E shtune, 12.10.2024, 12:22 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: At Pjetri ishte gur!

E marte, 12.01.2021, 05:44 PM


Nga Fritz RADOVANI: Nr.3.

AT PJETRI ISHTE GUR’ !

Mos u habitni!.. Nuk asht epitet i vumë prej mejet, po asht një jetë e tanë që e provon këte thanje. Asht një jetë e njënit prej Atyne “Gurve” që nuk besoj se i vjen ma Shqipnisë sonë!

Kam dishirë me shkrue për një Burrë që thirrej “Pjetër”, që do me thanë “gúr”, e që me të vërtetë kje gúr, bash një prej Atyne Gúrëve të Kishës Katolike Shqiptare, kundër së cilës dyert e ferrit s’muejtën me fitue. Sa do të mundëm me qitë  në pàh karakterin e Tij burrnor e fisnik, e mbi të gjitha até atdhetar e fetar, kryesisht përpjekjet e Tij për unitetin e Atdheut e të Popullit, këte nuk e di, pse do të duhëj me pasë një kulturë të gjanë për me  përshkrue Até, që, mjerisht, komunizmi na la pa atë kulturë. Ky asht i Nderuemi At (Padër) Pjetër Meshkalla S.J., ose si e njohi gjithë Shqipnia: PADËR  MËSHKALLA.

Padër Pjetër Mëshkalla S.J., Meshtar Katolik, jezuit shqiptar i “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lé në qytetin e Shkodrës me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së “Daulles”, në krahun e majtë, aty ku banonte Zef Alimhilli. Mbas mësimeve të para që mori në vendlindje, shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë. Atjé, në vitin e dytë u sëmue, kështu, në vitin e tretë, u bashkue me Don Kolec Prennushin, që ka kenë daja i em dhe sëbashku vazhduen studimet deri në vitin e fundit. Don Koleci, ishte një vit ma i ri (datlindja 1 janar 1902) dhe vdiq i ri me 2 korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi në Shkodër. Ai vdiq prej zemrës, që, si duket, iu shkatrrue prej torturave të Sigurimit të Shtetit komunist. Nana e Tij, pra gjyshja eme, që e thirrshim Nana Nine, çdo ngjarje të jetës së Don Kolecit dhe të rinisë studentore të Tij e lidhte me Padër Pjetër Mëshkallën, që aso kohe ishte në burg, kohë në të cilën unë nuk e njihja fare, mbasi kur ishte arrestue Ai në vitin 1946, në Tiranë, unë kam kenë  i vogël, 6 vjeç, në Shkodër. Gjyshja na tregonte se, kur djelmët ishin në Austri (kështu i thërriste ajo, mbasi i konsideronte të dy të vetët), gjatë Luftës së Parë Botnore, të dy kishin humbë për 10 muej dhe nuk kishin asnjë dijeni ku ndodheshin ata. Aq e kishte vuejtë atë kohë, sa për pak javë, na thonte gjyshja, më kanë rá të gjithë flokët e kresë, mbasi flitëj se atje gjendja ishte shumë e randë dhe e vështirë, madje ma keq se në Shqipni. Njerëzit vdiqnin urije. As shkolla e as konvikte nuk kishin funksionue mâ. Lufta kishte marrë përmasa përditë e ma të mëdha.

Një mjek ushtarak austriak, që aso kohe banonte në shtëpinë e gjyshit tem, Pjetër Prennushit, ose siç njihëj nga rusnjanët, Tukja i Kolë Dedës, që ishte edhe vëllaj i madh i At Mati Prennushit O.F.M. (Provinçial i Fraçeskanëve të Shqipnisë, që u pushkatue me 11 mars 1948), i premton gjyshit se nëpërmjet ushtarëve austriakë, që shkonin me çue informacionet në Vienë, ai mund të dërgonte atje edhe një paketë të vogël me ushqime, rreth 500 gr., ku futeshin dy rriska bukë të thata dhe në mes të tyne edhe dy rriska proshutë për me ia çue Kolecit në Linz. Paketa nisej çdo dy ditë, por asnjë përgjigje nuk vinte  prej andej mbasi ushtarët nuk këthenin ma në Shqipni. Lidhje të tjera nuk kishte. Kur mbas 10 muejsh të humbun, pushoi Lufta, djelmët u kthyen të dobsuem, asht’ e lëkurë, në Shqipni, dhe treguen se kishin jetue në një shtëpi të një austriaku, që nuk kishte pasë bukë as për veti, por jetesa e tyne kishin kenë dy rriskat e bukës së thatë e proshuta, që shkonte nga Shqipnia, e që njenën e kishte hangër Koleci, ndërsa tjetrën ia kishte dhanë shokut të vet, Pjetrit.

Ç’ prej asaj kohë e deri në vdekje, Padër Pjetër Mëshkalla ka kenë një Mik i përjetëshëm i familjës sonë, kushrinjve me nipa e mbesa të Don Kolecit. Mbas këthimit në Shqipni, daja u ba prift. Pjetri zgjodhi rrugën e Urdhnit Jezuit S.J.

Ai vazhdoi plotësimin e moshës 33 vjeçare me studime mbasuniversitare në Poloni, Itali etj., dhe mbas Shugurimit meshtar, u këthye në Atdhé, ku filloi punën si mësues në shkollën fillore të Jezuitëve në Shkodër, e ma vonë profesor po në Seminarin e tyne aty ku asht edhe sot.

Kur nana e Tij, Agëja, shkonte me e pa Padër Pjetrin aty të mbyllun në kuvendin e Jezuitëve në kohë dimni, pa zjarr e pa ngrohje, zemrohej me të birin dhe i thonte: “Ik mor prej këndej, pse rri këtu! Bukuri Don Koleci, prift e me të gjitha kushtet...”. Ajo bisedonte edhe me gjyshen tême për këtë problem, por ishte kot!.. Ai nuk kthehëj mâ prej rrugës që ishte nisë, rrugë në të cilën mbylli jetën e Tij plot lavdi.

Kishte kënaqësi të madhe kur na të rijtë i kujtonim vëprimet e nanës së Tij, me detaje ashtu si na i kishte shpjegue gjyshja né dikur... Fëtyra i merrte pamje tjetër, u çelte, qeshte, ma parë se çdo pjesë tjetër e fëtyrës i qeshnin sytë, që i vezullonin, e për ata që e njohën, ata sy ishin të paharrueshëm për ambëlsinë joshëse të Tyne, po edhe për shkëndijat që nxirrnin kur e lypte rasa. Besoj i kujtojnë mirë Ata sy të gjithë ata që ishin të ulun në podin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës, e besa edhe ata që folën prej auditorit, mbasi edhe na që ishim në rrugë, kurr nuk mund të harrojmë Burrin e shkurtë mjedis oficerëve e xhelatëve të Sigurimit, që e morën me mendimin se mosha e madhe do të bante të vetën e populli i Shkodrës nuk do ta shihte kurrma... Po, “Trimat kanë oren çuet!”

Unë e njoha Padër Meshkallën për fëtyrë mbasi doli prej burgut të parë, aty nga vitët 1961-62, kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë, tashma që nuk ishte as Don Koleci, por as nana Nine, e cila kishte vdekë pak kohë ma parë, po ishin motrat e Don Kolecit, ose ma mirë me thanë edhe motrat e Tij, që i desht dhe i respektoi si një vëlla i mirë. Vinte shpesh sepse gjente ngrohtësinë e të gjithëve, dashni e ngrohtësi të cilën Ai e gjeti në të gjitha votrat e Shkodrës, ose ma mirë me thanë në secilin prag dere ku i shkeli kamba.

Kujtoj një ditë, e pashë tek dera, dhe simbas zakonit, e ftova me hy mbrend për një kafe, por ai nuk erdhi. Më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Muslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Muslimanëve për të cilët ruente kujtime të mira nga jeta e burgut, që kishte kalue me tá. Edhe ata ia kthenin vizitën, por ajo që do të vê në dukje asht tjetër gja, se kur hyni të dytën herë në burg, ata e kujtuen dhe e ndihmuen edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Lutja e Tij ishte e barabartë e me fryt për të gjithë pa dallim Feje.

Fjala e Tij ishte mësim e dashni për të gjithë. Ai gjithmonë personifikonte të vërtetin dhe të pagabueshmin.

Fjala e Tij nuk diskutohëj prej askujt.

Ja se çfarë shkruen për Té i nderuemi Profesor Arshi Pipa: “Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër,1993).

Tregojnë se, kur bahëj ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimëve të ndryshme për problemët filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të Fesë Muslimane, u thonte të gjithve në mënyrë të preme: “...Kjo çashtje qëndron kështu, sepse kështu ka thanë edhe Pader Mëshkalla!”.

Shenim nga F.Radovani: Figurat si At Meshkalla, nuk kanë nevojë asnjë per sterzgjatje ngjarjesh. Besoj nuk gabohem! Me respekt Autori.

Melbourne, 12 Janar 2021.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora