E shtune, 28.05.2022, 08:47 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Mbaje fjalën, Ramush Komandanti!

E marte, 21.12.2021, 08:02 PM


MBAJE FJALËN, RAMUSH KOMANDANTI!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Disa komandantë, madje, më të zëshmit, të veshur me parti dhe pushtet, janë dëshmuar nga më të babëziturit, në zhvatjen e shtetit, duke u zhveshur nga çfarëdo atdhedashurie e morali njerëzor. Në këtë kategori prijnë Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, duke qenë se ishin në majat e shtetit dhe të pushtetit, përkatësisht, president, kryeministër!

Ramushi, përtej dy dekadave, jeton në Prishtinë, me gjithë vëllazëni. Trojet e vilave-pallate, dihet si i ka zënë! Njërën nga vilat-pallat, e ka dhënë me qera, siç e ka deklaruar në Parlament dhe vjelë 6.700 euro në muaj! Të gjithë familjarët, të moshës madhore, janë të punësuar, vëllezër e kunata, madje, në poste të përzgjedhura.

Pa e hapur letrën-akuzë, të mikut të tij, Adem Grabovcit, për depozitat dhe pasuritë marramendëse të Ramush Haradinaj, këto që thamë më sipër, janë të mjaftueshme, për të qenë i tejpasur, në raport me qytetarët e Kosovës, të cilët, së bashku me Palin e tij të Infrastrukturës, u shet moral e drejtësi hyjnore, duke vjelur votat e tyre "blanko"! Atëherë, pse duhej të zgjerohej përtej tokave të babait dhe Kullës gjigande, të ndërtuar me para, absolutisht, të dyshimta?!

Kërkesës të ligjshme të kryeministrit aktual, Albin Kurti, të bërë Ramush Haradinaj, për kthimin e tokës, prej 200 hektarëve, të blerë korruptueshëm e hajnishëm, me vetëm 3.50 euro arin, ai përgjigjet mashtrueshëm, falsifikueshëm e rrejshëm:

"... e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore, e kam rible tokën e babës dhe është në katundin tim, është në Gllogjan"!?

Pak histori nga Istogu im:

Mbaj mend, kur në vitin 1954, pushteti komunist jugosllav nxori një ligj: Konfiskimin e tokave private, të konsideruara si tepricë, të llogaritur me numrin e kurorave të meshkujve të martuar të familjes. Qëllimi ishte goditja e familjeve të mëdha nacinaliste. Për shembull: Babai im Sadi Smajl Zeqiraj, kishte sherbyer në Policinë e Skënderajt, në kohën e Shqipërisë së Bashkuar. Prej andej, ishte caktuar roje, shoqërues i përhershëm i komandantit nacionalist, Mehmet Gradica, deri në vetëvrasjen e tij. Pastaj, babai im u bashkohet çetave nacionaliste, në mbrojtje të kufirit verior të Kosovës dhe të Sanxhakut, nga ushtria çetnike, nën uniformëm partizane.

Pushteti konfiskoi 4 hektarë tokë të familjes tonë - ndër vade -, me ujitje dhe ia dha në pronësi kooperativës bujqësore të Vrellës, të bashkuar me ekonominë e Banjës. Familja jonë, për ta shpëtuar tokën, martoi një 17-vjeçarë, duke shtuar një kurorë, por, u konsiderua si "martesë e qëllimshme" dhe konsfiskimi i tokës ndodhi. Fshati Studenicë ka pasur 30 çetanikë, nën komandën e Bajram Gashit, të vrarë, në luftim e sipër, në bjeshkët e Istogut. Por, pushteti goditi vetëm tri familje të fshatit, veç konfiskimit të tokës, edhe "leçitjen", përjashtimin, deklasimin, izolimin, pa të drejtë vote e komunikimi me bashkëvendorët. Një xhaxha i imi, çetanik, u vra në moshën 17-vjeçare, në mbrojtje të Rozhajës. Dhe, familja jonë, - barku i gjyshit -, filloi burgjet politike në vitin 1945, për t`u liruar i fundit i familjes, në vitin 1992!

Në "Qarshi" flitet se 300 hektarë të kësaj ekonomie, janë privatizuar nga deputeti Xhavit Haliti dhe ortakut të tij, Dreshaj. Ky i fundit, vazhdon ta punojë pjesën e tij, ka ngritur një fermë lopësh, ka bërë një sallë sportive dhe shquhet për humanitet, në ndihmë të komunitetit. Ndërsa Xhaviti, pjesën e tij, ia ka faturuar një nipit nga bijat, praktikë kjo e mirënjohur e komandantëve zhvatës e hileqarë! Pjesën e tretë, të kësaj ekonomie bujqësore, e ka privatizuar një drenicar, por, flitet se pronar real është kreu i SHIK-ut!

Bëra këtë parantezë, për të dëshmuar se Ramushi ia huqi, kur tha se "kam rible tokën e babës"! Në fakt, babai i tij nuk njihet për pasuri dhe as për kundërshti ndaj pushtetit. Kam pasur shok rinie Smajl Haradinaj, i cili ka qenë pjesë e ilegalës së hershme. Në ato 200 hektarët e kontrabanduara nga Ramushi, nuk ka asgjë ligjore, sepse nuk është tokë dushkajë e bokërrinë gurore, por, pemishte e Fermës Bujqësore. Pjesë e asaj toke mund të jenë edhe ndoca hektarë të tokave të shtetëzuara me konfiskime. Por, bazë janë tokat "pashnjak", "me ra", "utrinë", pra, tokë e shtetit, e përpunuar me investime domëthënëse dhe assesi toka të privatëve. Dhe, hiç se hiç e babës të Ramushit!

Ilustrojmë:

Kur Familja Rugova u vendos në Cerrcë të Istogut, paria e fshatit provoi të mos e lejonin ta shfrytëzojë bjeshkën-kullotë! Një duzinë kushërijësh, nga fshati Malaj i Rugovës, zbritën në Cërrcë, me mesazhin e qartë, se vëllezërit tanë, këtu, nuk janë të vetëm, jemi edhe ne përkrah tyre. Kundërshtia u zvetnua, deri në shuarje.

Të nisur nga ky rast, Januzajt e Lubozhdës, të ardhur nga Isniqi i Deçanit, i mësoi një serb, për ta blerë bjeshkën dhe bërë tapinë. Dhe, ashtu ndodhi. Blenë 300 hektarë hapësirë bjeshkore, kullota dhe pyje, e shfrytëzojnë si kullotë, por, edhe për lëndën drusore, sipas rregullave që përcakton ligji. Dhe, e gjithë pjesa tjetër, është tokë shtetërore, është pasuri e brezave shqiptarë, të cilën, në mënyrën më të poshtër dhe më kriminale, përtej 20 vjetë radhazi, po e zhvatin bastardët, hajnat zyrtarë, kryesisht, bosat politikë e pushtetarë.

Mendësia e mykur e deputetit Xhavit Haliti

Opinioni shqiptar, madje, i përbotshëm, u neverit nga "zemërgjerësia" e deputetit Xhavit Halitit, për t`i falur Ramushit jo 200, por edhe 500 hektarë tokë janë pak, sepse ai ka luftuar pa u pague"! Në Kosovë kanë ndodhur 440 masakra. Janë qindra familje që kanë humbur nga disa anëtarë. Nëse u dhurohen nga disa qindra hektarë tokë këtyre familjeve, atëherë, çka m.... me hangër populli i Kosovës?!?

Cinizmi dhe paturpësia e deputetit Haliti, është me tepëri. Ai bredhë nga televizioni në televizion dhe vjellë vrerë, për ata që bënë luftën faktike, pra, për oficerët profesionalë dhe heroikë të FARK-ut të Ibahim Rugovës. Është Beteja e rrufeshme dhe fitimtare e Loxhës, me komandant Kolonel Tahir Zemaj, me shokë, si dhe betejat seriale, që përbëjnë Luftën e Kosharës, legjitimuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa këto beteja, çfarë krenarie do të kishte deputeti Haliti dhe shqiptarët, për ta përmendur UÇK-në?!

Eksponenti i organizatës ilegale SHIK, Xhavit Haliti, e ka fjalën për disa oficerë të FARK-ut, të larguar nga Armata Jugosllave, të bërë pjesë e luftës të armatosur në Kosovë. Ata, gjatë luftës, për vetëm tre muaj, janë trajtuar me nga 1.000 marka gjermane, meqë nuset, me kalamajtë e tyre, duhej të paguanin qeranë e banesave në Perëndim. Këtë temë e kam trajtuar në shkrimin e publikuar në gjysmën e tetorit të sivjem: "Mercenari" Anton Quni dhe komandantët milionerë", andaj, po mjaftohem me kaq.

Premtimi ende i papërmbushur i Ramushit

Javën e shkuar, Ramush Haradinaj tha, përafërsisht, - ani, po ia kthej tokën e bleme shtetit -, pa përmendur as kthimin e pagesës. Dhe, ky ishte premtim publik. Shqiptarët frymuan lirshëm: "Po fillon këndellja e  komansdantëve, heqja dorë nga zhvatjet enorme, babëzitja me tepëri, sepse nuk duan t`ua lënë mërinë e shqiptarëve, trashëgimtarëve të tyre!" Por, pse tani pretendon se "është tokë e babës", pa e dëshmuar me asnjë dokument pronësie, tapi! Pse ky pishmanllëk?! Njeriu, burri lidhet për fjale. Pasurinë duhet gëzuar pa stresime dhe frikën e së nesërmes, ngaqë mund të "ikën Lumezi dhe të vijë Elezi", ligji. Edhe trashëgimtarët duhet të ndjehen krenarë për babain komandant. Dhe, assesi nuk ndjehen komod, me pasurinë e kontestuar dhe pa fije mbulese.

Si mbulesë të Kullës në Gllogjan, të vilave-pallate në Prishtinë e gjetkë, Ramushi ka përmendur shitjen e një apartamenti në Tiranë, i cili, atëbotë, nuk kalonte vlerën e 30 mijë dollarëve. Ka kriminelë vrastarë, por, ka edhe kriminelë ekonomikë. Ruaju nga kjo emërtesë e fundit, mos u bëjë pjesë e krimit ekonomik. Në bërjen e reformës agrare, shtetet e Ballkanit kanë qenë të vonuara. Kanë filluar në vitin 1918 dhe deri në gjysmë të viteve `30-a ka përfunduar reforma.

Në qytetin e Pejës janë disa famile, të cilat mbajnë emrin e fshatit tim, Studenica. Me një dekret të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në vitin 1918, i shpronësonte nga tokat në posedim në fshat, madje, pa shpërblim, të shpërngulurit në qytet. Dhe, tokat mbetën në pronësi të atyre që i punonin në fshat. Dhe, megjithatë, miqësitë u ruajtën, përjashto ndoca bukëshkalë.

Kosova po shënon anakronizmin neveritës. Pas një shekulli, nga reformat ballkanike, po i pjellë çifligarët modern. Paradoksale dhe skajmërisht e turpshme! Keni premtuar, qoftë edhe nëpër dhëmbë, për ta kthyer "tokën e bleme", me 3.50 euro arin! Prandaj, mbaje fjalën, Ramush komandanti!

Komandanti Ramush Haradinaj,  sonte bëri thirrje për themelimin e një fondacioni për ushtrinë. E ka shansin të bëhet kontribuesi, donatori i parë, kthimin e 200 hektarëve "tokë të bleme", të destinuar për ushtrinë. E kushtueshme është ushtria, policia, burgaxhinjtë. Tashmë, Kosova nuk ka të burgosur politikë, fatmirësisht! Skrimtari freng, Balzak, në njërin nga romanët e tij numerike, thoshte se "Burgu është sintezë e të gjitha poshtërsive"!

Dhe, është poshtërsi e krim, ta shpërdorosh paranë e popullit, për ushqimin gratisë të kësaj shtrese keqbërëse e kriminale. Ndërkohë që, riedukimi i tyre më efikas, mund të bëhet, pikërisht, nëpërmjet angazhimit të tyre në punë. Llogaritën tej 900 mijë hektarëve tokë të privatizuar, më saktë, të abuzuar. Rishtetëzimi, qoftë edhe 1/4-ës së tyre, do të mjaftonin për mbajtjen e kategorive të përmendura dhe të tjera. Përvoja amerikane, e paqyruar në dokumentarët televizivë të botës, zakonisht, të transmetuar pasmesnatës, është një mësim praktik, se si bëhet organizimi në punë i të burgosurëve në Amerikë. Dhe, lehtësisht, i aplikueshëm, i zbatueshëm edhe në Kosovën tonë hallemadhe!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora