Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 26 hetuesi e burgje kishte Shkodra?!
E marte, 21.09.2021, 05:55 PM
1946 – 26 HETUESI E BURGJE KISHTE SHKODRA ?!
Nga
Fritz RADOVANI
SOT
edhe ky bli ju tregon se shka ka pa dhe
provue nder degët dhe nen degët e veta, tue fillue nga Nandori i vitit 1946,
kur Kuvendi i Fretenve të qytetit të Shkodres u kthye në hetuesi të Sigurimit
të Shtetit komunist…
A
e dini se Shkodra asht nder qytetet ma të lavdishme të Asaj Shqipni që, asht
masakrue e vuejtë si pak e aspak qytete të Europës komuniste?
Vetem
me kujtue diktatorët terroristë që mendonin me shfarosë dhe me e varrosë
Shkodren time, prej momentit kur hypne në pushtet dhe kur aty u formue dhe asht
vue në punë kriminale turpi antinjerzor i vetmi në Botë: “Seksioni Katolik i Degës së të Brendshme”,
po në vitin 1946 dhe, tue dijtë se kush e drejtonte ate nga kriminelët ma
barbar në Europë, me etiketen “antifetare” dhe antikulturore e antihumanitare,
tue fillue nga tiranët vrastarë Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri
Hazbiu, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu, Lilo Zeneli,
Xheudet Miloti, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vaskë Koleci, Cuf
Lohja, Ndrekë Nallbani, Qamil Gavoçi, Jonuz Dini, Kasëm Troshani, Pjerin Kçira,
Ylvi Dibra, Rasim Dedja, Elham Xhika, Vehbi Fishta, Zoi Themeli, Hilmi Seiti,
Rexhep Kolli, Dhimiter Shkodrani e deri tek Shyqyri Çoku, të gjithë “heronjë”
të Ministrisë së Mbrendshme, të zhytun deri në fyt në gjakun e Popullit
Shqiptar. Këta kriminelë terroristë e
gjakatarë, kanë krye në Shkoder veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën
ma mizore dhe, bashkë me trashigimtarë të sotem janë ata që po shfarosin tashti
edhe gjurmët kulturore, historike e atdhetare në Shqipninë e Gjergj Kastriotit
– Skenderbeut e të Nanës Tereze, shemelltyrat tona Botnore.
Kjo
dokumentohet sakt vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi,
hetuesie, vrasjesh e dhune, zhdukje e shpifje, burgje dhe shtëpi strehimi për
të parainternuem që kishte qyteti i Shkodrës prej vitit 1946:
1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve
te Mbrendshme.
2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
4. Konvikti “Malet tona”.
5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në
Gjuhadol.
7. Burgu i vjetër i Gestapos, pranë
shtëpisë së Zef Shirokës.
8. Shtëpia e Ulqinakut.
9. Kuvendi i Motrave Servite.
10. Kisha e Motrave Servite.
11. Shkolla e Çelës.
12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën
farmaci).
13. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë
Tereza”).
14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek
Sanatoriumi i sotëm).
15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë
së Kuqe në Perash.
16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të
vjetër).
17. Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e
Jezuitëve (ku interrnonin).
18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e
Reja.
20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë
Institutit Pedagogjik).
21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas
shtëpisë së Shkrelit.
24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së
Kulturës.
25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.
•Edhe
zvoglimi i këtyne shifrave “dikujt” po i sherben prap sot!
Gjyqet
janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve,
në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës
etj. Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i
Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së Çiurçisë, ku shpesh, vriteshin, hudheshin nga
dritarët dhe zhdukeshin kufomat e pafaj me proces-verbale false të gjyqeve
gjoja të zhvillueme aty.
Qendrat
e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë,
Burgu i Kishës së Fretënve (1946), Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të
Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia
e Ulqinakut, etj., etj.
Ka
me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për me dalë në
dritë veprat terroriste e kriminale të Partisë Komuniste (të Punës e asaj “Socialiste”) të Shqipnisë, të kryeme
nga dora e Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë
sllavokomuniste të Jugosllavisë, B.R.S.S. Stalinist dhe Kinës komuniste.., që
nga thëmelimi i saj në 1941.
Per
krimet e torturat e bame nder këto 26 qendra masakrash duhen disa libra të
shkruem nga Ata, që i kanë provue mbi trupat e Tyne...
Edhe
njëherë po persëris: Shkodra nuk do “Histori fallco”!
Melbourne, 21 Shtator
2021.