Mendime
Eshref Ymeri: Shembulli i një ushtaraku me vetëdije të lartë kombëtare
E hene, 20.12.2021, 07:20 PM
Shembulli i një ushtaraku me vetëdije të lartë kombëtare
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Në numrin e sotëm (17 dhjetor 2021) të Portalit “Fjala
e Lirë”, lexova Esenë e publicistit dhe të diplomatit Nesip Kaçi, kushtuar
Kolonelit Dilaver Goxhaj, me pseudonimin Shpëtim Golemi.
Kolonel Dilaver
Goxhaj përfaqëson nderin dhe dinjitetin e ushtarakut shqiptar me moral të lartë
kombëtar. Ai, si bir i një familjeje me tradita të kahershme atdhetarie nga
krahina e Kurveleshit, e njohur si vatër e lavdishme e heroizmit të të parëve
tanë, iu përgjigj thirrjes së gjakut për t’iu gjendur në krah vëllezërve tanë
dardanë në betejën e tyre vendimtare kundër barbarisë së egër serbosllave, duke
pasur si mbështetje të fuqishme aviacionin e NATO-s, aleancës më të fuqishme
ushtarake në historinë e njerëzimit. Kolonel Dilaver Goxhaj u rreshtua
vullnetarisht në radhët e Ushtrisë së Lavdishme që populli dardan nxori nga
radhët e veta. Sepse atdheu amë u mjaftua vetëm me strehimin e të shpërngulurve
me dhunë nga barbaria gjakatare serbe. Në atë periudhë vendimtare për fatet e
Dardanisë, populli i saj po arrinte në
zgrip të shfarosjes dhe të shpërnguljes përfundimtare. Gazetari i talentuar dhe
trim, Bajram Kabashi, veteran i gazetës “Rilindja”, në librin me titull “Rilindja,
përkushtim dhe trishtim”, përmend hakërrimin e një polic-banditi serb, i
cili, në ditët e para të marsit të vitit 1999, pra, para fillimit të
bombardimeve të NATO-s, e pati kërcënuar:
“Kuptoje mirë
ti..., kur të bëhen dy javë, nuk do të ketë më shqiptarë në këtë vend”.
Para do kohësh, në
një letërkëmbim në internet, miku im, kolonel Dilaver Goxhaj, me shkruante se
asokohe, në Veri të Shqipërisë, ndodheshin 400 tanke, të cilët mund të
përdoreshin në mbrojtje të popullit të Dardanisë, duke i hedhur në mësymje
kundër bishave serbosllave. Por një hap i tillë nuk u ndërmor. Domosdo, ishte e
pamundur të ndërmerrej ai hap se në krye të qeverisë ishte Fatos Nano, një
njeri pa moral kombëtar, një tradhtar i vëllezërve tanë dardanë, i cili nga
Lisbona pati deklaruar se kryeqyteti i tyre na qenkej Beogradi, kurse në Kretë
pati bërë pazare kundër tyre me kryekriminelin Millosheviç. Ishte pikërisht
tradhtari Fatos Nano ai që pati dhënë urdhër për mbylljen e qendrave stërvitore
të ushtrisë dardane në Veriun e Shqipërisë.
Mendoj se rrëfimet
mjaft interesante të Kolonel Dilaver Goxhajt për publicistin dhe diplomatin
Nesip Kaçi për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë dhe mbështetjen e
fuqishme që dhanë populli dardan dhe të gjithë vullnetarët e ardhur nga trojet
tona etnike dhe nga Diaspora, janë fort emocionuese dhe thellësisht
mbresëlënëse. Ato, së bashku edhe me kujtime të tjera të Kolonelit-hero Dilver
Goxhaj, përbëjnë një enciklopedi të vërtetë të epopesë së lavdishme të popullit
dardan dhe të Ushtrisë së tij, duke pasur mbëshetjen e fuqishme të Aleancës
Veriatlantike, në përballjen me fashizmin
më gjakatar serbosllav të viteve të fundit të shek. XX. Kjo për arsye se
Kolonel Dilaver Goxhaj jo vetëm që ka marrë pjesë drejtpërdrejt në llogoret e
betejave të zhvilluara, por ka pasë kryer edhe detyrën e zëvendësshefit të
Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë. Veç kësaj, si
specialist i anglishtes, ai ka pasë kryer me shumë sukses edhe detyrën e
ndërlidhësit me pilotët e aviacionit të NATO-s për saktësinë e shinjestrimit të
objekteve ushtarake serbesllave në territorin e Dardanisë.
Në rrëfimet e veta
për publicistin dhe diplomatin Nesip Kaçi, Kolonel Dilaver Goxhaj përmend edhe
Hashim Thaçin në llogoret e luftimeve. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se Hashim
Thaçi paskej qenë një kryetradhtar me damkë i popullit dardan. Në një njoftim
që jepej në internet para një viti, thuhej:
“Hashim Thaçi është agjent i Francës.
Kështu thotë ish-shefi i shërbimit francez, Pierre Siramy, në një dokumentar
special të Canal +. Sipas tij, në historinë e rekrutimit të Thaçit është
i përfshirë Arnaud Danjean, në atë kohë oficer hulumtues për çështje të
Ballkanit” (Citohet sipas: “Ish-shefi i shërbimit sekret francez: Thaçi
është agjent i yni, e rekrutuam në Rambuje”. Faqja e internetit “Lajm”.
09 dhjetor 2020).
Faktet
flasin vetë: Koloneli Dilaver Goxhaj mbetet një ushtarak i lartë, i nderuar dhe
i respektuar për mbarë kombin shqiptar,
kurse Hashim Thaçi dergjet në burgun e Hagës, me vulën e krimit dhe të
tradhtisë në ballë.
Dihet
me kohë që Franca ka qenë dhe është mikesha e hershme e Serbisë dhe e Rusisë, e
dy kështjellave tradicionalisht armiqësore të kombit shqiptar, dhe nuk do as
mend as kuvend që rekrutimi i Thaçit si agjent në shërbim të Francës, është
bërë për llogari të serbosllavizmit, çka Thaçi e dëshmoi me vendimet
thellësisht tradhtare që pati marrë vetëm në interes të Beogardit.
Ish-eprori
i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari,
ka deklaruar publikisht për bashkëpunimin e ngushtë të Thaçit me shërbimin
sekret francez dhe UDB-në për ndarjen e Veriut të Mitrovicës: Ai shkruan:
“Pyetni
Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Agim Çekun se si ndodhi pastrimi etnik: dëbimi i
koordinuar i 15.000 shqiptarëve nga Veriu i Mitrovicës me 2 edhe 3 shkurt
2000?” (Citohet sipas: “Trondit ish-agjenti i
SHIK-ut: Ja akuzat për tradhti që e presin Hashim Thaçin në Kosovë”. Faqja e internetit
e gazetës “Bota Sot”. 27 shkurt 2021).
Duke e njohur mirë karakterin burrëror dhe brumosjen thellësisht atdhetare të formatit nacionalist
të Kolonel Dilaver Goxhajt, kryetradhtari Hashim Thaçi nuk mund të mos
manifestonte një qëndrim shumë të ulët ndaj tij: ai nuk i lidhi pension
Kolonelit-hero Dilaver Goxhaj, ashtu siç u lidhi shumë e shumë të tjerëve, dhe
as nuk i akordoi medaljen që meritonte. Veç kësaj, me sa kam dijeni, Koloneli i
Nderuar nuk është vlerësuar as në atheun amë me një dekoratë të lartë.
E përgëzoj dhe e falënderoj përzemërsisht publicistin dhe diplomatin Nesip
Kaçi për Esenë që i ka kushtuar Kolonelit Dilaver Goxhaj, këtij specialisti të
rrallë në lëmin e artit ushtarak shqiptar. Publicistin dhe diplomatin Nesip
Kaçi e kujtoj me respekt që në vitet ’60,
kur bashkë kemi qenë student në Universitetin e Tiranës.
Kaliforni, 17
dhjetor 2021