Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Mendime për At Pjeter Mëshkallen
E premte, 26.03.2021, 02:08 PM
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XIII.)
“Çka
i ndriste syni, ia shkrepte gjuha...”
Profesor
Arshi Pipa
(Mendime për At Pjeter Mëshkallen...)
Shumë vite përpara zotni Pjetër Ded Deda (datlindja 1910),
bashkohës dhe banues në Tiranë, shkruen: “At Meshkalla ka qenë predikues i mirë
që i magjepste dëgjuesit e vet.
Në predikimet e bisedimet e Tij, sidomos me të rijtë,
kritikonte me guxim intolerancën, përsekutimin fetar dhe mungesën e plotë të
lirisë së mendimit e të fjalës në shtetin komunist.
Për këtë gja, organet e Sigurimit të Shtetit e arrëstuen në
vitin 1946. Mbas një kohe të gjatë paraburgimi dhe hetuesie në birucat e burgut
të Tiranës, e nxorën në gjyq, të akuzuem si një nga themeluesit e organizatës
“Bashkimi Kombëtar” si dhe, për agjitacion e propagandë.
Në këtë gjyq, Ai, nga i akuzuem u kthye në akuzues, dhe,
mund të themi në kuptimin e plotë të fjalës, e mbërtheu me shpatulla për muri
trupun gjykues. Ai nuk pranoi akuzën që i
bahëj si organizues dhe pjesmarrës i ndonjë organizate të “Bashkimit
Kombëtar”, por pranoi se kishte kritikue në disa raste mungesën e plotë të
lirisë së fesë dhe të mendimit, që ishte në kundërshtim të hapët edhe me vetë
Kushtetutën ekzistuese. Kryetari i gjyqit e pyeti pse këto kritika nuk i kishte
shprehë në ndonjë organ të shtypit, si “Bashkimi” etj., por Ai i kishte
përshpëritë andej e këndej?..
At Mëshkalla u përgjegj se dy artikuj i kishte dërgue në
gazetën “Bashkimi” për këte çeshtje, por asnjëni nuk ishte botue.
“Pse nuk e ke ngritur zërin me lart?” – e pyeti Kryetari i
gjyqit, duke u përpjekur ta zinte ngushtë të akuzuarin.
At Meshkalla u përgjegj, se dy letra i kishte dërgue
Enver Hoxhës, tue ia vu në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit,
por asnjë përgjegje nuk kishte marrë as edhe nga ai...Unë nuk dij kujt me i
shkruar më nalt, tha Ai...
Atëherë, ndërhyni prokurori, tue iu drejtue trupit gjykues
me këto fjalë: “Shokë gjykatës, të pandehurit nuk i pëlqen fare demokracia
proletare, por atij i pëlqen që edhe në Shqipëri të kemi një demokraci borgjeze
si në Greqi!”...
At Mëshkalla, me qetësinë dhe gjakftohtësinë karakteristike
të Tij, u përgjegj: “Nuk kam qenë asnjëherë në Greqi dhe nuk dij çfarë
demokracie ka atje, por tue lexue artikujt dhe lajmët e botueme këtu në gazetën
“Bashkimi”, kam marrë vesht se atje veprojnë lirisht parti të ndryshme
politike, tue përfshi edhe partinë komuniste Greke. Madje, partia komuniste
Greke, ka organin e saj të shtypit “Risospastis”, e cila, qarkullon lirisht si
gazetat tjera. Kurse këtu, në Shqipni, jo vetëm që nuk lejohet asnjë parti
politike opozitare dhe asnjë shtyp opozitar, por për një fjalë të vetme në
kundërshtim me vijën e partisë komuniste, arrëstohesh dhe të sjellin para
gjyqit, siç keni veprue me mue.”.
Për këto fjalë që konsideroheshin “faje” të randa, At Pjeter
Mëshkalla u dënua 15 vjet burg, dënim të cilin e vuejti pjesën ma të madhe në
burgun e tmershëm të Burrelit.”.
Kjo dëshmi e zotni Pjetër Dedës kisha me thanë se plotëson
ma së miri mendimin e cilitdo, që do të donte me dijtë se pse u dënue 15 vjet
burg Pader Mëshkalla. Madje, për një qendrim të tillë, Ai edhe mund të pushkatohej...
Në pragun e arrestimit në 1946 në Tiranë u ndodh vetë zotni
Pjetri, që më ka tregue mue në vitin 1992: “I kerkova aso kohe në një takim
shokut Tuk Jakova që, ta bisedojnë me sh. Enver një mendim të timin. A do t’
ishte mirë që sa me i futë në burg klerikët katolik, me atë kulturë të madhe që
kanë me i përhapë në kater universitete: Korçë, Vlorë, Tiranë dhe Shkoder ku,
ata tue qenë profesora atje do të formojnë një rini të kulturuar dhe me prirje
nga Europa? – Tuku, më premtoi se në takimin e parë do t’ ia bisedojë shokut
Enver këte ide timen. Pa kalue as dy javë, m’ asht ba një mbledhje partije, dhe
per pak shpetova pa hy në burg, tue humbë vendin e punës etj., pergjithmonë...
Ja pra, kjo ishte “liria e fjalës dhe e mendimit per
komunista!”
E kush guxonte atëherë me shpreh në gazetë këta mendime:
Pika 2, Programi asht përpilue nga Drejtoria e Përgjithëshme
dhe aprovue nga Papa.
Pika 3. Programin e kemi pasue me një koment plot simpati e
lavdi për Kishat e Lindjës dhe e keni aprovue ju vetë në Ministrinë e Shtypit e
Propagandës K.P.
Pika 6. Na njohim
Papën!... dhe
pikërisht flet për Papën Piu XII dhe veprat e Tij, në favor të paqës, demaskimin që Ai i ka ba Luftës së Dytë
Botnore, “ndër çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik.
Ai ka demaskue e dënue tradhëtitë, mizoritë, krimet barbare kundër
popullsive të pafajshme, kundra çifutëve, mizoritë ndër fushat e përqendrimit
të Gjermanisë....”. Pikërisht Mëshkalla mbron Papën, për të cilin komunistët e
të gjitha vendëve të Lindjës e të Përendimit nuk lenin gja pa
thanë e shpifë kundër Tij.
Mos harroni se ishte ajo kohë kur vetë komunistët italianë
nuk i lenin gja mangut bllokut komunist të Lindjës në lidhje me këte çeshtje!
Për këte flasin faktet dhe dokumentët e botueme sot e atëherë në Itali.
Pika 7. Sa për insinuacione politike fashiste e nostalgji
për Përandorinë e Romës, ta dijë
trafiletisti se ka gabue destinacion. Por ka shkrue ndoshta padijtë mirë se me ké po flet.” E, si do
të botonte gazeta “Bashkimi” edhe dy artikujt tjerë të Pader Meshkallës?...
Si do t’i përgjigjej Shteti
komunist Pader Mëshkallës për shkeljën e të Drejtave të Njeriut, lirisë së
mendimit, Fesë dhe të ndërgjegjës, kur ky veprim kryhej çdo minut?
Kurrë mos harroni se Kleri Katolik
Shqiptar, këtë veprim e bante në vitët 1945 – 46, prandej edhe asht kenë cilsue
si Opozita e vetme antikomuniste!
Kjo asht arësyja që dënimet e randa jepëshin me qellim
eleminimi të mavonshëm ndër kampet e burgjet e Maliqit, Bedenit, Shkodres,
Burrelit, Burgut të mnershëm të Kalasë së Gjinokastrës etj. Aso kohe në Tiranë
u banë pak pushkatime të klerikëve shqiptarë, mbasi nuk i pëlqente Enver Hoxhës
që t’i telefonohej nga ndonjë “ambasadë” për veprimet që ai po kryente me akuza
fallse kundrejt klerit të të gjitha besimeve dhe atdhetarëve, që kishin
mbushë burgjet e gjithë Shqipnisë. Lufta e ashpër vazhdonte në Shkodër,
atëherë, pse të hapte fronte të tjera, përderisa për atë që ai po bante në Veri
nuk i ndihej zani askujt?!... E gati edhe mue më shkoj goja me thanë: “Pse të prishte marrveshjet me ta ?”.. Ata me
heshtje i thonin:
“Ti vazhdo.., dhe, ne bëjmë se nuk dijmë asgjë!...” Formula
e turpëshme 50 vjeçare e Europës. Ajo e pastë faqën e zezë!!..
***
Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjës së
At Pjetër Mëshkallës, në “BULETINI KATOLIK SHQIPTAR” Vol. 10, viti 1989, SAN
FRANCISKO U.S.A.:
“Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha...”
Melbourne, 22
Mars 2021.