E premte, 04.10.2024, 09:00 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Një nga botuesit e veprave t’ At Fishtës (2)

E diele, 27.12.2020, 11:50 AM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas disa vjetësh:

Një nga botuesit e veprave t’ At Fishtës

DR.PROF.NDUE ZEF TOMA

(1935 – 2017)

AT GJERGJ FISHTA - FIGURË E MADHE E KOMBIT

Në 65 vjetorin e vdekjes: Pjesa e II-të.

U shqua si pjestar i shoqërisë letrare "Bashkimi" e cila qe themeluar më 1899 nga Imz. Preng Doçi. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që kemi sot.

Më 1902 qe zgjedhur drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, në të cilën futi për herë të parë Shqipen si gjuhë mësimi. Më 1913 po në Shkodër, themeloi dhe drejtoi sa qe gjallë revistën "Hylli i Dritës".

Në vitet 1916-1918 krijoi dhe drejtoi "Postën e Shqipnisë". U emrua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, më 1919.

U zgjodh deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit Shqiptar më 1921.

U dërgua anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën Ndërballkanike në Athinë më 1930, pastaj më 1931 në Stamboll dhe prap në Bukuresht më 1932.

Më 1931 qe ftuar dhe qe caktuar anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në New Jork, ku përfaqësoheshin 60 shtete nga gjithë Bota.

Veprimtaria letrare e Fishtës

Ajo është e gjerë dhe e gjithanëshme.

Lëvroi të gjitha gjinitë e zhanret: lirikën, epikën, dramën, satirën, publicistikën, polemikë e oratori, vepra agiografike, përktheu e përshtati në gjuhën shqipe nga letërsia botërore.

Ishte shumë aktiv në jetën letrare, shoqërore e politike të kohës. Kjo shprehet në bashkëpunimin me të gjitha revistat e gazetat që dilnin, në të cilat botoi mbi 200 e sa shkrime. Krijimtaria poetike e Fishtës arrin në rreth 50.000 vargje, kurse në prozë mbi 700 mijë faqe.

Vetëm "Lahuta e Malsisë" ka 30 kangë me 15.563 vargje. Fishta botoi rreth 40 vepra sa qe gjallë dhe 30 tjera i la të pabotuara.

Veprat kryesore të Fishtës janë: "Lahuta e Malsisë", "Anzat e Parnasit", "Mrizi i Zanave", "Vallja e Parrizit", "Gomari i Babatasit", "Juda Makabe", "Mojs Golemi i Dibrës dhe Deli Cena", "Shqyptari i gjytetnuem", "Ifigjenia në Aulli".

Për këtë veprimtari letrare, shoqërore e politike, Fishta qe nderuar me dekorata, si:

Kurorë Argjëndi, nga Klubi "Gjuha shqipe" i Shkodrës (1911).

Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912).

Dekorata Ritterkreuz, nga Mbreteria e Austrisë (1912).

Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913).

Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925).

Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929).

Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931).

At Gjergj Fishta vdiq në Shkodër me 30 dhjetor 1940.

(Fragmente nga krijimtaria)

GJUHA SHQIPE

Porsi kanga e zogut t’verës,

Që vallzon në blerim t’prillit,

Porsi i ambli fllad i erës,

Që lmon gjijtë e drandofillit,

Porsi vala e bregut detit,

Porsi gjama e rrfesë zhgjetare,

Porsi ushtima e një tërmeti,

Njashtu asht gjuha jonë shqiptare.

SHQIPNIA E LIRË

Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,

Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë

Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,

Prej Tivari në Manastir…

HIMNI I FLAMURIT KOMBËTAR

Porsi fleta e Ejllit të Zotit

Po rreh Flamuri i Shqipnisë

E thrret t’bijtë e Kastriotit

Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë.

Bini Toskë, ju bini Gegë,

Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!

A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë,

Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!..

NJË GJAMË DESPRIMI

Me parzmet tona n’ata t’hershmit mota,

Mburojë iu bamë Evropës, pa dijtë shka asht tuta

Atbotë kur pallën Skanderbeg Kastriota

Sillte si rrfeja, e përmbi shtroje te buta

Dridhej një Sulltan, që aso here

Bante m’u dridhë botën mbarë prej mnere.

Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtegun me kurma shqiptarësh ia zumë

Tartarit, e prej Evrope larg rrezikun

Për disa kohë e mbajtëm, e poshtnuem,

Por kurrë Evropa në ndihmë një ushtar s’na nisi,

Kurr punët mbas fjalëve që na dha s’ujdisi.

E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti,

E shoftë me fise, popuj e qytete

Edhe premtoftë që dersa t’endet moti,

Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete.

Selitë e saj grimë me grimë u thejshin,

Me gjak t’popujve t’vet sunduest iu ushqejshin!

Pse krahët pa dhimbë Shqipnisë me ia thye

E prej Lirie me ia ndalun hovin?

Gopsia e kujt n’Malsi ka mujtë m’ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund ta mbajnë Moskovin?

Nuk duhet jo, që të mëkambet Shqiptaria,

Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malsia.

NGA PUBLICISTIKA E FISHTËS

Dr.Ardian Ndreca (Romë, 2001)

"Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizim të një shteti civil një njeri malok, matrahul, që mezi, ndoshta, ka krye dy a tri klasë fillore dhe që djersitet kur i duhet me shkrue emnin e vet.

Pse asht edhe tradita shpijake dhe edukata familjare, që shumë kend ndër ta, e ban krejt të neveritshëm dhe ekscentrik. Ky, babën gjaksë, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer; rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intrigantë batakçi, me vagabondë, rrugaçë, me njerëz hasëm të kulturës e të qytetnimit, si mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e një kombi ende primitiv ? Për me sundue një shtet nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçilleku, rrena, tradhtia. Duhet nderë, dije, urti, burrni, qé se çka duhet.

Po, por dija, urtia, ndera, burrnia mësoheshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë e jo ndër kafeshantana të Evropës e në mejhanë e paçaxhihane të Tiranës, tue luejtë tavëll e bixhoz e tue pi mastikë…”

*** Portreti i nëpunësit të shtetit, që synon vetëm të zhvatë sa ma shumë prej tij, për me sigurue për vete një jetë të qetë e të rahatshme: "....Ju kryetar këtu, drejtor atje, mbasandej, kur të huejtë na u hoqën deret, Ju sot senator, nesër deputet, mbasnesër ministër, tjetërmbasnesër prefekt, prap ministër, prap deputet: me kësulë në njanin sy, endu-çendu në shpinë të automobilit: tungatjeta! Në të djathtën, selamalekum! Në të majtën; ky hiq kësulën, ai hiq kapelen: zgërdhiju njanit; gërmushju tjetrit - Ministër, madje!..."

*** Ja si i përshkruan meskinitetet e klikave të atëhershme:

"U shpërnda, pra, parlamenti dhe ish-parlamentarët e Shqipnisë kthyen ndër kafe e mejhane të qyteteve e të fshatrave të veta, ku menjëherë filluen veprimin e vet: kafe,llafe, mastikë, tavëll, bixhoz. -"Jo, unë jam nacionalist. Ata janë "tradhëtorë", të poshtër, të shitur, maskarenj. Une kam shpëtue Shqipninë në ditën ma të ligë…”

***Kështu u heq maskën prapaskenave parazgjedhore: "Ahmet Zogu lëshoi zagarët e vet elektorale në të katër qoshet e Shqipnisë. T’u lëshuen, bre bir sâme, prefekt e nënprefekt, t’u shpërvolën kryetarë bashkishë, krahinorë, se-kretarë e t’u zgaqën kopista e arkivista...."

*** Ja si i stigmatizon feudalët e mbrapambetun, që damtonin çështjen kombëtare: "...Ky asht një analfabet, gjysë idiot, dembel, shumë herë sarahosh, gati gjithmonë kumarxhi, njeri pa fytyrë; pse, sadoqë poligam, prej tij s’ka guxue vajzë me dalë te dera, djalë me u endë sokakut, nuse me shkue te burri. Mendjemadh, dorështrejtë, qelepirxhi, ky, për një çiflik, për një rybe, ka pështy në Fé e në Atdhe, i ka ra mohit kombësisë së vet, kè, shqiptar tue kenë, e quejti veten "turk"... Ma tepër ka vra njerëz me u pushtue tokën; ka vra bujqit e vet për me u grabitë gjinden e shpisë, për me u marrë bagëtinë…”

VLERËSIME PËR FISHTËN DHE VEPRËN E TIJ

** "Me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se, sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e spartanëve, njashtu edhe epopeja e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër të djelmnisë sonë dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amëtare.

Njikëto dy ideale: atdhedashtnia dhe ruajtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës".

Prof. Aleksander Xhuvani

"Fishta është "shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar".

"Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!"

Lasgush Poradeci

** "At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tonë."

Kostaq Cipo

** ”Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se "Lahuta".

Faik Konica

** Fishta "Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar".

Gabriele d’Anunzio

** "Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli... Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora."

Erwin Stranik

..."Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna."

Prof. Dr. Maximilian Lambertz

** "Shqipnia qe ideali i tij, për te punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit."

Prof. Karl Gurakuqi

** "Patër Fishta...me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare e më i kulluari shkrimtar i Arbërisë."

Anton Baldacci

** "Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët gjermanë, spanjolë e anglezë..."

At Pal Dodaj.

“...Çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët."

Prof. Kol Kamsi

"Poemi epik "Lahuta e Malsisë" asht një vade mecum i çdo atdhetari."

Don Kolec Prennushi

** "Lahuta e Malsisë" mund të qëndrojë përkrah veprave poetike më të shquara të popujve të tjerë."

M. A. Freün von Godin (albanologe gjermane)

** "Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë."

Prof. Filip Fishta

** "Pas vdekjes Fishta...nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u përjetsue nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme."

At Viktor Volaj

** "Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin e pedagogun."

Një shkrimtar francez, pas takimit me Fishtën.

** "At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh, diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij."

Nush Topalli

***...At Fishta...nuk jetoi në "kështjellen e fildishtë", por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare...

Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut."

Lefter Dilo

** "Fishta, tue kuptue mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t‚u vinte breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun, me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci."

At Konrrad Gjolaj

** "Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale."

At Anton Harapi

** "Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, skenarët e kostumet… "

"...At Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Evropës u ngjit deri në majat më të larta të kulturës."

Prof. Dr. Norbert Jokl

**”Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën, frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa me t‚u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu me shkollë, por edhe i pashkolli."

At Mark Harapi S.J.

***”E keqja mâ e madhe që i ka ardhë Fishtës prej vjetve të komunizmit âsht që sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon.”

Dr.Ardian Ndreca (2001)

Kush âsht At Gjergj Fishta per brezin mâ të ri?

Fishta âsht nji fenomen i papërsëritshëm për shpirtin shqiptar, pse ai ka mbërrit me kenë njiherit poet, njerí i Zotit, humanist, patriot, burrë i virtytit e i vlerave qytetare – e këto cilësina, ndër ne, janë të rralla, te nji njerí i vetëm.

Shuma e vargjeve të Fishtës âsht realiteti shqiptar i çdo kohet, prandej asnji njerí i letrave shqiptare nuk mund të hjedhin nji rresht pa e pasë lexue fund e maje veprën e tij…

Guralecat e letersisë shqipe s’ kan mujtë me i bâ gja atij Mojzehi të gjuhës që âsht Fishta, por shumë keq mundet me i ba injoranca e brezave të sotme tue mos e lexue atë.

Pse duhet lexue Fishta?

Ai duhet lexue pse âsht nji klasik i letërsise tonë, e nji klasik s’pranë kurr së thanuni atë që ka për të thanë – në çdo kohë e secilit prej nesh. Klasiku âsht ai – për cilin ti ndien që e çojnë në qiell, por kur e lexon- ti vetë njitesh në qiell.

Asht fat me e lexue Fishten tue kenë në gjendje me e shijue, por me e shijue duhet të paktën me pasë dishirin me u drejtue kah arti i tij. Fishta âsht nji shkrimtar i tillë – që po u lexue njiherë – njeriu kupton se çka janë kenë librat tjerë që ka lexue para tij.

Fishta âsht i papërkthyeshme – pse shpirti i tij nuk ka zâdhanës, ai, si Mojzehi, ka qitë gjuhën e letrat shqipe prej robnisë e me pendën e tij ka bâ me burue mâ të kulluemin ujë – që ka për të shue përherë etjen e atyne që dojnë atdhé, kulturë e besim në Zotin. Lahuta e tij âsht skulptura epike e gjuhës shqipe, vepra e tij satirike âsht portreti mâ realist i shqiptarit të gjithmonshëm, lirika e tij âsht i vetmi vend ku qielli i toka shqiptare bashkohen në tinguj të ambel muziket të amshueme. Prandej, mbas Fishtes âsht e veshtirë me thanë ndonji gja të ré në letërsinë tonë.

Të gjitha përpjekjet me e “përshtat” Fishten mbas gjuhës së sotshme, të bdarun e të bastardhueme, janë të dështueme pa dalë në dritë, nuk bahet fjalë me ulë Fishtën te masa injorante e dembele, duhet që këta me u mundue me i ngjitë te Fishta për me kuptue të paktën se çka âsht nji klasik i letërsisë.

***

Kënaqësia e kësaj pune modeste do të ishte e madhe në rast se me të ne kemi arritur të ndihmojmë sadopak që kjo vepër autentike e Fishtës të komunikojë lirshëm me shqiptarët e të gjitha trevave, ashtu si përpiqej vazhdimisht Poeti Kombëtar.

Dr. Prof. Ndue Zef Toma. Tiranë, 2006.

Shenim F.Radovani: E gjithë kolana ka 10 vepra. Botimi i plotë i Vepres së At Gjergj Fishtës asht punë disa vjeçare e entit botues “Gjergj Fishta”, me bashkpuntorët e vet. Per realizimin e Vepres së plotë kanë punue disa studjues dhe personalitete si Dr. Prof. Ndue Zef Toma, Prof. Tefë Topalli, Dr. Tonin Çobani dhe Hamit Boriçi. I falnderoj per vleren e madhe t’saj!

Melbourne, 12 Dhjetor 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora