E merkure, 09.10.2024, 11:36 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Sami Repishti - At Gjergj Fishta, kujtohet e nuk harrohet për jetë

E marte, 29.12.2020, 02:57 AM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas 80 vjetësh:

30 Dhjetor 1940 në Shkoder:

Nga Prof. Sami Repishti:

Me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së At Gjergj Fishtës:

“AT GJERGJ FISHTA :

KUJTOHET  E  NUK  HARROHËT PËR JETË!”

Sami Repishti

Ridgefield, CT.

Gjashtëdhjetë vjet ma parë, me 30 Dhjetor 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut “At Gjergj Fishta”, dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës, shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte figurë të madhe të Kombit tonë.

Edhe ashtu ngjau! Grupe studentish u grumulluen para Kishës Françeskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej në supe vullnetarësh filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Ishe i magjepsun para nji pamje të ktillë e thellësisht i emocionuem!

Fishten –ashtu e quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni,- e kam njohë që në klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste. Në këte grup, u zgjodh edhe baba i im, i ndjeri Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës.

Në mes të dy klerikëve lindi dhe u zhvillue nji miqësi që zgjati deri në fund, 1940 për Fishten dhe 1943 për baben tim.

U fikën të dy, dhe fatmirësisht nuk përjetuen katastrofën komuniste në Shqipëri.

Me 30 dhetor 1965, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes, gazeta DIELLI e Vatrës botoi nji seri shkrimesh kushtue At Gjergjit.

Unë shkrova “Kujtime të nji nxanësi”, mendime që po i ripërsëris këtu:

“... At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore –dhe frymëzuese- të popullit tonë, liriku i shquem, dramaturgu i fuqishëm, dhe pa dyshim autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe., At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimeve dhe shembullit të Shën Françeskut, zemra e dhanun pa kushte dashunisë për Shqipni, mendja që synoi pa pushim zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta kur ma shumë se kurrë zjarri i fjalës dhe penda e tij i duhej nji populli të mashtruem në nji atdhe të robnuem..

“Ka vdekë Patër Gjergji!”…

Ndoshta kjo ishte forma ma familjare që në Shkodër e kishim zakon me thanë kur shqiptojshim emnin e Poetit. Ndoshta edhe vetë ky familjaritet i ndiem dhe i përgjithëshëm tregon ma shumë se çdo shprehje tjetër sa afër nesh jetonte Fishta, sa ngushtë me mendimin tonë, dëshirat e shpresat tona jetonte Poeti që përjetësoi epopenë vigane të nji populli që nuk deshti me jetue në skllavëri.

E kam pa Fishten për të parën herë në vitin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra tradicionale, përcolli në banesën mortore të re trupin ba skelet i këputun të Hasan Riza Pashës. mbrojtësi i madh i qytetit Shkodër nga sulmet serbo-malazeze. Në nji pod të ngritun me nxitim pikërisht mbi trollin ku kishte ra gjaku i të vramit me tradhëti folësit hypën e zdrypen pa muejtë me shkëputë turmën nga Pasha.., që ceremonia e permortëshme kishte randue mbi to.

U desht Fishta atëherë me thanë fjalen e tij.

Aty kam pa fëtyrat, me mijëra, drejtue kah ai që i tërhiqte pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta përmbajshin nji mshehtësi të paditun ma parë. Asnji herë ma vonë për mue, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk ashtë paraqitë ma  e qartë.

Rradhën tjetër kur e pashë, Fishta shtrihej, pa lëvizje, pa za, ndehej pa shpirt mbi podin mortor të vendsoun në mesin e Kishës Françeskane, banesa e tij për shumë vite të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi vendin e qetë për pushimin e përjetëshëm.

Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi.

Mështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq , me të bardhin litar ngjeshë që tre premtimet e bame të Lumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duertë bashkue në nji kryq druni të zi,

Fishta që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon.

Cila ishte ndjesia që na mbushte zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj?

Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjallin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na bajnë, me nji fjalë, me  qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim, nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht, paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve.

Por Fishta kishte mbyllë sytë përjetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbar percolli veshun në zi, njeriun që ma  shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsinë e nji turme që kurr nuk deshti me njohë peruljen…

Baldëin, N.Y. 30 dhetor 1965

Shenim nga F.Radovani: Ribotojmë ata kujtime që ndoshta sot janë të vetmet, të Profesorit të Nderuem Sami Repishti, që nuk e harron kurr atë qytet Martirë të Shkodres, ku u le, u rrit, mësoi dhe vuejti burgjesh...

Ju falemnderës i Nderuem Prof. Repishti!

Melbourne, 17 Dhjetor 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora