Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Personazhe të panjohura që na thonë shumë
E premte, 18.08.2023, 06:59 PM
Personazhe të panjohura që na thonë shumë
Nga
Blerim Latifi
Sabri
Lutfiun e kam shok të fëmijërisë. Jemi rritur bashkë, në një kohë të zymtë në
të cilën fëmijët e kishin të vështirë të jetonin si fëmijë. Sherret e
përbashkëta fëmijnore me Sabriun, sot janë ndër gjërat më nostalgjike në librin
e kujtimeve të mia. Ai dallonte prej gjithë ne të tjerëve me çiltërsinë e tij
të natyrshme. Ky tipar edhe sot është pjesë e karakterit të tij.
Pasi
kishte shpërthyer lufta, në një ditë qershori, ai u bashku me një grup
vullnetarësh që do shkonin në Shqipëri për të marrë armë. Ishte vetëm 17
vjeçar.
Eci
qindra kilometra bashkë me ta. Kaloi fusha e male, lumenj e shtigje të
vështira, kaloi përmes kufirit të minuar dhe të blinduar nga ushtria serbe dhe
zbriti në Luginën e Valbonës. Aty veshi uniformën e UÇK, mbushi çantën me
fyshek e bomba, ngjeshi pushkën në sup dhe bashkë me shokët mori rrugën e
kthimit në Kosovë. Kështu ai u bë pjesë e një historie të jashtëzakonshme në
krejt historinë botnore të luftërave çlirimtare: djem të rinj që bëjnë qindra
kilometra rrugë, duke sfiduar vdekjen që i përgjon pas çdo hapi, për të
siguruar një pushkë, që t'ia shkrepin pushtuesit zullumqar.
Pas
10 ditësh Sabriu kthehet në Prekaz si luftëtar lirie dhe menjëherë integrohet
në Brigadën 114 të udhëhequr nga Fehmi Lladrovci.
Në
Ofensivën e Shtatorit, ku mbi 25 mijë ushtarë serbë u sulën mbi fshatrat e
Zonës së Qyqavicës, Sabriu ndodhej në vijën e parë të zjarrit që binte në
Prekaz. Kur tanket serbe arritën tek shkolla e Prekazit, në një çast kritik ai
bëri atë që pak të tjerë e bëjnë: lëshoi pozicionin e tij krejt të sigurtë
brenda një pylli dhe vrapoi nëpër fushën e hapur që të nxirrte prej andej
vëllaun tim Bekimin, i cili, duke qenë i ngarkuar me mitrolozin e rëndë, kishte
mbetur brenda fushëpamjes shumë të afërt të tankeve serbe. Në çastin kur të dy
po i afroheshin pyllit, gjylja e tankut ra krejt afër tyre. Pluhuri dhe gjethet
ranë mbi ta.
Sabriu
mbeti i tillë gjatë gjithë luftës. Kur lufta përfundoi, ai u bë pjesë e TMK-së,
por shpejt e ndjeu se jeta ushtarake në paqe nuk ishte për të. U kthye në jetën
civile, krijoi familjen dhe nisi të kërkonte punë. Aplikoi në dhjetëra e
dhjetëra vende pune të hapura, konform arsimimit që kishte, por askush kurrë
nuk e thirri në intervistim. U kërkoi të njohurve ta ndihmonin, edhe
komandantëve të tij, por pas premtimeve të tyre, nuk ndodhi kurrë asnjë
thirrje. Shpresa nisi t'i venitej, zhgënjimi t'i rritej dhe shpesh mendonte të
merrte familjen e të ikte diku në Europë. Ditë pas dite duke u munduar të
gjente ndonjë punë sa për të mbajtur familjen, nisi t'u ndihmonte disa të
njohurve që kryenin punë profesionale në instalimin shtëpiak të ujit. Pak nga
pak, duke punuar e mësuar, një ditë ai ia doli të përvetësonte këtë zanat dhe
gradualisht të bëhej i pavarur në ushtrimin e tij. Falë kësaj pune, sot Sabriu
bën jetën e tij familjare, modeste në dukje, por thelbësisht dinjitoze. Dhe
dinjiteti është emri që e meriton ta ketë shembulli i tij në luftë dhe në paqe.
Sot
ai ka ditëlindjen dhe unë i uroj gjithë të mirat, atij dhe familjes së tij të
mrekullueshme! Bota prej kohësh e njeh një leksion të çmuar: shkoni tek
heronjtë e heshtur, se tek ata do të gjeni të vërteta të mëdha mbi luftën dhe
lirinë!
____________
Ishin
ditë gushti të vitit 1920 kur një ushtri e çrregullt shqiptare nën drejtimin e
Ahmet Zogut e turpëroi Italinë duke i përzënë me forcë trupat e saj nga Vlora.
19
vite më pas Musolini do të hakmerrej pamëshirë duke pushtuar Shqipërinë brenda
një dite dhe duke shfronëzuar Zogun, i cili iku në mërgim për të mos u kthyer
kurrë më në Shqipëri.
Për
45 vjet me radhë komunistët do ta glorifikonin Luftën e Vlorës si shembull se
si një vend i vogël mund t'i thyej hundët një fuqie të madhe. Natyrisht, në
këtë glorifikim nuk figuronte emri i prijësit kryesor të kësaj lufte.
Shqiptarët
e shkretë derisa publikisht u duhej të shanin Italinë, fshehurazi mundoheshin
të përcillnin jetën e begatshme që bëhej atje. Kjo çoi në një dukuri me të
cilin Shqipëria njihet prej kohësh: të folurit masiv të italishtes nga
shqiptarët.
Kur
komunizmi ra, dashuria e fshehtë e shqiptare për Italinë mori formën e gomoneve
e trageteve të stërmbushura me shqiptarë që donin të ikinin drejt saj. Qindra,
në mos mijëra prej tyre, nuk patën fat, ngase humbën jetën mes dallgëve të
detit.
Me
1997 kur shteti ra dhe anarkia pushtoi vendin, u thirrën italianët për t'i
shpëtuar shqiptarët nga vetvetja.
Sot
kohët kanë ndryshuar dhe dashuria e njëanshme e shqiptarëve për Italinë, ka
filluar të bëhet reciproke: edhe italianët kanë filluar të rikthehen sërish në
bregdetin shqiptar. Jo si dikur me çizmet musoliniane, as me kazmat e
Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë, as me konvoje humanitare e trupa
policore për të ringritur rendin publik të shkatërruar nga vetë shqiptarët, po
si turistë dhe investitorë në një Shqipëri që po hedh hapat e fundit në
çlirimin përfundimtar nga vuajtjet e të shkuarës.
Për
dallim nga ne në Kosovë, Shqipëria ka pasur fat edhe me pushtuesit, sepse
sadoqë çdo pushtues në parim është i keq, ndryshon puna kur pushtues e ke
Italinë, e jo një shtet me shpirt mesjetar siç është Serbia.