Intervista
Aleks Kapllaj: Intervistë me sopranon Donika Mataj
E hene, 30.11.2020, 09:00 PM
Intervistë me sopranon
Donika Mataj
Ekskluzive nga Aleks Kapllaj
Sopranoja Donika Mataj e Akademisë Nacionale të
"Santa Cecilia" në Romë, fituese e disa çmimeve të para.
Sopranoja Donika Mataj, koriste e soliste e
Akademisë Nacionale të Santa Cecilia-s, me përgatitjen e saj në operën lirike,
simfonike e sakrale e me interpretimet e saj të larta, ka marrë disa çmime të
para dhe vlerësime nga kritika italiane dhe ndërkombëtare.
Zëri i saj i bukur e teknikisht i perfeksionuar,
ka "pikturuar" afresket e teatrove të kryeqyteteve europiane dhe
katedraleve të tokës dhe të qiellit ku arrin zëri i saj, kudo që ka kënduar,
për të gjithë artdashësit e muzikës lirike, që kanë pasur fatin të dëgjojnë
zërin e Sopranos, ndër më të mirët që
janë sot në Europë, duke dhuruar vetëm emocione unike, që arrijnë në zemrën dhe
mendjen e çdo dëgjuesi e të apasionuari të muzikës dhe kangës së saj, magjia e
së cilës të shoqëron gjithë jetën në udhën e artit dhe bukurisë të krijimtarisë
njerzore dhe hyjnore në këmbim simbiotik.
Që në vitin 1998 fiton çmimin e parë, të jurisë
dhe publikut, në konkursin "Rocca delle Macìe", per interpretimin me
zërin e saj të ngrohtë dhe akut si soprano. Në vitin 2009 është vlerësuar si
"zëri i parë mes të barabartëve, ashtu si Verdi donte" në Te Deum e
Giuseppe Verdit, e dirigjuar nga M.stri Antonio Pappano. Sukses i përsëritur në
Royal Albert Hall të Londrës në 2013.
Në shkurt të 2015, përherë me dirigjencën e M.
Pappano, në kastin ndërkombëtar të AIDA-s, ka marrë vlerësimin personal nga
kritika: "Donika Mataj, është zëri
më i gjërë dhe autoritar i mbrëmjes.... i shkëlqyer, i kadiftë dhe shumë i
vendosur". Përgatitja e saj në operën lirike, simfonike e sakrale e kanë prezantuar atë, me interpretime të
larta në të gjitha skenat që ka marrë pjesë.
Çfarë do të thotë për
një këngëtare lirike të jetë soprano e soliste e Akademisë "Santa Cecilia"?
Akademia
nacionale "Santa Cecilia", bashkë me teatrin "La Scala" të Milanos,
janë institucionet për eçelencë të Italisë dhe kështu njihen në gjithë botën
për këngën lirike. Kori i jonë, është një ndër koret më të rëndësishëm në
Europë. Ai ekziston që në 1500-n dhe ka marrë disa çmime ndërkombëtare shumë të
rëndësishëm.
Unë
jam artiste e ketij kori, që nga viti 1999, kur fitova konkursin e për të bërë
një konkurs të tillë, duhet të keshë një përgatitje jo vetëm si këngëtare, por
edhe si muzikante.
Për
5 vende fikse që kërkoheshin, në konkurs, morën pjesë 500 soprano.
Unë
hyra e dyta në listë. Për mua është një eksperiencë e jashtzakonshme, sepse cdo
gjë që kam studjuar në teori ne e bëjmë praktikë, që nga muzika polifonike,
sakrale, sinfonike, lirike e bashkohore. Kemi punuar me dirigjentët më të
mëdhenj të botës.
Aktualisht
dirigjenti dhe drejtori artistik i Akademise është M.stro Antonio Pappano, që
është një nga dirigjentët më të rëndësishëm të kësaj epoke.
Unë
aty nuk jam vetem koriste, por tash 21
vjet mbuloj shpesh role solistike, të cilat më japin shumë kënaqësi dhe
kam kënduar me dirigjenta shumë të rëndësishëm.
Edhe
kritika më ka vleresuar disa herë....
Si arrihet një sukses i
tillë?
Unë
kam filluar të studjoj muzikë në moshën 9 vjece, në shkollën 17 tetori në
Lezhë, ku kam studjua 4 vjet kitarrë. Pastaj fitova konkursin për liceun
artistik Prenkë Jakova, në Shkodër, ku kam fillu edhe studimin e kantos lirike 2 vjet me Prof Ferid Balen, e 2
vjet me Violeta Kananin. Pas katër viteve,
bëra konkursin për konservator dhe vitin e parë nuk e fitova. Atë vit,
kam punuar si mësuese muzike në Ungrej të Kashnjetit.
Mbas
një viti e bëra edhe një herë konkursin dhe e fitova.
Profesoresha
që më ka dhanë kurajo për me vazhdu me këtë profesion, ka qënë Rozmari
Jorganxhi (nëna e kompozitorit Gjergj Leka) e cila ka një muaj që nuk është më
pran nesh. Ajo zonjë, grua dhe artiste e madhe më thoshte gjithmonë:
"Donika, ti nga këtu duhet te ikësh sepse zëri i jot, është shumë i
rëndësishëm e i cilësisë së parë dhe vetem larg nga këtu, do të gjesh rrugën
tënde, sepse Shqipëria ka vetëm një teatër".
Në
vitin e tretë të konservatotit, kam njohur edhe Bassin e madh shqiptar Lukë
Kaçaj, me të cilin kam studjuar gadi 1 vit me të.
Kur
bëra "saxhon" në fund të vitit kanë mbetur "me gojë hapur"
të gjithë profesorat, kaq mire më pergatiti profesor Kaçaj.
Sapo
mbarova konservatorin, mu dha mundësia me shku në Itali, në një festival të
muzikës folkloristike të Ballkanit, në Agrigento, si antare e grupit artistik
të Lezhës .
Edhe
kjo ishte një eksperiencë e mirë për mua e pastaj shkova direkt në Romë, ku me
priste vëllai im (i ndjeri pediatri dr. Llesh Mataj, shënimi im a.k). Në Romë
kam studjuar në privat me disa profesora e, në veçanti me një profesoreshë me
origjinë shqiptare, Silvana Ferraro. Fillova të bëja konkurse internazionale
për kanto lirike, sepse vetëm ato mund
t'i bëja nga që nuk kisha dokumenta
artistike, por si puntore e thjeshtë.
Konkursi
i parë që mora pjesë ka qënë në Trapani të Siçilisë, që quhej "Giuseppe di
Stefano" (në nder të tenorit me famë botërore) dhe fitova çmimin e tretë.
Më vonë erdhën edhe çmimet e para: në Romë, konkursi i muzikës së shenjtë; në Siena, konkursi
"Rrocca delle Macie", çmimi i parë absolut i jurisë dhe i publikut.
Pastaj në Vjenë, konkursi ma i madh në botë "Belvedere", ku mora çmim
special. Konkuruam 3 mijë soprano nga gjithë bota. Në finale arritëm vetem 3
soprano.
Në
vitin 1995 kam ba një kurs përfeksionimi
me sopranon e famshme Katia Ricciarellin dhe në 1999, me sopranon e
famshme Renata Scotto.
Në
98-n, jam njohur me tenorin italian Vincenzo De Angelis, i cilin më vonë u
ba edhe bashkshorti im. Ndërkohë, bashkë
me burrin kemi kënduar operat "La Boheme" e Giacomo Puccini-t, "La Traviata" e Giuseppe Verdit, "la Carmen" i Bizet, "Il
Trovatore" e "Aida" të Verdit etj. Kemi kënduar në Itali, në
Spanjë në Francë. Filluan edhe kontaktet nga agjentët për karrierë, por unë
mora nje vendim, që në fillim edhe im shoq nuk ishte fort dakort, që të hyja në
korin e "Santa Cecilia" dhe siç fola më sipër, e fitova. Edhe sot jam shumë e kënaqur nga zgjedhja që
kam ba, sepse të bësh karriere të madhe, do të thotë të mos kesh kohë për familjen.
Unë
kam vu gjithmonë në vend të parë familjen. Dhe me interpretimin si soprano e
korit "Santa Cecilia", kam sodisfaksione të mëdha artistike.
Si studjon Donika tani
dhe me kë?
Në
këto 22 vite që jam e martuar, kam fatin e madh, që burri im është edhe një
mjeshtër kantoje shumë i mirë, dhe me jep këshilla, që ta mbaj zërin gjithmonë
në formë. Përgatitemi minimumi 4 herë në javë dhe çdo ditë të paktën 30 minuta
vetëm vokalica.
Cilët janë tenorët dhe
sopranot më të preferuar?
Këngëtarja
ime e preferuar sot është Anna Netrepko. Tenori im i preferuar sot është Rame Lahaj, shqiptar
nga Kosova. Ndërsa, sopranoja ime e preferuar mbi të gjitha është Maria Callas.
Pas saj vijnë Renata Tebaldi e Mirella Freni, ndersa tenorët janë Franco
Corelli, Giuseppe di Stefano, Nikollai Gedda e shumë të tjerë, që nuk mund t'i
përmend të gjithë.
Cila është këshilla e
juaj për çdo aspirues të këngës së lirikës për të arritur rezultate të larta në
nivele kombëtare e ndërkombëtare?
Këshilla
ime për çdo aspirues të ri të kësaj gjinije muzikore është studim, durim
këmbëngulje dhe të jeshë sa më i thjeshtë, sepse në këtë mjeshtri nuk ja arrin
gjithmonë. Çdo koncert e cdo premiere, është gjithmonë si hera e parë.