Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Gjon Sinishta - Libri At Pjetër Mëshkalla
E enjte, 18.11.2021, 07:10 PM
ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN
BULETINI
KATOLIK SHQIPTAR
(1993 – VOL. XIV, fq. 231)
Prof. Gjon SINISHTA shkruen:
Radovani, Fritz: At Pjetër Mëshkalla, S.J.
Shtypshkroja “At Gjergj Fishta”, Tiranë 1993.
Me sa dij, ky asht libri i parë kushtue jetës e veprës së
nji kleriku katolik që botohët në Shqipni mbas përmbysjes së komunizmit. Me
shkrue për At Pjetër Mëshkallën, e në të vërtetë për secilin meshtar katolik të
mbytun mizorisht nga plumbat ose torturat, puna e detyrueshme në kampët e
vdekjes ose helmimi prej dorës së komunistave, do të duheshin volume të tana.
Fritz Radovani, autor i këtij punimi të shkurtë, por të ndieshëm e plot
inspirim human e fetar, e ka vu rruazën e parë në kollanën e artë t’atyne fatosave
që ranë flijë për Fé e Atdhé. Tjerë autorë si Fritzi të marrin tash shembull e
të vazhdojnë me ia shtue këto rruaza kollanës me shkrime e vepra të tjera për
martirët tonë.
Libri At Pjetër Mëshkalla S.J., ndahet në tri pjesë.
Në pjesën e parë auktori përmbledhtas e me një gjuhë të
thjeshtë e të afërme me lexuesin, si i thjeshtë e i afërm ka qenë vetë At
Mëshkalla, paraqet jetën e tij si atdhetar, meshtar e jezuit me bindjet e tij
të forta filozofike, fetare e humane. Radovani përshkruen këtu argumentat e të
vërtetat të shqiptueme në rasa të ndryshme prej meshtarit jezuit, që janë ba
tashma si legjendë e thesar shpirtnuer jo vetëm për katolikët, por për tanë
shqiptarët e ndershëm e liridashës. Qé disa shembuj nga libri:
Prej melodise së lehtë të zanit të tij ruhen prap këta
tinguj... “Vëllazën me të gjithë, pa dallim feje!” Asht Ati i madh, Ati i të
gjithëve, muslimanë e të krishtenë, me fé e pa fé, që hapte krahët e u
thontë... “Eni, eni djelmët e mij, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!” dhe,
së bashku me të gjithë, vazhdonte vuejtjën e mjerimin e pakufi, gjithmonë si
Féja e pat mësue, tue pritë delen e humbun... E kur tirani me sy të ngërthyem
si mordja, na dukej n’ate skëterrë, e plot lakmi shihte rininë shqiptare, kah
gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte si t’ishte i huej që kombin po i
shklet; i Madhi Meshkalla, veç brofte në kambë e zani, si prej vorrit naltohej
deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”....
Kur britën me djegë Ungjillin – një za u dëgjue – inkuizicion...!
E Ati u tha: “Digjeni po deshët, se as ju nuk keni për t’ia dalë, si
paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë, por Fénë e Krishtit
nuk kanë mujtë me e zhdukë!” Mizorët terbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i
shkurtë u thotë: “Unë në Zotin besoj e do të fitoj... Ju më dënoni sa të
doni, se unë prap se prap do të dal, ju shoshojnë keni me hangër, e aty asht
fundi juej! Feja e Krishtit nuk mbaron
kurrë!”.
Kjo pjesë e librit përshkruen episode të tjera të
fuqishme nga jeta e këtij martiri në pritje me u shpallë shpejt Shejt.
Episode me randësi e tronditëse, që sjell libri i
Radovanit, asht ajo e mbledhjës së përgjithëshme të arsimtarëve me 1967, në
Institutin e Naltë Pedagogjik të Shkodrës, gjatë fushatës së turpëshme të
“Revolucionit Kultural”.
“Unë jam katolik e besoj në Zotin!”, ishte deklarata e
Mëshkallës, “...Se po të shprehin lirisht mendimet e tyne (njerëzit), ky
pushtet nuk ka për të zgjate shumë!”, kjo deklaratë i tërboi pjesmarrësit e
shumë prej tyne bërtitën “Pusho, fashist reakcjonar!”. Ndër ata që folën dhe e
shanë Mëshkallën me përkushtim e zell partiak, ishte edhe Jup Kastrati, që sot
mban ligjerata i ftuem nga diaspora e New Yorkut!!!
Pjesa e dytë e librit përmban poezi e shkrime me tema të
ndryshme shkrue prej At Pjetër Mëshkallës. Qé nji poezi të cilën auktori e ka
shkrue gjatë burgimit të tij në Burrel, e asht në temën e Shën Augustinit:
JETË E RÉ
Në zemrën time lindi jeta
...........................................
BB(Burgu i Burrelit)1954
(Shif tek Pjesa e II-të, faqe 32.)
Pjesa e fundit e librit të Fritz Radovanit për At
Meshkallën, riprodhon shkrime zyrtare nga “Bashkimi” e fletore të tjera
komuniste kundër këtij tribuni të pamposhtun për fé, liri e drejtësi. Poashtu,
botohen disa intervista, sidhe një biografi e shkurtë e martirit.
Në fund njoftohet për dekretin e Presidentit të
Republikës së Shqipnisë, Dr. Sali Berisha, me të cilin:
At Pjetër Mëshkalla S.J. dekorohet me Medaljën e Artë
“PISHTAR I DEMOKRACISË”.
Libri i Fritz Radovanit asht për t’u lexue nga çdo
shqiptar që mban për zemër parimet e shejta të Atdheut, Fesë e Lirisë.
Palokë PLAKU
(Pseudonimi i Prof. Gjon
Sinishtës)
I dashtun Fritz!
Palokë Plaku, Lul’ash Dajçi,
sidhe Agim Kosova janë pseudonime të mija. Të falëmnderës për materialin “11
Mars 1948”, të cilin do ta botoj në numur XV (viti 1994), që do të jetë i
fundit nga shkaku i sëmundjës së randë që kam.
Tue t’urue shëndet e çdo
të mirë shpirtnore e trupore:
Të përqafoj,
Gjon Sinishta (firma)
Shënim
FR: Vuna artikullin dhe letrën e të Ndjerit Prof. Gjon Sinishta, në shenjë
mirënjohje dhe respekti të përjetëshem, për vlerësimin që i ka ba punës seme
modeste.
Ky
asht i vetmi artikull që u botue për librin tem mbrenda e jashtë Shqipnisë!
Me
nderim të veçantë,
Melbourne
2004. Autori
Shenim
FR: Botohet e plotë pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Melbourne,
16 Nandor 2021.