E marte, 05.11.2024, 09:26 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Në 80 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!

E merkure, 30.12.2020, 01:05 PM


Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh:

Në 80 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!

Dhjetor 2020.

JETA DHE VEPRA E

AT GJERGJ FISHTËS OFM.

ASHT  PËRGJITHMONË:

MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI

I

POPULLIT SHQIPTAR !

NGA FRITZ RADOVANI


Vlon? 1912, Grafik? nga Autori.

Punue me rasen e 50 vjetorit t? Pavarsis? (1962)

SHKODER, 1913... 1967...

Foto nga F.Radovani (2012)

VEGIM !..

“Koha kalon e na kalojmë me té.

Doket e moçme zhduken prej fushave të jetës për mos me jetue mà, veçse, në fletët e vdekuna të historisë.”

Don Kolec Prennushi (1)

VEGIM !..

“At Gjergj Fishta asht nji vademekum !”

D K Prennushi.

Më duket, ...Po!

Po, më del parasyshë një shtrojë e bardhë me vija të kuqe!...

Rrehem me e prekë... por, kot!

Jo, jo, s’ âsht mësallë shkodrane...

As sofrabez për ditë ma në shenj, se na, s’jem’ në sofër!

Jem... të mbetunit në kambë...

Mos âsht çarçaf në melez punue për të gjatë me bogosi të kuqe,

Që dikur, inglizi né na pat sjellë...

Na me e punue...

E, ai n’ té me na mbështjellë ? (2)

S’gaboj!...

Çarçaf gjashtëkandsh(3),

Veç, në tel e në ferrë mbërthye për yll pesëcepash,

Rrethue tash pesëdhjetë vjet âsht pra,...

Shqipnia!

Një pikë e rândë si plumb, rrigon tëposhtë brinjë hundës,

E, për nënbuzë, shûjtë më bahet...

Kah ma lehtëson kapërdimjen e asaj kafshatë,

Që, në grykë m’ka mbetë...

E, frymen po ma merr.

Me lot’ e bukë kurrë nuk âsht ngî i ngrât’....

Shqiptari.


Thonë, dikur, këtu ka pasë rrahë dielli

E, ka pasë shndritë Rozafa.

Shndritë si e pat zakon,

Kur n’për kalldramet e Saj, vezullonte flaka

E pishtarëve të Teutës.

Ndër harqe për nën bedena,

Madhështore rritej hija e Gencit.

Atëherë, kur ndër gurët e faqes s’ Asaj Kishe

Që, kurrë nuk njohu marre,

Daltohej me brina të dhisë Përkrenaria

E Mbrojtësit t’Saj!..

Po, po, mbas Téje Shqipe, Burrat flut’ruene,...

Thonte, Mjedja.

Hovin ata s’e ndalën prej gjiut Spicës n’për Tuz,

Triepsh, Hot e Grudë, përfshî Gjakovë, Gjilan e Kaçanik.

Aty përbrinjë Tetóvë, Kërçóvë e të shtrenjtën Dibrën tonë;

Der n’të Thatin mal,

Nëpër at’ shpat të Gramozit

E, der’ n’ Prevézë.(4)

A mu bâ, a ndjeva, se,

Edhe Kelmendi e Himara rá?(5)

Kam frikë...se po!

Prej Sukave të Moksetit e n’tëposhtë për të çame të malit,

Cemi e Kiri, der Prroni i Thatë,

Ma këndej Drinazi, sot mue po më duken:

Si vija të kuqe!...

Mbështjellë si lamsh e përzi n’Urë të Bunës,

N’atë fushë brinjë meje,(6)

Ngjéshë për Tarabosh,

Ngjitë nalt për Qielltë,

Der diellin ma kanë zanë...

“Të kuqtë”...

A thue, o Zot, gaboj,

Lekët kanë vojtë ashtu?

Bajrakët po binë përdhé?

Shqipja Jóte ka ra përgjysëm edhe njëherë

N’atë shtizë, o Dedë Gjo’ Luli!(7)

Nata e Festës s’Ate, o Flamuri i Ismailit e i Luzit,(8)

Për mue n’ditë morti asht kthye...

Ndigjoni kah rrah kumbona...

Prap në njenën anë!...

Hasan Prishtinë, Don Kaçorr e Isá, Avni e Bajram Beg,

Gjakhuptë Ju  shkue, brè Burra,

Vrá mbas kaçubash e tretë dikund ndër ferra,

Se, nën morriz na i kem Heronjtë...

Pa Shenjë tek Kryet...

Prej dorës së mallkueme!

Medèt për Ju! O Nanë!...

Veç lot e váj’ ngatrrue n’për ato vija rreth Téje,

Shoh sot Rozafë!

Toka e plasaritun rreth shkambijve Tuej,

Âsht ngjitë, âsht ngopë e njomë prej dorës së barbarit,

Âsht skuqë Tivari prej kosovarëve të therun, coptue

Kortarë, kortarë prej thikës së trathtarit.

Der deti më vjen i athtë...

E pra, shijen s’pat muejtë me ia ndrrue

as rrezja e gjysmëhanës,

E verdha e saj veç vnér e jarg u bâ,

Kur rá aty, ku gurgullonin dikur Alpet tona

Ujët e freskët e t’pastër që rridhte kroni.

Skjep në skjep me korbin, si motra me vëllá,

Copa kortarësh shkyjnë sorrat e Cetinës,

Janë ngopë tue plasë der grizhlat mshehë mbas trinës,

Dér edhe gjeli sot këndoi kah e vóna,

Ah, medet për né...

E, për Bjeshkët tona!

Muret kapë në flakë

E, dyert kryqzue me ferra.

Patkoni rá përtokë, nuk ká bésë n’këto anë ...

Se mbrendë ndër kulla u shue edhe Osja,

Dasho Shkrel... s’bân Nanë...

Po, kjo, shka âsht ?...

Që, për nën shpatull përbrinjë m’âsht ngjeshë

E, në zemër âsht kah më thérë...

Ndiej kah më piskatë básh si gjarpën n’gji,

Kur copa-copa dy drunj lidhë n’litár,

Në një Kryq të rí, né sot me na várë!

Âsht dora e serbit, mbathë me dorca të kuqe,

Zhigátë der’ n’brryl ç’prej të trembdhetës vjetë

Në këte shekull atë punë ka bâ...

E vrrèt në Vermosh:

Pritni, se kam ma!...

Dita prap i erdhi, Ty Shqipe, në fyt me t’pré,

Gjakun curril përpjetë me e hjedhë dèr në Moskë,

Shkjetë me mishin Tând sot Ajo me i ngî...

Përmbi pupla Tueja, ai vetë me u shtrî....

Korbi e qyqja prandej i kanë shpuplue,

Bashkë me ato krande t’asaj çerdhes s’Até.

Unë, s’shoh ma zogj tue pritë me u mkue...

Kanë ikë, janë mëshehë, po ku, janë ngujue ?

Të brishtat foshnje, shih si janë shtangue!...

Të presin Ty, o Nanë,...

Të keqen me i largue!

Tek dera e stanit, der’ desht janë hutue,

Kau i kularit nuk pi ujë në krue...

Ka aromë tjetër...Pemët s’kanë bulue,

Ndër të thatit gema, lulet s’kanë lulzue...

Camërdhokët e zdathun....Zana i ka shitue!

Një zâ si të marrun, a m’u bâ se ndjeva ?...

Jo, Dedë, nuk jam jo n’andërr kah shoh prap brî Téje...

At Matinë përkrah me At Buon Gjeçaj,(9)

Tue çá murrlanin e veriun si brisku

Të Bjeshkëve Tua t’ Nêmuna.

Si flutrat bajrake janë nisë për Deçiq,

Për nën zhgun ngjesh për gjoks Shkabën me dy krena,

Me vrap pa frymë, Ty me tà prûe...

Maje Suk’s Moksetit Ti me e vûe!...

Çapojt’e Saj kapë për drrasë të krahnorit

Kafaz veç bâ rreth zemrës që s’njeh tutë,

Rrotull lidhë me néje n’at konop t’Sh’Françeskut,

Që, më bahet mue, se frymën po ia merr

Tue rrah bashkë me zemrën Ai Flamuri Yt.

Bash Atij Burri,

Që, Krajli Malit t’Zí, kur kjè dishprue...

Bash atë litár... ia pat premtue për fyt...

Ai âsht me shokë!

Âsht At Çipriani, që i rrinë përbrinjë,

Dritën Ai ka ndézë aty ku âsht shue!

Lidhë kamb’e duer, drejtë Qiellve tue flutrue,

Me t’unshëm, të vobegtë, të rrahun e t’pëgjakun

Tèk kësolla me kashtë, gjithmonë tokën shtrue,

Ngjeshë kryet té grazhdi, qeni tue hungrûe...

Për jestek të ngrâtit një gúr i kishin vûe.

Askush nuk i pau, kush i pàt vojue?...

Veç një zâ ushtoi atë ditë n’për atë zállë,

Mbi atà gurë të bardhë porsi biluri:

“Jeni të zgjidhun, Vëllazën!...

Qindroni si Burrat!”, thirri Imzot Gjini (10).

Nëpër zállë, buzë Kirit,

Bijnë me pushue...

Martirët për Fé e Atdhé

Në Ungjill “Betue”!

Për Kryq e At’mè!

Kurdoherë, me u shue!

Hèu! - peshë u çue deri shkambi i Fanit,

Mbas t’Parit të vet si lis, po shkon Mirdita:

“Për Shpêrtit Krêshtit âsht sot zgjue,

Ndër gjozhda të Têja do me u Kryqzue,

Për Mark Gjomarkun, do’ me u farue,

Me pleq’ e, dér ndër mêca...”(11).

U shkretnue po thonë, deri n’qélë t’Oroshit,

Çka âsht Bjeshkë e Nêmun prej majes Vermoshit,

U ndigjuen der’ poshtë gjamtë e Don Mark Xhânit,

Kanë pa veladonin e këtij djalë vigani,

Kah po e shkyjnë qent, bijt e atij tiranit...

Terbue porsi shtrigat kur janë rreth... sahanit.

Rroku armët Rrema, djali i Bajraktárit,(12)

Trim e kisht’ lind Nana, me parzem çeliku,

Gjueje në plumb barbari... e prite...ku, na iku!?...

Këto ngjarje Burra jo, nuk janë gojdhanë..

I kèm’ pa me sy prej një Tropojanit!..

Kur ndigjoi Puka se po trandën malet,

U çuen peshë Mirakajt, nga thirrja e një Burrit:

“Çonju, brè, mos fleni, po rrokni armët”

Ushtoi shpêlla Vrithit prej zanit Gjelosh Lulit.(13)

I kanë këputë kokën me besue “partia”...

Kështu e do Malësinë, Enver efendia!

Gjyshin prej Kaukazit e nanën azitike,

Vetë gjak bastardh, pjellë sifilitike...

Me pasues Ramizin e sa të tjerë batálla,

Shihi ndër kongrese, shkyhen si gjinkálla!

Fiton e drejta, thonë,

Më duket fort po rrêhem.

Nuk shoh as ndiej drejtësi në këto ana,

Kah shoh veç gropa gjaku e trupa njerëzish

Zhytë aty mbrenda. Pse, të drejtë kërkojnë!

Janë Gegë e Toskë, si i thirri edhe At Gjergj Fishta,

Të gjithë të këtij Kombi, aty mbrendë përzí...

Âsht Paulin Pali e Muzafer Pipa

Vëllazen të ditun, me ua pasë lakmi,

Synin Ata kokërr, zjarmi tue u vlue n’gjî...

Me Qemal Draçinin e Kol? Prelën tonë,

Bashkë me Pjetër Palin, Fahri Rusi, thonë...

U prinë Kolec Deda, básh i Dedjakupve,

Simon Darragjati, Trim si t’ish drángue...

Janë lidhë njëfjale, me vdekë, me u shue...

Ranë... porsi Burrat, si ishin Betue!

Lidhë me vargoj, mbërthye duersh me dryj,

Ngarkue përmbi karro drejt e n’për rrethina...

Atje ku karrot.., veç.., tresin..., coftina...

Aty asht Prekë Cali, me Burra të Kelmendit,

Me shami lidhë Kokën Trimi i Malësisë,

Nuk ka brez për bel, nuk âsht n’kuvend Burrash,

As nuk ka alltije n’brez, si e mban Malësori...

Po, âsht lidhë brryl në brryl, nga vëllau, i pabesi,

Bashkë me t’tjerë Sokola malit rá edhe Malësia,

“Merrni tek i keni!” - i thotë cubi serbit,

“Çarti në lule të ballit!”

Kështu, mbaron...Burrnia!

Nuk shoh rubë nusjet kurrkund n’për livadhe,

As përbrinjë kronit, ujë tue mbushë n’buljera,

Askush nuk del tek vrrini, krojet janë krejt shkret,

Janë thá me vigâjt, bash si lisi i malit,

Mbaroi Bujaria, hèj! - kuku...medet!

Nuk shiton jo, Zana, vrasësit e Pal e Mark Thanit,

As të Gjeloshit e Gjergj Vatë “Cukalit”(14)

Djelmëve të Dukagjinit, njëditë therorë rá,

Bashkë me ujkun vëlla nëpër shpélla mbetë,

Përmbi kokë hêjt, pika ujë pikon...

Ata s’njohën marre,

Aty... vegshi vlon!

Bukë e krypë e qépë,

Çónje, Burra gotën:

“Kjoftë lëvdue Krishti!”...

Shkrepën armët ndër shpélla,

Thonë, ka lé një djalë...

Asht shtue i’ Sokol mali!

Mbiu përsëri Trimnija...

...Shtróni sofrat nuse!

Rrnoftë e kjoftë Malësia!

U derdh mataria(15) në sofër!..

Thonë, ma përhajër...

Natën vonë ulkonja,

Po i merr erë portares...

Çónju, bré, mos fleni!...

“Probatini i serbit po nà pret në besë!..”

Jo, qé besa jo, se ai ka harrue

Se ku nuk jem na, aty rri gjubleta,

Kur t’i ndiejnë ai erën,

Shihja kambët e lehta!..

Përmbi cohë të randë, çika ngjitte sermt,

Me pêjna qepte shkronjat, pa ju ndalue hóvi

Këndonte për nënzâ,...kuq e zi për bojnat

Çka, kur ishte fëmij’, i pat mësue Gjeçóvi...

Me të tharmt e bukës tue mbrue i ka përzí...

I shtron para në sofër tue fillue me fëmijë.

Kështu i kem mësue çikat, vjen zâni brij vótrës,

Janë çuet stajanicat.., Ndera e Mbishkódres...

Asnjë tradhëtarët, Kanunin s’e njohin,

“Lahutën” me kohë ia kanë shitun serbit,

Me thundra lé t’i bjerë, na veç mos t’i shohim,

Për qejf të tyne edhe gjuhën ndrrojmë,

“Vëlla me tavarish...” ,  “partizani” ynë.

Ju, n’gojë s’ju xamë, të Parët i harrojmë,

Mohit na u biem: Fisnikëve tanë!

Për dritë e dije na nuk kem nëvojë,

Shkronja cirilike përtypim me gojë.

Nderën edhe ftyrën Çikës përtokë ia shkrryjmë,

Qumështin me tamth dreqit ia falim,

Bollat e shtëpisë prej serbit kanë marrë malin.

Po ti, Nora e Dedës, ku e ké sot kalin?

Âsht tue të pritun Tringa, Shota e Kupe Dânja,

Té mali Sheldisë rrethue âsht Maria, vajza e Zojzakut,

Janë Burrnesha malit, Vajzat e konakut...


Gjimon Prizreni, asht çue n’kambë Kosóva,

Prej Marije Shllakut, që ka shkye dyshë bishen...

Bashkë me At Llupin e Ymer Berishen...

Lahet në gjak Peja, thonë rá dhe Gjakóva!

Zhytet në gjak Shkupi, digjet flakë Çamëria,

Âsht çue në kambë Greku e, po i do të trija...

“Korç’e Gjinokastër, vrret, janë tok’t e mija!”...

Hèj! - kuku medet, ku ka vojtë Shqipnia!...

Shkjaun e tymisim, djegim rrëshinë pishe,

Dhe, me degët e sája.., i thurim kunorë!

Kështu e mësoi partia...këte rininë tonë,

“Me pushkë e kazëm”...të dyja në dorë,

Na mësoi “vigjilenca”: Si me u bâ hor!

Shihni, bré Burra, çka keni mbi krye!

Atë Rubë të kuqe, drapni sot ka shkye,

Ylli ndêjë përsipër fort e kishte ndye!

Europa plakë buzët kuq paska lye!..

Ah, Shqipni “mizore”(16), pat thirrë Poeti,

Kur “Ruba” u var nën degët e çinarit,

Bash ku pranë armët e Atij Prek Calit!

Nuk shihej kurrkund Luftari i Lirisë,

Nuk ndihej kurrkund zani i Shqipnisë,

Nuk shkrepej kurrkund Arma e Djelmënisë,

Harapi e Shantoja “nuk janë ma” t’Gegënisë!

Kam frikë se s’rrêhëm...Kah shoh me sy Tokën teme Ilire,

Tue hy përditë, si cohë maxharrit, nga një pëllambë

E, ujët e detit...mue kah po m’vjen ndër kambë.

Péshë âsht çue Drinazi,

Zemrue kè s’vè në Lum të Shalës,

“N’atë vend ku pata vue

Dikur, Shejtin Shna’ Ndue,

Kush kjé që pat guxue:

At’ gur me e shemtue?”

Një gur unúr mungon

Me u bâ gjama n’at vend,

Ku gjarpni nën jestek,

S’ prekë kurrë mikun e vet,

E, sot një shplakë i trashë burrnoti n’Bahçallek

Âsht vesh si l’mashk.., n’qestek.., i ngjeshun për nën urë...

Po, sot, nuk shkrepë n’at vend pashà i’herë ma ai gur,

Çakçirët qindisë n’tel u shkynë kryqetërthuer

E, xhamadanin Lekës,... ia shpoi ajo ushtrí...

Si u ngop me bukë e randë u tòç n’ rakí...

Shqiptari ndrroi duhan,

Hasmi kisht ndrrue zakon

Sa u vesh ai partizan!

Malësori dersa t’vdesë

S’ prèt kurrë Mikun në Bésë!

Mark Çun, Gjelosh Lul, Caf Metë e Ndue Pàl,

Zani Juej burrnor tundi një Tiranë,

Po rini mbas vedit Ju, a patët lanë?

Edhe ti, o Buna, zamadhe e Nolit,

Bojën paske ndrrue, bashkë me shelqet tueja...

Kacavarë e rá ndër balta..,tona, ku hunjtë janë ngûlë,

N’ atë vend ku u pat lëshue atë ditë jehona,

Këtu janë bespremit, vorrosë dikund kah e vóna...

Bardhosh Dani Trimi, Lulja Rinisë e jóna,

E Brahim Derguti, bashkë me vëlla Markun,(17)

Që Rinisë Shqiptare përjetë i thanë prakun...

Janë çue peshë der prrojet, lidhë si bishtaleca,

Kallë flakë sigurimi me spijunt mistreca,

Kah flet Don Dedë Malaj, Trimi azgan nga Selca!..

Diellin kem xanë me shoshë...

Kryqat janë kálbë e thye.

S’âsht kush me i çue mâ n’ kambë,

E rininë Tande sot,...

Ti fort po kjanë, o Nanë!?..

E Ti, o Shkodra ime,

Pse kryet ke kapë me grushta,

E fytyrën kush s’tà sheh,

As djali yt s’po t’njèh,

Me krah të hapun të kujtoj,

Si Shqipe mue më shtërngojshe,

N’të ngrohtin parzmin Tand.

Kur, fytyra më kjé vizatë,

E, lëkura e saj m’u thá,

Mbi kokë mbulue me thinja,

Ti m’ shihshe sy përlotun

Tue më thirrë, gjithnjë pa dá....

Unë vijshe shpejt tue ngâ...

Për mur t’Rozafës Sáte,

Ngushllim gjejshe pà prâ!

Si Nana përkdhelë djalin e tretun rrugëve shkret,

Ti më puthshe e fort m’ shtërngojshe

Për t’amblin parzmin Tand,

Ku, mall, dashni e gëzim nuk gjinden aty gand...

Syt’ Tu t’flakrojnë si prushi, e zjarmi i pashuem në gjî

Shpërndante shkëndija e xixa n’për hatllat shekullore,

Janë çue të gjithë peshë aty,

Prej pleqëve der’ tek fëmija,

Sot nuk i trembë asgjâ, veç donë me rá therore.

Çdo kangë kur Ti e këndojshe, Ajo u ngjitte në Qiell...

Ku engjujt me duer të vogla mbanin nga një lirë...

Se brij’ Tejet Rozafë, âsht Zoja e Këshillit t’ Mirë!

Der qielli nganjëherë, kur nxihet e bâhet têrr,

Veton e bumbullon, thue se po bie përtokë,

Andéj n’Rumije t’Krajës si gjamë deti n’stuhi,

Shfrynë dikund atje nalt, përplaset për Cukal

Shkrepet për Maranaj e humb dikah n’Sheldí.

Njëherë nuk pashë mbi t’patenzonë një rrfé,

Shpërndahen rêtë e s’ndihen,..

Veç kur shkrepin ndër né!..

Po, po, vetimë të mallkueme, kam pá me sy tue rá,

Mbi Katedrale Tânde, o Nanë, sa kemi fshâ,

Kur tingujt e kumbonëve pushuen e s’u ndien ma...

E, prà, dikur, një gur Apostull Pali vuni,

Përballë Pagâjve të Romës, ku gjaku pat shkue rr’kájë,

Der nalt mbi shkambijt tonë Ai Kryqin e pàt ngulë...

Kaluen sa shekuj mbrapa e kush nuk mujt me e zhgulë.

Se‘i ditë mbi ball’ t’Ilirit Ejllori (18) pàt daltue,

Bash Ato shkrojla të forta që kurrma nuk janë shue...

E prà, në gjashtdheteshtatën (19) fort paten kenë mundue

Moskovi, Serbi i Cetinës e der te dreqi i Kinës,

Që shkeli mbi këtë prak, Shqiptarëve të Nanë Terezës,

Ballin me Ujë t’Bekuem me mujtë me ua lá me gjak.

Një zâ ushtoi fuqishëm sa rrjedhën ndaloi kroni,

Ju Kishat po shkatrroni, po vetë do t’i ndërtoni...

Âsht At Pjetri,(20) zemërtrimi, që s’ tutet jo, aspàk!

Betue për Fé Atdhè, prandej vdes si me lé!

O Nanë!,...

Prej mureve t’Tueja, Aty ku Shqipja  ka çerdhën,

Gur’ të l’muet kalldrâmi deri poshtë po derdhen.

Gjarpnushë brinj Téje, një Burrë aty po zbrèt:

“Luigj Gurakuqi, për Zotin!” Shkodra Ty, po t’prèt!

E, n’të marrun pak gojet, Ai fillon e flèt:

“Veç një qellim i naltë t’bân me durue,

E zemren tà forcon;

Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,

Mjer’ ai që nuk qindron!”(21)

Aty jé edhe Ti Rozafë, pse heshtë, a thue s’ná njeh?

Sytë Tú drejtue kah votra, ku zjarri djeg dullijë,

Aty n’Gjetseman Tand, ndër zgâvrra nën ullijë,


Shoh fytyrën Tande të pastër, që qeshet porsi fëmijë!

Përballë në pasqyrën Tande, aty ku derdhet Cemi,

Janë peshkatarët Tu, lundrojnë e rrinë tue pritë,

Kur kangës po ia fillon, e presin dersa t’vémi...

Se, prap, po thonë me gëzim...

Janë çue tue brohoritë:

Edhe një herë,...bré Burra!...

Filloni e mos pushoni,

Kështu thà, Gjon Pali II,

“Kurrma mos keni frikë!”, se:

Sot “N’ Shkoder tonë,.. ka rá një dritë!...”(22) .

Shkoder, “Rozafat” 2012.

Shënime spjeguese:

“Vegim – i; Diçka që na përftyrohet në vetëdije pa e kuptuar me anën e shqisave; përhitje, përftyrim i çastit i dikujt a i diçkaje; ëndërr.

Vegim i mrekullueshëm ; fantastik, i mjegullt...”

(Fjalori i Gjuhës së sotme shqipe, fq. 2123, Tiranë, 1980).

1). Don Kolec Prennushi (1902-1950). Citati âsht shkrue prej Tij në librin “Rrimë shtrembët e flasim ndrejtë”, botue në vitin 1931, në Shkoder.

2). Mësallat, sofrabezat, boçja e djepit dhe dy çarçafat e vdekjes përgatiteshin nga vajzat shkodrane para martesës dhe merreshin në pajë. Ato i punonin me dorë në tezgjah. Kanë një vlerë të madhe jo vetëm nga ana dekorative, por edhe në kulturën tonë kombëtare. Prej dy çarçafëve të vdekjes, njeni ishte i kuq (me të cilin varrosej ai që vdiste i pari prej çiftit), ndersa tjetri i bardhë (dhe me të varrosej i dyti, tue u konsiderue i vej). Këta çarçafë punoheshin me fije pambuku, që vinte nga Anglia ose Franca. Fija e bardhë ose melezi, kishte një ton të lehtë ngjyrë qumështi, ndërsa, e kuqja ose bogosia, kishte ngjyrë shumë rezistente në zimje mbi 100°C. Në thurje përziheshin me fije mëndafshi natyral ose lini, kryesisht në bazë, dhe pëlhura merrte një bukuri të posaçme në pamjen e saj artistike. Kur ngjiteshin dy ose ma shumë pola (rrypa), pëlhure, ajo pjesë si rrexë në mes me ngjyrë të kuqe bogosije, punohej me dorë; kjo qendisje i jepte çarçafëve vlerën artistike.

Nder këto vepra arti të tekstileve tona krejt kombëtare shqiptare asht dallue Shkodra me rrethet e saja malore e fushore.

Një vlerë tjetër kombëtare e grave shkodrane âsht kenë edhe jepanxhia.

Në fshatrat përreth punohej riza (ose mbulesa e kokës së grues), ku, vetëm në zonat e nën Shkodres, etnografi Rrok Zojzi, më ka spjegue përmbi 27 lloje të ndryshme të sajat, tue përfshi edhe Zadrimën. Në këte zonë kanë punue bukur edhe kambsat e brakeshave.

Në krahinën e Mirditës âsht veçue pjesa e gjoksit të grues në këmishën e saj.

Në zonat malore xhubleta zen vend të posaçem në artin kombëtar të veshjeve në Europë. Në Kosovë pothuej krejt veshja âsht punue me dorë në tezgjah. Edhe atje veçohet riza.

3) Forma e hartës gjeografike të Shqipnisë mbas vitit 1913 asht ajo e arkivolit...

4 dhe 5). Krahinat e Shqipnisë Etnike. Dy krahinat që ranë mbas Skenderbeut: Ajo e Himarës në vitin 1590 dhe e Kelmendit në 1638. (Marrë nga At Marin Sirdani O.F.M., “Hylli i Dritës”, viti VII, 1941, fq. 131, 115. “Shqipnija e Shqiptarët”).

6). Fusha e liqenit të Shkodrës, brijë mejet... fshati Shirokë. Vendlindja e babës.

7). Heren e parë Flamuri i Shqipnisë u ngrit në Deçiq, me 24 Prill 1911 nga Dedë Gjo’ Luli, por prap rá në gjysëmshtizë...Shenjë zije.

8). Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.

9). At Mati Prennushi O.F.M. dhe At Buon Gjeçaj O.F.M., i çuen në Deçiq Dedë Gjo’ Lulit Flamurin Kombëtar, të ngjeshun për gjoks nën zhgun. Në vitin 1913 Malazezët, kur pushtuen Shkodren, e kapën At Matinë dhe e dënuen me varje në litar. Shpëtoi mbas ndërhymjes së mikut të Tij, At Gjergj Fishta O.F.M., tek Krajl Nikolla. Në vitin 1926, At Matia merr pjesë në Kryengritjen e Malësorëve të Veriut kundër Mbretit Ahmet Zogu I. Arrestohet nga Zogu dhe shpëton nga dënimi me vdekje prej ndërhymjes së At Pal Dodës O.F.M., që ishte mik i Mbretit. Në vitin 1946 At Matia asht Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, kur komunistët fusin armët nën Elterët e Kishës së Gjuhadolit në Shkodër. Arrestohet  dhe dënohet me vdekje me akuzën fallse të futjes së atyne armëve në Kishë, në një gjyq të fshehtë. Me datën 11 Mars 1948, pushkatohet me Imzot Frano Gjinin dhe At Çiprian Niken O.F.M. në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajit, n’ anen lindore të tokës së Zef Sylës.

10). Imzot Frano Gjini, ishte Abat i Mirditës deri në vitin 1945, me seli n’Orosh. Në vitin 1945, mbas largimit të Delegatit Apostolik të Vatikanit nga Shqipnia, Imzot Leone G. Nigris, prej Qeverisë së Tiranës komuniste, me daten 5 Maji 1945, me detyrën e Tij Vatikani ngarkon Imzot Frano Gjinin. Ashtu si në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, edhe në Kishën e Oroshit Sigurimi komunist futë armë. Për këte arësye arrestohet Imz. Gjini dhe masakrohet në hetuesi Don Mark Xhani, Sekretar i Imz. Gjinit, që mbasi e mbysin, trupin e Tij e hedhin buzë prronit, ku coptohet e shkyhet nga qentë e fshatit.

Imz. Frano Gjini, mbas një gjyqi falls e të fshehtë, u pushkatue me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit, pranë Vorrezave të Rëmajit.

11). Asht perdorë forma nëndialektale e Mirditës. Fjala mec përdoret për fëmijë.

Mark Gjomarku, ushtarak i vendosun, nuk pranon me u largue nga Shqipnia me forcat okupuese, por qëndron si burrat në male të Mirditës, dhe në vitin 1946 u vra nga forcat e Sigurimit komunist bashkë me vllan? e Tij, Lleshin, edhe ky akademik. Qëndresa e tyne asht ndër fletët ma të lavdishme të historisë antikomuniste të popullit të Mirditës.

12). Muharrem Bajraktari âsht kenë ndër udhëheqësit antikomunistë të maleve të Dibres. Jeta e Tij në male e shpella u kthye në “legjendë”.

Rrethohej nga forcat e Sigurimit komunist, shtihej me armë kundër Tij, çohej në kambë dhe çante rrethimin: “Nuk e kapte plumbi!”...

13). Kapiten Gjelosh Luli, themelues dhe drejtues në “Beslidhjen e Veriut” që në vitin 1943.

U sëmue me kambë nga të ftohtit dhe mbet i ngujuem në shpellë të Vrithit. Aty i kerkoi një shoku me e vra për mos me ra i gjallë në dorë të komunistave, që si fakt të vrasjes së Tij kishin vue kusht dorëzimin e Kokës së Gjeloshit. Ai ashtu veproi dhe mbas vrasjes Koka e Gjelosh Lulit u ekspozue para Degës së Mbrendëshme të Koplikut, në vitin 1946. Në vitin 1992, kur u bâ në Shkoder rivorrimi i eshtnave të Tij, Zonja e nderueme e Tij, Lena Luli (Mirakaj) kishte asistue në hapjen e gropës ku ishte varrosë në Vrith dhe, porsa ka pá skeletin, kishte thanë: “Po, Ky âsht trupi i Gjeloshit, se Koken ia këputen komunistët për së vdekuni!...”.

14). Kapiten Gjergj Vata, kishte pseudonimin Cukali, i njohun mirë ndër Malet e Veriut si prijës legjendar. Kishte në shpellë edhe vllan? e vet Loron. Kanë qendrue ndër shpella deri në vitin 1949, kur nga Jugosllavia ka ardhë një i arratisun gjoja si diversant, dhe mbasi asht bashkue me çetën e Gjergjit, një natë me stuhi, e ka vrá tradhëtisht. Edhe pse në dukje mardhanjet tona ishin të prishuna, gjithnjë âsht provue se Sigurimi shqiptar dhe UDB-në jugosllave kanë bashpunue si dy motra kurva, për eleminimin e Atdhetarëve Shqiptarë.

15). Kur derdhet mataria e rakisë në sofer asht shenj e keqe. Ma plaku njynë gishtin dhe e lpinë, tue thanë: “Ma për hajer!..”. Pikërisht, në sofren e Gjeloshit u ba tradhëtia...

16). Me grupin e madh të Malësorëve të Veriut, që kryesohej nga Prenk Cali, u pushkatue edhe Poeti i Ambelsisë, Don Ndre Zadeja. Ata u mbështetën për murin e Vorreve të Rëmajit, ku edhe u varrosën me datën 25 Mars 1945. Ndërsa ndër male u pushkatuen pa gjyq, nga 14 Janari e në vijim, 118 Burra Malësije dhe u hodhen trupat e Tyne ndër prroje...

17). Bardhosh Dani, Kryetar i Organizatës “Përpjekja Shqiptare” të studentëve antikomunistë të Gjimnazit të Shkodres, bashkë me Mark Cacaj e Brahim Dergutin, u vranë në Samrishë në vitin 1949, në tentativë arratisje. Trupat e Tyne u varrosen nën shelqe brinjë lumit Buna.

18). Imzot Pal Engjulli në vitin 1462 la të shkruem Dokumentin e Parë të Gjuhës Shqipe, që âsht Formula e Pagëzimit.

19). Viti 1967 në Shqipni ishte fillimi i “Revolucionit Ideologjik Kultural” i tipit Kinez. Shqipnia shpallet shtet pa Fé me kushtetutë. Qendra e terrorit të këtij “Revolucioni” ishte Shkodra, ku lufta kunder Katoliçizmit kje ma e rrepta në krejt Lindjen komuniste. Pasojat kanë vazhdue edhe mbas ramjes së Murit të Berlinit. Qendrimi ndaj Dedë Gjo’ Lulit, Imzot Luigj Bumçit, Luigj Gurakuqit, At Fishtës e shkrimtarve të Veriut, nuk ka nevojë per asnjë koment.

Në vitin 1991: Dalja haptas e shkrimtarit Kadare kunder At Fishtës me librin “Ardhja e Migjenit në Letersi…” Ishte kushti që duhej të vazhdonte: “Mos hymja e At Gjergj Fishtës në letersinë shqipe”, e kjo asht një dëshmi ma e sakta, e një bashpunimit antikombëtar të fanatikëve anadollakë aziatikë me meturinat të ortodoksisë sllavokomuniste, kundër Katoliçizmit Atdhetar Shqiptar.

20). At Pjeter Mëshkalla S.J. kundërshton “Revolucionin Kultural” me një letër, që i shkruen terroristit Mehmet Shehu.

21). Luigj Gurakuqi ishte belb, por i rreshqiste fjala në Parlament dhe përballë kundërshtarëve. Fragment nga poezia e shkrueme prej Tij, “Qindresa”.

22). Një kangë shkodrane plot shpresë e dashní, që këndonte At Mati Prennushi, mbasi kthehej i masakruem në birucën e Tij prej zyres së hetuesit kriminel Nesti Kopali...Dëshmi e bashkvuejtëses n? qeli me Té Terezina Pali (Zorba) 1947.

Kujtime tezgjahu punue nga Nana ime...(1930)

Shenim nga F.Radovani: Kujtime në pragun e mbylljes Vitit At Fishtës…

Melbourne, 26 Dhjetor 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora