Mendime
Albert Zholi: Bujar Kore - Greva e studentëve të dhjetorit 1990 pati mbështetjen e madhe të popullit të Tiranës
E merkure, 08.12.2021, 08:56 PM
Flet ish operatori i mirënjohur të TVSH, Bujar Kore:
Greva e studentëve të dhjetorit 1990 pati
mbështetjen e madhe të popullit të Tiranës
-Gjithë televizonet japin xhirimet e mia në
ditët e dhjetorit, por asnjëri se përmendi emrin tim si kameraman.
-Momentet më të vështira në ato ditë ishte
takimi që bëri përfaqësia e studentëve me Ramiz Alinë.
Nga Albert
Z. ZHOLI
Edhe tani pas 31-vjetësh ai i cilëson
xhirimet e lëvizjes studentore si më të vështirat. E tillë ishte situata. Emri
i tij është shumë i lakuar për vetë profesionin duke qenë një nga operatorët më
jetëgjatë në RTSH qysh në sistemin monist. Ai ka kaluar në atë institucion
ngjarje nga më befasueset ku ka xhiruar jo vetëm kronika pa fund e
dokumentarë, por edhe ka xhiruar portretet e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të
pas-Luftës së Dytë Botërore. Flitet për atë kohë ku çdo gabim paguhej me
kokë, pasi nuk ishte e lehtë të xhiroje që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi
Lleshi, Ramiz Alia dhe në demokraci deri te Sali Berisha, Fatos Nano,
Leka Zogu e Ilir Meta… Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ka hyrë në historinë
e rinisë shqiptare si një lëvizje tepër e veçantë. Ishte kjo lëvizje që solli
përmbysjen e sistemit monist, krijimin e PD-së dhe fitoren e demokracisë në
Shqipëri. Po ajo që duhet të veçohet në ato ditë është, se kishte vetëm një
televizion dhe kamerat e atij televizioni kanë xhiruar historinë e demokracisë
shqiptare. Kameramani i vetëm dhe i parë që ka xhiruar këtë grevë më 8 dhjetor
ishte Bujar Kore, një ikonë e TVSH . Ja çfarë thotë ai për ditët e grevës së
studentëve dhe më pas atë të rrëzimit të monumentit:
Flitet shumë për lëvizjen e studentëve të dhjetorit, komentet janë nga
më të ndryshmet. Kush ishin mbështetësit kryesorë të kësaj lëvizjeje? Ju
jeni ndoshta i vetmi operator nga TVSH që keni filmuar grevën e studentëve në
ditët e para në Qytetin Studenti ndaj keni shumë kujtime?
-Pse ishte detyra më e vështirë
për ty.
Pasi atëherë nuk kishte
televizione të tjera, as kamera private, pa folur për celularë. Dy institucione
ishin në atë kohë që kishin kamera. Ishim ne dhe Kinostudio. Por ne ishim të
vetmit që dilnim për kronika dhe për filmime e xhirime të ndryshme në terren
apo në institucione. Kamerat tona shkonin në çdo kantier ndërtimi, në çdo
minierë, në çdo vepër industriale, në çdo koncert, në çdo vizitë të
delegacioneve e të tjera. Pra kudo ku kishte lajm dhe kudo ku kishte aktivitete
të ndryshme. Madje dua të theksoj, se edhe filmimet në Teatër bëheshin nën
regjinë e TVSH, pa diskutim që ishin kamerat tona. Ndërsa kamerat e Kinostudios
përdoreshin vetëm për filmat dokumentarë dhe artistikë dhe rrallëherë për
ndonjë punë tjetër. Pra sot të gjitha pamjet që japin televizionet private janë
marrë nga xhirimet e mia në TVSH. Mirë bëjnë që i kanë marrë, port ë paktën të
përmendet emri. Kanë një autor ato xhirime.-Ju tek studentët shkuat vetë apo ju dërgoi drejtoria? A ju lejuan?
Jo, shkuam me urdhër. Sigurisht atë kohë as që bëhej fjalë për të shkuar në
mënyrë spontane apo me mendjen tënde. Ende çdo gjë ishte e sinkronizuar, e
drejtuar nga Drejtoria e RTSH-së. Ne që në hyrje të qytetit ‘Studenti’ na
filluan të na thumbojnë dhe të na shohin me dyshim. Ende nuk kishin besim të
plotë tek TVSH. Na quanin instrument të partisë. Por me gazetarin Fiqiri
Sejdiaj duke njohur shumë veta, ju treguam se ne duam të filmojmë, të bëjmë
punën tonë, detyrën tonë. Na lejuan me shumë dyshime dhe me shumë vështirësi.
Unë nuk e hoqa kamerën nga supi. Filmova me orë të tëra. Dita e parë ishte
shumë e vështirë. Hera e parë që njiheshim me situatë të tillë. Ku njihej
atëherë greva në Shqipëri? Me shumë vështirësi mundëm të shkonim deri tek
dhomat e ngujimit të studentëve. Gjithë qyteti ishte mbledhur rreth asaj
godine. Të gjithë jashtë. Dukej sikur do zhvillohej një ndeshje ndërkombëtare
futbolli, aq shumë njerëz ishin. Një situatë inkandeshente, që mund të pëlciste
nga çasti në çast. Fiqiriu bëri shumë intervista me studentët, madje me pyetje
të guximshme për kohën. Ishin pyetje tepër profesionale dhe ndonjëherë
provokative. Nuk e di sa orë filmuam. Ndieja uri. Plus i ftohti bënte punën e
vet.
-Kush u tregua më dashamirës dhe më i afruar
me televizionin nga grevistët?A u dhanë të gjitha filmimet e ditës së parë të grevës së urisë së
studentëve?
Jo. Pjesërisht ose mund të them shumë pak. Ne kishim filmuar me orë në lajme u
dhanë vetëm disa sekuenca. Ne nuk e prisnim këtë. Menduam se do të jepeshin më
shumë filmime, pasi situata ishte e rëndë. Po më shumë punë na prishi deklarata
e ish-Kryeministrit Adil Çarçani.
Pse çfarë tha Adil Çarçani dhe çfarë pune ju prishi?
Atë mbrëmje ish-Kryeministri Çarçani deklaroi, se greva ishte e jashtëligjshme.
Pra me këtë donte të thoshte që greva duhej të mbaronte dhe se do zbatohej
ligji. Në fakt deri atë kohë ligjet tona të sistemit monist nuk i lejonin
zhvillimet e grevave. Ne nuk i njihnim fare këto greva. Prandaj kjo deklaratë
na prishi punë. Pse pyetët ju? Sepse të nesërmen ne na shihnin më me dyshim se
më parë. Na shihnin me një mosbesim të tejskajshëm. Nuk na besonin më. Pra të nesërmen
kur së bashku me Fiqiri Sejdiajn u drejtuam për tek studentët nuk donin të na
lejonin. Që në hyrje na ndalën. Por ne tashmë kishim krijuar lidhjet tona. I
kishim sqaruar se nuk është në dorën tonë transmetimi i plotë apo i gjymtuar.
Ne bëjmë detyrën tonë si profesionistë, si gazetarë, si operatorë. Madje
Fiqiriu shkoi dhe më tej duke u bërë të qartë se është mirë që të filmohet çdo
gjë, pasi duhet të mbahen në arkiv. Nëse nuk filmohen do humbasin si
dokumentacion kohor dhe nuk do ketë asnjë dokument filmik për këtë ngjarje të
madhe. Vetëm me këtë mënyrë, vetëm me këtë lloj komunikimi na hapën rrugën.
Turma ishte e pasosur. Nuk dihej ku ishte fillimi dhe fundi i kësaj nisme kaq
të panjohur.
Arritët të futeshit brenda grevës? Po me popullin rrugës dhe kureshtarët
a morët prononcime?
Sigurisht. Me shumë mund. Kemi pamje të
shumta. Interesant ishte me prononcimet e popullit. Shumica nuk besonin në
transmetimin tonë, po ashtu shumë të tjerë nuk besonin në vërtetësinë e grevës.
Pra, ishte një dyzim i madh. Pështjellim. Por një gjë e tillë na ka ndodhur
edhe në grevën e minatorëve të Valiasit. Ne hymë brenda në galeri dhe filmuam
të ngujuarit e grevës. Më parë aty kishte shkuar Besnik Bekteshi për të arritur
një marrëveshje, por nuk kishte arritur gjë. Madje të gjithë grevistët ishin
acaruar së tepërmi me të. Kur hymë i gjetëm tepër të nervozuar. Kur mbaruam
xhirimet dhe donim të iknim ata na mbajtën peng. Nuk ju lejojmë të shkoni na
thanë, se nuk besojmë në transmetim. Për një moment u shtangëm. Pas disa minutash
i afrohem Gëzim Kalasë dhe i them, mos na mbani kot. Për mendimin tim sado pak
të japim nga greva është në interesin tuaj. Sado pak, qoftë shqiptarët, qoftë
të huajt do marrin vesh se jeni në grevë dhe çfarë kërkoni? Pa asnjë lloj
njohje të realitetit më keq është për ju. Do ti që iu mbush mendja? Na lanë të
lirë. Ikëm dhe në të vërtet shumë pak transmetuam, por të paktën çdo gjë u bë
publike.
Në gjithë këto filmime mes shumë vështirësish, çfarë ju bënte që të
ndiheshit keq?
Gjithë kohën që ishin në grevë studentët
kërkonin me çdo kusht takim me Ramiz Alinë. Pas shumë tratativave ky moment
erdhi. Më kujtohet si sot takimi i Ramiz Alisë me përfaqësuesit e studentëve.
Ndryshe nga herët e tjera ne shkuam në këtë takim dy grupe xhirimi ku gazetarë
ishin Engjëll Ndocaj dhe Gëzim Gjyrezi ndërsa operatorë Gaspër Shllaku dhe unë.
Gaspri ishte fokusuar tek Ramiz Alia, ndërsa unë merrja përfaqësinë e studentëve.
Meqenëse gazetarët tanë mbetën në fund dhe e kishin vështirë të lëviznin, unë
dhashë mikrofonin tonë Azem Hajdarit, i cili filloi të bënte rolin e gazetarit
e të lëvizte mikrofonin atje ku e kërkonin studentët. Përveç Azem Hajdarit aty
ishin dhe Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta
etj. Studentë që më parë nuk njiheshin, pasi askush nuk ju jepte aq interes
studentëve më parë. Por pashë një grup studentësh trima dhe me kulturë.
Paraqisnin kërkesat dhe mendimet me shumë kompetencë. Kam xhiruar orë të tëra
në këtë takim. Mbeten xhirimet më të vështira. Të gjitha xhirimet e asaj dite që jepen në
televizionet private janë xhirimet e mia. Mund të them se ndihem i
gëzuar. Unë jam i gëzuar që këto pamje shërbejnë për
diçka, por njëkohësisht jam i trishtuar, sepse asnjëherë nuk përmendet se cilët
janë realizuesit e tyre. Kjo ka të bëjë me të drejtën e autorit, që, për të
thënë të vërtetën, nuk respektohet në Shqipëri.
Çfarë bëtë në këtë kohë, a shkuat më në Qytetin ‘Studenti’?
Po! Më duket e pabesueshme. Atë kohë ishte
shumë -shumë e vështirë të hyje aty. Nuk mendohej se mund të hyhej. Nuk na
besonin. Na quanin dhe provokatorë, por këmbëngulja e gazetarit Fiqiri Sejdia
dhe imja bënë të mundur që ne të futeshim. Konkretisht në këtë situatë kam
regjistruar grevën e studentëve me shumë detaje dhe kemi marrë shumë intervista
që gazetari Fiqiri Sejdia u mori studentëve të ngujuar. Por të jem korrekt jo
të gjitha u dhanë, sepse censura bënte të vetën dhe studentët u zemëruan me ne
në disa momente. Ky acarim erdhi pasi kryeministri Adil Çarçani ditët e para të
grevës deklaroi se greva ishte e paligjshme. Por ne nuk u tërhoqëm.
Këmbëngulëm! Si ekip sërish u futëm, sepse dhe unë kisha disa miq brenda në
greve, me të cilën e gjeta shpejt gjuhën e përbashkët dhe sërish arritëm të
merrnin intervista të reja, pasi dhe situata ndryshonte me orë. Duke dëgjuar
kryeministrin shumë njerëz ende s’kishin besim që atë që thoshin do t’u
transmetohej. Kështu na ndodhi dhe me grevistët e minierës së Valiasit.
-Po aty çfarë ndodhi?
Aty na gjeti belaja. Situata erdhi dhe më e
tensionuar. Kur ne u futëm në galeri, nëntokë, për të regjistruar grevën e
tyre. ata na mbajtën peng, sepse nuk kishin besim qe ne do t’i transmetonim
intervistat e tyre. Një grupi xhirimi që kish qenë para nesh u ishin censuruar
shumë materiale. Përpara nesh atje kishte shkuar dhe Besnik Bekteshi, por që
s’kishte arritur asnjë marrëveshje, dhe ata ishin shumë të acaruar. Atëherë i
thashë Gëzim Kalasë që ishte organizatori i grevës: Se TVSH vërtet mund të
transmetojë pak nga greva, por në fund të fundit do ta japë atë, ndërsa po na
mbajtët peng, nuk do ta keni as këtë mundësi. Pra nuk do merret vesh asgjë se
çfarë do bëni. Më mirë pak se asgjë. Kështu do ngeleni të izoluar. Atëherë
minatorët na lanë të lirë të ktheheshim në Tiranë.