Mendime
Eshref Ymeri: Kodi i krijimtarisë së gazetarit Bajram Kabashi
E merkure, 08.12.2021, 09:58 PM
Kodi i krijimtarisë së gazetarit Bajram Kabashi
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Gazetari i shquar
kosovar, Bajram Kabashi, me banim në Norvegji që prej prillit të vitit 1999,
para do kohësh më dërgoi me internet librin me titull “Rilindja, përkushtim
dhe trishtim”. Është një libër befasues për të vërtetat tragjike që ai
shpalos në faqet e tij. Për këtë libër ai shkruan:
“… është
testamenti im për jetën e hidhur e krenare, të kaluar në profesionin e
gazetarisë nga koha e pushtimit serb. A janë ftohur këto plagë pas afro dy
dekadash në liri? Mjekja, poetja e figura e njohur publike, Flora Brovina, do
të thoshte “Plagët dhembin kur ftohen””.
Më la një vragë të
thellë në shpirt fjala e fundit e titullit të librit - trishtim, e cila,
në këndvështrimin tim, do të thotë zhgënjim.
Zhgënjimi i
gazetarit Bajram Kabashi është një ndjenjë pakënaqësie që i ka lindur për shkak
të mosrealizimit të shpresave ose ëndrrave, të pritjeve të mbetura larg, përtej
një horizonti që nuk është arritur kurrë, të mospërputhjeve të përfytyrimeve të
punës që i ishte përkushtuar me mish e me shpirt me kodin e krijimtarisë së
tij, duke pasur si busull orientuese ndershmërinë shembullore profesionale për
të zbuluar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Prandaj ai shkruan:
“Intelektuali i
vërtetë kurrë nuk pranon mendime të
“gatshme” për
tjetrin.., mendimin e duhur për këdo e krijon vetë, duke e respektuar tjetrin,
jetën dhe dinjitetin e
tij… Betimi im
profesional është i shenjtë dhe i shtrenjtë dhe prej tij as nuk jam shmangur
dhe as që jam ligështuar ndonjëherë duke
e zbatuar, pra, për asnjë çast deri në këto momente. Kam qenë pothuaj gjithë
kohën “i vetmuar” në rrugën time profesionale, i tradhëtuar madje edhe nga ai
që nuk e prisja, ta zëmë, “shoku im më i ngushtë””.
Ku e ka burimin
zhgënjimi i gazetarit në përgjithësi? Në këndvështrimin tim, ekzistojnë disa
burime të tilla.
Së pari, në praktikën e jetës profesionale
qëllon që gazetarët t’i vlerësojnë edhe si gënjeshtarë, si servilë të shitur,
si njerëz të pasigurt, të cilëve nuk iu besojnë. Kjo mund të sjellë si pasojë
edhe mungesën e dëshirës së të intervistuarve për të dhënë informacion, duke
filluar nga bishtnimi me marifet deri te refuzimi kategorik, edhe qëndrimin
negativ ndaj gazetarëve dhe ndaj mjeteve të informimit masiv që gazetari përfaqëson,
edhe moslejimin e tij për të marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme.
Së dyti, gazetari, shumë më shpesh se përfaqësuesit e profesioneve të tjera,
përplaset me disa realitete të pista të
jetës shoqërore, me egërsinë e tyre, me padrejtësinë, çka ngjall në shpirtin e
tij ndjenja pakënaqësie, dhembje dhe dëshpërim, ndërkohë që atij, si
përfaqësues i “pushtetit të katërt”, s’i krijohet mundësia t’i vijë në
ndihmë një njeriu konkret që ka një shqetësim që e mundon, apo për të zbuluar
një të vërtetë ulëritëse.
Së treti, gjatë ushtrimit të profesionit të vet, gazetarit i krijojnë vështirësi të
tilla, të cilat sjellin si pasojë pamundësinë për të siguruar një jetesë
dinjitoze.
Së katërti, përveç talentit dhe meritave për një karrierë të
suksesshme, në praktikën profesionale
janë të domosdoshme edhe disa tipare jo fort ideale, por ama tepër jetësore, si
aftësia për të qenë “i afërt” me instancat e larta, në mënyrë që, kur është e
domosdoshme, të ushtrohet një presion i gjithanshëm ndaj, fjala vjen, një
burimi “kryeneç” për marrjen e një informacioni të domosdoshëm.
Së pesti, siç dihet, konkurrenca jo gjithmonë është e ndershme, si në mjetet e
informimit masiv, ashtu edhe në radhët e gazetarëve.
Në krijimtarinë
gazetareske të Bajram Kabashit bie në sy menjëherë pozicioni që ai ka zënë në
raport me realitetin dhe me qytetarin e
thjeshtë, sistemi i vlerave që ai mbron. Mjetet e informimit masiv, si
instrument i ndikimit mbi opinionin publik, mund ta nxisin këtë të fundit të
pranojë versionin që gazetari jep për realitetin e përditshëm. Por ai, si
gazetar tashmë veteran i gazetës “Rilindja”, ka pasë vënë re se gazeta
në fjalë jo thjesht informonte opinionin
publik për ngjarjet e ditës, por edhe e formësonte “realitetin” përmes
përzgjedhjes, theksimit dhe interpretimit të atyre ngjarjeve, çka rezultonte se
auditorit i imponohej një realitet i caktuar. Kjo sillte si pasojë që ngjarjet
reale, shpesh herë, të mbeteshin në prapaskenë ose të përshkruheshin midis
rreshtave. Pra, hidhej dritë mbi ngjarjet, por lihej mënjanë nënteksti, thelbi
i tyre.
Dihet që
informacioni në gazetari është si puna e mallit në treg, i cili mund ta
interesojë publikun, kurse gazetari shërben si subjekt i atij tregu të mjeteve
të punës, për të cilat ka kërkesë. Në këtë mes lind konkurrenca që luan rolin e
stimulit. Por problemi është se për çfarë konkurrence bëhet fjalë? Është fjala
për konkurrencë të ndershme, kur gazetarit i rritet paga, duke punuar më mirë
se të tjerët, apo për konkurrencë të pandershmë, kur ai arrin poste të larta
dhe merr një pagë të mirë, pa bërë kurrfarë pëpjekjesh në ushtrimin e
profesionit të vet?
Gazetari Bajram
Kabashi pati vënë re se gjatë punës, ai, megjithëse gazetar mjaft i talentuar,
nuk gëzonte gjithmonë respektin e duhur nga ana e drejtuesve të gazetës dhe të
disa kolegëve që nuk ishin të paktë në numër. Nga ana tjetër, ai ka pasur
parasysh se pasqyrimi krejtësisht i plotë i ngjarjeve, sidomos i atyre me
ngjyresë emocionale negative, në radhët e opinionit publik ngjall një reagim të
caktuar ndaj pozicionimit të gazetës. Por ai ka qenë i bindur thellësisht se
ndjenja e përgjegjësisë, pozicioni shoqëror i gazetarit, në përputhje të plotë
me kodin e profesional, shtronte gjithmonë para tij alternativën: të mbronte me
vendosmëri vetëm të vërtetën dhe t’ia përcillte me hollësi, tërësisht,
opinionit publik. Sepse për të ishte i papranueshëm parashtrimi i fakteve me
mosinteresim, me moskokëçarje. Por, fatkeqësisht, siç dëshmon ai, “përveç
gazetarëve të zgjuar e fisnikë që flijuan edhe jetën në luftën e tyre për
lirinë dhe bashkimin e Shqipërisë, siç ishte dëshmori i kombit Jusuf Gërvalla,
në Rilindje u injektuan edhe gjithfarë dobiçësh, spiunësh dhe
karrieristësh nga lloji më i lig. Këta të fundit, qoftë nëpërmjet shërbimit të
verbër ndaj pushtetit jugosllav, qoftë nëpërmjet rrugëve të dyta nepotiste e
karrieriste, arritën të zënë poste me rëndësi në hierarkinë e gazetës”.
Këto pohime me
domethënie kuptimplote aforistike, janë thellësisht dëshpëruese.
Bajram Kabashi e
filloi punën në gazetën “Rilindja” në vitin 1982 dhe e vazhdoi deri më
01 prill 1999, kur e mbylli serboshovinizmi i kriminelit Millosheviç. Pasqyrimi
që ai i ka bërë jetës kosovare gjatë 17 vjetëve në atë gazetë, shërben si një
enciklopedi e vërtetë për njohjen e saj sa më afër nga ana e lexuesve. Nga sa
shtjellon autori, del në pah më së miri se udbashizmi kishte hyrë thellë në
poret e jetës kosovare dhe rrjeti i mercenarëve në shërbim të tij nuk ishte i
vogël. Prandaj jetën e ka pasur të rrezikuar me kurthe të organizuara për
rrëmbin e tij. Familja e tij ka qenë objekt përndjekjesh të egra nga udbashët e
instaluar gjithandej në Kosovë. Babain e tij, atdhetarin trim Hysen Kabashi,
sepse mbrojti me ngulm një familje që rrezikohej ta internonin në Srem të
Vojvodinës, udbashët e torturuan rëndë, çka solli si pasojë vdekjen e tij në
moshën 50-vjeçare. Vëllain e tij, Sali Kabashi, gazetar i talentuar dhe trim, e
rrahën deri në zgrip të vdekjes.
Mjaft të dhimbshme
janë faqet e librit, në të cilat autori përshkruan largimin biblik nga ana e
kriminelëve serbë të banorëve të Prishtinës, të rrasur me dhunë nëpër trena me
drejtim Bllacën e Maqedonisë, ku njerëzit, nën qiellin e hapur, kaluan ditë të
tëra në gjendje mjerimi, por mbijetuan në saje të ndihmës së vëllezërve
shqiptarë në atë shtet. Me këtë rast, ai përmend hakërrimin e një polic-banditi
serb, i cili e pati kërcënuar:
“Kuptoje mirë
ti..., kur të bëhen dy javë, nuk do të ketë më shqiptarë në këtë vend”.
Pra,
serbosllavizmi shovinist po vinte në jetë platformat e shpopullimit të Kosovës,
të hartuara nga kriminelët shovinistë Ivo Andriç dhe Vasa Çubrilloviç në fundvitet ’30 të
shekullit që lamë pas.
Bajram Kabashi, në
rolin e gazetarit, pati shkuar në Shqipëri në shtator të vitit 1996. Aty ai pa
me sytë e vetë se ku ishte katandisur Shqipëria, pa “mjerimin dhe poshtërimin e
një populli nga udhëheqja e po atij populli!”. Prandaj ai deklaron: “Zoti ua
kishte dhënë të gjitha - dhe njeriu ua kishte marrë”. Dhe vazhdon:
“Kur u hap perdja
e hekurt dhe e zbuloi pamjen e tmerrit, ne mbetëm të shtangur nga zhgënjimi i
madh, meqenëse shumica prej nesh, megjithatë, Shqipërinë e kishte menduar
ndryshe, më të fortë dhe më të përparuar. Do të thotë se mjerimi, poshtërimi,
përgjakja dhe vrasja e njerëzve të atij populli, nuk kishin ndodhur si pasojë e
një pushtimi të jashtëm, siç i kishte ndodhur Kosovës, por, fatkeqësisht, si
pasojë e pushtimit të brendshëm, apo vetëpushtimit!.. Varfëria e madhe në vend
e kishte ulur aq poshtë dinjitetin kombëtar e shtetëror…” (Të njëjtën gjë thotë
Profesori i nderuar Vedat Kokona, i cili, në librin me kujtime “Në tisin e
kohës”, shkruan: “Pushtimi i shqiptarëve nga shqiptarët ka qenë më i rëndë
se pushtimi i huaj”).
Këto fjalë të
dhimbshme të këtij gazetari të rrallë në zbulimin e së vërtetës për Shqipërinë, më sollën në
kujtesë diçka. Ishte 23 qershori i vitit 1999, kur, për herë të parë, shkova në
Kosovë për të shoqëruar në rolin e përkthyesit një grup gazëtarësh ukrainas, të
cilët, me sponsorizimin e Zyrës së Shtypit të NATO-s, kishin ardhur në
Prishtinë për përgatitjen e disa reportazheve në mbarim të luftës. Pas
përfundimit të shërbimit, në orën 08:00 të mbrëmjes së 30 qershorit, hipa në autobusin e linjës
Prishtinë-Tiranë. Autobusi qe mbushur me emigrantë kosovarë, të cilët udhëtonin
për herë të parë në atë linjë, për të shkuar në Durrës dhe për t’u nisur me
traget drejt vendeve evropiane. Kishte kaluar ora 01:00 e natës kur arritëm në
Fushë Arrëz. Atje qëndruam për të ngrënë diçka në një lokal nate. Kur dolën nga
autobusi, kosovarët mbetën të befasuar me pamjet e mjedisit përreth, çka
dëshmonte se Shqipëria qenkej katandisur në një mjerim të papërfytyrueshëm.
Dikush nga kosovarët m’u drejtua me habi:
“Ore zotëri, po ne
kemi menduar se Shqipëria është krejt ndryshe, është vend i përparuar, por ky
mjedis po na kall lemerinë”.
Mbresa të thella
të lënë faqet e librit, ku autori bën fjalë për Kishën tonë ortodokse, veprën e
shquar të Fan Nolit dhe të mbretit Ahmet
Zogu për pavarësimin e saj, por, për shkak të tradhtisë së klasës politike të
Tiranës, ajo ra në duart e Janullatosit, emisarit të shovinizmit grekokaragjoz
në Tiranë. Për herë të parë u njoha me qëndrimin e një gazetari me dinjitet të
lartë kombëtar në mbrojtje të Kishës sonë fanoliane, për pushtimin e së cilës
nga Janullatosi dhe pasojat e rënda të atij pushtimi, qenë botuar dikur me
dhjetra e dhjetra analiza vetëm në gazetën “Rimëkëmbja” që drejtonte
diplomati i njohur Abdi Baleta. Për fat të keq dhe për fatkeqësinë tonë të
rëndë kombëtare, presidenti Ilir Meta, në rolin e mercenarit në shërbim të
Athinës, Janullatosit i dha shtetësinë shqiptare, duke ia shitur përfundimisht
Kishën tonë ortodokse shovinizmit grekokaragjoz me një dekret të posaçëm të
datës 24 dhjetor 2017 dhe duke i bërë realitet fjalët e historianit shovinist
grek
“Futja
në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek.
XX” (Citohet sipas deklaratës së zotit Petrit Bidoshi, Kryetar i
Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, në emisionin “Shqip” të zonjës Rudina
Xhunga në kanalin TV “Top Channel” të datës 04 dhjetor 2004. Citatin e
mësipërm zoti Bidoshi e kishte nxjerrë
nga libri me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj” të historianit të
lartpërmendur).
Megjithëse
gazetari kishte ardhur në atdheun amë, prapëseprapë nuk i shpëtoi dot
provokimit të një agjenti të Beogradit, i cili, me sa duket, e përgjonte ngado
që shkonte dhe në një lokal të Tiranës u shpreh me shpoti, pa iu drejtuar
drejtpërdrejt:
“Ja si është bërë
si me qenë komandant i NATO-s. Me çantë të zezë e kokën lart! Kujtojnë se kanë
çfarë t’i bëjnë Serbisë... Amerika dhe askush tjetër s’ka çka t’i bëjë Serbisë,
se Serbia është e fortë...”.
Jo vetëm kaq, një
tjetër provokator i fëlliqur dhe agjent i UDB-së e pati goditur deri në
gjakosje dhe ashtu, i përgjakur, pati shkuar në shtëpinë e Abdi Baletës.
Nga sa pati parë
dhe pati vëzhguar edhe gjatë dy vizitave të tjera në Shqipëri në mars dhe në
qershor të vitit 1999, Bajram Kabashi, si një gazetar mendjehollë, vjen në këtë
përfundim shumë të drejtë:
“Shqipëria mund
dhe duhet kritikuar, por nuk duhet harruar se ajo nuk ka mundësi të dalë nga
lëkura e vet për shkak të problemeve të trashëguara nga lufta civile e
shkaktuar qyshkur. Enver Hoxha e kishte pushtuar me dhunë pushtetin në fund të
viteve të ’40 të shekullit njëzet”.
Artikujt e tij me
të dhëna nga Shqipëria lexoheshin me shumë ëndje në Kosovë. Por, çuditërisht,
në intervistat me Abdi Baletën, Bajramit nuk ia shënonin emrin ata të gazetës Rilindja.
Atij i kishin lënë ca mbresa të thella, deri në befasi, disa fjalë që Abdi
Baleta ia kishte thënë gjatë një interviste:
“Megjithëse ju
kosovarët e keni serbin mbi krye, nganjëherë duhet ta ktheni shikimin nga Jugu
i Shqipërisë që na e kërcënon greku!”.
Si kosovar, i cili
e ka pasë konsideruar Shqipërinë si një mbështetje të fuqishme për Kosovën, e
kishte të vështirë ta përfytyronte që ajo të ishte katandisur deri në atë
gjendje, saqë jugu i saj të kërcënohej nga grekoshovinizmi.
Si një gazetar me
vetëdije të lartë kombëtare, Bajram Kabashit i ka pasë bërë shumë përshtypje
servilmercenarizmi i disa kolegëve të Tiranës, të shndërruar në argatë të
pështirë të politikës neokomuniste të partisë soicialiste. Pas
kundërrevolucionit të vitit 1997, ata servilmercenarë, si Ben Blushi, Frrok
Çupi e Vladimir Prela, u shpërblyen me poste të larta në hierarkinë qeverisëse
të asaj partie.
Me
shumë dëshpërim në shpirt lexova faqet e librit, ku autori bën fjalë për
vrasjet në Kosova gjatë dhe pas luftës. Ato vrasje janë një njollë e zezë jo
vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë e mbarë kombit shqiptar. Me
trishtim të thellë në zemër ai flet për vrasjet e kolegëve të vet gazetarë, si
Ali Ukaj, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku. Në gazetën “Bota Sot”, në
njërin nga numrat e saj të dhjetorit të vitit 1999, gazetari Bajram Kabashi
kishte lexuar një artikull të Mero Bazes, në të cilin theksonte se zëdhënësin e
parë publik të UÇK-së, Ali Ukajn, e kishte vrarë Hashim Thaçi. Një muaj më
parë, Mero Bazes, këtij njeriu të njohur mirë në varganin e gazetarëve
kryeservilë të pështirë të politikës së Tiranës, të cilët lëpijnë herë sahanët
e PS-së, herë sahanët e PD-së, gazetari me dinjitet të lartë profesional Bajram
Kabashi, ia ka nxjerrë bojën paq në analizën me titull“Mero Baze, “gjenerali i SHIK-ut të Partisë Demokratike”,
vazhdon t’i dalë në mbrojtje Hashim Thaçit e ta sulmojë Albin Kurtin!”, të botuar në portalin “Drini”. 08 nëntor 2021. Në
atë analizë ai bën fjalë për vizitën e Mero Bazes në qelinë e Hashim Thaçit në
Hagë më 05 nëntor 2021, vizitë që u pasua me botimin e artikullit me titull “Gjyqi i pafilluar ndaj Hashimit dhe gjyqi i mbaruar ndaj
Albinit”, ribotuar po në të njëjtën datë në portalin e përmendur më
lart. Bajram Kabashi, në atë analizë, shkruan:
“… për Mero Bazen, nëse gjykojmë
bazuar në shkrimet e tij, personazhi më negativ ishte Hashim Thaçi, si dhe të
tjerë “të luftës” që synonin t’ua merrnin “pushtetin” atyre të
“paqes”. Pra, mu ai Hashim Thaçi që Meroja njëzet e sa vite më vonë e viziton
në Burgun e Hagës, në Holandë. Mero Baze atëherë, sikurse sot, ka mbetur një
gazetar i shpifur… Si të kuptohet ndryshe afria e tij aq e madhe me Sali
Berishën dje dhe urrejtja e paimagjinueshme ndaj tij sot?”.
Sipas
të dhënave që janë bërë publike në mjetet e informimit masiv, gjatë dhe pas
luftës, në Kosovë janë kryer 1820 vrasje, të cilat kanë mbetur të pazbuluara
deri në ditët tona.
Sipas
rreshtimit që gazetari u bën ngjarjeve rreth atyre vrasjeve, rezulton se
Beogradi, që para fillimit të luftës, në Kosovë ka ndjekur të njëjtin skenar,
si edhe në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Shqipëri pati rekrutuar
fillimisht njeriun pa shtyllë kurrizore
Enver Hoxha, për ta vënë në krye të partisë komuniste, me qëllim shndërrimin e
saj në agjenturë të serbosllavizmit, siç edhe e shndërroi konkretisht, futjen e
vendit në luftë vëllavrasëse dhe vazhdimin e saj me luftën e klasave pas
nëntorit të vitit 1944, për shfarosjen me rrënjë të përfaqësuesve të
nacionalizmit shqiptar. Edhe në Kosovë, Beogradi pati rekrutuar me kohë
krytradhtarin Hashim Thaçi, kopjen e kryetradhtarit Enver Hoxha, për ta vënë në
krye të PDK-së, po me të njëjtin pikësynim - shndërrimin e PDK-së në agjenturë
të Beogradit. Franca, si mbështetëse e fuqishme e serbosllavizmit dhe e rusopolitikës,
armikes tradicionale të kombit shqiptar, e pati rekrutuar Hashim Thaçin përmes
shëbimit të saj sekret. Në një informacion, të botuar në internet një vit më parë, thuhet:
“Hashim Thaçi është agjent i Francës. Kështu thotë
ish-shefi i shërbimit francez Pierre Siramy, në një dokumentar special të Canal
+. Sipas tij, në historinë e rekrutimit të Thaçit është i përfshirë
Arnaud Danjean, në atë kohë oficer hulumtues për Çështje të Ballkanit” (Citohet
sipas: “Ish-shefi i shërbimit sekret francez: Thaçi është agjent i yni,
e rekrutuam në Rambuje”. Faqja e internetit “Lajm”. 09 dhjetor
2020).
Në kulmin e trishtimit, gazetari Bajram Kabashi i
drejtohet popullit të përgjumur, të cilin kryeargati i Beogradit Hashim Thaçi
po e shpërbënte kulturalisht dhe shpirtërisht, duke e mbajtur nën trysninë e
frikës nga vrasjet e shumta që ndodhën pas luftës. Në këndvështrimin e tij,
vrasjet ishin rezultat i ndeshjes mes dy shërbimeve sekrete të PDK-së dhe të
LDK-së. Prandaj ai shkruan:
“… vrasjet e aktivistëve të ndryshëm të Lidhjes
Demokratike të Kosovës kanë ndodhur, dhe ato nuk i ka ekzekutuar asnjë lloj
UDB-je drejtpërdrejt, siç dëshirojnë sot ta mjegullojnë çështjen “qerthuj” të
ndryshëm analistësh, pseudointelektualësh dhe policësh të rrejshëm. Ata, është
e qartë se i ka vrarë “UDB”-ja, por ajo është “UDB”-ja e “kokës sonë”, që
përbëhej nga njerëz-hijena e patriotë të shpifur…”.
Diku më lart citova autorin e këtij libri, i cili
theksonte se Shqipëria e ka të vështirë të dalë nga lëkura e vet për arsye të
ndotjes që i shkaktoi psikologjisë së popullit kryekrimineli Enver Hoxha me
përçarjen tragjike përmes luftës së klasave. Pra, Shqipëria vazhdon të mbetet e
robëruar ende në kthetrat e enverizmit, sepse neokomunistët që morën pushtetin
pas demoshëmtisë dhjetoriste, nuk e dënuan me ligj të posaçëm enverizmin, nuk
bënë dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare Prandaj edhe kryekrimineli vazhdon
të mbajë ende titullin e heroit të
popullit. Sigurisht, s’mund të ndodhte ndryshe. Sepse e ashtuquajtura demokraci
dhjetoriste, të cilën unë e kam etiketuar si demoshëmti dhjetoriste, nuk buroi
nga poshtë, nga radhët e popullit, ajo u injektua nga lart, nga Ramiz Alia,
sipas platformës që parashtroi në mbledhjen e Byrosë politike në nëntor të
vitit 1989 dhe në dhjetor të vitit 1990, sipas së cilës neokomunistët do ta
gëzonin pushtetin përjetësisht. Po
ashtu, Kosova e ka të vështirë të dalë nga lëkura e udbashizmit, të cilin
serboshovinizmi gjakatar e ka pasë kultivuar gjatë një periudhe më shumë se
njëshekullore në psikologjinë e jo pak njerëzve, për t’i pasur këta si argatë
të bindur për përçarjen e popullit. Pikërisht vrasjet gjatë dhe pas luftës kanë
shërbyer si mënyrë djallëzore për mbajtjen gjallë të përçarjes ndërshqiptare në
radhët e popullit kosovar. Prandaj një letër që i ka pasë dërguar në Norvegji
Bajram Kabashit, gazetarja Emine Berisha shprehet me nota të theksuara
pesimizmi:
“Ke dëgjuar për
ekzekutimet që po bëhen gjithandej? Mos u befaso, por nëse s’u ndalet turri
disave, shoqëria jonë do të jetë më e sëmurë dhe më e egër sesa ajo në
Shqipëri. Beso, nganjëherë kam përshtypjen se kemi lindur me nga një pllakë të
padukshme hekuri, që do ta
bartim mbi supe
derisa të vdesim”.
Libri i gazetarit Bajram Kabashi, siç e përmenda më lart,
është një enciklopedi informacioni për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë
40 vjetëve të fundit. Çdo gazetar me vetëdije të lartë kombëtare dhe me
dinjitet të lart profesional, këtë libër duhet ta ketë përherë në tavolinën e
punës, sepse ai shërben si një burim i madh informacioni për të vërtetat që
autori aty trajton, si një shkollë model që të mëson se si të bëhesh gazetar i
aftë, i sakrificës, i guximshëm dhe trim. Sigurisht, guximi, sakrifica dhe
trimëria në gazetari janë zeje shumë të vështira dhe ato nuk mund t’i ushtrojë
dokushdo.
Do të kishte qenë një mrekulli sikur Presidentja dhe
Kryeministri i i Republikës së Kosovës të ishin kujtuar për gazetarin Bajram
Kabashi, ta ftonin të kthehej në atdhe dhe t’i ofronin një post të rëndësishëm
në administratën shtetërore. Sepse është për të ardhur keq që talentet tona i
gëzon bota. Më ka pasë lënë mbresa të thella një bisedë telefonike që zonja
Elena Kadare ka pasur me një gazetar amerikan. Ajo shkruan:
“Para ca ditëve mori në telefon një gazetar amerikan qe
kërkonte një intervistë me Is. Dhe bëmë pak muhabet mbasi ai dinte ca
frëngjisht. E dini ç’më tha? Në Amerikë shqiptarët e arsimuar që kanë ardhur
këtu, bëjnë një përshtypje të jashtëzakonshme. Janë të dijshëm, shumë të zotë,
dinë rrjedhshëm nga tri gjuhë të huaja, që i përdorin pa problem, gjë që nuk
është aq e lehtë për një amerikan. Shqiptarët e tillë janë shumë të mirëpritur
në Amerikë. Unë vetë kam qenë në Shqipëri dhe jam mahnitur nga bukuria e këtij
vendi. Dhe kam pyetur veten, përse ky vend me këto kapacitete njerëzore, me
këtë natyrë e klimë të mrekullueshme, nuk arrin ta ngrejë kokën, ka përherë
probleme, nuk ecën përpara, ashtu siç do të ishte dashur të ecte…” (Citohet
sipas: “Helena Kadare: Edhe në Paris jetoj me Tiranën. Intervistoi Mira
Kazhani. Faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 08 mars 2017).
San Diego, Kaliforni
08 dhjetor 2021
_________
Gjergj – Bajram Kabashi: Një falenderim nga zemra dhe një përgjigje për
propozimin e Prof. Eshref Ymerit, se : “Do të kishte qenë një mrekulli sikur
Presidentja dhe Kryeministri i i Republikës së Kosovës të ishin kujtuar
për gazetarin Bajram Kabashi, ta ftonin të kthehej në atdhe dhe t’i ofronin një
post të rëndësishëm në administratën shtetërore.“ Profesor i nderuar, Të falemnderoj dhe shprehi mirënjohjen dhe
konsideratën time që paske shkruar recension tejet vlerësues për librin tim: Rilindja,
përkushtim e trishtim . Shkrimi Juaj ishte një kredhje e thellë
psikologjike në vetminë time si gazetar hulumtues (investigues) , e sidomos në
zbërthimin kuptimor të përmbajtjes dhe hyrje në porosinë e librit tim, që e
përfshin një jetë të kaluar në profesion si dhe pikëpamjet e mija për Kosovën e
Shqiptarinë, ashtu sikurse që i kam vërejtur përgjat asaj kohe. Meqenëse të kam dhënë përgjigje edhe privatisht, e
shoh të arsyeshme që ta shprehi mendimin tim publik për propozimin dhe dëshirat
tuaja ndaj Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës për mua. I dashur Profesor Eshref Ymeri, Me gjithë mirënjohjen e madhe ndaj teje që
kujtohesh për mua, ashtu sikurse që nuk janë kujtuar të tjerët në këto 22 vite,
po të them ty sikurse edhe opinionit publik se, edhe sikur instancat e caktuara
shtetërore të Republikës së Kosovës të më “propozonin edhe për mbret”
(megjithëse Kosova s’është Mbretëri!), kurrë nuk do ta pranoja asnjë post e
mirënjohje që do të më ofrohej nga Kosova. Une e kërkoj vetëm një gjë nga shteti i Kosovës: Që Shteti ta ndjek dhe dënoj krimin dhe antishqiptarizmin që njifar
“shtet ynë paralel” e ka ushtruar ndaj shumë qytetarëve të Kosovës, qoftë
përpara apo pas luftës në vend. Vetëm kaq. Pra, une nuk kërkoj asgjë tjetër përpos të drejtave
që më janë mohuar, sidomos e kërkoj zhbërjen dhe mohimin me shkrim (pra
mohimin e dokumentuar) të antishqiptarëve të bashkuar nga data
17 nëntor e deri më 23 nëntor 2000, kur pasi “më vranë mua” këtu ku isha, e
vranë me plumba të vërtetë Xhemajl Mustafën. Këtë obligim ligjor pra e ka shteti i Republikës së
Kosovës ndaj meje dhe jo vetëm ndaj meje. Une dua ballafaqim me provokatorët e atij krimi të
madh (të bashkuar), për të cilin kam folë sa e sa herë deri tash, e nuk më
duhet dhe se pranoj kurrë ndonjë post e as mirënjohje pa mi kthyer të gjitha
drejtat e mohuara në emër të “atij shteti!”. Shpresoj që kam me jetuar gjatë, pasi kam shëndet të mirë tashpërtash, por po të vdisja papritur, qysh
tash do të lija porosi në familje, që të mos e pranojnë asnjë ngushëllim nga shteti
i Kosovës, nga ndonjë parti politike apo ish-gazeta Rilindja! Une i kam shokët e miqët e mij të shumtë
gjithandej, me të cilët i kam ndarë të mirat e të këqijat në jetë … Nuk është kjo fare punë kokëfortësie, por çështje e
dinjitetit tim njerëzor dhe e faktit domethënës se Kosova e re nuk
guxon ta dënoj atdhetarinë dhe përkushtimin profesional të askujt, e
në anën tjetër ta përmbajë e mos të do ta zbuloj krimin dhe kriminelët e
bashkuar, për rastin e të cilëve kam folë e shkruar qe një kohë tashmë tepër
të gjatë. Sidoqoftë: Të falemnderit për vëmendjen e mirësinë
tënde, Prof. Eshref Ymeri … ! Këtë s’kam me ta harrue! Gjithë të mirat prej meje: Gjergj – Bajram Kabashi,
Norvegji