E enjte, 28.03.2024, 11:44 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Një nga botuesit e veprave t’ At Fishtës

E shtune, 26.12.2020, 05:58 PM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas disa vjetësh:

Një nga botuesit e veprave t’ At Fishtës

AT GJERGJ FISHTA - FIGURË E MADHE E KOMBIT

Në 65 vjetorin e vdekjes: Pjesa e I-rë.

Universi artistik i Fishtës:

Një ndër majat më të larta të relievit të letersisë shqiptare është, padyshim vepra e At Gjergj Fishtës. Ndonse kanë kaluar 65 vjet nga dita kur ai mbylli sytë përgjithmonë, të rrahurat e zemrës së tij për popullin e Atdheun i ndjejmë edhe sot në krijimtarinë e pavdekshme që na ka lenë. Kur përceptojmë epopenë madhështore “Lahuta e Malsisë”, këte “Iliadë” të shqiptarëve, siç e kanë quajtur studiusit e huaj, përjetojmë thellë ndjenjat e shpirtit heroik të Fishtës.

Në “Mrizin e Zanave” ndiejmë vibrimet e holla të unit lirik të tij, që ngazëllehet nga soditja e Flamurit kombëtar, që valvitet si krah engjëlli në fluturim në sfondin e kaltër t’ Atdheut të çliruar, pas natës së gjatë të robërisë osmane. Të ngrohet shpirti nga zjarri i dashurisë së zemres së tij për gjuhën shqipe tiparet e së cilës, i krahason me gjumin e embël të foshnjes së pafaj, me dritën e shpresës, me të qeshurën e çiltër të njeriut të mirë, por edhe me shkrepjen e rrufesë e me tronditjen e termetit. A mund të shprehet emocionalisht më kapshëm butësia e brishtia e gjuhës shqipe se sa kur përftyrohet si një fllad i lehtë pranveror që lëmon gjinjtë e trëndafilit?

A nuk na duket se ndjejmë në lëkuren tonë shpimin e gjëmbave të mprehtë të satirës së Fishtës, kur lexojmë “Anzat e Parnasit” e Gomarin e Babatasit”?

Nga të gjitha këto që thame arrijmë në përfundimin se, kur futemi në universin artistik të Fishtës, bindemi plotësisht se zemra e tij rrahu fort për Shqipërinë gjatë gjithë jetës, deri në frymëmarrjen e fundit, kur përpara saj bëri betimin solemn, si biri para nënës:

Dersa t’ mundem me ligjrue

E sa gjallë me frymë unë jam,

Kurrë, Shqipni, s’ kam me t’ harrue,

Edhe në voo me t’ përmend kam.

Paradokset e (zh)vlersimit:

Personalitet jo i zakonshëm, me talent e aftësi të rralla, me energji e prirje të gjithanshme, Fishta terhoqi që herët vëmendjen e bashkëkohësve, brenda dhe jashta vendit.

Ai qe jo vetëm poet i përmasave të mëdha, por edhe njeri i veprimit shoqëror e politik, atdhetar i flaktë, tribun i popullit, mbrojtës i vendosur e sypatrembur i çështjes kombëtare, për të cilen ngriti zërin në shumë mbledhje ndërkombëtare si perfaqsues i Shqipërisë, duke stigmatizuar fqinjët grabitqarë e fuqitë e mëdha që qëndronin pas tyre.

Megjithatë, sot është koha që pohime të tilla nuk duhet të mos deklarohen, po të provohen me argumente të pakundërshtueshme, për arsye se, jeta e vepra e Fishtës ka kaluar dy periudha vlerësimi:

Në të parën, sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar.

Në të dytën, vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrën më të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose e shumta të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letersisë shqiptare.

Të hiperbolizosh vlerat e tua kombëtare, është një veprim i kuptueshëm, ndonse jo i drejtë; kurse t’ i zvoglosh ato, t’ i mohosh, apo, çka është edhe më keq, të arrish deri aty sa t’ i përçmosh, t’ i përbaltësh, siç u veprua me Fishtën, është veprimi më i pakuptueshëm, më paradoksal, që mund të mendohet!

Është thenë se personalitetet e mëdha kalojnë nëpër tri periudha vlerësimi: Në të parën, himnizohen, pastaj mohohen për të arritur, më në fund, në përcaktimin e vlerave objektive të tyre. Në qoftë se kjo është e vërtetë, kohës sonë i bie detyra e vështirë dhe më e rënda me një përgjegjësi të madhe e vendosjes së Fishtës në piedestalin që i takon.

Kuptohet se kjo është një punë shumë e mundimshme, gjatë së cilës u duhet rikthyer të gjitha atyre që janë thënë për té, mirë apo keq qoftë, duhet “rilexuar” vepra e Fishtës, për t’u thelluar në analizën e poetikës dhe të problematikës, pë të nxjerrë së andejmi mesazhin që u solli bashkëkohësve, kur u botua si dhe atë që marrim né sot prej saj.

Natyrisht, nuk kam asnjë iluzion se mund të plotësohet një detyrë kaq e vështirë dhe me një përgjegjësi të madhe të caqet e këtij artikulli modest popullarizues.

Kryerja e saj në nivelin e dëshiruar mund të arrihët me përpjekje të përbashkëta të forcave shkencore më të afta, me studim të gjërë të monografive, ku vepra e Fishtës, duhet të vështrohet nga të gjitha anët.

Duke shfaqur ndonjë mendim për vlerësimet dhe zhvlerësimet që i janë berë Fishtës në dy periudhat që përmendëm, deshëm vetëm të ndihmojmë sadopak për të sensibilizuar studimet tona për t’u përqendruar mbi këtë figurë të madhe të letërsisë shqiptare, që të përcaktojmë drejt vendin dhe rolin që luajti në pasurimin dhe zhvillimin e saj.

Mendoj se koha kërkon me ngut të hidhet dritë mbi disa vlerësime kontradiktore, diametralisht të kundërta, që janë bërë për Fishtën dhe veprën e tij.

Nga njëra anë është thënë se është poet i madh, Homeri apo Tirteu i Shqipërisë. Nga ana tjetër është mohuar talenti poetik i tij, është denigruar si vargëzues i rëndomtë, madje është edhe akuzuar si përvetësues i krijimtarisë popullore, pra si plagjiat i saj.

Cila është e vërteta shkencore?

Kryevepra e Fishtës, “Lahuta e Malsisë”, nga njëra anë është vlerësuar si apologji artistike më e fuqishme që i është bërë Atdheut të rrudhur e të coptuar nga fqinjët grabitqarë, nga ana tjetër është akuzuar për frymë shoveniste?

Përsëri: Cila është e vërteta shkencore? Tokat e kujt synon Fishta të rrëmbejë, i shtyrë nga shovenizmi i tij? A nuk kanë parasyshë autorët e akuzës së shovenizmit se ne jemi i vetmi vend n’ Europë i rrethuar nga të gjitha anët me vetveten?

A mund të quhet shovenist Fishta pse denoncoi padrejtësitë që i janë bërë Atdheut tonë nga armiqtë dhe nxori në shesh ëndrrat e tyre për të copëtuar e për të rrembyer përsëri trojet tona?

Nga njëra anë është thënë se Fishta gjatë gjithë jetës ka luftuar për të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, nga ana tjetër është trumbetuar me forcë e kundërta: Se ai ka qenë i shitur jo tek një po tek shumë të huaj, madje, për të mos lënë pik dyshimi, është thënë se vetë Fishta ka pohuar publikisht se nuk është shqiptar! A mund të besohet një gjë e tillë?!

Këto duhen ndriçuar.

Për Fishtën është thënë, përsëri pa asnjë argument, se ka pasur paragjykime fetare edhe krahinore, që ia kanë mjegulluar vështrimin atdhetar. Mirëpo, edhe me një arsyetim fare të thjeshtë, kam përshtypjen se akuza të tilla do të bien menjëherë. Po të kishte pasur Fishta paragjykime fetare, si do të shpjegohej që personazhe të shumta të krijimtarisë së tij janë të “fesë tjetër”, madje dhe kryeheroi i kryeveprës së tij,

Oso Kuka, të cilin e ka përjetsuar në një nga tablotë më madhështore dhe më emocionuese të letërsisë shqiptare, edhe ky është i “fesë tjetër”?

Po të kishte pasur paragjykime krahinore At Fishta, ashtu si shpjegohet që binomi poetik, që përshkon nga fillimi në fund krijimtarinë e tij ka gjymtyrë vëllezërit Toskë e Gegë, të cilët me të njejtin krahasim i karakterizon me dy rrufe që çajnë qiellin si shpata dhe zharisin armiqtë?

Po të kishte pasur Fishta vizion të ngushtë provincial, si do të shpjegohej që ndërmjet pseudonimeve të shumta që përdori, më i parapëlqyeri prej tij qe Gegë Toska me të cilin nënshkroi kryevepra të tilla si “Gomari i Babatasit”?

Jo, jo! Akuza të tilla janë fare të pathemelta! Siç ka vërejtur me mprehtësi shumë kohë më parë Prof. Eqrem Çabej, vështrimi artistik i Fishtës ishte i tillë që niste tek malësori i moçëm Marash Uci dhe vinte gjithnjë duke u shtrirë, derisa arrinte tek Abdyl Frashëri, tek Lidhja e Prizrenit, për të rrokur, më në fund, tërë Shqipërinë, të gjitha trojet tona etnike nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje.

Këto janë vetëm pak gjëra nga shumë të tjera që janë thenë për Fishtën në të dy periudhat: Të vlerësimit e të denigrimit të tij.

Në këtë mënyrë figura e madhe e Fishtës është veshur me një mjegullnajë, që duhet të zhdavaritet nga kritika dhe nga shkenca letrare objektuve.

Nga sa është thënë deri sot për Fishtën del se vlerësimet e larta që i janë bërë përgjithësisht janë konkluzione të nxjerra nga analiza e jetës dhe e veprës së tij, kurse mohimet dhe denigrimet, deklarata aprioristike të paargumentuara. Le të arsyetojmë mbi ndonjërën prej tyre.

Në rast se Fishta nuk do të ishte poet i madh, si mund të flasin me superlative për té atoritete të tilla të artit dhe të shkencës, vendas e të huaj, si virtuozi i fjalës poetike Lasgush Poradeci, që e quan me gjuhë metaforike “Fishta është "shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”, që shpreh me art ndjenja dhe ideale të mëdha atdhetare? Në rast se nuk do të ishte gjeni i letrave shqipe, nuk do të ishin mahnitur aq shumë nga vepra e tij Aleksander Xhuvani e Maksimilian Lamberci, Eqrem Çabej e Norbert Jokli, Faik Konica e Anton Harapi, Jolanda Kodra e Kolë Kamsi, Gabriele d’ Anunzio e Kostaq Cipo. Nuk ka dyshim se mendimet e tyre janë shprehje e çiltër e ndjenjave që u ka përftuar vepra e Fishtës.

A mund të besohet se At Fishta ishte i shitur tek të huajtë, pra antikombëtar, kur në momente të vështira, në mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare në Paris, në Athinë, në Stamboll, kur fatet e Atdheut ishin në rrezik, ai u dërgua si përfaqsues i vendit tonë për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve?

Prandaj, shkenca dhe kritika letrare kanë mundësi dhe detyrë parësore të rrëzojnë me argumente këto fyeje qellimkëqia e në të njëjtën kohë, të zbulojnë fondin e pasut të vlerave artistike, shoqërore e politike të këtij personaliteti të gjithanshëm të kombit tonë, për të cilat kemi aq shumë nevojë.

Nga buronte urrejtja për Fishtën?

Duke pasur bindjen e palëkundur se At Fishta është një figurë ndër më të ndritura të kombit, natyrshëm lind pyetja: Ku e kishte burimin gjithë ajo urrejtje patologjike kundër tij, që çoi në trillime e shpifje aq monstruoze e njëherësh, banale sa të mos besoheshin?

Megjithëse për këtë problem deri tani janë dhënë disa shpjegime, kam bindjen se përbaltja e Fishtës u bë për arsye të koniukturave politike. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Në vitet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia ishte “miku” ynë i ngushtë, s’ mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që demaskonte nga fillimi deri në fund padrejtësitë dhe coptimin e trojeve tona nga sllavët.

Pastaj, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik nuk mund të qendronte Fishta dhe vepra e tij, që e shihte Rusinë si tutor të armiqëve tanë dhe, këta të fundit i cilësonte shprehimisht “klyshë të Rusisë”.

Në kohën kur dy miqësitë e sipërme u kthyen në armiqësi, Fishta as atëherë nuk mund të rehabilitohej më, për arsye se ishte hedhur shumë baltë mbi të.

Rruga për tek Fishta:

Në fund të këtij njëzetëshekulli që po përcjellim, rruga për tek Fishta u hap. Hapat e parë në këtë rrugë u hodhën nga një turmë e madhe njerëzish që e prisnin me padurim këtë ditë, ndërmjet të cilëve spikati Injac Zamputti, Pal Duka – Gjini (At Daniel Gjeçaj), At Zef Pllumbi, Aurel Plasari, Engjëll Sedaj, Sabri Hamiti, Tonin Çobani, Stefan Çapaliku, etj.

Që atëherë kanë filluar të organizojnë veprimtari shkencore dhe të shkruajnë artikuj përkujtimorë me raste përvjetorësh të lindjes dhe të humbjes së tij.

Ribotohen vepra pak të njohura për publikun.

Megjithëse të gjitha këto janë të dobishme dhe organizatorët e tyre meritojnë përgëzime, mendojmë se puna për të arrijtur tek zbulimi i plotë i vlerave të Fishtës, mund dhe duhet të organizohet më mirë.

Së pari, kusht i domosdoshem është botimi shkencor i veprës së plotë të Fishtës. Nuk ka se si të bëhet studimi pa pasur në dorë objektin e plotë të tij.

Së dyti, Fishta duhet të zërë vend denjësisht në programet shkollore, si një nga autorët më përfaqësues të letërsisë sonë shqiptare.

Së treti, në këtë periudhë, kur ende nuk kemi punime të plota shteruese, kritikët dhe studiuesit tanë më të përgatitur mund të përmbushin nevojat e tanishme të ngutëshme që ka shkolla e publiku lexues, për njohjen e interpretimin e veprës Fishtës.

Natyrisht, puna e deritanishme ka qenë e dobishme dhe do vazhduar me veprimtari e shkrime, edhe të thjeshta si kjo skicë jetëshkrimore që po paraqesim në mbyllje të artikullit.

Pak biografi:

Rrjedha e jetës, krahas rregullsive sjell me vete edhe mjaft rastësi, roli i të cilave në zhvillimin e mëtejshëm të saj shpesh herë nuk mund të parashikohet. Kështu, askujt nuk mund t’i shkonte nëpër mendse fëmija që lindi me 23 Tetor 1871 dhe që u pagëzua Zef, do të vinte një ditë që do të bënte të njohur në gjithë vendin dhe më përtej fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, të padëgjuar fare deri atëherë. Askush në atë kohë nuk mund të parashikontese nga ky Zefi i vogël do të dilte pak më vonë ai At Gjergj Fishta i madh...

U shqua si pjestar i Shoqërisë letrare “Bashkimi”, e cila u pat thëmeluar me 1899 nga Imz. Prend Doçi. Në 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe që kemi sot. Me 1902 qe zgjedhur po në Shkoder drejtor i shkollës Françeskane, në të cilën për herë të parë futi shqipën si gjuhë mësimi. Në 1913 po në Shkoder, thëmeloi dhe drejtoi sa qe gjallë revisten “Hylli i Dritës”.

Në 1916 – 1918 krijoi “Posten e Shqipnisë... U emrua Kryetar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, e nën Kryetar i Parlamentit Shqiptar...

Shenim F.Radovani: Vazhdon Pjesa e dytë.

Melbourne, Dhjetor 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora