Mendime
Enver Bytyçi: A mund ta ndalojmë puçin anti-shqiptar të Open Balkan?!
E hene, 29.11.2021, 06:10 PM
A mund ta ndalojmë puçin anti-shqiptar të Open Balkan?!
Nga
Enver Bytyçi
Në Parlamentin e Serbisë u zhvillua takimi virtual kushtuar nismës së Vuçiq për
Ballkanin e Hapur. Deputetët serbë ndoqën përmes video-mesazhit fjalën e
kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ky ishte i vetmi që mori
duartrokitje deri në ovacione. Asnjëherë nuk kishte marrë kaq mbështetje vetë
presidenti serb. Ndërkaq këtë mbështetje e mori unanimisht kryeministri
shqiptar!
Duartrokitjet
erdhën pasi fjala e zotit Rama ishte në frymën e interesave serbe në Ballkan.
Pasi ai mbështeti gati me arrogancë të gjitha nismat serbe për ekspansion në
rajon përmes Open Balkan!
Kush
nga serbët deputetë e jo deputetë nuk do të duartrokiste lejen për të blerë
pronat e patundshme të shqiptarëve në Vlorë, Sarandë, Durrës, Tiranë, Shkodër e
kudo në Shqipëri, të cilën ua jep marrëveshja për Ballkanin e Hapur?! Çfarë
humb Serbia, përveç përfitimeve nga kjo marrëveshje? Asgjë!
Ajo
fiton të drejtën e daljes në Adriatik, madje ende pa definuar marrëveshjen me
Kosovën! Në vend që kryeministri i Shqipërisë ta kushtëzonte marrëveshjen për
Open Balkanin së paku me njohjen e Kosovës, ai bëri të kundërtën: I dha
Beogradit mundësinë që të mos e bëjë këtë, madje të shtojë presionin mbi
autoritetet e Prishtinës, me qëllim që zgjidhja të shkojë në favor të
Beogradit! Në vend që kryeministri i Shqipërisë ta shohë nacionalizmin serb si
pengesë të konsolidimit të paqes në rajon, Edi Rama promovoi këtë nacionalizëm
si "të moderuar" dhe po ndihëmon në operacionin e Serbisë për
krijimin e "Botës serbe"! Jo vetëm kaq, por fajësoi nacionalizmin
kosovar për refuzimin që I bën Ballkanit të Hapur! Në vend që ta kushtëzonte
marrëveshjen midis Serbisë e Kosovës me njohjen e krimeve dhe genocidit serb në
Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë, Edi Rama ia dha lejen Beogradit që ta bëjë këtë
pas krijimit të Jugosllavisë së Re! D.m.th atëherë kur kjo ndjesë serbe nuk ka
më asnjë vlerë dhe efekt në dobi të shqiptarëve dhe nuk prek asnjë interes të
Serbisë!
Open
Balkan i Edi Ramës u duartrokit në parlamentin e Serbisë aq shumë pikërisht për
këto benefite që përfitojnë serbët në raport me shqiptarët dhe popujt e tjerë
të rajonit! Autor i këtyre benefiteve është më shumë Edi Rama, sesa Aleksandër
Vuçiq. Prandaj dhe kryeministri shqiptar ka fituar simpatinë e të gjithë
serbëvë.
Ndryshe
nga Vuçiq, ai simpatizohet edhe nga opozita serbe, edhe nga nacionalistët
ekstremistë të Serbisë, edhe nga Kisha dhe elita akademike e Beogradit! Nëse do
të bëhej një anketim në Serbi, në Kosovë dhe në Shqipëri, Edi Rama do të merrte
duartrokitjet e 99 për qind të serbëve dhe mallkimin e shumicës së shqiptarëve!
Por
është për të ardhur keq që në këtë 99 përqindshin e simpatizantëve serbë bëjnë
pjesë edhe disa shqiptarë, të cilët ende e shohin me simpati intrigën
Rama-Vuçiq të të para shtatë viteve kur kryeministri ynë kërkoi që "Serbia
ta njohë Kosovën"! Madje edhe në rrethin e shqiptarëve të Luginës së
Preshevës ka jo pak të tillë naivë! Shqipfolësit serbo-filë të Prishtinës e
Tiranës bëjnë pjesë gjithashtu në këtë kategori naivësh ose shërbëtorësh të
sofrës serbe të Beogradit! Edhe nëse një përqind e shqiptarëve e përkrah
qëndrimin e Edi Ramës, për mua ky do të ishte një shqetësim shumë i madh! E në
fakt janë më shumë sesa një përqind e tyre!
Përkrahja
ndaj qëndrimeve pro-serbe e anti-shqiptare të kryeministrit tonë shpreh
mjerimin politik e nacional tonin!
Shqiptarëve,
përfshirë dhe elitën politike dhe akademike të tyre, nuk u bëjnë punë
deklarimet për bashkim kombëtar! Ne na duhet më shumë se kjo, bashkimi kundër
të keqes! Dhe tashmë e keqja është e identifikuar te shërbimet pro Serbisë dhe
interesave të saj të kryeministrit të Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë
shqiptarë pranë tij në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi!
Open
Balkan u promovua dje në sallën e 250 deputetëve të Serbisë në Beograd!
Promovuesi dhe promotori i këtij promovimi ishte Edi Rama. Ndërkaq autori
kryesor i kësaj nisme nuk ishte në Serbi. Në të njëjtën kohë kur deputetët
serbë po duartrokisnin Edi Ramën, Aleksandër Vuçiq po shtrëngonte duart me
presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në Moskë. Rastësi?! Asnjëherë nuk ndodhin
rastësi në politikë! Çdo akt ka simbolikën dhe mesazhin e vet! Prandaj dhe
Gabriel Escobar dha mesazhin e dështimit të Open Balkan, ndërkohë që Rama në
këmbë të Vuçiq i kërkoi atij mbështetje për këtë iniciativë serbe që zevendëson
iniciativën gjermane të Berlinit!
Takimi
i djeshëm është një këmbanë alarmi për ne shqiptarët. Ai takim nuk ishte
thjesht promocion, por edhe provokim. Nuk pati të bënte me diçka konkrete,
thjesht provokoi sentimentet shqiptare. Ishte gjithashtu metodë intrigash për
t'i dhënë Open Balkan-it publicitet dhe imazh pozitiv. Shkurt për ta imponuar
me metoda populiste! Antidot i Open Balkan është forcimi i koalicionit kundër
tij! Eshtë rezistenca e shqiptarëve kudo ku ata janë. Në radhë të parë Kosova
duhet të dëshmojë pjekuri dhe përkushtim kundër këtij puçi anti-shqiptar!