Mendime
Viktor Mërkuri: Suksesi i autokratëve në epokën e populistëve
E hene, 13.12.2021, 08:55 PM
SUKSESI I AUTOKRATËVE NË EPOKËN E POPULISTËVE
Nga
Viktor Mërkuri
Nëse shekulli i
20-të tregon historin e përparimit të ngadaltë dhe të pabarabartë drejt fitores
së demokracisë liberale mbi ideologjitë e tjera si komunizmin, fashizmin,
nacionalizmin etj, shekulli i 21 është, deri më tani, një histori e kundërt.
Sot, mënyra më e
zakonshme që një demokraci të shembet, nuk është përmes një grusht shteti apo
revolucioni por përmes veprimeve të një kryeministri ose presidenti të
zgjedhur. Hugo Chavez, i zgjedhur për katër mandate si president i Venezuelës,
është akuzuar se përdori kohën e tij në detyrë për të çmontuar institucionet e
demokracisë venezueliane dhe për të zgjeruar autoritetin e tij. Presidenti
Vladimir Putin ka punuar fort gjatë dy dekadave të fundit për të përqendruar
pushtetin në duart e tij, saqë shumë vëzhgues tani i referohen Rusisë si një
"diktaturë e zgjedhur". Ndërkohë në Turqi, presidenti Erdogan
duket se po ndjek të njëtjën rrugë, të shkelur nga të tjerë para tij.
Ky fenomen, të
cilin ekspertët e quajnë “autoritarizim”, nxjerr në pah një cenueshmëri të
thellë të ndërtuar në vetë strukturën e demokracisë. Pas ardhjes së tyre në
pushtet, udhëheqësit e paskrupull ndonjëherë mund të manipulojnë mjedisin
politik për përfitimin e tyre, duke e bërë më të mundshëm që ata të jenë
fitimtarë në garat e ardhshme. Duke fituar zgjedhje, ata fitojnë vulën e
legjitimitetit demokratik, madje edhe për veprimet që në fund të fundit minojnë
normat demokratike.
Ardhja në fuqi e
lëvizjeve politike jo-liberale në vende perëndimorë dhe dhe ato në zhvillim
janë përqendruar në rolet përkatëse të ankesave ekonomike dhe "përplasjes
kulturore". Megjithatë, shumë udhëheqës “populistë autoritarë”
jashtë Perëndimit, nga Rodrigo Duterte në Filipine te Vladimir Putin në Rusi e
deri tek Narendra Modi në Indi, e marrin legjitimitetin e tyre jo nga premtimet
ekonomike dhe as vetëm nga konservatorizmi social, por kryesisht nga një
angazhim i tretë: rivendosjen e rendit publik dhe autoritetit shtetëror. Nëse
duam të kuptojmë pse kjo platformë politike ka qenë dhe vazhdon të jetë
tërheqëse për votuesit, duhet të shohim mënyrat në të cilat kapaciteti
shtetëror është gërryer në shumë demokraci në zhvillim, duke rezultuar në një
krizë të thellë besimi demokratik dhe një gatishmëri për të përqafuar
alternativat populiste.
Pas pesë viteve të
përparimeve populiste në të gjithë Evropën, në Shtetet e Bashkuara, Amerikën
Latine, Azinë Jugore dhe Juglindore, ende nuk është gjetur një përgjigje
definitive apo ndonjë "teori universale" që mund të shpjegojë
pse politikanët joliberalë u bëjnë thirrje votuesve në çdo kohë dhe vend.
Megjithatë, në kontekstin e shoqërive perëndimore, të paktën, teoritë e kohëve
të fundit që shqyrtojnë rolet përkatëse të "ankesave ekonomike"
dhe "kundërveprimit kulturor" kanë ndihmuar për të hedhur pak
dritë mbi këtë çështje. Nga njëra anë, studiuesit kanë ekzaminuar se si
problemet ekonomiko-financiare të shkaktuara nga globalizimi, duke përfshirë
pabarazinë në rritje të të ardhurave, i kanë shtyrë votuesit në rajonet
industriale dhe rurale të Perëndimit të mbështesin parti të tilla si Tubimi
Kombëtar Francez ose Agimi i Artë në Greqi. Në anën tjetër të këtij debati,
studiues të tjerë kanë treguar se si ndarja politike midis zonave të begata
metropolitane dhe zonave të brendshme konservatore në Evropë dhe Shtetet e
Bashkuara i ka rrënjët jo vetëm në pabarazitë socio-ekonomike, por edhe në
vlerat dhe besimet e ndryshme, pasi grupet e dikurshme dominuese reagojnë
kundër politikave progresive shoqërore. Për të kuptuar ardhjen në fuqi të
figurave autoritare në demokracitë në zhvillim, është e rëndësishme të njihet
divergjenca e trajektoreve të shtetndërtimit dhe trajektoreve të demokratizimit
gjatë dekadave të fundit. Në fillim të shekullit të 21, elemente si reforma
demokratike dhe ndërtimi i kapaciteteve shtetërore shiheshin përgjithësisht si
proçese plotësuese, me politikëbërësit ndërkombëtarë që mbronin zgjedhjet
konkurruese shumëpartiake si një zgjidhje për vendet që përballen me probleme
që variojnë nga korrupsioni endemik, brishtësinë e shtetit, e deri te
boshllëqet në infrastrukturë ose ofrimin e mirëqenies. Megjithatë, realiteti
është se zgjedhjet në vetvete nuk mund të garantojnë përparim në rrugën drejt
ndërtimit të një burokracie efektive, shtypjes së krimit të organizuar ose
sigurimit të ofrimit efikas dhe të barabartë të shkollave, rrugëve dhe
spitaleve. Në mbarë botën ka një variacion të madh në shkallën në të cilën
demokracitë e reja kanë arritur të ndërtojnë institucione efektive dhe të
forcojnë llogaridhënien publike, dhe kjo divergjencë mund të ndihmojë për të
shpjeguar se kur dhe ku sfiduesit autoritarë dalin triumfues.
Pasi të marrim
parasysh efektet e kapacitetit të pamjaftueshëm të shtetit, ardhja në fuqi e
liderëve "të fortë" tek demokracitë në zhvillim bëhet shumë më
pak e çuditshme. Figura të tilla si Putini në Rusi, Modi në Indi ose Erdogani
në Turqi fitojnë mbështetje duke u zotuar të rikthejnë rendin publik, autoritetin
shtetëror dhe krenarinë kombëtare, në kontekstin e sistemeve politike që
shfaqin patologji të ndryshme të dështimit të shtetit.
Milan Svolik,
profesor i Shkencave Politike në Universitetin Yale shprehet se njerëzit në
mbarë botën janë lidhur aq shumë me idenë e demokracisë saqë zgjedhjet janë
bërë një kërkesë de fakto për legjitimitetin e qeverisë. Kjo ka ndihmuar në
përhapjen e demokracisë në të gjithë globin. Për shkak se zgjedhjet janë kaq të
çmuara, çdo rezultat i arritur përmes votës popullore trajtohet si përcjellës i
vlefshmërisë morale dhe procedurale. Por atë çfarë votimi heq, votimi mund ta
rikthejë. Janë po votimet ato të mund ta bëjnë më të vështirë për autoritarët
të konsolidojnë autokracitë e tyre. Sipas svolik, kjo është një forcë por dhe
një dobësi e demokracisë. Liderët që përfitojnë nga polarizimi dhe që
manipulojnë garat politike në favor të tyre mund të humbasin popullaritetin.
Kur kjo të ndodhë, një traditë e zgjedhjeve të rregullta e bën më të lehtë për
vendet që të kthehen në drejtimin e demokracisë.