Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Në vitin 1977, At Mëshkalla u lirue nga burgu
E diele, 31.10.2021, 05:22 PM
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XLVII)
1967 MARS: Mbas fjalimit të Ever Hoxhës me 6
Shkurt 1967, po pritej shperthimi i vendimeve të fazës fillestare, që zakonisht
mushnin hetuesitë me të pranguem. Këte herë ishte përgatitë opinjoni i
burgosjeve të Klerikve katolik, mbasi kishte mjaft që nuk ishin pajtue me
mbylljet e Kishave e luften kunder Fesë...
Sigurisht, ky “Revolucion Ideologjik e
Kultural”, nuk mund të mirpritej kurrsesi nga Populli Shqiptar, që nuk kishte
asgja të perbashkët me ideatorët e popullit “vlla” kinez të shokut Mao.
Frika kishte trokitë fillimisht prej dyerve të
zyreve të nalta dhe ishte shpernda deri nder thellsitë e shpellave nder
Malsi...
Në mbledhjen e organizueme në komitetin
ekzekutiv Shkoder, qendrimi i disa klerikve katolik ka tregue haptas
mospajtimin e tyne me “mbylljen e Kishave e braktisjen e Fesë” me dhunë.
Pak ditë para arrestimit të dytë At Meshkalla
i ka tregue Nanës s’eme se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër
kriminelit Mehmet Shehu për “Revolucionin Kultural” në Shqipni... Mbasandej,
“...edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty rinia ka shumë
nevojë për meshtar, mbasi ndër
burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe pesimizmi,
që janë tue kalue tash sa vite e vite nder vuejtje pafund po, edhe pa asnjë
shpresë të ndrrimit sistemit.
Asht e nevojshme
prania jonë aty...”
Duhet vu në dukje se ajo amulli e pashpresë
ishte edhe jashta dyerve të burgjeve dhe kampeve të punës e atyne t’
interrnimit. Kudo frikë, arrestime, pushkatime, interrnime e persekucion.
Popullit Shqiptar thonin pleqtë “i ka këndue
qyqja!”...
At Mëshkalla nuk u pajtue kurr me “Mbyllje të
Kishave”!
Ato ditë para se të arrëstohej
Mëshkalla, shkoi në një familje dhe porsa hyni në atë shtëpi, plaka që po
mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë, i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si
flet kështu kundër këtyne, sa mirë nuk i ke frikë, sa trim je !?”
– Ai ju përgjegj: “Unë nuk jam
trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me
kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?”
–“Prite Zot!...”-Tha plaka- “as
unë nuk e di shka baj për këtë djalë!...” –“E pra, kështu asht edhe puna eme,
komunistët duen me më marrë Krishtin, që unë e kam në shpirt’ e në zemër, unë
nuk do t’ ua lëshoj për së gjalli! E po kje nevoja unë do të nap edhe jeten të
cilen, unë ja kam kushtue Atij!”.
Pa kalue pak ditë, u arrestue
dhe u dënue 10 vjetë burg...
Në vitin 1977, At Mëshkalla u lirue nga burgu.
Mbas lirimit erdhi përsëri në
Shkodër, në “çerdhën e vjetër”.
Nuk shihej shumë si përpara.
Një ditë u ndeshëm ballë për ballë, u ndala dhe u përqafuem. Me tha se më
kishte pa edhe një herë tjetër, por kishte kujtue se kam frikë me u ndalue me
Té. Unë nuk e kisha pa. E pyeta nëse dilte për vizita e më dha atë përgjegje që i kishte
dhanë edhe nanës seme pak ditë ma parë: “...Tashti shoh se jam plakë, nuk
mundëm me durue ma ato vështirësi që kam kalue në hetuesina e burgje, e do të
ruhem mos me u arrëstue ma, se kam frikë se më torturojnë e me lodhin dhe nga
mosha e madhe, tashti edhe mundet të turpnohem për gjithë jetën!”.
I kishte mbetë në kujtesë një
enciklopedi shtatë volumesh e Trecanit që i pata dhanë nga librat e Dajës Don
Kolec, perpara se të arrestohej, të cilen mbasi u lirue nuk e ka marrë ma nga
personi që ia ka dhanë... Kerkonte me dijtë prej mejet se shka mund të
pretendoj unë si shperblim në të holla. E shikova në sy dhe mbasi u perqendrova
në shikimin e Tij, e rroka fort dhe i thashë: “Shperblimin e librave ka dashtë
Zoti, e kam marrë atë ditë kur mora vesht se jeni lirue dhe jeni shndosh e
mirë...
Asht kenë një nder lajmet ma të
gzueshme të jetës seme ardhja Yte në shtëpi e mërritja e asaj dite, që me ankth
e kemi pritë. Kalofsh me shndet e qetsi shpirtnore në shtëpinë Tande...Per shka
Ju ka humbë na pastë marrë të keqen! Desht Zoti e u pame prap... Premtoi i
Madhi e po Ju shof shndosh e mirë dhe, uroj të shihemi prap si perpara, e Ju
ndigjofsha zanin e mirë!
***
Kur vdiq Nana, në vitin 1984, si
dhe tezja Rozë, në vitin 1987, Pader
Mëshkalla ka ardhë, ka thanë uratë
tek kambët e Tyne dhe ka bekue Trupat e vdekun të tyne. Ai ka ardhë si vinte
dikur, kur Ata ishin gjallë. Ai bashkë me né në ato ditë ndjente dhimbjen e
madhe të vdekjes së Motrave të Tij, mbasi Ai kje gjithmonë një Vëlla i mirë i
tyne... Kur unë i hapa biseden per pamundsinë e rrëfimeve të Tyne të Fundit, Ai
bani buzen në gaz dhe më tha: “Mos u ban marak, se gjithshka asht rregullue dy
tri ditë perpara. Ka dashtë Zoti e kam ardhë këtu, e asht krye gjithshka në
rregull. Sikur ma ka ndij zemra perpara se u donte me ardhë me i pa dy Motrat e
mija. Pushofshin n’Paqë!”
Vertetë që At Meshkalla shihej rrallë, po syni i
shkelqente...
Ruente kujtimet e freskëta ashtusi kishte edhe Shpirtin!
Melbourne,
28 Tetor 2021.