Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Leter e Don Lazër Shantojës drejtue At Fishtës (1932)
E marte, 22.12.2020, 10:12 PM
Nga Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot,
mbas sa vjetësh:
Martirin
e parë t’ vramë në 1945
Leter
e Don Lazër Shantojës drejtue At Fishtës (1932):
A u bie në mend?
N’at
oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…Ishi
pështetë për parani të dritores s’odës s’ Uej e më hudhët prej andej nji citat
latin, sikur i hidhet fëmijs nji kokërr bádem. Ashtu si tue qeshë. Ju më
lavduet n’at mëngjez të vokët vjeshte s’dij tash bash mirë ç’artikull, e un U
çova në qiell për nji shembëlltyrë krejt origjinale qi kishem këndue ndër ato
dit në “Hyllin”. Shkruejshi për ata ministrat t’onë t’asaj kohe…qi nuk ishin të
zott me marrë përgjegjësi për fjalë e veprime të veta, mësa shtyllat e
telegrafës për fjalë qi përshkohen nëpër telat lidhun për to. E m’a pritët:
“Asinus Asinum fricat”!
A
u bie në mend?
E
mbramja herë, kujtoj, se u ndeshme së bashku, n’at oborrin e Kuvendit të
Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije.
E
ajo ndeshje e fundit më kujton sod, o Fishtë, ndeshjen e parë me Jue, kur un,
letrar atëherë me shpërgaj, U avita për të parën herë me të pimët e nji të
vogli, me bindjen e nji neofiti. Në shkollën franciskane, në sallën e
Drejtoris, n’at kryekuartjerin t’Uej prej kah Ju, rrethue nga oficirat e atij
shteti madhuer në zhgun, ma e shuma rritë e edukue prej Jush, filluet luftat e
lumnueshme kundra të huejve, zbuluet bukurit e vizaret e gjuhës shqipe, e bat
ket me dalë nga stanet e kolibat tue e njitun mbretneshë në kathedrat e mësimit
publik.
Më
that: “Po ku je? Un tashma po plakem. Ku jeni ju të rijt?” Kush ka pasë rasën fatlume me ndejë me Jue,
ka mujtë me e ndigjue shpesh herë ket motiv prej gojës s’Uej t’ambël. Po
plakem! Dam m’u plakë nji poet, P. Gjergj, as? Rrezik!
U
mundojshi njimend me veshë në varjacjone të ndryshme të humorit t’Uej të
pashterrshëm, at motiv në mol: kallxojshi për vjetet e ujkut e për ato
të qenit: rrahshi gjoksin e né mbram, si me dashtë me i dhanë vetes me at gjest
force nji ngushllim të ligësht, e thojshi:
“Paj,
a s’jam tekembramja nji djalosh… pesdhetë vjetësh?”
E
qe, Fishtë, se tash do kohë nji numër i veçantë i “Hyllit” më lajmonte, se në
rabushin e jetës s’Uej koha kishte pre me briskun e saj mizuer edhe dhetë viza
tjera.
Gjashtëdhetë
vjetësh pra…Djalosh?!
E
këndova, e përpina at numër. Por a e dijni? Nuk m’a mbushi kurrkund synin. Nji
suazë tepër e vogël e e vorfën për nji kuadër aq të madh e të pasun. Nji
symfoni beethoviane ekzekutue nga nji orqester zumaresh e kavallash. Nji
modesti e kuptueshme ndalonte mjerisht tubën e vëllazënvet t’Uej t’Urdhnit, me
marrë pjesë n’at kremtim letrare nji largësi qi nuk asht harresë ndaloi nji
tubë tjetër vëllaznish t’Uej, në shpirt e n’art m’u shprehë mbi Jue e për Jue
n’at rasë.
Vrojta
dhe nji mungesë tjetër n’at koncert. M’u duk se aty ishte harrue nota ma e
bukur, ma e lumnushme e Jueja. Ajo notë qi U ban me kenë ça jeni: Fishta i
jonë! Kush e këndoi atë notë, kush e spikati? Un nuk kam menden me përsritë
o me kritikue këtu gjykimet e tjervet mbi Jue. Due vetëm t’U shtie në mend nji
fjalëz të Goethes. Sa pare bajn ma në fund gjykimet e tjervet mbi nji poet?
Gjykimi ma i mirë e i parrejshëm asht gjithmonë ai qi poeti vetë i ep vetes. E
qe çë mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. E thotë me dy fjalë të
shkurta, për ata qi s’dijnë ça asht
arti, të pakuptueshme. Goethe nuk lavdohet pse ka mbërrijtë me shkrue Faustin,
por pse i ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: ein bisschen gutdeutsch…
Këtu, Fishtë, rri edhe të tanë madhnija e Juej si letrar. Kjo asht nota qi U
karakterizon. Kush këndon nji shkrim t’Uejin, në dashtë të jenë vargjet e
Lahutës, në dashtë rradhët e nji artikulli, ai këndon shqip. Kurrkush ma mirë
se Ju nuk dijti me e përdorë ket material të poetit, gjuhën. Në té asht i
njeshun të tanë mysteri i personalitet t’Uej e i sendevet që Ju këndoni. Gjuha
e Juej, fjalët, frazat, perjudhat janë erë e tokës së Shqipnisë, janë ngjyrë e
qiellit të saj, lule të livadhevet t’Atmes, janë gurgullima e lumejve e
fërshëllima e pyjeve të saja, trajta e maleve e e kodrinave të vendit. Aty
lëvisë ritmi i gjakut shqiptar, tingëllon zani i qinde-e mijvjetve, pasqyrohen
fytyrat e kreshnikvet e idealet ma të nalta të prisave e të fatosavet t’onë.
Nji qi nuk asht shqiptar, qi nuk e ndien veten të tillë; qi nuk asht rritë e
s’ka jetue me ket popull, ai mundohet kot: nuk U kupton. Ju jeni të papërkthyeshëm.
Për me pérkthye shkrimet t’Ueja, duhet me shkrue brij tyne të tané historin, të
tanë psyhologjin të atij populli të maleve t’ona. Titullin e poetit populluer
në Shqipni e meritoni vetëm Ju. Munden tjerë, e pse jo?, me U a dalë ndoshta në
lirikë, në dramë, në romanx, në fletorizëm, n’ato degë të ndryshme ndër të
cilat dahen pema e leteratyrës; në poezinë popullore, n’artin e gjuhës Ju jeni
e do të mbeteni i vetëm. Në vetmin’ e të mëdhajve, të gjenive. Të paarritshëme
të pakapërcyeshëm. Nji! S’asht nevoja me kqyrë e me peshue gjithmonë ça Ju
shprehni në këtë gjuhë. Unë, po Ua thom rrumbullak, nuk jam nji asijsh qi i
pëlqejnë të tanë veprat t’Ueja, En bloc, mbyllasyzash. Shijimin t’em
artistik bje fjala e knaqin shum herë katërmdhet vargjet e nji soneti të Mjedës
shum ma tepër se katërdhet vargjet e ndonji melodrami t’Uej. Por këta s’do me
thanë gja. Gjuha e Juej asht n’ vetvete art, kryeveper arti. E ban të tillë
ndertesa e saj, muzika, ngjyra, veçansija. Ata qi janë mundue me shkrue mbas
falsarigës s’Uej, kanë dështue deri tash gjithmonë. Kanë mbledhë, në gjasim të
çamerdhokvet të shkollavet, fraza mbi fraza, i kanë shprazë të gjitha për nji
herë, njenen mbas tjetret në faqen e parë të një artikulli, porsi shprazet nji
babunë dardhash t’egra në nji gropë për me u ndukë, e në faqen e dytë të tij,
hiç ma larg, të kanë dalë në frazeologjin e stilit stereotipik të fletorizmës,
të kanë shkrue mbi eksigencat e jetës e mbi nevojën me marrë pozicion
e prej kullosave të pastra të bjeshkave kanë ba nji salto mortale në
bulevardet plot pluhun të metropolevet moderne e kanë thye qafën!
Ata
qi n’at numër të veçantë të “Hyllit” shkruen mbi Jue e mbi veprën t’Uej e
harruen kët notë a nemose nuk e spikatën. Lypet ndoshta edhe nji farë distance
për me e ndie e për me e shijue si duhet. Disa eleganca muzike nuk mund të
shijohen me veshë tu grykat e trumbetavet të bombardonavet. Duhen ndëgjue larg.
E na qi tash sa vjet jemi të dënuem me jetue larg popullit t’onë me gjinde e në
dhe të huej, ku veshët s’na i prekë kumba e gjallë e zanit të tij, as kur
këndon as kur qan, por hera-herë ndoj jehonë e rrallë e zbet e e vdekun, na
jemi ndoshta për kët punë ma sensibil, ndiem ma fort e ma hollë. S’asht vetëm
malli për tokë, asht dhe ai për gjuhë qi na zatetë, malli për trup e për shpirt
të Shqipnis. Nji mik i emi, qi ishte shtrëngue me ndejë shum kohë në Belgrad pa
pasë shoq shqiptar, ngitte me kërkue sharraxhit e bozaxhit e Kosovës për me
hjekë mall e me folë shqip me ta. Jam edhe un tash nji vjetë në hallin e atij
miku. As flas, as ndie tue folë shqip tash sa kohë. Ça baj? Marr Lahutën,
marr nji vjershë t’Uejen, cilendo, këndoj me za të naltë shqip e, a ma besoni,
qaj... Nuk qaj pra fort kollaj un kur
këndoj shqip. Mbushem ma tepër për maraz kur shoh ça shkruhet e si shkruhet shqip.Kur
shoh matrapazat në lulishtat e poezis e n’oborret e prozës s’onë, kur shoh cuba
tue vjedhë ndër ata të Parnazit karabusha për me i a qitë mbandej si laradasha
të përzhitun shqip kombit e m’u quejt aktorë e me krrucë ndoshta edhe ndoj
grusht verdhukë. Jo, jo, Pater Gjergj, nuk qaj un kollaj kur këndoj shqip. Por
gadi gjithmonë kur këndoj fjalën t’Uej. E në qetin e atij vaji të shpërthyem
nga bukurija e gjuhës s’Uej, e gjuhës s’onë, kuptoj sende qi asnji histori,
asnji psyhologji nuk do t’ishin të zojat me më zhvillue. Atëherë kuptoj se si
nji popull kaq i shkretë, kaq i salvuem, kaq i sprovuem, ban se ban hije mbi
tokë e nuk ndigjon me vdekë. Atëhërë kuptoj se pse zemra e nji Plaku, mbi të
cilin rrahin tallazet e detit të botës, moliset e pse syt e Tij derdhin lot kur
shofin para vetes nji tubë burrash e grash shqiptare. Kuptoj atëherë edhe lotët
e Pios së XI.
“Shejzat”, vjeta V, nr. 11-12, nanduer-dhetuer 1961.
Shkruen Prof. Ernest Koliqi, në vitin 1961...
“Kemi fatin e bardhë t’u paraqesim lexuesvet nji margaritar të çmueshëm,
nji shkrim të pa botuem t’orziut Don Lazër Shantojës mbi Fishtën. Asht nji
letër e hapun të cilën shkrimtari me at styl të gjallë e të hollë të vetin i
drejtonte poetit nga La Motte (Jura Bernois, Zvicër) ku aso kohe (1932) e
kishin hjedhun dallgat e mërgimit e ku ushtronte ofiqin e famullitarit. Arsyena
të lidhuna me kushtet e tija si i mërguem banë qi letra të mbette pa u shtypë.
Nji miqësi vëllaznore na lidhte me Shantojën, e themelueme në dalldi të përbashkët
letrare. Shum shkrime të të ndiemit Mik ruejmë me kujdes plot nderim në
kartotekën tonë private tue pritë rasën e volitshëme me i botue në vëllim.
Letra mbi Fishtën na duket se në kët Numër të Vaçantë e ka vendin ma të
përshtatun”.
Shenim F.Radovani: E s’ besoj se ka vend ma të
pershtatshëm se ky, sot në Vitin e At Gjergj Fishtés 2020. Nga botimi i Prof.
Ernest Koliqit kuptohet se Arkivi i Tij, ruen vlera të mëdha.
Fatkeqsi e madhe se kush po e drejton sot të
shkreten Shqipni!
Melbourne,
Dhjetor 2020.