Intervista
Aleks Kapllaj: Intervistë me shkrimtarin Gjergj Jozef Kola, fitues i çmimit At Gjergj Fishta, me romanin "Marije Tuçi"
E shtune, 04.12.2021, 09:00 PM
Intervistë me
shkrimtarin Gjergj Jozef Kola, fitues i çmimit At Gjergj Fishta, me romanin
"Marije Tuçi"
Ekskluzive nga Aleks KAPLLAJ
Kush është Gjergj Jozef
Kola, fituesi i çmimit At Gjergj Fishta, me romanin dedikua martires Marije
Tuçi?
Unë
jam nji shkodran tipik që ka shpirtin e humorit në sy për me i mbijetu kohëve e
stuhive që ajo bjen me vedi, që nga fundshekulli i 15 kur qyteti ra në duert e
osmaneve, të cilët ja prenë pemës së qytetnimit arbnor degët, porse jo rranjët,
se aq thellë nuk kishin forcë me hi, megjithse na ndaluen gjuhën per 4
shekuj...
Romani
Marije Tuci mori çmimin At Gjergj Fishta, si i vetmi roman që u vlerësua aty,
falë përkushtimit të poetit laureat, Rudolf Marku, në bashkpunim me
kryebashkiakun Ndreu, që u angazhuen totalisht me e nderu Poetin e Kombit. Unë
e vlerësoj shumë angazhimin e Rudolfit, i cili kët organizim dinjitoz do e
kishte ba edhe me Kryebashkiakun Frrokaj, e tham kët jo sepse Frani asht
kushëri i jemi, porse Rudolfi ka aftësinë me dalë mbi politikën kur asht fjala
për letërsinë. Njerëz të tillë integrues i duhen kombit shqiptar.
Cilat janë gjinitë
letrare që keni shpreh krijimtarinë tane deri sot?
Krijimtaria
e jeme e botueme përmblidhet në 10 romane e 50 drama, të cilat mund të merren
në platformën ma të madhe të librit në planet: Amazon.
Gjithashtu
në youtube, kam disa poema të mijat, pa përmendë botimet poetike në periodike
të ndryshëm.
Esetë
jane edhe nji nga zhanret që trajtoj me kënaqësi tash e parë si dhe diku te 30
tregime... Të gjitha janë në gegnishten letrare e cila fatmirësisht, i ka
mbijetue diktaturës dhe asht shenjë e naltë identiteti.
Romani i juaj "Historia e dashunisë dhe miqësisë", ka brenda kollonat e
jetës, që i mbijeton çdo prove të
trajtës së shëmtuar të njeriut
antinjeri. Si i ka pritur lexuesi shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë veprat
tuaja? Sidomos në Shkodër, a keni marrë vlerësimet e qytetlindjes tane?
Romani
''Historia e dashunisë e miqësisë" asht romani i vetem shqiptar që ka
qindru në Amazon, për disa javë në vendet e para. Ky asht nji roman per Tiranën
e viteve 80, në grahmat e fundit të diktaturës, të paraqituna përmes nji
dashunije e miqesije të madhe.
Krijimtaria
jeme asht e ndertueme nën moton: Nuk asht e randsishme ngjarja që kallxojmë,
porse mënyra si e kallxojme. Nji roman shkruhet me nji frymë e lexohet me nji
frymë. Ne Shqipni e ne Shkodër romani nuk ka pasë ndonji jehone të madhe, për
vete faktin se lexuesit aty nuk kane lidhje me Amazon, porse shqiptarët e
diasporës e marrin librin thuejse cdo muej e kët e shoh kur me vjen llogaria e
Amazonit.
Çfarë çmimesh keni marrë
dhe cili është ai që të ban ma krenar, kuptohet përveç atyre të lexuesve?
Romani
"Krishtlindje ne Golgota" mori Çmimin e parë të Diasporës shqiptare
në botë, me qender në Gjermani që mban emnin e poetit AZEM SHKRELI. Ky roman
del në dhjetor në gjermanisht në platformën Amazon dhe prezantohet në Vjenë...
Shkodra, ah Shkodra! Në vjetin 2018 u organizu konkursi i dramës nga bashkija e
teatri "Migjeni" e, drama ime Nanë Tereza, që ishte vlerësu edhe ne
Austri me diplomën Europa, u nderu nga Juria e nderueme me çmimin
fitues....Porse kjo nuk u pëlqeu forcave osmano bizantine që mbajnë peng
qytetlindjen time. Kështu u mblodhën drejtuesit e në bashkpunim me nji ish
sekretar të Ramës nga Tirana e hoqën çmimin fitues dhe e ndanë në mes tyne. Unë
i kam shkrue z.Ademi porse ajo nuk ka denju asnjihere të përgjigjet. Dokumenti
i konkursit ruhet ende në arkivë të zyrës së kulturës së bashkisë e uroj që nji
ditë drejtësia të vehet në vend. Çmimet
e mija janë modeste, porse me shumë vlere: Nominimi I drames KOL BIB MIRAKAJ
për çmimin SIMON WISENTHAL 2021, asht nji nga gëzimet më të mëdha në rrugën
teme si autor. Për vendosjen e saj në skenë i kam kërku bashkpunimet edhe
fondacionit SOROS, me qendër në Gjermani, meqë vetë George Soros, ishte nji
fëmijë hebre që pshtoi falë adoptimit që i bani nji katolik hungarez e shpresoj
me gjetë mbështetje.
Sa njihet krijimtaria e
juaj në Vjenë dhe si është vlerësuar deri sot? A janë vu në skenë
dramat tuaja në
Shqipëri?
Dramat
jane pritë mirë në Diasporë. Nji tipar i këtyne dramave, janë përsonazhet
historike, të cilët unë i kthej në frymen e kohës për publikun, nise nga Nane
Terezja, Gjergj Kastrioti - Skanderbeg, Martin Camaj, AT Gjergj Fishta, Musine
Kokalari e dhjetra të tjerë... Në skenë jane vendosë disa, në Gjermani e Austri
me regjisorë si Rita Ndoci e Erwin Leder, porse vetëm në Perëndim ndërsa në
trojet tona në Ballkan asnji e kjo për arësye të ndryshme, mbi te gjitha për
Lobbyn. Nëse nuk ban pjesë e nji lobby të caktuem, nuk ke shance e ky lobby
asht ma së shumti nji reminishence osmano-komuniste se cilës unë asnjiherë nuk
i përkas.
A janë vunë në
skenë dramat tuaja
në në Austri?
Si janë pritur ato nga artdashësit?
Dramën
që po përgatisim për 30 vjetorin e kalimit në amshim të Martin Camajt, për të
cilën janë angazhu shume përsona multinacional, sic jane Aktorja austriake
Barbara Braun, Muzikantja ruse Elena Rozanova me baletin e saj, si dhe qershija
mbi tortë, Modelja shqiptare Arilda Lleshi, që do lueje edhe rrolin e Muzes që
e e kam shumë për zemer.
Kjo
drame do të luhet në ambjentet e Museumit historik vjenez si premierë, ndërkohë
që janë në projekt edhe performime në teatro të tjera te 23 lagjeve vjeneze.
Shpresojme në mbeshtetjen e Bashkisë së Vjenes, të Fondacionit Camaj e së fundi
edhe të ministrisë së kulturës së tri ministrive te kulturës shqiptare në
Ballkan, Tirane-Prishtine-Shkup apo edhe të meceneve tone nëpër botë.
Si e shihni kontributin
e diasporës në kulturën shqiptare dhe të ardhmen e saj?
Diaspora
shqiptare ka qenë gjithnji nji burim i pastër për kulturën tonë e në atë
drejtim po ecim. Qëllimi im final, asht me kriju nji Institut të kulturës
mbarëshqiptare, me qendër në Vjenë, porse interesi i politikës shqiptare asht i
pamjaftueshëm e ka me mu dashtë me e ndërtu vetë.