Mendime
Gjokë Dabaj: Si ramë kaq poshtë!
E diele, 05.12.2021, 04:46 PM
SI RAMË KAQ POSHTË!
Nga
Gjokë Dabaj
Gjëja
e parë që më ra në sy (dhe s’kish si të mos i binte në sy secilit prej nesh, se
prandaj i kemi sytë), ishin pamjet e flamujvet në sfondin e samitit dyshtetesh:
Republika e Shqipërisë-Republika e Kosovës. Po mblidheshin për të
bashkëbiseduar qeveritë e dy shteteve të të njëjtit komb, por flamujt e tyre
ishin aq të ndryshëm, sa vetëvetiu fanitej pyetja: A kanë përkthyes të
përshtatshëm?! A i zotërojnë përkthyesit të dyja gjuhët e këtyre dy shteteve,
flamujt e të cilëve janë kaq të ndyshëm?!
Një
flamur sërb, një flamur malazias, një flamur rus, është më i ngjashëm me
flamurin e Republikës së Shqipërisë, sesa flamuri i Republikës së Kosovës!
Si
arritëm deri këtu?! Si mundi të vijë dikush që nga Ylli polar dhe të na thotë:
Ky është flamuri juaj!?
Me
flokë të shprishur, me sy pa ngjyrë, me një fytyrë të mbufatur, u ul në tryezën
tonë dhe na tha: Ky është simboli juaj dhe… Dhe ç’ndodhi pastaj?! Pastaj mori
Çmimin Nobel!
Po
ne ku ishim?! Ku ishim ne?! Ku ishte Shkodra?! Të çohej e t’u thoshte, Evropës,
OKB-së: Ky nuk është flamuri i shqiptarëve!
Të
rimblidheshin minatorët e Trepçës dhe t’u dërgonin notë proteste, Evropës,
SHBA-së: T’ua nisnin në pako nga një prej atyre flamujve që i kanë përdorur në
protestat e tyre të dikurshme dhe t’u thoshin: Flamuri ynë është ky!
Të
rimblidheshin luftëtarët e UÇK-së dhe t’ua dërgonin, Evropës, SHBA-së dhe
OKB-së nja 4 a 5 flamuj nga ata që kanë shpuar plumbat e sërbëve!
Të
mblidheshin nga 5 apo 10 shqiptarë të kthjellët… Në mos më shumë, të paktën nga
5 apo 10! Në Bajram-Curr, Berat, Bulqizë, Burrel, Cërrik, Çorovodë, Deçan,
Dibër, Durrës, Elbasan, Ersekë, Ferizaj, Fier, Fushë-Arrës, Gostivar, Gramsh,
Gjakovë, Gjilan, Gjirokastër, Istog, Kavajë, Kërçovë, Klinë, Krujë, Konispol,
Kumanovë, Laç, Lezhë, Lushnjë, Malishevë, Manastir, Mitrovicë, Pejë, Peshkopi,
Peqin, Përmet, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Prrenjas, Rahovec, Rrëshen,
Rrogozhinë, Sarandë, Strugë, Suharekë, Shkodër, Shkup, Tepelenë, Tetovë,
Tiranë, Viti, Vlorë, Vushtrri.
Të
mblidheshin nga 5 apo 10 shqiptarë, në këta 54 qytete dhe t’ua çonin nga një
letër përkujtuese OKB-së, BE-së, SHBA-së e në fund edhe Komisionit të Çmimeve
Nobel në Helsinki: Ky nuk është flamuri i shqiptarëve! Flamuri i shqiptarëve
është ky, që ne po jua dërgojmë në pako!.. Prandaj, atë të atij finlandezit
çojeni atje ku ju pranohet!
T’ua
çonin edhe shteteve anëtare të OKB-së në adresat e parlamenteve të tyre:
Francës, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës, Italisë, Kinës, Bjellorusisë,
Ukrainës, Rumanisë, Japonisë, Sërbisë, Bullgarisë, Zelandë së Re, Indisë,
Afrikës së Jugut, Argjentinës, Kroacisë, Bullgarisë: Ky nuk është flamuri ynë!
Le ta mbajë për vete ai që ta pëlqejë!
Po
të vepronim kështu, ata mund edhe të talleshin me ne. Mund të thoshin: Ç’është
ky komb që po na ankohet për flamurin e vet?!. Do të talleshin, por jo më shumë
se ç’po tallen tash dhe jo më shumë se ç’do të tallen në të ardhshmen!
Komb
pa vetëdije! Komb pa sedër! Komb që s’është në gjendje të vendosë vetë as për
një copë pëlhurë të qëndisur sipas qejfit të vet, le më për gjëra më të mëdha!
Si
ramë kaq poshtë?! Apo mos kemi qenë gjithmonë gjethurina që i çon era nga të
fryjë dhe që i shkel kush të dojë?!
Po
dua t’ia uroj Republikës së Kosovës Ditën e Flamurit, po si t’ia uroj?! Ditën e
cilit flamur t’i uroj Kosovës?!
27 nëntor 2021