Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Kur At Mëshkalla vizitoi ekspoziten time të pikturës
E shtune, 24.07.2021, 07:44 PM
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XXVI.)
KUR VIZITOI EKSPOZITEN
TIME TË PIKTURËS...
Ishte fundi i Qershorit 1966, pra 10 vjetori i
maturës sime...
Nder vizitorët e Nderuem ishte aty edhe Pader
Mëshkalla.
Ai merrte pjesë në të gjitha fushat e jetës dhe
me kompetencë fliste për ato. Horizonti i dijes së Tij ishte i pakufi.
Gjatë bisedës më foli për përshtypjën e mirë që
kishte krijue në ekspozitën e pikturës, që pak ditë para kishe hapë unë dhe Ai
e kishte vizitue, madje, edhe në librin e përshtypjeve kishte shkrue
konsideratën e Tij, ashtu si edhe Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani, At
Gegë Lumaj, At Aleks Baqli, etj.
Kur njeriu ndigjonte prej Tyne mendimet per
artin e në këte rasë flas per artin tonë kombtar, ndigjuesi harronte se asht
tue ndigjue një klerik që me kompetencë shpjegonte anën e saj të shkelqyeshme
artistike, të shpjegueme në detaje. Nuk më ikë asnjëherë nga mendja pershtypja
e Tyne per portretin e Dr. Federik Shirokës, per të cilin ruenin edhe kujtime
personale. Doktori kishte plot 10 vjet që nuk jetonte, po veprat e Tij kishin
mbetë të pashlyeshme në kujtesen e Shkodranve...
Unë i tregova një grafikë të paekspozueme në të
cilën kisha punue Krishtin e vdekun në vitin 1961. (Asht ajo vepër që u vue ma
vonë në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, dhurue
Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës së Tij në Shqipni me 23 Prill 1993).
Pader Mëshkalla u kënaq tue e pa dhe menjëherë të nesërmen më solli një album
të jetës së Krishtit të punuem me akuarel nga një piktor anglez, që kishte
shkue piktori me e punue në Palestinë shumë vite ma parë.
Bashkë me këte album më solli edhe një fletore
me disa poezi të shkrueme prej vetë Mëshkallës, që menjëherë unë fillova me ba
ilustrimet e tyne. E kujtoj mirë kerkesen artistike të Tij.
Vinte pak ma shpesh ato ditë mbasi kishte shumë
pretendime në fushen artistike, të cilën e njihte shumë mirë; si në letersi,
pikturë, muzikë. Nuk kënaqej me pak! Prej Tij unë ruej një këshillë: “Me kenë
kërkues i së bukres deri në fund!”, - pra, kambngulja ishte tipari dallues i Tij. Më diftonte se si
poezinë “Hipokrizia” e kishte punue kater herë, e me të vërtetë, ajo poezi asht
shumë e bukur për mos me thanë që asht ndër ma të bukrat, ose ma mirë me thanë,
ndër kryeveprat e Tij. Fatkeqsisht “revolucioni kultural i 1967” kje
shkatrruesi i gjithshkaje në kulturen Shqiptare, ku At Meshkalla u burgos...
Pader Mëshkalla, mbasi doli nga burgu i
Burrelit, aty nga fundi i vitit 1961, pak vite prej jetës së Tij i kaloi bashkë
me Nanën, në shtëpinë e kushrinës së vet, Ganxhës, në rrugën e njohun
Ballabane, që shumë shpejt u ba qendër pelegrinazhi për të gjitha moshat dhe
për të gjithë shkodranët pa dallim Feje. Vepra e paharrueshme e Tij asht puna e
palodhun me rininë me të cilën Ai ishte i pakursyem, i patremun, korrekt, i
dashtun, i papritueshëm, i përvujtë, gjithmonë buzagaz, Meshtar e Pishtar i
vertetë i dijes dhe i atdhetarizmit deri në fundin e jetës së Tij. Në Shkodër,
kush nuk e kishte ndigjue emnin e këtij Meshtari, që nuk shihej asnjëherë as
ndër Kisha, madje, edhe as tue thanë meshë, se jo ma tue predikue?
I vetmi vend ku Ai nuk mungonte kurr, ishte
pjesmarrja nder funerale pa dallim Feje... Dhe, të gjithë kalonin pranë Tij...
Njoftë e panjoftë të gjithë kishin nevojë per
pershndetjen e Tij...
Shenim F.R.: Nder punimet grafike të ekspozueme, At
Meshkalla kishte pelqye “Vlonë 1912”, punue në vitin 1962. Unë i dhurova një
kopje.
Pak
ditë para arrestimit të Tij në 1967, ma kthej punimin per mos me më sjellë
pasoja, mbasi e dinte se shpejtë “do ti kontrollohej shtëpia...”.
Dhe,
me të vertetë ashtu ngjau. Doli parashikimi i Tij...
Melbourne, 9 Korrik 2021.