E shtune, 05.10.2024, 11:01 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Padër Pjetër Mëshkalla (Dosja 4191)

E enjte, 20.05.2021, 08:28 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XVIII.)

Padër Pjetër Mëshkalla (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

Hetimet fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimet u banë në disa seanca gjatë muejt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.

Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut. Aty përsëriten thanjet e Pader Mëshkallës, të interpretueme si vepra kundër Partisë dhe Shtetit, gja të cilën Pader Meshkalla nuk e pranon, mbasi: “Kur një përson i drejtohet Kryeministrit për  probleme të cilat i shpreh ashtu si i mendon ai, dhe ia shfaqë atij, ai nuk kryen asnjë faj dhe krim kundër Partisë as Shtetit, mbasi me iu drejtue Kryeministrit nuk asht aspak agjitacion, as propagandë!” Rreth letrës që Pader Mëshkalla i ka shkrue Kryeministrit, hetuesi mundohet me u largue si çashtje, por kot, se Mëshkalla qëndron në mendimet e shfaquna aty. Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për Pader Meshkallën janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do t’i ruejë të paprekuna. Madje, kundërshtimët e Tij ndaj veprimeve antikushtetuese të Shtetit, Ai pranon se i ka vue në dukje që në vitin 1945, në takimin që ka ba në një shtëpi në Tiranë me vetë Mehmet Shehun. Gjithashtu  pranon se i ka shkrue një letër edhe Enver Hoxhës, për shkeljen e të drejtave të katolikëve që në atë kohë, bashkë me At Frano Kirin, simbas vullnetit Imzot Frano Gjinit, që kryente detyrën e Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni.

Hetuesi ngulë kambë se Padër Mëshkalla nuk asht riabilitue për kohën që ka vuajtë 15 vjet në burg herën e parë, dhe se ka përhapë mendime që shumica e popullit nuk i mbështetë veprimet e Pushtetit. Njëkohësisht kërkon të mbjellë tek rinia mendime që janë kundër vijës së Partisë. Përsa i përket “Revolucionit Kultural”, që po zhvillojnë masat e gjëra të popullit, Meshkalla e krahason me Inkuizicionin. Për me vërtetue se Mëshkalla ka propagandue kundër Pushtetit, hetuesi ka përgatitë edhe një ballafaqim me spijunin Dedë Martin Kulla, me datën  28 qershor. Por Pader Mëshkalla nuk pranon asnjë nga shpifjet që i ban Deda. Edhe pse hetuesit ndrrohen, metoda hetimit mbetët e njejta. Nuk ka njerëz shpifës që guxojnë me shkelë drrasat e hetuesisë për me i dalë përballë Padër Mëshkallës, këte e tregon dosja. Të vetmin njeri që Pader Mëshkalla, tregon se i ka diftue ai vetë për letrën që i ka shkrue Mehmet Shehut, asht kushrini i tij Luigj Mëshkalla, i cili, atypëraty, i ka thanë: “Po, a ke luejtë mendsh?”, dhe Pader Mëshkalla tregon si i asht përgjegjë: “Ka dy a tri vjet që mendoj me ia shkrue këte letër, por e gjeta kohën tashti...”. Përmbajtjën e letrës deklaron se nuk ia ka tregue as Luigjit, ndërsa njerzë të tjerë nuk xehen në gojë, gja e cila vërteton se parashikimi i Pader Mëshkallës, që hetuesia mos me u interesue për të gjitha qoshet e skutat Shkodrës ku Ai kishte ba vizita e shërbime fetare, u realizue.

Mbas datës 28 qershor dosja ka vetëm shkresën përcjellëse për gjykatën me po atë datë të nënshkrueme nga prokurori Faik Minarolli, që i rekomandon gjykatës ndaj të pandehurit nenin 73/I-rë për dënim. Në dosjen përcjellëse janë futë edhe disa nga fletët e proçes-verbaleve të hetuesisë së parë, të bame në vitin 1946-47, ku nënvizohen nga thanjet e Pader Mëshkallës: “Pushtetin e kam luftue në të gjitha predikimët e mija... Pushtetin në Shqipni nuk duhet ta marrin komunistat, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetet e Europës... Mbas çlirimit e rihapa rrethin e “Shën Pjetrit”, se m’u lutën të rinjtë dhe unë e pashë të nevojshme, mbasi kishin fillue me u implikue me komunista...”. Prokurori i përmbledhë të gjitha me një fjali dhe shënon: “I pandehuri ka vazhduar të vëprojë gjithënjë kundër Pushtetit Popullor...”.

Kisha e Motrave Stigmatine (klubi i rinisë) në 1967 ishte kthye në sallë gjyqi për klerikët, që çdo javë po mbushnin birucat e Sigurimit. Pritej vendosja e ndonjë parulle me karakter ateist në faqatën e saj dhe nuk vononte zhvillimi i gjyqeve, ku edhe këtu pjesmarrja zakonisht bahej me ftesa. Vihej ndonjë altoparlant jashtë nga oborri i shkollës dhe aty kishe mundësi per me dëgjue pjesët që nuk ndërpriteshin nga zhurmat e duertrokitjeve ose “difekteve” teknike të transmetimit, që nuk ishin të pakta kur përgjegjët nuk iu shkonin për shtat gjykatësve.

19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e tjera të gjysës së dytë të korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Bie në sy zharitja e lulishtave dhe e parqeve të qytetit. Njerëzit qarkullojnë shumë pak në rrugët e çveshuna nga pemët. Secili kalimtar kërkon një skutë me hije sa me futë kokën. Asfaltet e shkrime nga dielli përvlues dukën sikur janë shtrue në atë çast. Ndër rrugë shihën vetëm nevojtarët, që kanë të domosdoshme daljën në këte pisk vape. Aty – këtu sheh ndonjë të njohun në dyqan apo kafe, por tjetër kund nuk shihet asnjëri. Të gjithë mundohen me evitue takimet.

Kjo ditë asht gjetë që aty nga ora 14.00, në pishën e zhegut, një xhips i Sigurimit të Shtetit me u ndalue para Gjykatës së Rrethit (tek shtëpia e Dr. Kadukut), dhe në mes të një grupi policësh të mbërthyem me armë në dorë, rrethohet një Burrë, që shihet me vështirësi i lidhun duersh me hekra, imcak, i shkurtë, me ecje të shpejtë e hapa të vegjël, i kapun për krahësh nga këta bisha të çapërdisuna  si zakonisht edhe pse gjahu asht i lidhun në pranga, dhe gati pa i takue kambët për trotuarin e rrugës, e fusin në godinën trekatëshe të Gjykatës, shkapesin derën me forcë dhe.., vetëm ndihen shulat e mbrendshëm që ndalojnë hymjen e cilitdo kalimtar. Këte herë gjyqi nuk u zhvillue tek Kisha!!..

Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh, i mbajtun po atë ditë, me 19 korrik, në orën 14.00, shënohet: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Mëshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me KONFISKIMIN E PASURISË (së tundëshme dhe të patundëshme)”. Ai u dënue me masën maksimale se edhe në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.” (Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Duket se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!..

Njenit prej njerëzve ma të vorfën të Shkodrës i jepet vendimi i “konfiskimit të pasurisë”, e shka do t’i konfiskohej Pader Mëshkallës?

Në vitin 1988, pak ditë mbas vdekjës së Pader Mëshkallës, tek dera e shtëpisë seme me ndaloi fotografi Augustin Kiçi, i cili në botimin e parë nuk donte që të shkruaj emnin e tij dhe, më tha: “Do të tregoj një sekret, që nuk e di askush. Unë po ta diftoj ty mbasi kushedi si vjen puna... Një ditë, me 19 korrik 1967, aty nga ora 13.00, ka ardhë në shtëpinë teme një makinë e Sigurimit dhe një oficer më tha: -Merré aparatin fotografik me veti, futi një film mbrenda dhe eja me né se kemi një punë! Më çuen në gjykatë dhe mbasi më futën në sallë, më thanë: -Fotografoje këtë!.. Të them të drejtën, një herë m’u dridhën duert, po e mora vetin kur pashë që u çue para mikrofonit dhe para se me fillue me folë rregulloi koletin e këmishës, jakat e xhaketës, tërhoqi pak xhaketën e zhubulosun nga mbrapa, tue u mundue me u rregullue për mos me dalë i çkujdesun në fotografi. Ishte Pader Mëshkalla. Kryetari i gjyqit, Muhamet Tyli, i tha: -Fol, shka ke me thanë fjalën e fundit!.. Ra një heshtje...

Pader Mëshkalla iu afrue mikrofonit dhe tha këto fjalë: “JU MË DËNONI SA TË DONI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE JU SHPEJT KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR, E ATY ASHT FUNDI JUEJ! FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË!”

Më tregonte Augustini se i kishte ba disa fotografi dhe në fund të gjyqit ia kishin marrë filmin, pra nuk kishte asnjë. Në sallë nuk kishte njerëz me përjashtim të radhëve të para ku ishin vetëm pak vetë prej aktorëve të teatrit “Migjeni”. Kam pyet disa prej “tyne” për me dijtë rreth zhvillimit të gjyqit, por të gjithë më kanë mohue praninë e vet aty.

I vetmi burim i gjyqeve të mbylluna mbeten “arkivat”!

•Shenim nga F.R.: Lexoni me kujdes nder arkiva, mbasi keqkuptimi i tyne ndryshon të verteten e fakteve, e cila nuk persëritet kurrma.

Melbourne, 3 Maji 2021.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora