Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Mendime për At Pjeter Mëshkallen

| E premte, 26.03.2021, 01:08 PM |


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XIII.)

“Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha...”

Profesor Arshi Pipa

(Mendime për At Pjeter Mëshkallen...)

Shumë vite përpara zotni Pjetër Ded Deda (datlindja 1910), bashkohës dhe banues në Tiranë, shkruen: “At Meshkalla ka qenë predikues i mirë që i magjepste dëgjuesit e vet.

Në predikimet e bisedimet e Tij, sidomos me të rijtë, kritikonte me guxim intolerancën, përsekutimin fetar dhe mungesën e plotë të lirisë së mendimit e të fjalës në shtetin komunist.

Për këtë gja, organet e Sigurimit të Shtetit e arrëstuen në vitin 1946. Mbas një kohe të gjatë paraburgimi dhe hetuesie në birucat e burgut të Tiranës, e nxorën në gjyq, të akuzuem si një nga themeluesit e organizatës “Bashkimi Kombëtar” si dhe, për agjitacion e propagandë.

Në këtë gjyq, Ai, nga i akuzuem u kthye në akuzues, dhe, mund të themi në kuptimin e plotë të fjalës, e mbërtheu me shpatulla për muri trupun gjykues. Ai nuk pranoi akuzën që i  bahëj si organizues dhe pjesmarrës i ndonjë organizate të “Bashkimit Kombëtar”, por pranoi se kishte kritikue në disa raste mungesën e plotë të lirisë së fesë dhe të mendimit, që ishte në kundërshtim të hapët edhe me vetë Kushtetutën ekzistuese. Kryetari i gjyqit e pyeti pse këto kritika nuk i kishte shprehë në ndonjë organ të shtypit, si “Bashkimi” etj., por Ai i kishte përshpëritë andej e këndej?..

At Mëshkalla u përgjegj se dy artikuj i kishte dërgue në gazetën “Bashkimi” për këte çeshtje, por asnjëni nuk ishte botue.

“Pse nuk e ke ngritur zërin me lart?” – e pyeti Kryetari i gjyqit, duke u përpjekur ta zinte ngushtë të akuzuarin.

At Meshkalla u përgjegj, se dy letra i kishte dërgue Enver Hoxhës, tue ia vu në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit, por asnjë përgjegje nuk kishte marrë as edhe nga ai...Unë nuk dij kujt me i shkruar më nalt, tha Ai...

Atëherë, ndërhyni prokurori, tue iu drejtue trupit gjykues me këto fjalë: “Shokë gjykatës, të pandehurit nuk i pëlqen fare demokracia proletare, por atij i pëlqen që edhe në Shqipëri të kemi një demokraci borgjeze si në Greqi!”...

At Mëshkalla, me qetësinë dhe gjakftohtësinë karakteristike të Tij, u përgjegj: “Nuk kam qenë asnjëherë në Greqi dhe nuk dij çfarë demokracie ka atje, por tue lexue artikujt dhe lajmët e botueme këtu në gazetën “Bashkimi”, kam marrë vesht se atje veprojnë lirisht parti të ndryshme politike, tue përfshi edhe partinë komuniste Greke. Madje, partia komuniste Greke, ka organin e saj të shtypit “Risospastis”, e cila, qarkullon lirisht si gazetat tjera. Kurse këtu, në Shqipni, jo vetëm që nuk lejohet asnjë parti politike opozitare dhe asnjë shtyp opozitar, por për një fjalë të vetme në kundërshtim me vijën e partisë komuniste, arrëstohesh dhe të sjellin para gjyqit, siç keni veprue me mue.”.

Për këto fjalë që konsideroheshin “faje” të randa, At Pjeter Mëshkalla u dënua 15 vjet burg, dënim të cilin e vuejti pjesën ma të madhe në burgun e tmershëm të Burrelit.”.

Kjo dëshmi e zotni Pjetër Dedës kisha me thanë se plotëson ma së miri mendimin e cilitdo, që do të donte me dijtë se pse u dënue 15 vjet burg Pader Mëshkalla. Madje, për një qendrim të tillë,  Ai edhe mund të pushkatohej...

Në pragun e arrestimit në 1946 në Tiranë u ndodh vetë zotni Pjetri, që më ka tregue mue në vitin 1992: “I kerkova aso kohe në një takim shokut Tuk Jakova që, ta bisedojnë me sh. Enver një mendim të timin. A do t’ ishte mirë që sa me i futë në burg klerikët katolik, me atë kulturë të madhe që kanë me i përhapë në kater universitete: Korçë, Vlorë, Tiranë dhe Shkoder ku, ata tue qenë profesora atje do të formojnë një rini të kulturuar dhe me prirje nga Europa? – Tuku, më premtoi se në takimin e parë do t’ ia bisedojë shokut Enver këte ide timen. Pa kalue as dy javë, m’ asht ba një mbledhje partije, dhe per pak shpetova pa hy në burg, tue humbë vendin e punës etj., pergjithmonë...

Ja pra, kjo ishte “liria e fjalës dhe e mendimit per komunista!”

E kush guxonte atëherë me shpreh në gazetë këta mendime:

Pika 2, Programi asht përpilue nga Drejtoria e Përgjithëshme dhe aprovue nga Papa.

Pika 3. Programin e kemi pasue me një koment plot simpati e lavdi për Kishat e Lindjës dhe e keni aprovue ju vetë në Ministrinë e Shtypit e Propagandës K.P.

Pika 6. Na njohim Papën!... dhe pikërisht flet për Papën Piu XII dhe veprat e Tij, në favor të paqës, demaskimin që Ai i ka ba Luftës së Dytë Botnore, “ndër çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik. Ai ka demaskue e dënue tradhëtitë, mizoritë, krimet barbare kundër popullsive të pafajshme, kundra çifutëve, mizoritë ndër fushat e përqendrimit të Gjermanisë....”. Pikërisht Mëshkalla mbron Papën, për të cilin komunistët e të gjitha vendëve të Lindjës e të Përendimit nuk lenin gja pa thanë e shpifë kundër Tij.

Mos harroni se ishte ajo kohë kur vetë komunistët italianë nuk i lenin gja mangut bllokut komunist të Lindjës në lidhje me këte çeshtje! Për këte flasin faktet dhe dokumentët e botueme sot e atëherë në Itali.

Pika 7. Sa për insinuacione politike fashiste e nostalgji për Përandorinë e Romës, ta dijë trafiletisti se ka gabue destinacion. Por ka shkrue ndoshta padijtë mirë se me ké po flet.” E, si do të botonte gazeta “Bashkimi” edhe dy artikujt tjerë të Pader Meshkallës?...

Si do t’i përgjigjej Shteti komunist Pader Mëshkallës për shkeljën e të Drejtave të Njeriut, lirisë së mendimit, Fesë dhe të ndërgjegjës, kur ky veprim kryhej çdo minut?

Kurrë mos harroni se Kleri Katolik Shqiptar, këtë veprim e bante në vitët 1945 – 46, prandej edhe asht kenë cilsue si Opozita e vetme antikomuniste!

Kjo asht arësyja që dënimet e randa jepëshin me qellim eleminimi të mavonshëm ndër kampet e burgjet e Maliqit, Bedenit, Shkodres, Burrelit, Burgut të mnershëm të Kalasë së Gjinokastrës etj. Aso kohe në Tiranë u banë pak pushkatime të klerikëve shqiptarë, mbasi nuk i pëlqente Enver Hoxhës që t’i telefonohej nga ndonjë “ambasadë” për veprimet që ai po kryente me akuza fallse kundrejt klerit të të gjitha besimeve dhe atdhetarëve, që kishin mbushë burgjet e gjithë Shqipnisë. Lufta e ashpër vazhdonte në Shkodër, atëherë, pse të hapte fronte të tjera, përderisa për atë që ai po bante në Veri nuk i ndihej zani askujt?!... E gati edhe mue më shkoj goja me thanë: “Pse të prishte marrveshjet me ta ?”.. Ata me heshtje i thonin:

“Ti vazhdo.., dhe, ne bëjmë se nuk dijmë asgjë!...” Formula e turpëshme 50 vjeçare e Europës. Ajo e pastë faqën e zezë!!..

***

Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjës së At Pjetër Mëshkallës, në “BULETINI KATOLIK SHQIPTAR” Vol. 10, viti 1989, SAN FRANCISKO U.S.A.:

“Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha...”

Melbourne, 22 Mars 2021.