Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Burrneshat shkodrane
E shtune, 21.08.2021, 12:40 PM
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XXXIV.)
BURRNESHAT SHKODRANE...
Pikërisht ato ditë marsi të 1967, kur në Shkoder u
rikthye prap frika si në vitet e para të ardhjes në drejtimin e shtetit
shqiptar të komunistave vrastarë, po më ripërtrihej në mend ajo ngjarje, që
para vitit 1954 ka ndodhë në shtëpinë e njenes prej këtyne Burrneshave jo të
pakta në qytetin martir, një grueje shkodrane me brandavekë e me bohçe të
bardhë, që nuk iu hoq gjithë jetën bashkë me at’ shami si futa mbi kryet e
saj...
Ishte njena prej Atyne Nanave që rrëkaja e lotëve të Saj
ende të pathamë kishte lá gurtë e Zallit të Kirit të pergjakun nga i biri!..
Besoj se shumë shkodranë të moshes sime i kujtojnë
kaçubat e ferrave mbas murit të Rrëmajit, ku pikrisht aty shprazeshin në
mengjes heret pa dalë drita mbi trupat e Rinisë trime të pafaj automatikët e
vrastarve të Sigurimit të shtetit, aty ndizeshin nder kaçuba qirinjë e kandila
në kujtim të Atyne të vramve...
Po a mbylleshin Ato të shkreta gra e plaka apo motra, në
ato shtëpija mbasi ju vriteshin loçkat e zemres?! – Jo, jo...
Gjurmimet e Sigurimit të shtetit nuk kishin fund,
mjaftonte një njeri i keq me ju krijue dyshime dhe, të ardhmen darka fillonte
gjurmimi dhe kontrolli jo vetem i atyne shtëpijave, po edhe i atyne komshijve
që komunikonin me ato fatzezë...
Vertetë që Ju vrane djelmët, po gjurmimet nuk ju
ndanin...
Nder ato shtëpi ngjarjet tronditëse nuk kishin fund...
Fillonin nder qytete e vazhdonin deri thellë në Malësi e katunde...
E pra, shumë prej Tyne edhe pse të mbetuna shkret e pa
djelm në voter, vazhdonin me pritë të zezat tjera që i sillte Sigurimi...
Një ditë Sigurimi i Shtetit i kontrolloi edhe shtëpinë përdhese njenes prej këtyne
Nanave fatzeza dhe, mbasi i dogj edhe një figure që i kishte mbetë e fshehun
nën kllef të jestekut, figurën e Zojës së Shkodrës, me të cilën ngushllohej e
flinte, njeni prej mizorëve katila u suell dhe e pyeti Nanen me futen e zezë
n’kry: “Hë, plaké...fol, a ke më ndonjë gjë tjatër të fshehur?” Padër Meshkalla
më pat tregue se si Ju përgjegj Ajo plaka Shkodrane mbasi u çue në kambë, i
ngulë sytë njenes bishë që pyeti e i tha:
-“Po, kam edhe një gjâ që ju nuk keni si me ma marrë! -
dhe mbasi vuni dorën në ballë ju tha pa u tutë: -“Kam edhe këté:
Në Emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shejtë e Ashtu kjoftë!”.
***
E pra.., Kjo Nanë Shkodrane... Sot, nuk ka monument...
E sa kishte Shkodra e Malsia e Veriut nga Këto Nana?!
Ah Rozafa ynë... Vetem Ti o Razafë.., i di të gjitha...
Nder muret Tua Ata Emna nuk fshihen kurrma!
Melbourne, 20 Gusht 2021.