E enjte, 03.10.2024, 12:39 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kur u trandën Bjeshkët e Nëmuna

E marte, 29.12.2020, 11:58 AM


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

Ky ishte At Fishta per si Vllaun...

AT MATI PRENNUSHI O.F.M.

(1881 – 1948)

KUR U TRANDËN BJESHKËT E NÊMUNA…

FLAMURI I DEDË GJO’ LULIT

Flamuri i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, ishte merthye per gjokset e Françeskanve të Shkodres At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj plot 443 vjet mbasi ishte vorrosë në Lezhë, në 1468…E bashkë me Até Flamur edhe Shqiptarët e Shqipnia…

Kur brofi në kambë Trimi i Hotit Dedë Gjo’ Luli, bash atë ditë u trandën edhe gurt’ e Vorrit Kastriotit në Lezhen historike… Gjimuen Malet! U shkundën edhe hatllat e kullave...

E bash ata Bjeshkët e Nêmuna, ushtuen si duhija dikur motit…

Vargu i Trimave t’ atyne Alpeve s’ kishte t’ sosun! Burrneshat e xhubletës me ruba të zeza, pa ju ndigjue zani nder grykat e furrave, vetem nxirrnin bukët e freskëta per Luftarët e Lirisë… Ishte dita e madhe 6 Prill 1911, bash atë ditë kur po valvitej Flamuri Kuq e Zi në Majen e Bratilës së Deçiqit, i ngritun nga trimi i pakundshoq i Maleve tona Dedë Gjo’Luli!

Një mende djallzore e krajlit të Mali t’ Zi, punonte si emni i vendit ku sundonte: “Zi e ma zi se futa e atij malit!”...

Po, Frati At Matia, ishte betue per “Atdhe e Fé” e gjithshka Ai me At Buonen, ua kushtoi Lirisë s’ Atdheut e t’ Fesë per të cilen, flisnin “hujtë” e pafarë të ngulun nder malet e fushat tona. Pak e aspak lumej e prroje kishte Ballkani të skuqun si në Trojet e Gjergj Kastriotit tonë!

Në qelën e Gerçës, At Matia dhe Imzot Lazër Mjedja me shumë klerikë të Maleve organizojnë takimin historik ku përpilohet: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 Qershor 1911, dokument me aq shumë vlerë që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.

Memorandumi asht kenë shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i Pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Burra t’ atyne Maleve që nuk i vijnë kurrma Shqipnisë!

E krajl Nikolla nuk e vonoi gjyqin e Malit t’ Zi, që dënoi At Mati Prennushin “me varje n’litar”, po syni vek nuk i bani Fratit t’ Shën Françeskut, që tue ba buzen në gaz ju pergjegj kur i thane: “Në litarin tand do t’ varim o Frat!”… E At Matia u tha:  -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Ata u shtangën e veshtruen...

Ajo thanje kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar, kjoftë edhe armik; së dyti, litari i tij, nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh të At Matisë.

Me At Gjergj Fishtën, At Matia ishte vlla e mik i një Urdhni, po ishin edhe bashkëpunëtorë të një Ideali. Për hirë të kësaj dashtnije dhe miqësije që kishte At Gjergj Fishta për Té, ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën po, edhe e liroi dhe ja dha me vete…

Në 1926 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik Shqiptar, e kryesisht ai Françeskan, kundër regjimit të Zogut, i cili, dihej se kishte nenshkrue marrveshjen e tradhëtisë dhe të turpit me Pashiqin e Jugosllavisë, ku kryesore qendronte tradhtia ndaj Malësisë së Vermoshit dhe Shën Naumit. Forcat biellogardiste ruse e risjellën Ahmet Zogun në Shqipni në fundin e 1924... Me armët e tyne vrau vetem Atdhetarë dhe Malsorë të Veriut...

Mbas vrasjes së Atdhetarit Luigj Gurakuqi e Mikut Fretenve Bajram Currit, At Matia nuk donte me ia ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës prandej, arrëstohet prap në këtë Lëvizje.

Ma shtrenjtë e pagoi Don Gjon Gazulli, që u dënue me varje i pafajshem dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder.

Ishte marrë vendim nga Zogu që At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin qyshë në Rubik, “kur i shpetoi koken Zogut...”, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe.

Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Kur asht në Tiranë bashkë me Provinçialin At Anton Harapi, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen! Nuk ka metë kush me i kujtue!

At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike në predikimet e Tij.

Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, Ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipën e Flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Në vitin 1943 kur At Anton Harapi shkon në Rregjencë, At Matia asht zgjedhë në vendin e Tij Provincial i Françeskanve të Shqipnisë. Kenja Provinçial kje në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit, madje e disa shekujve.

Gjithshka mbas 1944 ishte në dorën e sllavëve jugosllavë dhe tradhtarëve gjoja “komunista”, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta? Kjo shihet që në Janar 1945, atëherë, kur At Matia, asht i pari klerik katolik Shqiptar që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!”... Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit që vazhdoi 47 vjetë në mënyren ma barbare!

At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit. Dijti me lidhë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte Até vëllau i kuvendit. Per këte sot flet kjartë Dosja e Sigurimit 1302, e rujtun në Seksionin katolik të Ministrisë.

At Matia punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër ju vlonte Liria e Atdheut. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.

Me 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e Kuvendit burg të  Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit ka thanë: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as Fenë as kombin, po e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.

Kemi jetue gjithmonë me Popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej Popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e, mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që Populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Revista “Buzuku”, nr. 18, E. Merlika, me 22 tetor 2005, Ulqin.)

***

AT MATI PRENNUSHI, u arrestue nga sigurimi komunist me 15 nandor 1946 dhe i dënuem per të treten herë me vdekje, u ekzekutue me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit. Para pushkatimit ka thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme.

Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

Sot jemi para një fakti të mnershem: Shumica e Atdhetarve Shqiptarë nuk kanë as vorre… Po zhduken shifrat e verteta... Ndersa, tiranët vrastarë dhe terroristë.., parardhësit e brezit sotem të “rilindjes” tradhtare e vllavrasëse, sot po vazhdon me i quejtë tiranët barbar e kriminelë: “heronjë”..!

Ata janë baballarët e tyne..!

Shenim F. Radovani: Kjo kujtesë duhet të na risjellin kujtimet e një Miku, me të cilat plotsojmë portretin e Atdhetarit Madh At Gjergj Fishta!

Ardhja e Françeskanve në Shqipni në Shek.XIII dhe veprat e Tyne, në të gjitha Trojet tona, janë e do t’ jenë të Perjetëshme!

Melbourne, 18 Dhjetor 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora