E enjte, 28.03.2024, 01:45 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: E cilin ves nuk luftoi At Mëshkalla?!

E hene, 01.02.2021, 09:05 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e V)

E cilin ves nuk luftoi At Mëshkalla?!

Poezia “Hipokrizia” asht një dëshmi e gjallë që tregon se me çfarë dufi Ai i luftonte veset deri në zhdukjen e tyne:

...mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji

as varr i zbardhun jashtë, e mbrendë kufomë.

H I P O K R I Z I A

Hipokriti kërkon të duket ndryshe nga ç’është.

Shtihët si i mirë për të gënjyer   të tjerët.

(Nga Fjalori).

Mos iu afro Perendisë me zemër dy faqesh...

Mos ban hipokrizi para njerëzve! (Ecili. 1. 36-37).

E kundërta: I çiltër, flet e vepron pa u shtirë, është i pastër nga zemra, i sinqertë. (nga Fjalori).

I. DEFINICIONE

Një maskë e zbukurueme

që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.

Sa vojna lyrë-ngjyrë

që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.

Një pare kallpe e zbehtë

që në treg na del porsi flori i vërtetë.

Thesi që në grykë ka molla

e poshtë der’në fund, ka veç gjarpinjë e bolla.

Një monument mermeri

mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,

por zemra ndinë si’ i akull në ty, që ngrinë,

por shpirti i drejtë... nuk di... nuk di, nuk di sesi...

por, ndinë....

se jé  h i p o k r i z i !

II. KUADRA

Jé Judë, që fjalën ké si shpirt – njeri,

e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,

në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,

hipokrizi

për treqind pare argjënd!

Joab jé, që pret në besë e vé pusi:

hasmin e falun përqafon miqësisht,

kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht

hipokrizi

fillë në zemër, si gand...!

Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:

tërhjek e detarët e i thithë në pasqyrë të qétë

dhe, ia përplasë anijën té’ i shkamb nën détë

hipokrizi

me knaqun synin tand!

Të njoh mirë, hipokrizi..,

ti jé trathti, lubi!

Gënjen synin pa sherri,

por, zemra ndinë një erë gjaku në ty, që ngrinë,

por, shpirti i drejtë nuk di.., nuk di sesi,

por, ndinë..,

se jé  h i p o k r i z i !

III.    KAM  GJETË  !

Të kam gjetë, hipokrizi, në çerdhët që ké:

Labirintët tueja janë pa krye,

por me çka pashë e ndjeva unë mbi këte dhé,

mjaft mësova e mjaft mu çilën këta dy sy.

Në shoqninë njerëzore isht’ kenë një gja për bé:

Sinqeriteti kapun në luftë me ty,

e ti, kolonë e pestë, me dinakri,

të sinqeritetit në kështjellin barkas shtri...

Të kam gjetë nën doreza të buta humanitare,

me çapojt e përgjakun të njaj skyftéri...

Në çajë të ngrohta të pashë “bamirëse-kërcimtare”,

me’i zemër si natë dimni kur frynë véri:

Mbi borë përjashta dridhet një lypcarë,

ndërsa.., për té (!) gjithë natën krisë Valcëri!

P’aj, të kishte veç një kokë kjo botë e tanë,

për t’ia këputun ma shpejtë, mundim pa i dhanë!!

Nën maskë të kam gjetun Aristokracije,

me lule e lajle dhe “virtyte Oborri”...

Po, u zbè me’i herë çdo rreze qytetnije,

kur ia zbulova petët këtij laknori....

Të kam gjetë nën xhamadan burri Malsije,

(kujtim i largtë herojsh’ që koha i mori),

hèu, gardh Kanuni thyemun njëqind herë,

për me i lanë burrit shteg “me dalë me ndérë”...

Të kam gjetë nën frakun e njaj Liberali,

që të ngopë me “tolerancë” – “liri-mendimi”,

por, furinë fanatike s’di ta ndali,

kur gjenë përballë një idé të vendosun trimi.

Të kam gjetë mbas syzash të Markës “ideali”,

në dy gropa syshë të thella e të êrrta shqîmi

që botës, dritë s’i dhanë m’sa ‘i natë varri,

sido që të ndrisin syzat me rrathë ari.

Të kam gjetë në xhep të Nacionalistit vlershëm

me dhjetra flamuj tubë të shtrênjtë e të lirë,

mbishkrue me shirit etiketë “ i ndérshëm”,

p’r inat të atij që asht veç Shqiptar i mirë!

Në çantë të kam gjetun të Demagogut të tmérshëm

(anmik intrigash, qytetar i dëlirë).

Ndër disa fletë të mshefta, si po i thona:

“ Ndani e përçani..,me çdo kusht e jona!”.

Të kam gjetun nën petkun e Fétarit tonë,

brumë Farizeu, që pjesën rri tue luejtë:

Tartuf buzë-rrudhë e vetull-vrênjtë gjithmonë,

e mbas perdje asht laksist-gaudent i prunjtë.

Ai e di mirë se dy shelqinjë - si’i thonë –

në një dorë, bèsa, me i mbajtë askush s’ka mujtë:

Detyra e shénjtë në “Sherbim të Perendisë”,

nuk i lè kohë të shikojë plagët e njerzisë...

Të kam gjetë ndër thonjtë e gishtave të Tregtarit,

sa me shkathtësi tespi e rruzare hjedhin,

si të ishin bash verdhukët e bukur t’arit,

që, pikë prej gjakut të fukarasë, i vjédhin...

S’do mend, nga fryti i shtrydhun n’djersë të mendqarit

barkthatë e lakuriq, do fije drédhin,

e ndezë ndo’j dritë në faltore, si “mëkatnorë”,

e, për “me shkelë” Zotin me’i bakshish nën dorë!!..

Të kam gjetë atje ku e ka selinë Drejtësia,

në lagênin e Pilatit, plot gjak të vjetër,

rrjedhun me baltë të Mamonës duerve të tija

dhe, gjak në duer të lame, gatshëm për gjak tjetër!

Të kam gjetun té kamxhiku Flakë e shkëndija,

të apostullit të kulluet të moralit.., në letër,

që shkallët e poshtërsive hypë, me rrëzue

monstrat prej froni dhe, .., aty  vétë me u shtrue!

Ku nuk të kam gjetë hipokrizi, të dalët fara!

Plaka botën kafshon e, puthë figure...

Moralin së bijës ia mësueka lara-lara...

Djalin me renë ngatrrueka.., lesh tue lënurë...

Miqtë s’po shikohen në sy ma si përpara

pse, mbas shpine i diktuen sho’ shojt’ kusure..,

sé, ma, pallavrat e paundyrë të servilit!!

Se, ma, sadizmi në puthjet e katilit!!!

Të njoh mirë hipokrizi!

Jé dhunë e poshtërsi!

Gënjen synin e pasherri,

por, zemra ndinë jarg ferri në ty, q’e ngrinë,

por, shpirti i drejtë.., nuk di.., nuk di sesi,

por, ndinë..,

se jé  h i p o k r i z i !

Shenim FR: Vashdon Pjesa e VI.

Melbourne, 28 Janar 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora