Mendime » Radovani
Fritz Radovani: At Pjeter Meshkalla - Biografi e shkurtë (2)
E enjte, 07.01.2021, 03:39 PM
Nga Fritz RADOVANI:
AT PJETER MESHKALLA S.J.
(Biografi
e shkurtë)
Pjesa e II.
Arrestimet
dhe pushkatimet e Klerit Katolik Shqiptar kishin fillue që në Janarin e 1945,
me Don Lazer Shantojen e poetin e ambelsisë, si e cilsonte Shkodra, Don Ndre
Zadejen. Të dy u pushkatuene mbrenda pak kohe me shpifje e akuza fallse.
Mbas
pak muejsh edhe At Pjeter Meshkalla arrestohët në vitin 1946 dhe bashkë me Don
Shtjefën Kurtin, Imz. Irené Banushin dhe Rrok Obotin, dënohen me shumë vite
burg, të cilat i kaluen ndër kampe pune dhe pjesën ma të madhe në burgun famkeq
të Burrelit.
At
Mëshkalla u lirue plot mbas 15 vjetësh vetem mbasi plotësoi ditë në ditë dënimin e dhanun nga
gjykata.
Në
fund të vitit 1961, kur lirohët nga burgu, vjen në Shkodër, por pa të drejtë me
sherbye si meshtar, detyrë e cila i ndalohej nga shteti komunist, por që At
Mëshkalla e ushtroi pa lejën e tij me guxim dhe pa pikë frike kudo që e lypte
nevoja. Ai nuk ishte pajtue me “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, ndonse
aso kohe ishte në burgun e Burrelit, por qendrimi i Tij, i At Donat Kurtit dhe
At Frano Kirit, në vitin 1951, përballë terroristit Hilmi Seiti (aso kohe,
ishte Kryetar i Degës së Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, ku ndodhej edhe
Seksioni Katolik i Sigurimit, i vetmi në Shqipni). Edhe pse nga hjerarkia e
vjetër e Kishës nuk kishte mbetë pothuej asnjë, At Mëshkalla respektonte me
përvujtni të gjithë drejtuesit e klerit dhe kur ndokush vente në dukje ndonjë
të metë të ndonjenit, Ai menjëherë do të gjente anët pozitive që peshonin ma
shumë se të metat. Jetoi pak vite me nanën dhe kushrinën e Tij Ganxhën, në një
shtëpi përdhese në Ballabane. Gjysma e dhomës, besoj i kujtohët vizitorëve të
shumtë që shkonin aty, ishte me drrasa, ndërsa pjesa tjetër ishte kalbë
dyshemja e ishte me dhé. Aty punoi, aty thonte Meshë, aty rregullonte
“Betlemin” për vizitorët e vogjël, aty u mësonte katekizmin e gjuhët e hueja
rinisë, aty i mësonte normat e moralit, aty rrëfente, aty vehej kunora Shenjtë,
aty.., kjahej halli i së shkretës Shqipni e, aty, profetizohej e
ardhmja...Drita dhe perparimi...
Në
1967 me të ashtuquejtunin “Revolucion
Kultural” At Meshkalla arrëstohet prap, dhe mbas një gjyqi që u zhvillue në
gjykatën e rrethit të Shkodrës, pa e ndigjue njeri, u dënue 10 vjet burg,
kryesisht i akuzuem për veprimtari fetare të ndalueme, por e vërteta ishte ajo
që do të shtjelloj ma poshtë. Në moshën 77 vjeçare doli nga burgu dhe erdhi
prap në çerdhën e vjetër, në Shkodër. Jetoi në vorfninë e zakonëshme me të
cilën tashma ishte mësue. Pa dallim Feje, mund të themi ju gjetën njerëz në
kohën ma të vështirë kur ishte mjaft i shtymë në moshë dhe i smurë ndër kushte
të randa shëndetësore. Një vajze shkodrane, e quajtun Luigjina Leka, nuk i la
asgja mangut kushrinjve shumë të dashtun që ishin rreth tij dhe i mbyllën sytë.
Atë ditë ka kja Shkodra mbarë! Ai vertetë kishte moshen 87 vjeçare, po njerzit
e dashtun asht shumë e vështirë me i harrue kur Ata lanë kujtime të mira! Me
datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në
banesën e fundit At Pjeter Meshkallen,
Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e
punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, misionarin e vërtetë dhe të
vendosun, ushtarin e zdathun të Krishtit, luftëtarin e demokracisë dhe të
Drejtave Njerëzore në Shqipni, mësuesin e rinisë dhe kundërshtarin e pathyeshëm
përballë diktaturës komuniste, që ishte nder ma të pergjakshmet që ka njohtë
sistemi i dhunës dhe i vrasjeve barbare në krejtë Europen Lindore.
Shqipja
me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb:
“Edhe
një Hero ma pak!”...
Melbourne, Janar
2021.
Shenim F.Radovani: Vazhdojmë me Pjesen e III.