruar shqiptarë, nga të cilët pjesa më e
madhe janë “shurdhmemecë”, pra as flasin e as marrin vesh shqip, përfshi
drejtuesit e organizatave anemike që kanë pasuar njëra-tjetrën nën emërtime të
ndryshme dhe kanë folur në emër të etnisë shqiptare. Kjo është, mjerisht,
gjendja e vërtetë, sado që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen përpjekje të
dëshpëruara për ta ngjyer me llojlloj bojrash. Fatmirësisht, në Rumani
tashmë ekziston një bashkësi shqiptare e të rinjve që ndjekin studimet ose
punojnë këtu dhe që po përtëritin e po çojnë më tej vlerat e Kolonisë së
dikurshme.
Cilat janë pasionet
tuaja?
Kopi Kyçyku: Gjuhët (në krye shqipja!), letërsia, folklori, gjeologjia, muzika.
Nëse mes lexuesve
tanë do të jenë edhe të rinj, çfarë mesazhi do të kishit për ta?
Kopi Kyçyku: Pavarësisht nga mosha, - të rinj apo të moshuar, - të jenë të zellshëm e
të ndershëm, ta duan atmëmëdheun kudo që të ndodhen, të jenë krenarë që i
përkasin e t’i gjenden pa ngurrim sa herë të ndjehet nevoja për ta dhe për
familjet e tyre.