E enjte, 10.10.2024, 03:04 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kush t’vrau pa faj o At Anton Harapi?

E shtune, 20.02.2021, 10:55 AM


Nga Fritz RADOVANI:

KUSH  T’ VRAU  PA  FAJ

O  AT  ANTON  HARAPI ?

Tregoi zhguni i Fratit:

At Anton Harapi ishte i vetmi Rregjent në Botë që e pranoi atë detyrë në vitin 1943, me kusht: “Mos me nënshkrue asnji dënim me vdekje!”(Dosja 1068 Arkivi MPM)

Kush tjeter e ka vue këte kusht para ose mbas Tij, në atë detyrë që ishte At Antoni?

75 vjet plot që At Anton Harapi u pushkatue nga gjyqi komunist i Tiranës, brij lumit Lana dhe, as sot nuk ka as vorr, e pse: Ai ishte Atdhetar i perkushtuem, një dijetar e filozof pa ma të voglen kreni. Një shkrimtar i njoftun plot talent. Ishte predikatar i adhuruem nga rinia shkodrane, me cilsitë e një oratori të spikatun modern. Ishte nder konferencierët ma të pergatitun të Shqipnisë, dhe mbi të gjitha, Klerik i Urdhnit Françeskan me të gjitha virtytet brilante të Paraardhësve të vet shekullor, në sherbim të “Atdheut e të Fesë”, ndër Trojet e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Dokumenti i keqperdorun nga “kleri i sotem” me thanjen e At Justin Rrotës OFM, verteton se: “At Anton Harapi ka kenë antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e 12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e klerit katolik Shqiptar.”

Ai përfaqsonte për gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër si meshtar katolik, paraqitej shpirtnisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental dhe prej atij bizantizmit aziatik. Shpirti i Tij lulzonte nga virtytet e pastertia e kullueme e një Shqiptari të denjë, të perkushtuem në qendrimin Europjan.

Porosia e Tij në 1944 asht aktuale, ndonse thanjet e Tij janë të pakundershtueshme në të gjitha kohët: “Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.” E ndoshta, pikrisht sot kjo thanje e At Anton Harapit, troket në “trunin e perçarësve të pasherueshem...”

Para gjyqit terrorist të 1946 në Tiranë Ai tha: Mos harroni ju se, unë jam Shqiptar!

Ishte “harrue fakti” kur me 4 shkurt 1944 At Antoni hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” Dhe, prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa ata e pushkatuen At Antonin, vrasësi terrorist sot “hero” Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”...

Tregonte Rregjenti Cafo Beg Ulqini sesi i propozoi të shkonte në një streh të Tij nga Tokat e Malit të Zi, nder shpella. At Antoni ju përgjegj: “Kam punue per Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!... At Antoni kerkoi nga forcat ushtarake gjermane, mos me u largue nga Shkodra para datës 29 nandor 1944, per mos me na u njollosë dita e madhe e Festës së Flamurit, 28 Nandori dhe, ashtu u ba...” (Dishmi e C.B.Ulqinit).

Thanjet e At Antonit, para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, kur po gjykohej dhe u dënue me vdekje nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë me kryetar major Hirakli Bozo, antarë Tonin Jakova (major) dhe Gjon Banushi, sekretar Thoma Rino, kanë mbetë parashikime historike që nuk persëriten: “Shqipnia u fitue me gjak; me gjak, edhe po mbahet e robnueme. Do të vijnë dita e me paqë e drejtësi, do të fitohet!”

Ai tha: “Shpirtin Zotit, trupin Tokës” Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij.

Edhe pse i pat të gjitha mundësitë mos me u ra në dorë komunistëve vllavrasës.

Atdheu i ynë Shqipnia, Tokat tona Shqiptare filluen me u skuqë prej gjakut të luftës civile “nacional – çlirimtare” të partizanëve “tanë”, me “yllin e kuq” të Titos në ballin e tradhëtarit Enver Hoxha… E Ai gjak i kulluem Atdhetarësh vazhdoi plot 47 vjet...

Do të vijnë koha ku, dikund nder brigjet e lumit Lana, do të gjeni njëditë testamentin e Tij lapidar: “A e dini se çdo ndertesës i vihen temelet n’ dhe? Edhe pse n’ varr, në hijshim duhet t’jemi gurt e temelit t’njasaj binaje t’cillën sot e quejm Shqypni?!”

Tiranë, 20 shkurt 1946..: Drejtë bregut lumit Lana... Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… Tregonte një nga policët shoqnues të grupit Rregjencës se atë ditë: “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëri prej ekzekutuesëve e shikoi Fratin dhe i tha: “Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:

“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…

Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”...

Ja pra, Ky ishte Frati me zhgun i Shqipnisë At Anton Harapi...

Melbourne, 18 Shkurt 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora